Kontributi i Federatës “Vatra” në mjedisin politik dhe kulturor të viteve 20’ në shqipëri

Dr. Adelina Nexhipi, Dr. Ardiana Miçi

Departamenti Histori – Gjeografi, Universiteti “Fan S. Noli” Korçë

Vitet 20’ në Shqipëri përfaqësojnë një periudhë nga më të rëndësishmet në historinë e shqiptarëve dhe shtetit shqiptar. Nuk kishte kaluar asnjë dekadë nga shpallja e pavarur e Shqipërisë kur u vu përsëri në diskutim pavarësia dhe tërësia territoriale e saj. Luftërat rajonale dhe botërore e kishin hedhur në mes të furtunës fatin e Shqipërisë. Shqiptarët brenda dhe jashtë atdheut bënë përpjekje të përbashkëta për të zgjidhur tashmë njëherë e mirë problemin kombëtar, ku shqiptarët e Amerikës të organizuar në Federatën Panshqiptare “Vatra”, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm. Që në fillimet e shek XX, ata kishin punuar për të mbajtur fort të gjallë ndjenjën kombëtare, për të zhvilluar gjuhën dhe debatin politik përmes shtypit të shkruar e u bënë të njohur si komunitet diaspore. Në momentet më delikate, gjithë potenciali intelektual dhe polititk i “Vatrës” u përfshi aktivisht në Shqipëri dhe pranë kancelarive evropiane në mjediset diplomatike ku luhej drama shqiptare. Kontributi i vatranëve në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e vendit sipas modelit amerikan, në Shqipërinë e viteve 20’ është i çmuar. Vatranët nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet diplomatike e propagandistike, por “Vatra” dërgoi në Shqipëri ndihma në të holla dhe Trupën Vullnetare. Banda muzikore që e shoqëronte atë u bë ambasadorja dhe frymëzimi i shqiptarëve, që luftonin për të mbrojtur identitetin e territorin e tyre. Diplomatët e parë të shtetit shqiptar, që e përfaqësuan Shqipërinë në nivelet më të larta, vinin nga rradhët e vatranëve. Takimet, memorandumet, lobimet kishin vendosur kontaktet politike mes shqiptarëve të SHBA-së dhe institucioneve shtetërore amerikane. “Vatra” fliste e vepronte në emër të institucioneve shqiptare, apo në emër të shqiptarëve në mungesë të institucioneve shtetërore kombëtare, ndaj veprimtaria e saj ishte një fillim i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA. Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet Shqipëri – SHBA u vendosën në vitin 1922, falë veprimtarisë së kolonive shqiptare në SHBA dhe “Vatrës” në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi shqiptaro – amerikan i kishte hedhur themelet më herët.

Fjalë kyçe: Fedarata Panshqiptare Vatra, Shqipëri, SHBA, demokratizim, marëdhënie diplomatike

1. Komuniteti shqiptar në SHBA në fillim të shek XX

Ndër kolonitë shqiptare jashtë atdheut, kolonia e shqiptarëve të Amerikës ka dhënë kontributin më të madh në rritjen e nacionalizmit dhe zhvillimit intelektual të shqiptarëve si përpara se të shpallej pavarësia e shtetit amtar edhe në vazhdim. Shqiptari i parë në Amerikë (fund i shek XIX), Kolë Kristofori, nga Katundi i Kolonjës do të tërhiqte pas një grup të rinjsh nga rajoni i Korçës të cilët u vendosën në Anglinë e Re, Boston e New York e jetonin në konakë. Jeta në migracion ekonomik i bënte të jetonin së bashku e të kishin të fortë ndjenjën komunitare por jo aq të shfaqur ndjenjën kombëtare. Në vitin 1905, një grup më i shkolluar shqiptarësh të ardhur nga kolonia e Rumanisë, krijuan të parën shoqëri “Mall i Mëmëdheut”, në Jamestown, NY. Do të ishte Sotir Peci nga Dardha e Korçës, që do të vendoste gurin e parë në themelet e lëvizjes kombëtare në SHBA, me botimin e gazetës së përjavshme “Kombi, në vitin 1906. Me të ardhurat e veta si punëtor dhe zellin që e dallonte, Peci ua çonte falas gazetën shqiptarëve të Amerikës të cilët qëllonte të ishin edhe analfabetë. Atëherë atij i duhej me durim t’u shpjegonte se çfarë ishte ajo dhe çfarë pritej nga shqiptarët . Nga 5000 shqiptarë që mund të ishin në atë kohë në Amerikë, vetëm 20 vetë dinin të shkruanin e të lexonin . Në vitin 1907 u themelua në Boston shoqëria “Besa-Besë”, që filloi të botonte gazetën “Dielli”. Patriotët shqiptarë e kishin kuptuar se një diasporë e fortë dhe e organizuar në SHBA krijonte mundësi më të mëdha për të bërë realitet pavarësinë, tërësinë territoriale dhe përparimin e Shqipërisë, ndaj shumë prej tyre u nisën drejt Amerikës.

Jeta sociale e këtij komuniteti nuk mund të ishte e plotë pa një institucion rreth të cilit ata të bashkoheshin shpirtërisht. Në 8 mars 1908, Fan Noli u dorëzua si prifti i parë shqiptar i kishës ortodokse, ndërsa në 22 mars 1908 ai mbajti liturgjinë e parë në gjuhën shqipe. Themelimi i Kishës së Pavarur Orthodokse Shqiptare dhe liturgjia në shqip do të shënonte një “revolucion të vërtetë paqësor” duke shtuar një gur themeli të ri në organizimin e shqiptarëve, me rëndësi edhe në Shqipërinë amë, ku Patriarkana e Stambollit nxirrte ende dekrete ç’kishërimi për përdorimin e gjuhës shqipe. Me krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale, të cilën Nicholas C. Pano e cilëson “agjenci të nacionalizmit” , organizimi i shqiptarëve arriti një nivel më të lartë, duke demonstruar një harmoni befasuese me migrantët e tjerë të fesë myslimane . Edhe këtu në diasporë, del në pah konstatimi i Hobhaus, se “kombësia i bashkon shqiptarët, shumë më tepër sesa i ndan feja” .

Organizimi më i lartë i komunitetit shqiptar në Amerikë arriti me themelimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, më 28 prill 1912 dhe fuqizimit të Gazetës “Dielli” e cila u bë gazeta më e besueshme ndër të gjitha. Degët e saj u shtrinë në shumë shtete dhe më 13 qershor 1912, “Vatra” u regjistrua zyrtarisht në shtetin e Masacusests. Federata “Vatra” u fuqizua me shpejtësi, brenda një viti numri i anëtarëve arriti në 1000. Rreth saj u përfshinë personalitete të tilla si; Fan S. Noli, Faik Konica, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Kol Tromara, Kristo Floqi, Bahri Omari, Kostaq Kota, Mihal Grameno, Andon Frashëri etj. Ata krijuan kontakte me amerikanë të shquar, si; Charles Crane, George Fred Williams, Jane Addams, Osvald Garrison Villard, R. Uds, Charles Telford Erickson, etj të cilët mbështetën çështjen kombëtare shqiptare dhe lobuan me institucionet amerikane për zgjidhjen e drejtë të saj, duke hedhur themelet e marrëdhënieve shqiptaro – amerikane.

Që në fillimet e veprimtarisë së saj, “Vatra” do të luante rol të rëndësishëm në mbështetje të çështjes kombëtare. Më 17 nëntor 1912, “Vatra” organizoi një miting të madh në Boston në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë, filloi të mbledhë fonde për kryengritjen në Shqipëri dhe u dërgoi telegram Fuqive të Mëdha dhe Presidentit Amerikan, Taft, ku kërkohej njohja e pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë e saj etnikë. I madh ishte kontributi i vatranëve në Kongresin e Triestes (1 mars 1913), i cili u kryesua nga Faik Konica, i zgjedhur për këtë detyrë nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm i “Vatrës”, i 16 shkurtit 1913. Përfaqësues nga të gjitha kolonitë shqiptare miratuan një rezolutë në mbështeteje të qeverisë së përkohshme shqiptare dhe kundër përpjekjeve për copëtimin e Shqipërisë. Gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, “Vatra” denoncoi në shtyp padrejtësitë ndaj shqiptarëve, mbrojti të drejtat e tyre kombëtare, organizoi disa mitingje, për të siguruar mbështetjen e opinionit amerikan; dërgoi memorandume në Londër dhe filloi përgatitjen e trupave vullnetare, në ndihmë të shtetit shqiptar. Në Londër, “Vatra” dërgoi Nolin, për të zhvilluar propaganë proshqiptare në mjediset politike, ku ai ndihmoi në formimin e Komitetit Proshqiptar të Londrës ndërsa në Shqipëri Faik Konica, do të vendoste lidhjet midis diasporës së Amerikës dhe qeverisë së Vlorës.

Përpjekjet për arsimim dhe kulturë do të bëheshin paralel me zgjimin kombëtar dhe veprimtarinë diplomatike. Në vitet në vazhdim, numri i gazetave dhe revistave të botuara në Amerikë u shtua dhe së bashku me to edhe përpjekjet e shqiptarëve për të mësuar shkrim dhe lexim, të cilat në mungesë të shkollave, bëheshin në mënyrë autodidakte pas pune. Sipas kujtimeve të Llambi Vaskë George (jetonte në Pontiac, ishte anëtar dhe sekretar i degës Nr.43 të “Vatrës” në Micigan) gjatë ditëve të javës, ai priste të lexonte gazetën “Dielli”, gazetën “Albania”, të botuar në NY, gazetën “Mbrojtja shqiptare”, Gazetën “Koha” të Gramenos, Revistën “Yll’ i Mëngjesit”, “Era Shqiptare”, “Vullnetari”, “Përparimi” etj., lexonte lajmet në “Chicago Tribune” dhe shkruante herë pas here ndonjë artikull për këto gazeta . Nëpërmjet shtypit të shkruar dhe përpjekjeve për ta shpërndarë atë mes shqiptarëve, u lëvrua dhe u përsos më shumë gjuha amtare dhe u mbajt gjallë ndjenja kombëtare.

Shpesh në këto gazeta mbahej i gjallë edhe debati politik midis grupimeve shqiptare të cilat kishin qëllim të njëjtë, por dallonin mes tyre në disa pikëpamje. Në vitin 1919 në SHBA botoheshin 10 gazeta në gjuhën shqipe dhe 4 gazeta dygjuhëshe, anglisht–shqip, në artikujt e të cilave mbizotëronte tematika kombëtare . Tek “Ditarët”, Llambi Vaskë George, tregon sesi nevojës së bashkëatdhetarëve të tij për t’u integruar në shoqërinë amerikane dhe mësuar anglisht ai ju përgjigj duke hartuar një libër të vogël shqip-anglisht në vitin 1915, të cilin e kishte quajtur “Methodë”. “Methoda” u botua e ribotua në 1918-1919 dhe u shpërnda edhe me ndihmën e “Vatrës” dhe “Diellit”, e gazetave të tjera ku i bëhej reklamë . Një fenomen që do të ndikonte jetën sociale të komunitetit shqiptar në SHBA ishte krijimi i skuadrave sportive dhe bandave muzikore që bashkonin njerëzit dhe krijonin kohesion social të nevojshëm në një mjedis të huaj dhe që sigurisht ndikoheshin nga jeta në Amerikë. Dy banda muzikore dhe mjaft shoqëri të tjera u shtuan me ardhjen e më shumë migrantëve shqiptarë.

2. Kontributi i “Vatrës” në mbrojtjen e çështjes kombëtare gjatë dhe pas LIB

Fillimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Shqipërinë në pozita të vështira. Lufta iu dha shteteve fqinje mundësinë për të përmbushur synimet e tyre territoriale duke i shndërruar krahinat shqiptare në shesh lufte, edhe pse Shqipëria shpalli asnjanësinë në konfliktin botëror. Shqipëria u bë vendi i përplasjes së dy blloqeve ushtarake ndërluftuese. Vendi u zhyt në kaos të vërtetë dhe në mjerim të plotë. Në fund të vitit 1918 Lufta e Madhe kishte mbaruar, por pavarësia e Shqipërisë ishte sërish e rrezikuar. Gjatë vitit 1919 Shkodra ishte nën administrimin e garnizonit ushtarak ndëraleat; Italia mbante të pushtuar Vlorën e rrethinat; Luma, Dibra, Kukësi e Peshkopia ishin nën pushtimin serb; në Korçë e Pogradec gjendeshin forcat ushtarake franceze; prefektuara e Gjirokastrës ishte nën kontrollin e forcave ushtarake greke; autoriteti i qeverisë së Turhan Pashë Përmetit, krijuar nga Kongresi i Durrësit (25 dhjetor 1918) shtrihej vetëm në Durrës, Elbasan, Berat e pjesërisht në prefekturën e Tiranës dhe Shkodrës. Zhvillimet në Konferencën e Paqes ishin shqetësuese për Shqipërinë. Kjo situatë në Shqipëri, nxiti jo vetëm organizimin e brendshëm por edhe të diasporës shqiptare e cila nuk kishte reshtur së punuari dhe tani ishte gati për veprime aktive. Shoqëritë politiko-kulturore shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, ndër të cilat “Vatra” ka spikatur, patën një angazhim shumëplanësh në shërbim të çështjes kombëtare, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore.

Veprimtaria diplomatike e vatranëve u intensifikua. Më 21 gusht 1915, Noli, i dërgon Sekretarit të Departamentit të Shtetit, R. Lansing një telegram, me anë të së cilit denonconte Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe kërkonte nga presidenti Wilson “të parandalonte ndarjen e Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha” . Në kuvendin e vitit 1915, “Vatra” mori vendimin për të dërguar delegatë në Evropë, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë si dhe vendimin për organizimin e Trupave Vullnetare. Kol Rodhe në gazetën “Vullnetari” argumentonte nevojën e organizimit të Trupave Vullnetare, duke u shprehur se humbjet e deriatëhershme të tokave shqiptare kishin ardhur nga mungesa e një ushtrie të rregullt profesioniste dhe të organizuar atdhetarësh. Në numrat e gazetës bëhej thirrje për mobilizim “Atheu është duke rënkuar…Atdhetarët që e dëshirojnë ta shohin Shqipërinë si një shtet të Europës, përnjëherësh e rrokën idenë e shenjtë dhe u shkrojtën Vullnetarë për t’i shërbyer Atdheut në Kohë rreziku. Regjistrohu edhe ti atdhetar që të dhimbet Atdheu për ta shpëtuar atë nga vuajtjet!” Menjëherë pas vendimit u zgjodh komisioni organizator i vullnetarëve i përbërë nga: Kristo Kirka, Kol Rodhja, Kol Tromara, Kostë Çekrezi dhe Vangjel Sotiri , komandant i përgjithshëm i Trupave u caktua Aqif Përmeti, ushtarak karriere dhe filloi organizimi dhe stërvitja e trupave.

Në vitin 1916, u dërgua në Londër delegati i parë i “Vatrës”, Mehmet Konica, i cili krijoi Komitetin “Miqtë e Shqipërisë”, ku bënin pjesë personalitete të shquar si A. Herbert, E. Aubrey, E. Durham, C. Woods etj. Këta miq të Shqipërisë, u bënë mbrojtësit më të mëdhenj të të drejtave të kombit shqiptar. Në 1917 u dërguan dhe dy delegatë të tjerë, M Turtulli dhe Nikolla Kasneci. Në vazhdim të përpjekjeve, gjatë vitit 1917, “Vatra” kërkoi të vendoste kontakte e të bashkëpunonte me Foreign Office të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim që të ushtronte ndikim në favor të Shqipërisë. “Vatra” i propozoi qeverisë britanike dërgimin e dy regjimenteve me vullnetarë shqiptarë nga Amerika, për të luftuar në Ballkan, madje ajo kishte organizuar 3000 – 4000 forca vullnetare, por propozimi nuk u mbështet nga Foreign Office.  

Megjithatë, “Vatra” nuk i reshti përpjekjet për të shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i shpërbërjes, gjatë Luftës së parë Botërore, ndonëse u vendos në kushte të vështira në mjedisin amerikan. SHBA-të kishin hyrë në luftë me Austro-Hungarinë dhe anëtarët e “Vatrës”, dyshoheshin si agjentë të saj . Përveç situatës ndërkombëtare të pafavorshme, lëvizja kombëtare shqiptare në SHBA, duhej të orientohej mirë e të siguronte mbështetjen amerikane në realizimin e qëllimit kombëtar. Në këto kushte, hyrjen e SHBA-së në luftë, “Vatra” e vlerësoi si pozitive për çështjen shqiptare dhe u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë të mobilizoheshin në ushtrinë amerikane. Mbi baza vullnetare, rreth 3000 emigrantë shqiptarë morën pjesë në ushtrinë amerikane , veprim ky i nxitur nga interesat kombëtare. Ata synonin të fitonin simpatinë amerikane e mbështetjen e saj në fund të luftës. Megjithatë në arenë nuk munguan as përplasjet e brendshme; grupi i Dakos, Gramenos, e Sevasti Qiriazit i ishte kundërvënë “Vatrës” .

Kur pavarësia dhe tërësia territoriale e Shqipërisë ishin në diskutim, gjithë potenciali intelektual dhe polititk i “Vatrës” u përfshi aktivisht si në Shqipëri ashtu edhe pranë kancelarive evropiane e në mjediset diplomatike ku po luhej drama shqiptare. Gjatë viteve 1917-1918, Vatra ka luajtur rolin e qeverisë së munguar të shqiptarëve, e njohur si qeveri në mërgim. Konica dhe të tjerë pohojnë se “Vatra”, për shumë kohë kishte zënë edhe vendin e guvernës, aherë kur guverna ose nuk ish akoma e formuar ose ish tepër e pafuqishme . Kuptohet që kësaj “qeverie”, i mungonte aspekti territorial i shtetit që qeveriste, por ajo mbante kuvende si të ishin mbledhje parlamenti. Në kuvendin e korrikut 1917, “Vatra” protestoi hapur kundër Proklamatës italiane të 3 qershorit 1917 dhe në Rezolutën e saj ajo u shpreh për “një Shqipëri me kufijtë e saj etnikë, me indipendencë mbretërore të plotë, një Shqipëri për shqiptarët, politikisht dhe ekonomikisht” . Ndërsa nuk mund të mblidhte taksa si një qeveri e zakonshme, ajo mblidhte kontribute vullnetare nga shqiptarët e Amerikës. Aq shumë kontribute arrinte në atë kohë të mblidhte Vatra, sa dedektivët amerikanë dyshonin për financim të saj nga Austria . Thirrjes së Vatrës për të krijuar një Fond Kombëtar (qershor 1917), shqiptarët e Amerikës iu përgjigjën me një zemërgjerësi të paparë. Vatra mblodhi 160.000 $. Të bënte përshtypje të thellë kur shikoje që punëtorët e fabrikave dhe shitës të vegjël jepnin rrogat apo fitimet e dy-tre muajve për çështjen kombëtare- shprehet K. Cekrezi . Ndërkohë Mehmet Konica si përfaqësues i Vatrës në Europë mbante korrespondencë të rregullt me Vatrën, në guvernën e së cilës ai mbante postin e ministrit të jashtëm . Qeveria e “Vatrës” me seli në Boston kishte këtë përbërje: kryeministër F. Noli, zv.kryeministër Kolë Tromara, ministër i Luftës Aqif Përmeti, ministër i Ekonomisë dhe Financave Loni Kristo, ministër i Brendshëm Koli Rrodhi, ministër i Punëve botore Kristo Kirka, ministër i Arsimit dhe Kulturës Kostë Çekrezi . Kjo qeveri i mbante mbledhjet në zyrat e Vatrës në Boston.

Në mars 1918, Noli i dërgoi një memorandum presidentit amerikan, ku denonconte protektoratin italian të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe “Vatra” ia kishte dalë të njihej si komunitet diaspore dhe Fan Noli, si udhëheqës i saj, u ftua në takimin e presidentit Wilson me përfaqësues të 30 kombësive në SHBA, në festimet e 4 korrikut 1918. Gjatë këtij takimi, Noli mori premtimin e presidentit Wilson se do të përkrahte çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes. Hapat diplomatike të “Vatrës” ishin ngjitur në nivele të larta. “Vatra” u vu në krye të përpjekjeve për të siguruar përkrahjen e SHBA-së në zgjidhjen e çështjes shqiptare. Që përpara mbarimit të luftës, në mars 1918, ajo shprehte dëshirën e shqiptarëvë për restaurimin e pavarësisë me asistencën e një fuqie të madhe, e cila mund të ishte SHBA, “i vetmi shtet tek i cili shqiptarët mund të kishin besim të plotë” . Qëndrimi i shprehur fillimisht nga “Vatra”, për një mandat amerikan në territorin e kontestuar në jug të Shqipërisë, u shpreh në mars 1919, në Konferencën e Paqes edhe nga kryeministri shqiptar, Turhan Pashë Përmeti. Në nëntor 1918, kur delegacioni amerikan po përgatitej për të shkuar në Paris, Noli, në emër të “Vatrës” i drejtoi një memorandum presidentit Wilson, Sekretarit të Shtetit, Lancing dhe Ministrave të Jashtëm të Fuqive Aleate, ku kërkohej rivendosja e pavarësisë së Shqipërisë, bazuar në parimet fisnike të shpallura në programin e presidentit Wilson .

Në prag të Konferencës së Paqes, “Vatra” organizoi delegacionin e saj në Evropë, me anëtarë Fan Nolin, A. Lorechio, Rasih Dino, T. Erickson, A Herbert. Aktiviteti diplomatik i delegacionit të “Vatrës” gjatë zhvillimit të Konferencës së Paqes, ishte intensiv. Vlen të përmendim, takimet e Mehmet Konicës me diplomatë italian; kontributin e tij në organizimin e Kongresit të Durrësit; memorandumi dërguar ambasadës franceze në Washington (16 janar 1919), me anë të së cilit kërkohej që Korça t’i mbetej Shqipërisë; memorandumi i 3250 shqiptarëve ortodoskë të SHBA-së, dërguar Konferencës së Paqes, ku denoncohej veprimtaria antishqiptare e diplomacisë greke, memorandumi i 52 kishave shqiptare të Amerikës në mbrojtje të popullsisë ortodokse të Shqipërisë së Jugut, që konsiderohej greke nga qeveria e Athinës; memorandumi i prillit 1919, që denonconte protektoratin Italian dhe synimet e Italisë për të aneksuar Vlorën. 

Po kaq e rëndësishme ishte dhe veprimtaria propagandistike, artikujt e shumtë në shtypin shqiptar dhe atë amerikan, polemikat me ambasadën greke në SHBA dhe Lidhjen e Miqve të Greqisë në SHBA. Gjatë zhvillimeve të Konferencës, “Vatra” organizoi dhe disa mitingje, me pjesëmarrje të gjerë, konferenca, leksione të hapura në universitete të njohura amerikane, ku kërkohej ruajtja e tërrësisë territoriale të Shqipërisë, njohja e pavarësisë së saj. Me anë të kësaj veprimtarie synohej të fitohej simpatia dhe mbështetja e oponionit amerikan. Në fund të të gjitha përpjekjeve të papërkulura të shqiptarëve një nga qëllimet kryesore të lëvizjes kombëtare shqiptare ishte arritur, shpëtimi i pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë territoriale, të paktën të në kufijtë e viteve 1913. Më 9 nëntor 1921 u bë publik vendimi i Konferencës së Ambasadorëve të Parisit i cili shpallte njohjen e qeverisë shqiptare si qeveri e një shteti sovran dhe të pavarur, konfirmonte kufijtë e vitit 1913, me disa rektifikime të vogla, por që nuk preknin thelbin.

3. Kontributi i “Vatrës” dhe vatranëve në fazat e para të ndërtimit të shtetit

Vatranët nuk u mjaftuan vetëm në përpjekjet e tyre diplomatike e propagandistike, por për t’i ardhur në ndihmë qeverisë shqiptare, “Vatra” dërgoi në Shqipëri ndihma në të holla dhe Trupën Vullnetare, për t’u vënë në shërbim të Shqipërisë në ato kohë të vështira. Me në krye, Aqif Përmetin, Trupi i Vullnetarëve, mbërriti në Shqipëri në 2 prill 1920, “për mbrojtjen e kufijve dhe stabilizimin e qeverisë së saj” . Gjetja më interesante në këtë kontribut ishte shoqërimi i këtij Trupi, me Bandën muzikore “Vatra”, të përbërë nga muzikantë amatorë dhe profesionistë, të udhëhequr nga mjeshtri Thoma Nasi. Rrugëtimi i tyre drejt atdheut ishte i lidhur me një ndjenjë të fortë patriotizmi, entuziazmi dhe shprese për ta bërë Shqipërinë. Ll. V. George, i cili mori pjesë në Kuvendin e shtatë të Vatrës si delegat dhe regjistroi veten dhe 4 shokë nga dega 43, si vullnetarë të Gardës Civile, për të ardhur në Shqipëri me shpenzimet e tyre, iu ngarkua detyra e sekretarit . Në Ditarët e mbajtur prej tij përshkruhet rruga e ndjekur nga Trupi Vullnetar, Banda e “Vatrës” dhe ngjarjeve që i shoqëruan gjatë veprimtarisë në Shqipëri. Në një intervistë me djalin e tij, Kristaq Jorgji, i cili i ka përmbledhur dhe botuar “Ditarët”, tregon sesa entuziast ishte babai i tij kur fliste për atë periudhë, kur ata me nga një sënduk me vete hipën në anijen “Canada” dhe u nisën për në atdhe.

Trupi Vullnetar dhe Banda muzikore mbërritën në Durrës, ku Banda dha koncertin e saj të parë. “Ardhja e Trupës vullnetare dhe Bandës “Vatra” e forcoi më tepër besimin e popullit te qeveria e Tiranës dhe kjo ishte mbështetje që i jepej drejtëpërsëdrejti asaj” – shprehet Vasil Tole, në librin e tij “Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane”. Banda “Vatra” udhëtoi, dha koncerte, ngjalli shprese e gëzim, përhapi mesazhe atdhedashurie e vlera të larta kulturore thuajse në çdo qytet të Shqipërisë. Ajo qendroi në Tiranë, në Elbasan, në Berat, Gjirokastër, Tepelenë, Delvinë, Sarandë, Nivicë, Lukovë, Përmet, Shkodër, Vlorë, Korçë, etj. Kudo u prit me gëzim dhe entuziazëm të pashoq.

Kur në 27 maj, Trupa vullnetare dhe Banda “Vatra” mbërriti në qytetin e Korçës, qyteti dhe banorët e tij vuanin nga frika dhe pasiguria, Konferenca e Paqes ende nuk kishte vendosur fatin e qytetit. Pretendimet dhe veprimet e autoriteteve greke për ta konsideruar Korçën të tyren dhe tërheqja e trupave franceze nga qyteti e vendosnin atë në pozitë të vështirë. Me koncertet e saj në çdo lagje dhe pranë çdo përfaqësie të huaj të ndodhur në qytet, Banda “Vatra” përcillte bukur, përshfaqte në mënyrën më të kulturuar ndjenjat atdhetare shqiptare të banorëve të Korcës, që këndonin bashkë me të himnin shqiptar dhe këngët e bukura shqiptare, krahas interpretimit të simfonive të njohura botërisht. Banda u bë ambasadorja dhe frymëzimi i korçarëve, që luftonin për të mbrojtur identitetin e tyre. Nëpërmjet ndikimit të saj sidomos në Korçë, “Vatra” arriti të ndërtonte një mjedis të fortë nacionalist përballë përpjekjeve të një pakice filogrekësh në këtë qytet që krijonin vazhdimisht alibi për përbërjen etnike dhe atë gjuhësore të këtij komuniteti që jetonte përgjatë kufirit .

Trupi Vullnetar i “Vatrës” u bë barrikada e parë në mbrojtje të kufijve jugore të Shqipërisë. Trupi Vullnetar plotësonte një varg detyrash të ushtrisë kombëtare shqiptare, duke rritur prestigjin e shtetit shqiptar. Në qershor ata u bashkuan në Luftën e Vlorës, që u bë simbol i qëndresës popullore. Krahas “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” për Vlorën, nën komandën e Aqif Përmetit, 120 anëtarë të Trupës Vullnetare si dhe 250 vullnetarë të ardhur me ta nga Korça, luftuan për çlirimin e Vlorës. Banda “Vatra” do të shoqëronte shqiptarët gjatë luftës së Vlorës dhe siç shprehej F. Noli “do të mbante lart moralin e tyre” . Himni i kënduar prej saj do të ndizte peshë zemrat e luftëtarëve. Kënga himn “Vlora-Vlora” është kompozuar, në ditët që zhvillohej lufta, nga drejtuesi i bandës së “Vatrës”, Thoma Nasi, mbi vargjet e Ali Asllanit. Më 3 shtator luftëtarët e ngazëllyer për fitoren, hynë në Vlorë, të udhëhequr nga Banda “Vatra”. Banda u shndërrua nga një orkestër frymore normale në një bandë kombëtare të natyrës ushtarake. 

Trupi Vullnetar i Vatrës formoi Gardën Kombëtare të Shqipërisë dhe pas një shërbimi të vyer, bërë atdheut, me urdhër nga Komanda e Ushtrisë së Korçës, Trupi Vullnetar lirohet . Komandanti i saj, Aqif Përmeti, vazhdoi të qendrojë në Shqipëri. Gjatë viteve 1920 – 1924 ai shërbeu me patriotizëm si komandant i lartë në ushtrinë shqiptare, dhe në vitet e mëvonshme vuri në shërbim të vendit përvojën e tij ushtarake, për të organizuar xhandarmërinë shqiptare. 

Banda “Vatra” qendroi pjesën tjetër të kohës kryesisht në Korçë dhe Tiranë. Në Korçë ajo filloi të jepte koncerte të hapura dy herë në javë. Programet e saj përmbanin muzikë klasike si dhe aranzhime këngësh shqipe, për t’u kënduar nga masa e njerëzve. Me mijëra banorë të Korçës i ndiqnin këto koncerte dhe duartrokitjet e tyre ishin të stuhishme. Kontributi i Bandës për jetën kulturore të Korçës është i pashoq. Profesor Nasi, me shpirtin e vet plot dashuri për muzikën dhe shumë vullnet, nxiti dhe ndihmoi në formimin e koreve muzikore, trupave teatrale, shoqërive artistike. Me ide dhe nismë të tij, në dhjetor 1920, në Korçë u themelua Shoqëria e “Arteve të bukura”, një organizim i madh, me veprimtari në fushën e muzikës, teatrit dhe arteve figurative. Shoqëria kishte në bërthamë të saj anëtarët e bandës muzikore “Vatra” dhe grumbulloi rreth vetes amatorë në fusha të ndryshme. Veprimtaria e suksesshme dhe e larmishme e Shoqërisë së “Arteve të bukura” vazhdoi deri në vitin 1925, kur u detyrua të ndërpritet për shkak të mungesës së fondeve. Përveç se gjallëroi jetën kulturore dhe nxiti lindjen e talenteve, mbi modelin dhe përvojën e saj u krijua në Korçë, në vitin 1928 Kori “Lyra” (që funksionon ende edhe sot). Falë këmbënguljes dhe vizionit të Thoma Nasit, në Korçë u krijua edhe orkestra simfonike, e para dhe e vetmja në Shqipëri. Koncertin e saj të parë Orkestra e dha në 6 prill 1924. E gjithë veprimtaria e Thoma Nasit, përvecse artistike, ishte mbi të gjitha patriotike, ai donte t’i paraqiste shqiptarët evropiane, si në art, kulturë, gjuhë e histori. Ai qëndroi dhe punoi në Korçë deri më 1925, më pas u transferua në Tiranë, ku themeloi Bandën Presidenciale Shqiptare. Në kryeqytet Th. Nasi qëndroi vetëm një vit për t’u larguar përfundimisht në Amerikë më 1926.

Shqipëria e viteve ’20 përballej me sfida të shumta; interesat konfliktuale të shteteve fqinjë, pa aleatë të drejtëpërdrejtë ndërkombëtarë, me një profil të dobët ekonomik, me çështjen kombëtare të zgjidhur përgjysmë, pa eksperiencë shtetformuese, me disa segmente të kufirit të pacaktuar përfundimisht, me një histori të gjatë të të qënit e pushtuar, me një shoqëri që vuante nga konfliktet për pushtet midis familjeve të mëdha bejlere . Gjatë këtyre zhvillimeve historike të kombit shqiptar, “Vatra” dha kontributin e saj në politikë të drejtpërdrejtë, në diplomaci, në arsim dhe në zhvillimin kulturor, aq të nevojshëm për një shoqëri që synonte përparimin si komb. Pas Kongresit të Lushnjes, “Vatra” e përqendroi veprimtarinë e saj në njohjen ndërkombëtare të qeverisë së Sulejman Delvinës, forcimin e lidhjeve me institucionet shtetërore shqiptare dhe luajti një rol aktiv në ndërtimin dhe demokratizimin e shtetit të ri shqiptar.

Qeveria e S. Delvinës, duke njohur kontributet e komunitetit shqiptaro – amerikan, autorizoi “Vatrën” të zgjidhte një deputet në Kuvendin e Shqipërisë, gjë që iu besua Nolit. Veçanërisht i çmuar është kontributi i Nolit në anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombëve, më 17 dhjetor 1920. Sipas Arben Putos, Noli si kryetar i delegacionit shqiptar, bëri punën e një diplomati të përkryer me takimet paraprake me anëtarët e Sekretariatit të Lidhjes, me kontaktet me shtypin dhe fjalimin e tij elokuent në Asamblenë e Lidhjes. Vetë Noli e cilësonte anëtarësimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve si fitoren e tij më të madhe. Pas kësaj Noli u emërua përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Sipas teorisë së të drejtës ndërkombëtare, pranimi i një shteti në Lidhjen e Kombeve, është konsideruar si një formë e njohjes kolektive e shtetit të pranuar. Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ripohonte statusin e Shqipërisë si shtet i pavarur.

Në fund të Luftës së Parë Botërore u kthyen në Shqipëri rreth 15.000 emigrantë nga SHBA, një pjesë e të cilëve u përfshinë aktivisht në jetën politike, arsimore dhe kulturore. Kristo Floqi si vatran i hershëm ishte kthyer më herët në Shqipëri e kishte jetuar këto ngjarje nga brenda, e quan vitin 1920 si vitin shpëtimtar të Shqipërisë. Kontributi i vatranëve në ngritjen e institucioneve shtetërore dhe demokratizimin e vendit sipas modelit amerikan, në Shqipërinë e viteve ’20 është i çmuar. 

Në Këshillin Kombëtar emëruar nga Kongresi i Lushnjes, 3 anëtarë ishin të ardhur nga “Vatra”, Kostaq Kota, Sotir Peci dhe Fazlli Frashëri. Në Këshillin Kombëtar, dalë nga zgjedhjet e vitit 1921 (zgjedhjet e para parlamentare në vend) nga 78 deputetë, 8 ishin vatranë, Kristo Floqi, Kristo Dako, Sotir Peci, Fan Noli, Bahri Omari, Loni Kristo, Kristo Kirka, Koli Rrodhe (mori mandatin pas emërimit të S. Pecit në Këshillin e Lartë) Skena politike dominohej nga dy parti politike, Partia Përparimtare dhe Partia Popullore e kryesuar nga Fan Noli. Përfaqësuesit e Vatrës ishin angazhuar në të dyja partitë politike. Në Kuvendin Kushtetues (1924 – 1925) dalë nga zgjedhjet tetor – dhjetor 1923, nga 102 deputetë, 5 ishin vatranë, Bahri Omari, Kostaq Kota, Faik Konica, Fan Noli dhe Kolë Tromara. Ata u zgjodhën përfaqësues të popullit në institucionin ligjvënës, falë mbështetjes që gëzonin në popull. Përfaqësuan kryesisht popullsinë e prefekturës së Korçës, Dibrës, Vlorës dhe Gjirokastrës. Pothuajse në çdo qeveri që ushtroi detyrën në vitet 1920 – 1925, kishte të paktën një ministër, që vinte nga “Vatra”. Diplomatët e parë të shtetit shqiptar vinin nga rradhët e vatranëve, Mehmet Konica shërbeu si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Faik Konica shërbeu si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA, Fan Noli ishte përfaqësuesi i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve e pas tij Rasih Dino. Angazhimi i vatranëve ishte po kaq i rëndësishem në administratën lokale, duke mbajtur postet e prefektit, si Kostaq Kota, Kolë Tromara, Kristo Kirka dhe Koli Rodhe. Jo më pak i rëndësishëm ishte kontributi i Andon Frashërit, si Sekretar i Përgjithshëm i kabitetit qeveritar të Nolit, apo Nik Dishnicës si drejtor i Policisë në Korçe gjatë qeverisjes së P. Evangjelit. Në jetën politike ata ishin aktivë dhe forcuan pluralizmin politik duke krijuar parti apo organizata politike, që u bënë alternative politike e rëndësishme, apo opozitë e hekurt, të tilla si, Partia Demokratike-Nacionale, Partia Liberale, Bashkimi Kombëtar, KONARE etj. Kristo Dako së bashku më Sevasti e Parashqevi Qiriazin veç kontributit politik dhanë kontribut të çmuar në fushën e arsimit. Morën pjesë në kongreset arsimore në vitet 1920 – 1922, hartuan programe e tekste shkollore, ndërtuan Institutin e vajzave Kiriaz dhe ndihmuan në emancipimin e vajzave shqiptare. Koço Kota, gjithashtu, hartoi tekstin e matematikës për tre klasat e para fillore .

Federata “Vatra” me veprimtarinë e saj atdhetare e kulturore, në SHBA e në Shqipëri, u bë vatër e rëndësishme e kulturës kombëtare, ajo ndikoi e ndihmoi në formimin e shoqërisë civile në Shqipëri. U bënë përparime të rëndësishme në fushën e teatrit, letërsisë, muzikës, falë kontributit të vyer të Fan S. Nolit, Faik Konicës, Kristo Dakos, Kristo Floqit, Thoma Nasit, etj Federata “Vatra”, më 20 korrik të vitit 1921, do të ndizte zjarrin e dijes në qytetin e Korçës, dhe me një tjetër kontribut të çmuar, krijimin e “Bibliotekës Popullore”, e para e këtij lloji në Shqipëri. Biblioteka, drejtohej nga sekretari i qendrës së Vatrës, Miçe Frashëri dhe fondi i saj fillestar ishin botimet e Federatës “Vatra” dhe dhurimet prej saj.

Në emancipimin e shoqërisë ndihmoi veprimtaria e gjerë letrare e publicistike e vatranëve. Ata botuan e drejtuan në Shqipëri gjatë viteve ’20 gazeta / revista të tilla si “Bota e Re”, “Agimi” “Telegraf”, “Ora”, “Shekulli”, “Indipendenca shqiptare”, të cilat u bënë pasqyrë e jetës social – politike, kritikët më të mëdhenj të padrejtësive, mbrojtësit më të vendosur të demokracisë, promovuesit më të flaktë të artit dhe kulturës. Letërsia në të gjitha zhanret e saj u pasurua falë kontributit të Kristo Floqit, Fan Nolit, Faik Konicës, Kostë Cekrezit, të cilët kontribuan edhe në studime historike, gjeografike dhe antropologjike.

Vatranët dhanë kontribut të gjithanshëm dhe u shquan për atdhetari. Një pjesë e tyre u larguan nga Shqipëria në vitin 1925, ndërsa të tjerë vazhduan kontributin e tyre politik, e jo vetëm, në Shqipëri. Një pjesë e tyre, patën fatin tragjik të arrestoheshin, të vuanin në burgjet komuniste apo të ekzekutoheshin. I tillë ishte fati i Andon Frashërit, Kolë Tromaras, Kristo Kirkës, Koli Rodhes, Aqif Përmetit, Kostaq Kotës, Kristo Floqit, Bahri Omarit etj.

Përfundime

Me 17 nëntor 1921, Komisionieri i qeverisë shqiptare në Uashington, Kostë Çekrezi, dorëzoi kërkesën për njohje në Departamentin e Shtetit. Kërkesa u përsërit nga qeveria shqiptare në 7 qershor 1922. Ishte Noli që, në detyrën e Ministrit të Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit, nënshkroi në janar 1922, notën zyrtare të qeverisë shqiptare, që kërkonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA. Qeveria e SHBA dërgoi në Shqipëri përfaqësuesin e saj jo-zyrtar Maxwell Black, me një mision hetimi paraprak për situatën politike në Shqipëri pas mbërritjes së kërkesës së qeverisë shqiptare për njohje. Me 28 korrik 1922, ai i dorëzoi Xhafer Ypit, në cilësinë e Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, notën e njohjes së qeverisë shqiptare nga SHBA. Deri në vendosjen e marrëdhënieve të rregullta diplomatike Black do të qëndronte në Shqipëri si Komisionier i SHBA në rangun e Ministrit të Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë të SHBA. Në fillim të dhjetorit 1922 mbërriti në Tiranë përfaqësuesi i parë diplomatik i qeverisë amerikane U.Grant-Smith, në cilësinë e Ministrit të parë Fuqiplotë dhe të Jashtëzakonshëm të SHBA në Shqipëri. Deri në prill 1922 qeveria shqiptare u përfaqësua nga Komisionieri Çekrezi në Washington e më pas nga konsujt e saj në New York, Koço Tashko e Abdi Sula. Në korrik 1926 u emërua Ministri i parë Fuqiplotë dhe i Jashtëzakonshëm shqiptar në Uashington, Faik Konica, i cili hapi Legatën shqiptare në SHBA.

Edhe pse zyrtarisht marrëdhëniet Shqipëri – SHBA u vendosën në vitin 1922, falë veprimtarisë së kolonive shqiptare në SHBA dhe “Vatrës” në mënyrë të veçantë, bashkëpunimi shqiptaro – amerikan është më i hershëm. Veprimtaria e ngjeshur e “Vatrës”, (e përshkruar më sipër), krijimi i Kishës Autoqefale shqiptare, mitingjet, leksionet e hapura, veprimtaria publicistike, klubet muzikore e teatrale e kishin bërë të njohur Shqipërinë, popullin shqiptar, kulturën shqiptare e çështjen shqiptare në opinionin amerikan. Imazhi i njerëzve të punës, njerëzve të shkolluar, njerëzve të mirë dhe të drejtë, që shqiptarët e Amerikës përcillnin në opinionin dhe institucionet amerikane ishte kontributi më i vyer që komuniteti shqiptar i Amerikës i ka bërë Shqipërisë. Takimet, memorandumet, lobimet e shumta kishin vendosur kontaktet politike mes shqiptarëve të SHBA-së dhe institucioneve shtetërore amerikane që në fillim të shekullit të XX-të. “Vatra” fliste e vepronte në emër të institucioneve shqiptare, apo në emër të shqiptarëve në mungesë të institucioneve shtetërore kombëtare, ndaj veprimtaria e saj ishte një fillim i mbarë dhe i rëndësishëm në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – SHBA.

Referenca:

  Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012),.266

  Po aty, 266

  Po aty, 271

  Nicholas C. Pano. Fan Noli, komuniteti shqiptaro – amerikan dhe Shqipëria, në “100 vjet pavarësi”, Vell II (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2014) 491

  Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012), 269

  Faik Konica, Vepra 2, (Tiranë, Dudaj: 2001) 226-227

  Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017), 547

  Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit, (Shtypshkronja Koti, Korçë: 2014),79-81

  Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 545

  Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit, (Shtypshkronja Koti, Korçë: 2014).15

  Cit. Nasho Jorgaqi, Roli i Fan Nolit në marrëdhëniet shqiptaro – amerikane, në “Fan S. Noli ne 130 vjetorin e lindjes (Promo print, Korçë: 2012) 14

  Cit. Dalip Greca, Histori shqiptaro-amerikane / Një patriot si Kol Rodhe që la Shqipërinë për Amerikën, [online] i disponueshëm në: https://inforculture.info/2021/06/22

  Po aty

  Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 557

  A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016) 53

  Cit. Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 555

  A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016) 57

  Cit. A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati (Argeta LMG, Tirane: 2016) , f.264,

  Cit. Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017) 408

  A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016) 60

  Kostë Cekrezi, Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja, (Tiranë, ShB Naimi: 2012),273

  A. Alibali, Faik Konica, Dritëhijet e një diplomati, (Argeta LMG, Tirane: 2016) 60

  Po aty

  Cit. Arben Puto, Shqipëria politike 1912 – 1939 (Toena, Tiranë: 2009) 240

  Arben Puto, Shqipëria politike 1912 – 1939 (Toena, Tiranë: 2009) 214

  Po aty, 558 – 561

  Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit (Shtypshkronja Koti, Korçë, 2014) .20

  Po aty

  Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 81

  Nuçi Koti, Kufijtë Jugorë të Shqipërisë, 30

  Cit. Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 99

 Vec saj Th. Nasi kompozoi dhe këngë të tjera patriotike, të shndërruara në himn, siç ishte “Marshi i Korçës” dhe “Marshi mbretëror”, një kompozim mbi tekstin e Kristo Floqit, kushtuar Ahmet Zogut, të cilin ky i fundit e bëri marsh mbretëror pas shpalljes së monarkisë

  Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 85

  Kristaq LL. Jorgji, Ditarët e Llambi Vaskë Jorgjit (Shtypshkronja Koti, Korçë, 2014) 177

  Eugen Shehu, Aqif Përmeti…me vision atdhetar, [online] i disponueshëm në: https://www.radiandradi.com

  Vasil Tole, Banda kombëtare “Vatra” një histori unike shqiptaro – amerikane (Kristalina-KH, Tiranë: 2020) 138

  Pranvera Dibra, Dilemat e diplomacisë angleze për pavarësinë e Shqipërisë, në rrethanat e krizës politike shqiptare 1921 – 1925, në “100 vjet pavarësi”, Vell II (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2014), 25

  Arben Puto, Historia diplomatike e cështjes shqiptare 1878 – 1926, (Titane, Dudaj: 2010) 292

  Po aty, 321

  Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX, Vëll. I, (Botimet Albanologjike, Tiranë: 2017), 547

   Jonela Spaho, Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare (OMBRA GVG, Tiranë: 2020) 114

 Edhe pse në vitin 1916, për shkak të mosmarrëveshjeve, Dako u shkëput nga “Vatra” dhe krijoi Partinë Poitike në Boston. Kristo Dako ishte përkrah Nolit, Floqit, Pecit dhe Konicës, ndër anëtarët e parë të Federatës “Vatra”, ndaj e kemi renditur këtu, përkrah të tjerëve.

  Harallamb Kota, Koco Kota, për një Shqipëri oksidentale, (Morava, Tiranë:2017)260

Check Also

Hyland: Kosova është rast unik dhe do të jetë gjithmonë në krah të SHBA-ve

Flamur VEZAJ Dje, në sallën historike Hamilton Hall në Salem të Massachusetts, u fol për …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com