Kontributi i Aleksandër Xhuvanit në Shkollën Normale të Elbasanit

Nga Ledio Xhoxhi, Historian

Rilindësit tanë pa përjashtim, në një formë ose në një formë tjetër, kanë menduar, kanë shkruar, kanë punuar e kanë luftuar për përhapjen e diturisë dhe të arsimit kombëtar. Si iluministë që ishin, ata jo vetëm që përpunuan një platformë përparimtare për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, por bënë të gjitha përpjekjet, pa kursyer asgjë, për ta vënë atë në jetë. Nga i gjithë dokumentacioni i kohës del se rilindësit, duke njohur mirë kushtet politike e shoqërore të vendit dhe nevojat aktuale e perspektive të tij, përpunuan parimet themelore pedagogjike mbi të cilat do të mbështetej shkolla shqipe siç ishin: a) arsimin që në moshë të re; b) të ishte për të gjithë shtresat dhe i barabartë për meshkujt dhe femrat, për të pasurit dhe për të varfrit; c) të zhvillohej në gjuhën shqipe; ç) të ishte arsim laik. Në përputhje me këto parime, rilindësit hartuan dhe planet e programet mësimore të shkollave shqipe, të cilat bazoheshin në kërkesa politike, shkencore, pedagogjike dhe didaktike. Rilindësit tanë e kishin kuptuar prej kohësh se për të vënë në jetë mendimet dhe aspiratat e tyre pedagogjike përparimtare, për të përhapur mësimin dhe shkollën shqipe, si dhe për të zhvilluar arsimin kombëtar duhej përgatitur mësuesit shqiptar, të cilët duhet të merrnin në dorë mësimin dhe edukimin e brezit të ri.

Në Shqipërinë e rilindjes, arsimi fillor, ashtu edhe ai i mesëm zhvillohej në gjuhë të huaj, ndërsa mësimi në gjuhën amtare dhe shkollat shqipe mbeteshin gjithnjë një “mollë e ndaluar” për shqiptarët. Aq më pak mund të bëhej fjalë për mundësinë e ngritjes së shkollave të mesme shqipe, të përgjithshme ose pedagogjike. Mirëpo, dëshira dhe nevoja për të mësuar në gjuhën amtare dhe për të çelur shkolla shqipe sa vinte e rritej. Problemi më i ngutshëm dhe mjaft i diskutuar në rrethet patriotike shqiptare dhe në shtypin e kohës mbetej, për kushtet e atëhershme, ngritja e një shkolle pedagogjike për përgatitjen e mësuesve. Këto probleme dhe të tjera me karakter politik e organizativ të Lëvizjes Kombëtare e bënë të nevojshme thirrjen e një kongresi mbarëshqiptar. Iniciator për thirrjen e një kongresi të ri kombëtar u bë klubi shqiptar i Selanikut nga Mithat Frashri. Në thirrjen drejtuar gjithë klubeve e shoqërive shqiptare, që mban datën 25 mars 1909, si vend për mbajtjen e kongresit caktohej qyteti i Elbasanit dhe si kohë 14 maji 1909. Keqësimi i situatës së brendshme politike në pranverë 1909, patën si rrjedhim shtyrjen dy herë të kohës për mbajtjen e Kongresit. Më në fund u vendos që kongresi të mbahej në fillim të shtatorit 1909. Më 2 shtator 1909, filloi punimet Kongresi Kombëtar i Elbasanit, i cili vazhdoi 7 ditë, deri më 8 shtator. Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin vendimet, ose siç u quajtën ndryshe, Rezoluta prej 15 nenesh, që u miratua dhe u nënshkrua nga të gjithë delegatët. Një nga masat më të rëndësishme të kësaj Rezolute ishte çelja në Elbasan në vjeshtën e atij viti e një Shkolle Normale (pedagogjike), me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe. Shkolla pedagogjike do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.

Vendimi i kongresit për hapjen e Normales u prit me gëzim të madh nga populli dhe nga patriotët, brenda e jashtë vendit. Më në fund edhe në Shqipëri do të çelej e para shkollë e mesme në gjuhën amtare dhe me mësues shqiptarë. Duke e vlerësuar Normalen si përfaqësuese të arsimit kombëtar, u tregua kujdes i veçantë për të sjellë ajkën e inteligjencës përparimtare shqiptare, personalitete të shquara në fushën e kulturës e të atdhetarizmit, si: Qamil Balën nga Gjilani, Bajo Topullin nga Gjirokastra, Luigj Gurakuqin nga Shkodra, Aleksandër Xhuvanin nga Elbasani, Sotir Pecin nga Korça etj. Më 1 dhjetor 1909, u çel në Elbasan Shkolla Normale shqipe, e para shkollë e mesme kombëtare në vendin tonë. Fjala e drejtorit të parë të Shkollës, me rastin e çeljes së saj, është një vlerësim i lartë për kombin shqiptar dhe për aspiratat arsimdashëse të shqiptarëve, për mendimin pedagogjik përparimtar botëror dhe për rolin e madh të arsimit në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Lidhur me drejtorin e Shkollës Normale, Aleksandër Xhuvani në një letër vetjake të dhjetorit 1909 bën këtë sqarim: “Drejtor sivjet nuk u gjet. Shoqnia “Përparimi” e Korçës i çoi telegraf Bajo Topullit për këtë punë, po Bajua gjet shkak e tha që nuk munt të vinj se do të vete në Vjenë për një operacione që do të bajt. Andaj na mësonjësit me gjithë Ibraim efendi Tiranën (Dalliu) zgjodhën Gurakuqin jo si drejtor po si Kryetar të Këshillës së Mësonjëvet, se Peci nuk deshi t’a marri këtë barrë”. Në Normale, shkruante Aleksandër Xhuvani, “po gatuhesh bashkimi i toskëvet e i gegëvet, po shkulesh fanatizmi e po rritesh ideja kombëtare”.

Në veprimtarinë e tij për zhvillimin e shkollës e të pedagogjisë shqiptare, Aleksandër Xhuvani eci në mënyrë konsekuente në vazhdën e traditave kombëtare, patriotike e laike të Rilindjes. Ashtu si të gjithë rilindësit, ai e shikonte arsimin e kulturën si mjete për ndriçimin e mendjes së popullit, për daljen nga errësira e për zgjimin e bashkimin e tij në luftën për pavarësinë kombëtare dhe përparimin shoqëror të vendit. Veprimtarinë e tij arsimore e pedagogjike Aleksandër Xhuvani e filloi në vitin shkollor 1906-1907, si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën Dhimitër Koronës. Në fund të vitit 1909, kur hapet Shkolla Normale e Elbasanit, ai i përgjigjet me entuziazëm thirrjes për të dhënë mësim në këtë shkollë. Bashkë më patriotët dhe aktivistët e shquar të arsimit tonë kombëtar, Luigj Gurakuqin e Sotir Pecin, ai është ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle dhe, më vonë, për periudha të tëra kohe, drejtor i saj.

Për shkak të rrethanave politike që u krijuan gjatë verës së vitit 1910, shtatori i atij viti e gjeti Shqipërinë me Shkollën Normale të mbyllur. Më 1 prill 1910 Shkolla Normale e Elbasanit hapi përsëri dyert e saj, por me rezerva në lidhje me personelin pedagogjik të zgjedhur. Një bashkëkohës nga Elbasani shkruante se në personelin mësimor të saj nuk ishin “as Gurakuqi, as Peci, as Xhuvani, por të tjerë shumë më të ulët”.

Për shkak të problemeve dhe rrethanave të kohës, Shkolla Normale u mbyll gjatë vitit 1911, por në fund të shtatorit 1913, Shkolla Normale u rihap përsëri. Drejtor i saj u emërua Aleksandër Xhuvani, ndërsa mësues ishin Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimina. Pasi mbaroi shkollën e lartë pedagogjike në Francë, edhe Sali Çeka u ngarkua me detyrën e mësuesit të pedagogjisë dhe të psikologjisë në Normalen e Elbasanit. Për shkak të ngjarjeve të reja politike të organizuara nga qeveria greke si dhe të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, Normalja e Elbasanit vazhdoi punën deri në maj të vitit 1914. Në ato vite të rënda lufte e pushtimesh Normalja e Elbasanit përjetoi tri herë mbyllje dhe rihapje, të cilat patën pasoja në mosarritjen e ciklit të plotë. Në vitin shkollor 1920-1921 Shkolla Normale u nda nga qytetësja dhe punoi me një program të ri e jo më si shkollë e përzierë gjimnaz-normale. Në vitin shkollor 1921-1922 Shkolla Normale e Elbasanit arriti të kishte klasën e parë “Normale” mbi klasën përgatitore, ku përgatiteshin ata nxënës që nuk kishin përfunduar plotësisht mësimet në shkollën qytetëse. Në vitin shkollor 1922-1923 shkolla kishte një klasë përgatitore dhe dy normale. Vetëm pas 15 vitesh nga çelja e saj, në vitin shkollor 1923-1924, Shkolla Normale e Elbasanit mori formën e plotë me tri klasa normale dhe nga bankat e saj dolën 17 maturantët e parë.

Gjatë viteve 1925-1939, kur në krye të shtetit shqiptar erdhi Ahmet Zogu, Shqipëria njohu një periudhë stabilizimi, zhvillimi dhe konsolidimi, si në fushën politike ashtu edhe në fusha të tjera ekonomike, shoqërore e kulturore. Edhe në këtë periudhë rolin vendimtar në përgatitjen e mësuesve e luajti Shkolla Normale e Elbasanit. Mbas mbylljes të shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore, Shkolla Normale u riçel më 20 shkurt 1945. Qindra e mijëra maturantë u diplomuan në Normalen e Elbasanit gjatë regjimit komunist të cilët padyshim kanë punuar dhe kanë kontribuar për përhapjen e arsimit në të katër anët e vendit.

Check Also

2 MARS 1444/ Atëmotin e besëlidhjes së kryezotëve të Arbrit, fjala e Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës, sipas Marin Barletit

SOT 580 VITE NGA BESËLIDHJA E LEZHËS Nga Albert Vataj Asokohen kur u beslidhën dalzotët, …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com