Klubet kulturore dhe patriotike të fillim shekullit XX në Elbasan

Prof. Dr. Roland Gjini

Në vitin 1908, menjëherë pas shpalljes së Hyrjetit (Kushtetutës) nga Turqia, në Elbasan ngrihen dy klube patriotike dhe kulturore, “Bashkimi” dhe “Vllaznia”. Këto klube u bënë vatra të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe veprimtare të përhapjes së shkollave dhe arsimit shqip. Klubi “Bashkimi” hapi një shkollë nate në vitin 1908, ku punonin si mësues Josif Haxhimima, Simon Shuteriqi, Hasan Mezja etj. Ky klub ndihmoi në përhapjen e arsimit në fshatrat e Shpatit. Klubi “Bashkimi” mbante lidhje me klubin e Manastirit kryetar i të cilit ishte patrioti i shquar nga Bërzeshta, Halit Bërzeshta. Më 5 shkurt të vitit 1910 klubet patriotike “Bashkimi” dhe “Vllaznia” organizuan një miting madhështor me pjesëmarrjen e mijëra vetëve për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj.

Në mars 1910 të dy klubet patriotike, “Bashkimi” dhe “Vllaznia” bashkohen në një klub të vetëm me emrin “Bashkimi i ri”. Ky klub i zgjeruar punoi dhe veproi më tej për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare te populli i Elbasanit, jo vetëm për të mbrojtur e përhapur arsimin shqip, por edhe për zgjerimin e lëvizjes së armatosur antiturke në vitet 1911-1912.

Në vitin 1920 formohet në Elbasan shoqëria kulturore “Afërdita” me drejtues Ahmet Hastopallin dhe Ahmet Gashin. Në verën e vitit 1920 u organizua banda muzikore e kësaj shoqërie, që shëtiste rrugicë e më rrugicë e shtëpi më shtëpi të qytetit, duke ekzekutuar himne e marshe, për të mbledhur ndihma për luftëtarët trima që luftonin në Vlorë kundër pushtuesit italian. Në fund të gushtit të vitit 1920, banda e shoqërisë “Afërdita” u ftua në Vlorë për të festuar fitoren mbi italianët. Kjo bandë shkoi në Vlorë dhe në 3 shtator dha koncerte në festimet e mëdha që u kryen në këtë qytet me rastin e çlirimit.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com