Komplikacionet e sigurisë në Gadishullin Arabik nga sulmet terroriste të Lëvizjes Houthi në Jemen

Dr. Dritan Demiraj, Michigan.

Autor i librit “Al-Qaeda në Gadishullin Arabik”.

Tashmë që kemi hyrë në ditën e 113 të konfliktit midis Izraelit, Hamasit, Xhihadit Islamik Palestinez dhe Hezbollahut, mund të themi se ky konflikt ka kaluar kufijtë e këtij rajoni. Ky konflikt ka shkaktuar vrasjen e më shumë se 25.000 civilëve dhe plagosjen e rreth 50.000 qytetarëve të tjerë palestinezë, ndërsa nga ana e Izraelit vrasjen e më shumë se 2000 civilëve dhe ushtarëve, plagosjen e më shumë se 4500 ushtarëve dhe rreth 24.000 shtetasve të tjerë të cilët sipas mediave izraelite konsiderohen invalidë lufte.

Intensiteti i këtyre luftimeve, padiskutim që e ka kaluar kufirin e vetëmbrojtjes nga Izraeli, duke provokuar që shumë grupe militantësh të cilët janë mbështetur, financuar, pajisur, trajnuar në mënyrë të paligjshme nga Irani të sulmojnë pabesisht bazat amerikane në Siri, Irak por në mënyrë të veçantë të ndërpresin rrugën ndërkombëtare të transportit tregtar në ngushticën Bab al-Mandeb dhe në Gjirin e Adenit në Jemen.

Konkretisht grupi i cili po organizon dhe ekzekuton këto sulme terroriste, është grupimi Houthi ose siç njihet në Jemen si ‘Lëvizja Ansar Allah’. Për këtë arsye në këtë shkrim të shkurtër do të dëshiroja të analizonim shkurtimisht një nga lëvizjet më të fuqishme militante në Gadishullin Arabik, grupimin Houthi i cili nga viti 2004 dhe deri në ditët e sotme drejtohet nga Mohammed al-Houthi, djali i Sheikut Hysein Bredradinne al-Houthi drejtues i lëvizjes fetare dhe politike Houthi nga viti 1994 deri në vrasjen e tij në vitin 2004 në Saada nga ish presidenti Ali Abdullah Saleh (1973-2012) vrarë po nga Houthit në vitin 2017 pas tradhtisë që i bëri këtij grupimi.

Deri tani Houthit kanë ekzekutuar 145 sulme terroriste me raketa balistike, dronë sulmi, anije nënujore kamikaze dhe raketa anti-anije kundër anijeve të transportit ndërkombëtar, por në të njëjtën kohë edhe kundër anijeve luftarake amerikane, duke shkaktuar një ndërprerje të rrugëkalimit të anijeve në kanalin e Suezit dhe duke i detyruar anijet të kalojnë përgjatë një rrugëkalimi shumë të gjatë përreth kontinentit Afrikan.

Historia e Houthit fillon kur trupat republikane të presidentit Mansur Hadi rrethuan kryeqytetin Sanaa në vitin 2014, duke detyruar imamin Shia të Sanaa-së të largohej së bashku me rebelët e tij në malet në veri të Jemenit, në mënyrë që të organizonte një kundërofensivë. Në këtë moment, Irani dhe Hezbullahu filluan mbështetjen e tyre ushtarake dhe financiare për marrjen e kontrollit të kryeqytetit Sanaa nga luftëtarët Houthi. Që nga viti 2014 dhe në vazhdim, trupat e Houthit filluan të marrin mbështetje ushtarake nga forcat elitë iraniane al-Quds dhe nga komandanti i tyre gjeneral leitnant Kasem Sulejmani, nga Hezbollahu dhe nga Al-Qaeda në Jemen (AQY), e cila në këtë periudhë kishte një prezencë të theksuar në mbi 60 për qind të territorit të Jemenit.

Pas vitit 2011 dhe në vazhdim, Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë, u angazhuan në një konflikt të hapur në Jemen kundër grupit Shia Houthi. Riadi ka qënë aktivisht i përfshirë në konfliktin e Jemenit, një konflikt që filloi në vazhdën e kryengritjeve të pranverës arabe.

Në momentin kur trupat Houthi u afruan në afërsi të kryeqytetit Sanaa, presidenti i Jemenit Abd Rabbuh Mansur Hadi, bëri një kërkesë për ndërhyrje ushtarake tek mbreti saudit Salman. Kjo kërkesë erdhi si pasojë e ofensivës që ndërmorën rebelët Houthi, të cilët përfaqësonin një lëvizje të armatosur politiko-fetare, me qëllim marrjen e kontrollit të kryeqytetit të Jemenit, Sanaa. Presidenti Hadi u detyrua të largohej edhe nga qyteti jugor Aden, duke fluturuar në Arabinë Saudite në azil politik, ndërkohë që sauditët po përgatiteshin të fillonin një ofensivë ajrore kundër militantëve Houthi dhe forcave besnike të ish presidentit Ali Abdullah Saleh. Abdullah Saleh ishte larguar nga pushteti pas trazirave të vitit 2011, si pjesë e lëvizjeve të Pranverës Arabe duke e pozicionuar veten me rebelët Houthi.

Operacioni ‘Decisive Storm’ përbëhej nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Sudani, Bahreini, Katari, Jordania, Maroku, Kuvajti dhe zgjati pesë vite (2015-2020). Si pasojë e këtyre luftimeve u vranë mbi 200.000 civilë dhe militantë houthi, mijëra fëmijë vdiqën nga uria dhe rreth 2556 persona nga kolera. Ndërkohë Arabisë Saudite ky operacion i ka kushtuar gjatë viteve 2015-2020 mbi 600-800 milionë dollarë në muaj, mijëra ushtarë të vrarë, dhjetra mijëra të plagosur, avionë, helikopterë, dronë, destrojerë, luftëanije, tankerë nafte, aeroporte, rafineri nafte, etj të shkatërruara.

Ndërhyrja ushtarake saudite në Jemen filloi në datën 26 mars 2015 dhe vazhdoi deri në muajin qershor 2020. Objektivi i tij ishte që të ndikonin në përfundimin e luftës civile në Jemen dhe të mos krijohej asnjë mundësi që militantët e lëvizjes Houthi të merrnin drejtimin e qeverisë në vend. Ndërhyrja ushtarake filloi në përgjigje të kërkesës për ndihmë nga qeveria dhe presidenti i Jemenit Hadi, ku avionët luftarakë të Egjiptit, Marokut, Jordanisë, Sudanit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahreinit nën drejtimin e Arabisë Saudite të fillonin bombardimet kundër pozicioneve të rebelëve. Në këtë konflikt u përfshinë edhe SHBA-të, të cilat ofruan mbështetje me inteligjencë dhe pajisje logjistike, përfshirë këtu dhe operacionet e kërkim-shpëtimit për pilotët që u rrëzuan nga sulmet ajrore të rebelëve Houthi. SHBA-të gjithashtu mundësuan shitjen e një sasie shumë të madhe armësh për shtetet pjesëmarëse në këtë koalicion në shumën rreth 100 miliardë dollarë vetëm për Arabinë Saudite.

SHBA-të dhe Britania e Madhe dislokuan personelin e tyre ushtarak në qëndrat e komandim-kontrollit të cilat drejtoheshin nga sauditët për sulmet ajrore në Jemen, duke patur akses të plotë në listën e objektivave që do të targetoheshin nga koalicioni arab. Kjo katastrofë që po ndodhte në Jemen, përballej në kampin kundërshtar me lidershipin e gjeneralit iranian Kasem Suleimani, ku ndërkohë që sauditët harxhonin miliarda dollarë në një fushatë brutale ajrore, sipas analistit të Lindjes së Mesme Bruce Riedel ai vlerësonte se:

“Mbretëria saudite harxhon të paktën 5-6 miliardë dollarë në muaj për të bombarduar rebelët Houthi, përballë një investimi relativisht të vogël të Iranit me teknologji të ulët, e cila kushton vetëm disa ‘qindarka’”.

Është i njohur fakti se rebelët Houthi përfaqësojnë apoteozën e modelit iranian të pushtetit shtetëror dhe kryengritës. Ata nuk kanë kërkuar të shkatërrojnë qeverinë, në vend të kësaj ata realizuan një aleancë me ish presidentin e Jemenit Saleh, i cili më parë kishte qenë në kampin saudit. Salehu ka qenë president i Jementi për 24 vjet (1990-2012) dhe president i Jemenit të Veriut (1978-1990) dhe kishte shumë besnikë në të gjitha institucionet kryesore të qeverisë, veçanërisht në forcat e armatosura.

Kur forcat e tij hynë në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa në muajin shtator 2014, aleanca Houthi-Saleh ishte në gjendje të merrte nën kontroll të gjithë aparatin administrativ të qeverisë pothuajse pa asnjë të shtënë. Houthistët nga ana tjetër, filluan të emëronin njerëzit e tyre në departamentet qeveritare, operativët e tyre në aparatin e inteligjencës dhe komandantët e tyre në ushtri, duke krijuar në të vërtetë një “qeveri në hije”. Ata shfuqizuan njësitë ushtarake si Garda Republikane, të cilat i qëndruan besnike vetëm presidentit Saleh, gjë që bëri që të angazhoheshin edhe këshilltarët ushtarakë nga Hezbollahu Libanez dhe forcat iraniane al-Quds.

Në muajin mars të vitit 2017, gjeneral Suleimani mblodhi në një takim komandantët më të lartë në Teheran, me qëllim për të diskutuar format dhe mënyrat për të fuqizuar më tej forcat Houthi në Jemen. Raundi i parë i mbështetjes nga forcat Quds filloi në vitin 2012, fillimisht me armatime, para dhe granata. Gjatë viteve 2012-2013, SHBA-të kapën dy anije amerikane me armë në Gjirin e Adenit. Pas ndërhyrjes saudite, në vitin 2015 forcat Quds u përfshinë edhe më shumë në mbështetje të forcave Houthi.

Në këtë këndvështrim, mund të përmendim asistencën ushtarake iraniane, e cila përbëhet nga dronë kamizaz dhe inteligence me kosto 1000-2000 dollarë të cilat në shumë raste u përdorën kundër raketave tokë-ajër amerikane të raketave Patriot ‘Pack 2/3’ me kosto 2-3 milion dollar. Dronet Ababil dhe Qasef të cilat u përdorën kundër baterive anti-ajrore prodhim amerikan të Arabisë dhe Emirateve. Houthit përdorën gjatë kësaj kohe edhe drone kamikaz nënujore iraniane kunder fregates saudite ‘al-Madina’ dhe kunder anijes ‘Arsan’, raketa dhe mina detare në ngushticën Bab al-Mandeb, raketa anti-anije-SS-N-2 dhe raketa kineze C-801, C-802, sistemin Iranian Noor, raketat Tawfan-1, Tawfan-2, Tawfan-3 dhe 15 lloje minash detare.

Aktualisht lëvizja Houthi kanë dispozicion rreth 160.000-200.000 trupa milicish të mirë organizuara, të strukturuara në disa komanda me forca tokësore, detare, ajrore, forca raketore dhe mbi të gjithë me një eksperiencë të madhe luftimi të cilat arritën një fitore spektakolare kundër koalicionit saudit gjatë viteve 2015-2020.

Deri tani Houthit edhe pse janë goditur nga forcat e koalicionit anti-Houthi, nuk i kanë ndaluar sulmet e tyre terroriste në Detin e Kuq, madje kanë deklaruar se nuk do të ndalojnë sulmet deri në tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza. Duhet thënë se kostoja e këtij operacioni është e lartë, duke marrë në konsideratë se kosto e raketave amerikane ‘Tomahawk’ është rreth 2 milionë dollar, raketat amerikane të përdorura kundër dronëve 2000 dollarë të Houthit SM-2 kushtojnë 2 milionë, raketat SM-6, katër milionë, raketat ESSM Sea Sparrow rreth 2 milionë dollar, së bashku me raketat franceze anti-ajrore 1 milionë euro. Pra të gjitha sa më lartë kanë rritur ndjeshëm koston e këtij operacioni, në shtesë edhe të kostos të ndërprerjes së transportit tregtar të dhjetra anijeve të tregtisë të cilat tani kalojnë përgjatë këtij rrugëkalimi ndërkombëtar.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com