Sokol Paja
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani Sadriu zhvilloi një takim të përzemërt me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në “Empire Steak House” në Manhattan, presidentja e Kosovës znj.Osmani shoqërohej nga Zëvendëskryeministre & Ministre Punëve të Jashtme dhe Diasporës Znj. Donika Gërvalla-Schwarz, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Uashington Ilir Dugolli dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York Prof.Dr. Blerim Reka.
Udhëheqësit e shtetit të Kosovës pasi falenderuan mërgatën për kontributin historik për shtetin e Kosovës e kombin shqiptar, apeluan për rritje të bashkëpunimit dhe fuqizim të lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në interes të Kosovës.
Përgjatë bisedave me kontributorë të çështjes kombëtare për dekada me radhë, përfaqësuesit diplomatik të shtetit të Kosovës ritheksuan nevojën e shtimit të përpjekjeve të diasporës, angazhim më të fortë dhe shtim të energjive në interes të promovimit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Falë dhe punës suaj në mërgatë e përpjekjeve të jashtëzakonshme, Kosova do të jetojë përgjithmonë” tha ndër të tjera Presidentja Osmani para mërgatës shqiptare në Amerikë.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në këtë takim u përfaqësua nga Presidenti i Nderit Agim Rexhaj, anëtari i kryesisë Ilir Cubi, anëtari i Këshillit Gëzim Nika e vatranë të tjerë.