“Kolonia Shqiptare” e vitit 1980, gazeta që bashkoi nacionalistët shqiptarë në New York, New Jersey e Connecticut

Sokol Paja

Shtypi i shkruar nacionalist i mërgatës shqiptare të emigracionit politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një epokë të ndritur të përpjekjeve patriotike të shqiptarëve në Amerikë. Historia e shqiptarëve të Amerikës është pjesë e pandarë e historisë së medias që ky komunitet krijoi në dekada përpjekjesh për atdhe, komb dhe komunitet shqiptar. Organi mediatik i patriotëve nacionalistë “Kolonia Shqiptare” ishte një fletore në formë gazete u botua në New York në muajin maj të vitit 1980. Ishte organ mediatik i patriotëve shqiptarë me bazë në New York dhe përfshin veprimtarinë e mërgatës nacionaliste edhe në New Jersey e Connecticut. Kjo fletore mediatike në formë gazete ishte organ përvjetor, u themelue prej patriotëve me qëllim trajtimin e festimeve të ditës së flamurit kombëtar. Si organ i komunitetit shqiptar në botën e lirë, kjo gazetë kishte në thelb veç trajtesa patriotike kushtuar ditës së pavarësisë. Kjo gazetë u bënte thirrje për bashkim të gjithë patriotëve vullnetmirë në New York, New Jersey e Connecticut që të kontribuonin për komb shqiptar dhe flamur kombëtar.

“Kolonia Shqiptare” ishte gazetë që bashkoi nacionalistët e kolonisë politike antikomuniste në New York e më gjërë. Në vitin e parë të botimit, në numrin e parë, në faqen 3 paraqiten detaje të mbledhjes dhe bashkimit të të gjitha organizatave patriotike shqiptare në New York, New Jersey e Connecticut. Mbledhja e përgjithshme e nacionalistëve u zhvillua më 9 shtator 1979. Morën pjesë:

Qendra Islamike Shqiptare(Imam Isa Hoxha, Abdullah Kaloshi), Lidhja Katolike Shqiptare(Mons. Zef Oroshi dhe Don Rrok Mirdita), Komiteti “Shqipnija e Lirë” (Dr. Rexhep Krasniqi), Organizata Kombetare “Levizja e Legalitetit”(z. Reis Agaj e z. Rasim Sina), Blloku Kombëtar Indipendent(Dr. Gjon Buçaj), Bashkimi Demokrat Shqiptar(z. Adem Hodo e z.Jonuz Ndreu), Lidhja Prizrenit në Mërgim (Ismet e Selim Berisha), Organizata Balli Kombëtar (z.Qazim Emra e z. Banush Laze), Qendra Ortodokse Shqiptare(Zef Mirakaj), AANO(Zef Mirakaj), si observator Federata Vatra (Tonin Mirakaj, Ymer Doda) gjithashtu të pranishëm kanë qenë edhe personalitete të shquara si zonja Lume Juka, Adem Hodo, Ndue Kola dhe organizuesi Zef Mirakaj. Komisioni përgatitor që u votua për festën e flamurit kombëtar kishte këtë përbërje: Abdullah Kaloshi, Qazim Emra, Dr. Fuad Myftija, Ismet Berisha, Adem Hodo, Zef Mirakaj, Fran Sokoli, Rexhep Krasniqi dhe Lume Juka. Në faqen 17 gazeta i bën jehonë fjalimit kryesor të festës së flamurit kombëtar mbajtur nga Dr.Rexhep Krasniqi i cili thekson rëndësinë e bashkëpunimit e bashkimit kombëtar të faktorit politik e patriotik në mërgim. Përveç lutjes fetare të darkës së pavarësisë udhëhequr nga Mons.Zef Oroshi e fjalimeve të rastit, gazeta boton specifikisht një mesazh patriotik dërguar popullit shqiptar prej bashkësisë shqiptare të New York-ut me rrethe që mban firmën e Dr.Rexhep Krasniqit ku përveç trajtimit të çështjes së shtypjes së popullit shqiptar në regjimin komunist, e ngre lart simbolikën e ditës së lirisë kombëtare si frymëzim për brezat dhe mbarë popullin shqiptar. Në këtë gazetë patriotike përveç se përmblidhet jeta kulturore, atdhetare e sociale e mërgatës, publikimi ka një vlerë të jashtëzakonshme arkivore e historike për një periudhë të pa studiuar më parë rreth rolit dhe veprimtarive atdhetare e antikomuniste të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com