Klasa e gjuhës shqipe në Kishën e Shen Palit, Rochester Hills, Michigan, identiteti kombëtar i shqiptarëve të Amerikës

“Të veçantat e vitit mësimor 2023-2024”, Vera Ivanaj, mësuese e gjuhës shqipe në klasën e gjuhës shqipe që zhvillohet në Kishën e Shën Palit, Rochester Hills, Michigan, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon për lexuesit: përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe në mërgatë, gjuhën shqipe si pasuri kombëtare dhe identitare, rolin e mësimit shqip te rritja e ndjenjës patriotike te fëmijët.

PËRPJEKJET PËR MBAJTJEN GJALLË TË GJUHËS SHQIPE NË MËRGATË

Si çdo vit të ri shkollor, emocionet dhe ndjesitë janë tepër pozitive, si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit, por në të njëjtën kohë është edhe ndjenja e përgjegjësisë për të arritur maksimumin në procesin e mësim dhënies, si nga ana e mësuesit, ashtu dhe të nxënit nga ana e fëmijëve. Synimet janë të mëdha nga të dyja anët, e mësuesve dhe nxënësve, por çelësi për arritjen e tyre, në radhë të parë, është vullneti dhe puna sistematike e nxënësve për të mësuar dhe praktikuar gjuhën shqipe, jo vetëm në klasë por edhe në familjet e tyre. Gjuha larg trojeve amtare është si bima, nëse nuk e ushqen dhe nuk e ujit vazhdimisht, ajo do të thahet. Mbajtja hapur e klasës së gjuhës shqipe pranë kishës së Shën Palit, tregon se është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbajtur gjallë gjuhën tonë. Procesi i mësimit është i njëjtë më atë të viteve të kaluara. Teksti bazë për nivelin fillestar është Abetarja dhe libri i ushtrimeve, ndërsa për nivelin e dytë, janë përzgjedhur pjesë nga gjuha shqipe e klasës së dytë.

EKSPERIENCA, ARRITJET KRYESORE, EFEKTI TE FËMIJËT

Pa dyshim që është një eksperiencë shumë e bukur. Ajo që vlerësoj më shumë gjatë këtyre viteve, është dëshira e madhe e një pjese të mirë të fëmijëve, për të mësuar gjuhën e bukur shqipe. Më kanë mbetur në kujtesë shumë fëmijë që mezi prisnin të vinin në klasë. Në sytë e tyre pasqyrohej etja e madhe për të thithur çdo fjalë të re. Ndrojtja e fëmijëve në fillim të vitit, ngadalë dhe pa u kuptuar vjen e tretet dhe ata çlirohen krejtësisht, aq sa mezi presin tu vijë rralla që të flasin e të lexojnë. Arritja kryesore është që fëmijët të përvetësojnë gjuhën shqipe, gjë që nuk është e lehtë të arrihet kur jeton në vend të huaj, por me vullnet e punë çdo gjë arrihet. Gëzohem shumë, kur prindërit më thonë se fëmija i tyre shkruan mesazhe apo flet në gjuhën shqipe me kushërinjtë që ka në Shqipëri, Kosovë, Malësi apo kudo që ata jetojnë.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE RRIT NDJENJËN E KRENARISË KOMBËTARE

Vetë prania e tyre në klasën e mësimit të gjuhës shqipe, tregon se ndjenja e patriotizmit dhe atdhedashurisë është e fortë brenda tyre. Mësimi i gjuhës e rrit edhe më shumë ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe dëshirën për të vizituar gjithnjë e më shpesh tokën amtare, për ta njohur historinë e Shqipërisë edhe më mirë.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E RUAJTJES SË TRASHËGIMISË GJUHËSORE E KULTURORE KOMBËTARE

Një popull që nuk ruan gjuhën e tij, është i destinuar të zhduket. Faktori kryesor i ruajtjes së identitetit kombëtar dhe kulturor të çdo kombi, është gjuha. Një nga vlerat më të mëdha që ne gëzojmë si komb, është ruajtja e gjuhës dhe përcjellja e saj ndër breza. Është pikërisht gjuha ajo, që shpalos vlerat kombëtare si historinë, kulturën dhe traditat e çdo vendi. Vendi ynë ka një pasuri të jashtëzakonshmë të trashëgimisë kulturore jo vetëm materiale por edhe shpirtërore, si folklori, gjuha e pasur, traditat, njohuritë tradicionale, etj. Nëpërmjet gjuhës janë përcjellë ndër breza gojëdhënat, legjendat, këngët, historia e hershme e të parëve tanë dhe vendit tonë.

THIRRJE PRINDËRVE: SILLNI FËMIJËT TE KLASAT E GJUHËS SHQIPE

Në bazë të statistikave që publikohen, thuhet se numri i shqiptarëve në emigrim, është më i madh se i atyre që jetojnë në trojet amtare shqiptare. Rreziku i asimilimit të këtyre familjeve shqiptare është përherë i pranishëm. Janë prindërit, që kanë peshën kryesore për ta shmangur këtë rrezik, t’iu mësojnë fëmijëve gjuhën, duke kumunikuar shqip dhe vetëm shqip në familje. Vizitoni sa më shpesh të jetë e mundur vendlindjen bashkë me fëmijët tuaj, mundësisht që ata ti kalojnë atje pushimet e verës me kushërinjtë dhe të afërmit e tyre, kjo i ndihmon jo vetëm të mësojnë gjuhën, por të duan edhe më shumë vendin dhe të afërmit e tyre. Të gjithë ne që jetojmë jashtë trojeve amtare, e dimë  shumë mirë se sa e shpejtë është e përditshmja, vetë jeta, sa e paktë është koha që kalon me familjen, por pavarësisht kësaj, me aq sa të mundeni, mos u dorëzoni duke e lënë pas dore gjuhën tonë shqipe. Në çdo vend të botës ku jetoni, nëse keni afër një shkollë ku mësohet shqip, mos hezitoni t’i dërgoni fëmijët tuaj aty sepse është investim me vlerë për të ardhmen e fëmijës tuaj, i formimit të tij dhe ruajtjes së identitetit tone kombëtar.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com