Kontributi i Milan Shuflajt në hulumtimin e historisë shqiptare

Lazar Dodiq – Bochum

(Përktheu në gjuhën shqipe, plotësoi me referanca dhe përgatiti për botim Dr. Musa Ahmeti Center for Albanian Studies Budapest)

Pjesa e dytë dhe e fundit.

Migrimi i popujve dhe veçanërisht ndërhyrja e sllavëve, e zhvendosi popullsinë romake të veriut, qendrën e “romanëve të lashtë” rreth limesit të Danubit, mbi shtresat e jugut. Kjo shkaktoi migrim të rumunëve në të gjitha drejtimet e Ballkanit. Që në shek. IX në Dalmaci[1] përmenden paraardhësit e më vonë të ashtuquajtve Maurovlachen, Morlacchen, Moroulachi, dhe në shek. X, XI, paraardhësit e Maqedo-rumunëve, Arumunëve (βλάχοι). Grupe të forta rumune mund të gjenden edhe në Mal të Zi, ku kanë lënë pas emra të shumë vendesh dhe familjesh (Durmitor, Visitor, Sermiani, Mugoša, në mesjetë edhe emra njerëzish si Gradul, Radul, Vladul). Në kuadrin e këtyre migrimeve dhe kontakteve të rumunëve me popujt e tjerë të Ballkanit, janë për t’u përmendur edhe simbiozat midis fiseve baritore shqiptare dhe rumune. Sipas Shuflajt, i cili për manastirin e kryeengjëllit në Prizren mbështetet në dokumentin e mbretit serb, Dushan, dhe kodikun e tij (Dušanov zakonik), në mesjetë ndodhi një kontakt intensiv i fiseve baritore shqiptare dhe rumune në hinkën hidrografike të Lumës. Elemente folklorike rumune depërtuan deri në harkun më verior të Drinit të bashkuar, deri në rrethinat e Scutarit (Shkodrës) dhe në zonën e Pukës. Veçanërisht të forta ishin simbiozat etnike midis shqiptarëve dhe rumunëve në Shqipërinë jugore. Masa të mëdha shqiptarësh nga Musakia (Myzeqeja) dhe Valona (Vlora) ranë këtu në kontakt me Rëmër (nga rëmën, pl. Rëment < Romanus) dhe për shekuj me radhë fiset e bashkuara shqiptare dhe rumune ndërmerrnin fushata plaçkitjeje kundër qytetit të pasur tregtar, Janinës.

Për Shuflajn, sipas kësaj analize, sqarohen plotësisht përputhjet gjuhësore që shkojnë deri në thellësi, midis shqiptarëve dhe rumunëve. Përzjerja pararomake e substratit, migrimet e shumta të rumunëve nëpër Ballkan, dhe simbioza e tyre e ngushtë me shqiptarët në veri dhe në jug të vendit, janë shkaqet e këtyre lidhjeve gjuhesore dhe jo origjina e tyre e përbashkët trakase. Për Shuflajn shqiptarët janë ilirë, tek të cilët është ndërfutur një shtresë trakase. Në artikullin e tij të fundit “Albanien in der Vergangenheit” (Shqipëria në të kaluarën) (1930) Shuflaj sqaron që shqiptarët janë mbetje të përzjerjes iliro-trakase.[2]

Në “Fate politike të temës së Dyrrahut”[3] Shuflaj elaboron ngjarjet më të rëndësishme historike në Shqipërin nën sundimin bizantin. Pas përshtjellimit entik të migrimit të popujve në shek. IX[4], nga ndarja e provincave më parë romake, u krijua rreth qytetit të Dyrrahut një nga temat më të rëndësishme të mbretërisë bizantine. Që në antikë qyteti ishte një ndër qendrat më të mëdha të Mesdheut dhe në mesjetë deri në vitin 1204, ai ishte pararoja e pushtetit bizantin në Adriatik.

Kufiri i kësaj teme filloi me veriun e Antivari-t (Tivarit) dhe Dulcigno-s (Ulqinit) shkonte mbi liqenin e Shkodrës, përmblidhte zonën e Polat-it (Pultit) dhe të Chunavi-së (Kunavisë) vazhdonte mbi liqenin e Ohrit, Tzernic (Skampa, Elbasan), Belgrad (Berat), Vojussa (Vjosa), Gradac (Byllis) dhe mbaronte poshtë Aulona (Vlora) në det. Sipas Shuflajt, kjo ishte Shqipëria e saktë mesjetare, kufizuar vetëm pak në veri dhe në juglindje.[5]

Rëndësia e kësaj teme u shpreh disa herë. Në shek. IX ajo ishte baza e operacionit kundër perëndimit, për shkak të pushtimit arab të Tarentit (839) dhe Barit (841), kundër veriut për shkak të pushtetit frank dhe kundër lindjes për shkak të presionit bullgar. Në lindje kjo provincë kishte mbi 30 vende rrethuara, që i bënin rezistencë ekspansionit bullgar. Pasi Tema vuajti shumë si pasojë e presionit bullgar, në shek. IX e rriti thelbësisht rolin e saj si shtyllë e perandorisë bizantine. Në atë kohë u dukën normanët, të cilët ishin shpalosur fuqishëm në Italinë jugore, dhe po përhapeshin që andej duke sulmuar zona bizantine në Ballkan. Pas 30 parapërgatitje, në tetor të vitit 1081 u bë një betejë e hapur para Dyrrahut, në të cilën morën pjesë fuqitë e atëhershme evropjane. Ushtria bizantine nën komandën e perandorit Aleks, ushtri kjo kryesisht e përbërë nga shqiptarë, pësoi një humbje të rëndë. Në fillim të vitit 1082, Dyrrahu u pushtua nga normanët, por u çlirua në të njëjtin vit nga venedikasit. Pas vdekjes së komandantit norman, Robert Guiskard (1085) dështoi aksioni i normanëve. Më vonë Boemundi i Tarentit u përpoq në kuadrin e kryqëzatës së parë (1104-1108) që ta pushtonte përsëri Dyrrahun, por qyteti u mbrojt me sukses. Gjatë kryqëzatës së dytë dhe të trete pati përsëri ndërhyrje të trupave perëndimore në territorin e Shqipërisë kundër Bizantit. Me kalimin e kohës ra dhe rezistenca bizantine. Kalorës perëndimorë mundën që të pushtonin më shumë pika kyçe të Shqipërisë dhe princët shqiptarë kërkuan më shumë pavarsi. Në vitin 1204, perandoria bizantine u nda dhe këtu ra edhe qyteti i Dyrrahut në duart e republikës së Venedikut. Në vend të Temës së dikurshme bizantine u themelua Durrësi venedikas. Më këtë përfundim edhe fati i Temës së Dyrrahut. Në tre shekujt në të cilat kishte jetuar, ajo kishte qenë arenë e konflikteve të ndryshme, para së gjithash e konflikteve midis Perëndimit dhe Lindjes. Shuflaj e zgjodhi këtë periudhë si objet të studimeve të tij edhe për shkak se pikërisht kjo periudhë paraturke ishte e rëndësishme për Shqipërinë, përpara se ajo të shfaqej sërish pas një pauze të gjatë, dhe të zhvillohej si një komb në kuptimin modern të fjalës.

Një hulumtim të themeltë të historisë kishtare shqiptare, Shuflaj e ndërmori në trajtesën “Gjendja kishtare në Shqipërinë paraturke. Zona e depërtimit ortodoks në digën katolike.” Historia e kishave është e rëndësishme edhe për ngjarjet politike të Shqipërisë mesjetare, sepse në mesjetë kontradiktat midis Konstantinopolit dhe Romës nuk ndikonin vetëm në sferën fetare por edhe në atë politike. Edhe këtu, Shqipëria del në pah si vend kufitar.[6]

Përhapja e besimit të krishterë[7] në Shqipëri filloi që në shekujt e parë pas Krishtit. Sipas një legjende shqiptare apostulli Pal ka qenë vetë në Durrës dhe ka ungjillizuar mes paganëve.[8] Mesa duket kjo legjendë mbështetet në njoftimin që vetë apostulli bën në Letrën e Romakëve 15:19, që e ka mësuar ungjillin nga Jeruzalemi deri në Iliri. Sipas një tjetër gojëdhëne, Pali ka transformuar[9] në kishë një tempull të vjetër pagan mbi mali e Nëmërçës, në Shqipërinë e Jugut. Një gojëdhënë e ngjashme bën fjalë edhe për një ndalesë të apostujve në Dalmaci, në ishullin Mlet.

Krishtërimi i Ilirisë, pa dyshim që u përhap nga Salona në Dalmaci, dhe Dyrrahu në Shqipëri. Shuflaj i ndan peshkopatat në Shqipëri në primare (deri në vitin 602), sekondare (deri në vitin 1250) dhe tertiere (deri në vitin 1370).

a) dioqeza primare që përmenden në dokumenta të ndryshme të shek. III dhe V, janë Dyrrachion, Doclea, Sarda, Scodra, Lissus, Scampa, Amantia, Appolonia, Byllis dhe Aulona. Shuflaj supozon që edhe Ulcinium (Ulqini) i përket kësaj dioqezave primare.

b) peshkopatat sekondare janë Stephanika, Kroja (Arbanum), Antibari, Tzernica, Belgradi (Berat) Glavъnica, Drivasto dhe ndoshta edhe Suiacium (Svaç);

c) tertiere janë Polatensis Minor, Polatensis Major, Balezo, Dagno, Prizren, Chunavia, Vrego, dhe Krajina.

Në mijëvjeçarin e parë, pushteti metropolitan ndiqte me përpikmëri zhvendosjet politike. Kështu organizimi kishtar pas ndarjes së provincës së Dalmacisë në fund të shek. III në Dalmacia Salonitana dhe Praevalis i korrespondonte kufirit midis latinishtes dhe greqishtes. Në Salona, Shkodër, dhe Dyrrah, qëndronte në atë kohë nga një metropolit për Dalmacinë, Prevalis, dhe Epirus Nova (Epiri i Ri). Deri në fillim të shek. VII qytetet përgjatë bregdetit adriatik janë kryesisht romane dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me Romën. U krijua një situate e re, kur në vitin 732 perandori Leo Isaurier ia hoqi provincat e Epirus Nova dhe Prevalis, ashtu si dhe Italinë e Poshtme kishës romane, dhe i vuri nën autoritet Patriarkanes së Konstantinopolit. Këto provinca morën një metropolit të përbashkët, dhe pikërisht prelatin e Dyrrahut. Në atë kohë, karakteri kishtar i dioqezave shqiptaro-jugore u bë kryesisht ortodoks. Dioqezat e Belgradit (Beratit) dhe Glavъnica (Glavinica) u bënë krejtësisht ortodokse dhe nuk u kthyen kurrë më tek kisha romane. Edhe dioqezat e zonës së mesme si Dyrrachion, Kroja (Arbanum) dhe Stephaniaca, me kalimin e kohës morën një karakter ortodoks. Vetëm në gjysmën e dytë të shek. XIII, Roma ia arriti që nëpërmjet pushtetit politik të fitonte terren përsëri. Provincat veriore romano-shqiptare mbetën gjithmonë katolike, të paktën në mënyrë të fshehtë, dhe u shkëputën menjëherë nga Dyrrahu ortodoks, sapo papa bëri thirrje.

Kështjella e ortodoksisë në Lindje ishte kryepeshkopata autoqefale e Ohrit. Rrezatimi i saj ishte i fortë në të gjithë territorin shqiptar. Peshkopët ortodoksë të Prizrenit dhe Dibrës, dhe më vonë edhe të Glavъnica (Glavinicës) dhe të Belgradit (Beratit) janë drejtpërdrejtë nën ndikimin e saj, dhe mesa duket për ca kohë aty kanë qenë grekë me arsimim të lartë. Pozita e Ohrit u forcua në shek. X nën sundimn e bullgarëve, kur provincat e shqiptaro-jugore: Scampa, Tzernica, Glavъnica, Belgradi, dhe Aulona, erdhën nën juridiksionin e tij, në dëm të kryepeshkopit të Dyrrahut. Kufijtë e Ohrit i miratoi edhe perandori bizantin Bazielos (1020), pa marrë parasysh protestat e metropolitit të Dyrrahut. Përsa i përket Dyrrahut, ai humbi edhe në vitin 1022 dy provinca veriore, Antibarin dhe Ulciniumin (Tivarin dhe Ulqinin), si rrjedhojë e sulmit nga ana katolike. Antibari dhe Ulcinium iu nënshtruan kryepeshkopit të Raguzës, nga Papa Benedikt VIII, i cili ishte një armik i grekëve. Antibari e mori këtë vendim jo pa kundërshtime, pasi ai vetë kishte pretendime për autonomi. Nëpërmjet një bulle të papës Klement III (antipapë i Urbanit II) në vitin 1089, provincat e Antibarit, Ulcinium, Suacium, Scodra, Drivasto, Polato, dhe Cattaro, iu nënshtruan “kryepeshkopit të Diokleas” imagjinar, dhe peshkopit faktik të Antibarit. Ky dokument hapi një fazë të re në historinë kishtare të Shqipërisë, në të cilën nga njëra anë Dyrrahu tërhiqet plotësisht dhe nga ana tjetër ngrihet cështja e pushtetit metropolitan të Raguzës, respektivisht e Antibarit për dioqezat shqiptaro-veriore. Në rrjedhën e shek. XII kryepeshkopi i Raguzës ia doli mbanë që ta fitonte pushtetin e tij metropolitan nga Roma. Në kulmin e pushtetit metropolitan të Raguzës, nën kryepeshkopin Tribunus (1158-88) ra edhe peshkopi i Arbanum (Krujës) që u shkëput nga Dyrrahu. Antibari, megjithatë, pretendonte të dilte mbi Raguzën në vitin 1199 dhe që atëherë pushteti metropolitan mbi dioqezat e Shqipërisë së Veriut mbeti vazhdimisht në duart e kryepeshkopit të Antibarit. Antibari, ashtu si edhe e tërë Shqipërina më vonë, u bë bazë operacioni e Romës kundër ortodoksisë. Krypeshkopi i Tivarit në vitin 1256 mori titullin “archiepiscopus Sclavinensis” dhe në shek. XV titullin “Primas Serbien”[10].

Pas shembjes së perandorisë bizantine (1204) kisha katolike e përmirësoi thelbësisht pozitën e saj në Shqipërinë e mesme dhe jugore. Pas pesë shekujsh, kapitulli i Durrësit mundi ta shuguronte kryeipeshkvin e tij sipas ritit roman. Deri në mesin e shek. XIV mund të vihet re një radhe dyfishe e kryeipeshkëve-kryepeshkopëve katolike dhe ortodoksë. Seria e ipeshkëve katolikë vazhdoi deri në vitin 1946, kur kryeipeshkvi i Durrësit u vra nga regjimi i ri komunist. Në Aulona u ngrit një ipeshkvi e re. Kisha katolike fitoi territor madje edhe në vetë kështjellën e ortodoksisë, në Ohër. Nëpërmjet përmirësimit të dioqezave, dhe punës së urdhërave të benediktinëve, dominikanëve dhe françeskanëve, Shqipëria u bë një bastion katolik. Një pozitë e tillë në Shqipërinë paraturke, i mundësonte kishës katolike rezistencë kundër presionit të madh turk. Kisha ortodokse nuk bëri pothuajse fare rezistence. Ipeshkvitë (peshkopatat) e Shqipërisë Jugore u zhdukën faktikisht me sulmet e para turke. Ipeshkëve katolikë iu desh që të braktisnin rezidencat e tyre dhe të tërhiqeshin në lokalitete më të vogla ose u arratisën për në Romë, por Roma herë pas here u bënte thirrje që të ktheheshin në dioqezat e tyre. Megjithatë, me kalimin e kohës, u zhdukën edhe shumë dioqeza katolike, si psh. Baleco, Ulqini, Kruja Sarda dhe Drishti.

Në historinë kishtare shqiptare një vend të rëndësishëm luajnë edhe urdhërat fetare. Rolin e tyre Shuflaj e skicoi në trajtesën e tij për gjendjen kishtare në Shqipërinë paraturke. Sipas mendimit të tij, Benediktinët[11] ishin ata që në mesjetë penguan një shtrirje të plotë të ortodoksisë në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut. Urdhëri i benediktinëve që ishte përhapur përgjatë gjithë bregdetit Adriatik,[12] ishte vendosur aty që nga kohët më të hershme. Françeskanët[13] ishin ata që penguan islamizimin[14] e plotë. Ata ashtu si edhe Dominikanët, të cilët gjendeshin kryesisht në veri dhe në Shqipërinë e mesme, erdhën në dekadat e para pas themelimit të urdhërit të tyre.

Puna më e hollësishme dhe pa dyshim më e mirë dhe më e rëndësishme e Shuflajt, nga historia e Shqipërisë ishte trajtesa “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters” (Qytete dhe kështjella të Shqipërisë kryesisht gjatë Mesjetës.) Këtu bëhet fjalë për një punë thmelore për një temë të rëndësishme të të kaluares shqiptare, një vepër për të cilën shkroi edhe albanologu Barić[15], e cila për historinë e qyteteve të Shqipërisë ishte me të njejtën rëndësi si puna themelore e Jireçekut Die Romanen in den Städten Dalmatiens[16] (Romanët në qytetet e Dalmacisë) për qytetet dalmate. Pikat thelbësore të kësaj trajtese janë pozita e qyteteve të Shqipërisë në civilizimin e mesdheut, lindja dhe zhvillimi në antikë si dhe vazhdimi i tyre në mesjetë, dhe më tej edhe marrëdhëniet etnike, kushtetuta, financat dhe dokumentet e këtyre qyteteve në mesjetë.

Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë në antikë ishin qendra ilire dhe greke,[17] të cilat më vonë të romanizuara kaluan në mesjetë. Ndër kështjellat ilire në Shqipërinë veriore, Shuflaj numëron Medun (Meteon pranë Polybios), Scodra, Doclea, Salthua, Perasto dhe Sarda, në Shqipërinë jugore Byllis, Amantia dhe ndoshta edhe Lychnidos (Ohri) dhe në Shqipërinë e mesme Albanopolis. Themelime greke janë Buthroton, Epidamnos-Dyrrachion, Apollonia, Lissos, Olcinium, Oricum, Aulona, dhe disa ngulime më të vogla si Uscania, Damastion, Antipatreia, Antigoneia. Nga të gjitha këto qytete, Dyrrachion-Epidamnos dhe Apollonia ishin më të famshmet. Dyrrachion ishte një prej qendrave tregtare më të rëndësishme në të gjithë antikën. Catull 36: 15 e quan atë “mejhane të Adriatikut” (Dyrrachium Adriae taberna). Apollonia ishte një qytet me një nivel të lartë kulturor, e karakterizuar nga shkolla filozofike helene dhe drejtime të tjera kulturore të grekëve. Këtu u edukuan djemtë e aristokracisë romake, ndër të cilët edhe perandori Oktavianus.

Nga këndvështrimi i kolonizimit romak[18], qytetet në jug të vijës Dyrrachion-Scampa mbetën kryesisht nën ndikimin grek, përkundrazi që herët gjejmë në Shqipërinë veriore dhe në tërë Dalmacinë bashkësi të shumta romake, oppida civium Romanorum të ndryshme, dhe conventus civium Romanorum me të drejta qytetare të dëshmuara. Qytetarët romakë janë të ndarë regjionalisht në shumë fise.[19] Në mes të Lissus dhe Apollonisë, në koloninë e Dyrrahut gjendet një zonë e ekulibirit greko-romak. Shuflaj e ndjek zhvillimin e historik të këtyre qyteteve një nga një, dhe përshkruan edhe ndryshimet dhe zhvendosjet, që ato pësojnë në rrjedhën e kohës. Kështu p.sh. në mënyrë të hollësishme ai paraqet zhvillimin urbanistik të qyteteve Scodra, Lissus, Dyrrachion, Doklea, Kroja dhe Antibari. Në zhvillimin historik të qyteteve dhe kështjellave të Shqipërisë, sipas Shuflajt me sulmet e Barbarëve në shek. IV, dhe V pas Krishtit shfaqet një përzgjedhje e qyteteve që ekzistonin tashmë dhe më vonë edhe i formacioneve tjera të reja qytetare mesjetare.[20]

Sistemi mbrojtës kundër barbarëve nëpermjet kështjellave u ndërtua tërësisht nga Justiniani. Në provincën e Dardanisë nën perandorin Justinian u restauruan 61 kështjella dhe u ndërtuan 8 të reja. Në librin e tij De aedificiis, IV, 6 Prokopi përmend 80 vende në Danub dhe 370 të tjera në jug të Danubit nga të cilat 26 të rindërtuara dhe 32 të ndërtuara për herë të parë, që janë në Epirus Nova (Shqipëri). Shumica e këtyre kështjellave nuk mund të identifikohen më. Në Shqipërinë e mesme ato mbajnë emra të vjetër karakteristikë për vende si Martis (sipas lumit Mat), Dyrlachin, Illyrin, në veri emra latinë si Pisci-ne, Titiana, Ulivula, Clementiana, dhe në Shqipërinë e jugut emra grekë si Eirene, Thesauros, Koma Therma. Bazën strategjike të këtij kompleksi kështjellash e ndërtuan së pari përgjat Via Egnatia, dhe më vonë pasi kjo u pushtua pjesërisht nga barbarët, qytetet bregdetare, para së gjithash Dyrrahu dhe Lissos. Në veri, në Mal të Zi dhe në Dalmaci kishte kështjella që ishin ngritur si mbrojtje kundër gotëve dhe barbarëve të tjerë. Në jug ishte një varg kështjellash sidomos në vijën Avlona-Ohrid dhe në brendësi të vendit ishte një linjë fortifikatash romake nga Antibari dhe Lissos mbi rrugën e vjeter kryesore, mbi Epicaria (sot Puka) për në Prizren. Si pasojë e pushtimeve barbare u zhdukën shumë qytete dhe kështjella të vjetra, kështu p.sh. në Shqipërinë jugore qytetet e Apollonisë, Amantias, dhe Byllis, për t’u krijuar në veri formacione të reja si Antibari, Suacium, Baleco, Drivastum, Dagnum, dhe në jug Spinarica, Pargos, Klausura, Kanina dhe Belgradi (Berati). Shuflaj merret hollësisht me zhvillimin e tyre urbanistik. Pas pushtimit turk, muret rrethuese të qyteteve u shkatërruan ngadalë. Turqit mbajtën vetëm kështjellat, veçanërisht kështjellat e larta (Shkodrën, Krujën, Beratin, Ohrin), që ishin të rëndësishme për ta dhe madje ndërtuan edhe fortesa të reja si në Elbasanin dhe në Prespën. Nga shumica e këtyre qyteteve, tani kanë mbetur vetëm rrënojat.

Shuflaj i kushton një rëndësi të veçantë shqyrtimit të marrëdhenieve etnike në qytetet mesjetare shqiptare. Ai konstaton që këto qytete në mesjetë ishin për një kohë të gjatë deri-diku qytete hermetike deri-diku organike, në të cilat ndryshimet vinin vetëm nëpërmjet osmozave ekstreme të ngadalshme etnike. Bërthama etnike e këtyre qyteteve ishin romanët, të cilet më vonë u quajtën latin ose vllehë. Me kalimin e kohës depërtoi edhe elementi shqiptar në bashkësitë qytetare; keshtu p.sh. Kruja e humbi bërthamën e saj romane në fillim të shek. XIII, Alessio më së voni në shek. XIV. Në këtë kohë Shkodra duket se ishte albanizuar plotësisht, po ashtu edhe Sappa dhe Dagno. Venedikasi Justinian, në vitin 1553 i quan ulqinakët si albanezë, tivarasit si një popull bilingual, që përbëhet prej sllavësh dhe shqiptarësh. Më së fundi u albanizua qyteti i Drivasit (Drishtit), sepse akoma në shek. XV gjenden familje të shumta që shpallnin që ishin krenarë për të qenët pasardhës të Romanëve (Romanorum colonos se appellantes). Sipa Shuflajt zonën kufitare të osmozës së pëzier sllavo-albane e përbënte trekëndëshi Cattaro-Antibari-Drivasto.[21] Përsa i përket qytetit të Durrësit, është për t’u thënë që marrëdheniet etnike atje ishin të ndërlikuara, sepse atje jetonte një popullsi shumë e përzier. Krahas romanëve, që përbënin shumicën e popullsisë, në Durrës jetonin edhe grekë, sllavë, shqiptarë dhe hebrej. Që në shek. XIV aty përforcohet elementi shqiptar përmes ndikimit tëfuqishëm të familjeve princërore shqiptare si Thopia, Skura, Musakajt, etj.

Interesant është edhe përpjekja e Shuflajt për të përcaktuar dendësinë e popullsisë në këto qytete. Numrin e banorëve të qytetit të Durrësit në periudhën 1243-1258, ai e vlerëson mbi 25.000 banorë. Më vonë ky numër zvoglohet me shpejtësi si pasojë e një termeti katastrofal në vitin 1273, dhe më vonë si pasojë të zisë së bukës në vitet 1307 dhe 1340, si dhe si pasojë e epidemive të shpeshta të murtajës në shek. XIV dhe në fillim të shek. XV. Në gjysmën e parë të shek. XV qyteti ishte pothuajse i shpopulluar; nuk kishte asnjëri që të bënte roje mbi muret e kalasë së qytetit. Në vitet 1423 dhe 1428 venedikasve iu desh që të hiqnin taksat me qëllim që njerëzit të ktheheshin në Durrës. Ngujimet turke të 300 shtëpive në vitin 1610, nuk kishin të bënin fare me popullsinë mesjetare, madje as me sipërfaqen e qytetit. Diagramin e dendësisë së qyteteve të mëdha të Shqipërisë veriore në periudhën e lulëzimit pas 1200 (shek. XIII), Shuflaj e paraqet si një konstante të lëkundshme, e cila u ngrit provizorisht pas shfaqjes së turqve, për t’u ulur përsëri më vonë. Qytete më të vogla si Dagno, Sappa, Baleco e Svaçi u dobësuan dukshëm që nga viti 1388. Në vitet 1553 Antibari numëronte rreth 600 shtëpi, respektivisht rreth 2500 frymë dhe Dulcigno (Ulqini) 300 shtëpi.

Interesante janë edhe të dhënat për strukturën shoqërore të këtyre qyteteve. Qytetaria ishte e ndarë në dy klasa, në “nobiles” (fisnik) dhe “populares” (populi i thjeshtë). Me kalimin e kohës, kur si pasojë e presionit të vazhdueshëm turk u pranuan edhe bujqërit në qytete, lindi dhe një klasë e tretë, ajo e “lavoratori” (punëtorët). “Populares” ishin kryesisht zanatçinj ose “artisani”, “artigiani”, tregtarë dhe patronë anijesh të quajtur “cittadini”. Qytetarët ishin të bashkuar në një lloj grupimi të quajtur “universitas” dhe në “fraternitas” (vëllazëri) të ndryshme si dhe në koorportata sipas profesionit. Përveç këtyre kishte edhe shkolla të ndryshme “scuole overo frataglie”. Shuflaj jep më tej hollësira të tjera të shumta për jetën sociale në qytetet mesjetare të Shqipërisë, dhe sidomos të Shqipërisë së Veriut.

Në këtë studim Shuflaj hulumton hollësisht edhe zyrtarët municipalë të këtyre qyteteve. Ai jep një pamje të plotë të administrimit të qyteteve në kohërat e ndryshme dhe nën sisteme të ndryshme. Pushteti i komunës ndahet nga zyrtarët civilë dhe ushtarakë. Edhe ipeshkvi është një faktor vendimtar. Në zyrtarët municipialë shihet ndikimi i kushtetutave municipale romake, bizantine, sllave, dhe italiane. Kështu pushtetari më i lartë në qytet në veriun e Shqipërisë, ashtu si edhe në Dalmaci quhet prior; tek grekët e Durrësit quhet πρωτεύων. Ai ishte një komandant ushtarak, gjykatës dhe udhëheqës i kurisë. Pushtetin e drejtësisë ai e ndante me një qytetar të dytë të quajtur iudicator ose në Durrës δευτερεύων. Në këtë sistem është për t’u vënë re ndikimi i kushtetutës municipale romake të duumviri. Në krye të Temës (Dalmaci dhe Dyrrah) qëndronte në shek. IX strategu (ό ςτρατηγόσ του Δυρραχίου, ςτρατηγόσ Δαλματίας), në shek. X dhe XI katepanë (Κατεπανω). Më vonë në Dalmaci priori u zëvendësua me titullin comes. Në Cattaro (Kotorr), Budva, dhe Shkodër, comes shkrihet me kefalija (κεφαλή) ose me sebast, sevasto, (σεβαστός). Në dokumentat italiane ne gjejmë të përkthyer κεφαλή në capitaneus, σεβαστός me comes. Në Cattaro, në vitin 1186 ndeshim setnicus-in dhe satnik-un sllav, dhe në shek. XIV dhe XV në qytete të shumta shqiptare ndeshim emrin sllav vojvoda. Ndikimi thelbësor vërehet në titullin e guvernatorit të Durrësit (1392 – 1501), i cili quhet baiulus et capitaneus ashtu si edhe te pushtetarët e Tivarit dhe të Drishtit në shek. XIV dhe XV, të cilët e quajnë veten potestas. Guvernatori i Durrësit më vonë mori dy caballari si ndihmës në qeverisjen e komunës, dhe qytetet e tjera (Ulqini dhe Lezha) moren një admiratus, armiraglio. Më së shumti Shuflaj merret me institucinet dhe me iudices civile dhe fetare. Më tej ai shqyrton edhe disa pyetje të drejtësisë urbane në mesjetë dhe pikërisht cështjen e statutave, të noterëve, të financave, dhe të kancelarisë. Edhe këtu ai gjen ndikime të fuqishme bizantine, sllave dhe para së gjithash të Italisë veriore.

Puna e fundit me e gjatë e botuar e Shuflajt për historinë e Shqipërisë isht studimi për historinë e Shqiptarëve të veriut Povijest sjevernih Arbanasa, që doli në arkivin për antikitetin, gjuhën dhe etnologinë shqiptare të Bariçit. Këtu Shuflaj u përpoq që të bënte kërkime në simbiozën etnike midis shqiptarëve dhe sllavëve dhe lëvizjet e shqiptarëve në mjetet informative sllave. Së pari ai shqyrton përzjerjet midis familjeve fisnike shqiptare dhe sllave dhe pastaj të fiseve shqiptare dhe sllave. Simbioza midis fiseve shqiptare, sllave dhe rumune në Mal të Zi ndodhi pas sulmit të turqve. Si rastin më karakteristik të simbiozave të tilla, Shuflaj përmend familjen e sotme montenegrine (malaziase), Kuçi[22] të cilët edhe në vitin 1614 cilësoheshin si “chuzzi Albanesi del rito romano” dhe sot është sllavizuar plotësisht. Në këtë zonë lindën përputhje të shumta gjuhësore, të cilat mund të vihen re edhe sot. Kjo temë u trajtua nga linguistët shpesh në vitet e fundit. Përsa i përket migrimeve të mëtejshme të shqiptarëve, Shuflaj përmend ekspansionin e malësorëve të Shqipërisë në drejtime të ndryshme fillimisht në viset e Ballkanit, por pa lënë anash edhe Italinë, Bregdetin Dalmat dhe vise tjera të Europës.

(Përktheu në gjuhën shqipe,

plotësoi me referanca

dhe përgatiti për botim

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest)

Referencat:

[1] Jireček, Die Romanen in den Städten Dalmatiens während des Mittelalters, Denkschriften der Kais. Akad. d. Wiss., Band XLVIII, XLIX, Vjenë 1901, 1903, 1904.

[2] Šufflay, “Albanija u prošlosti”, në Hrvatska Revija, 1930, nr. 5, f. 276: “Oni su ostatak iliro-tračke mješavine na Balkanu.”

[3] “Politische Schicksale des Thema Dyrrhachion”.

[4] Mendimi i mbrojtur gjerësisht deri atëherë që tema e Dyrrahut ishte krijuar në shek. VII, u rrëzua ndërkohë. Sot besohet që tema e Dyrrahut u themelua në shek. IX. Krahaso: J. Ferluga, “Sur la date de la création du thème Dyrrachion”, në: Actes du XII Congrès International d’études byzantines II, f. 92.

[5] Šufflay, “Politische Schicksale des Thema Dyrrhachion”, në: Vjesnik Hrvatskog Zememaljskoh Arhiva, 1915, f. 274; Srbi i Arbanasi, f. 35-37.

[6] Krahaso: Šufflay, Srbi i Arbanasi, f. 83-105. (“Sredovječki nasip i njegova golema pukotina”); Po ai: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”, Zagreb 1928, f. 52-60. (“U prodornoj zoni pravoslavlja na Jadranu”).

[7] Krahaso: G. Stadtmüller, “Altheidnischer Volksglaube und Christianisierung in Albaniens”, në: Historia 1955, f. 211-246; Fulvio Cordignano, Geografia ecclesiastica dell’Albania dagli ultimi decenni del saec. XVIe alla metà del secolo XVIIe. Roma: Potnificum Institum Orientalium Studiorum, 1934, vëll. XXXVI-4, nr. 99, f. 23-2850 (5-61).

[8] Zavalani, Historia e Shqipërisë, Londër, f. 111.

[9] Zavalani, o.c., f. 111.

[10] Krahaso: Acta Albaniae, I, Doc. 237; Moriz Faber, “Das Recht des Erzbischofs von Antivari auf den Titel Primas von Serbien”, në: Wissenschaftliche Mitteilungen aus Bosnien und der Herzegowina. Herausgegeben vom Bosnisch-Herzegowinischen Landesmuseum In Sarajevo. Elfter Band. Wien: Adlf Holzhausen, 1909, vëll. XI, f. 342-368.

[11] Për benediktinët në Shqipëri shi: Fulvio Cordignano, “Antichi monasteri benedittini e lor benemerenze sociali in Albania”, në: La Civiltà Cattolica, 80, II, 1929, f. 399-413; 80, III, 1929, f. 13-28; 80, IV, f. 226-239; 80, V, f, 401-412; VI, f. 504-515.

[12] Për aktivitetet e Benediktinëve në Dalmaci shih veprën tre-vëllimshe të Iva Ostojić, Benediktinci u Hrvatskoj. Split: 1963, včl. I, f. 474, po ai, 1964, vëll. II, f. 655, po ai, 1965, vëll. II, 663. (Në vëlimin II, f. 509-529, Ostojić, shkruan për Benediktinëtnë Shqipërinë Veriore).

[13] Krahaso: Atanasz Gegaj, O.F.M., “Veper arsimore e Françekajvet në Shqypni në shek. XVII, shënime historijake”, në: Hylli i Dritës. Shkodër, marc 1932, vjeta VIII, nr. 3, f. 135-138; Marin Sirdani, “Vepra atdhetare e Franceskanëvet në Shqypni”, në: Hylli i Dritës. Shkodër, Dhetuer 1940, vjeti XVI, nr. 12, f. 568-597.

[14] G. Stadtmüller, “Die Islamisierung bei den Albanern“, në: Jahrbücher für Geschichte Osteuropas. Neue Folge 3, (1955), f. 404–429; Peter Bartl, Die albanischen Muslime zur Zeit der nationalen Unabhängigkeitsbewegung (1878-1912). Albanische Forschungen, volume 8. Wiesbaden: Rudolf Trofenik, 1968.

[15] Enciklopedija Jugoslavije Beograd: 1955, vëll. I, f. 163.

[16] Konstantin Jireček, Die Romanen in den städten Dalmatiens während des mittelalters. Denkschriften der Kaiswerlichen Akademie der Wisemschaften in Wien. Philosophisch-Historische classe. Band. XLVIII, XLIX, L. Wien: In commission bei C. Gerold’s sohn, 1901, vëll. I; 1903, vëll. II. vëll. 1904.

[17] Krahaso: M. Šufflay, Srbi i Arbanasi, f. 2-4.

[18] Ibidem., f. 4.

[19] Krahaso: K. Jireček, Romani u gradovima Dalmacije tokom srednjeg veka. Zbornik Konstantina Jirečeka, vëll. II. Beograd: Naučno Delo, 1962, f. 13-14.

[20] M. Šufflay, Srbi i Arbanasi, f. 5; K. Jireček, Die Romanen in den städten, vëll. I, f. 17-20.

[21] Me këtë problem Shuflaj u mor në mënyrë të veçantë në studimin e tij: Povjest sjevernih Arbanasa.

[22] Për këtë temë shih: Vasa Čubrilović, “Postanak plemena Kuča“, në: Zbornik Filozofskog Fakulteta, knj. VII, Beograd, 1963, në shumë vende; Jovan Erdeljanović, “Postanak plemna Pipera“, në: Srpski Etnografki Zbornik, XVII, Beograd, 1911, f. 239-528; Fehim Bajraktarević, “Povodom tradicije o zajedničkom porjeklu nekih arbanaskih i crnogorskih plemna“, në: Gjurmime albanologjike, I. Prishtinë, 1962, f. 221-229; Stevan Dučić, “Pleme Kuči – i običaji“. Podgorica: CID; 1998; po ai: “Život i običaji plemena Kuča“, në: Srpski etnografski zbornik, XLVIII, Beograd, 1941; Andrija Jovičrvić, “Malësija”, në: Srspki etnografski zbornik, XVII, Beograd, 1923, f. 1-149; Branislav Djurdjev, “Iz istorije Crne Gore i brdskih malisorskih plemena”, në: Istorijski zapisi, XIII, 1960, nr. 1.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com