KËNGA E GJORG GOLEMIT DHE FIGURA GJERGJ ARANITIT NË LETËRSI DHE ARTE

Avni Alcani

Në vitin viti 1938, zoti Shahin Zharri, ish nxënës i shkollës Normale të Elbasanit, botoi në revistën “Shkolla Kombëtare” (Nr.16-17, faqe 22) këngën historike me titull: “Kanga e Gjorq Golemit”, e cila është konsideruar si një ndër krijimet më të bukura të folklorit shqiptar. Kënga i kushtohet Gjergj Aranit Golemit, një nga figurat historike më të shquara të shekullit të 15-të.

Që nga botimi i saj, kënga e Gj. Golemit, si dhe figura e Gjergj Aranitit, kanë qenë objekt studimi nga autorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, por edhe burim frymëzimi për krijimin e shumë veprave letrare dhe të arteve figurative.

1. Gjorg Golemi në veprat letrare.

Krijimi i parë letrar që njohim, i cili është frymëzuar me motivet e këngës së Gjorg Golemit, është novela “Ditët e sprasme të Gjorg Golemit: Lufta e Bekuar”, e shkrimtari Dhimitër Shuteriqi (Revista “Nëntori”, Nr. 3, Tiranë 1957, faqe 26–70). Si ngjarjet dhe personazhet u mbështetën në subjektin e këngës së Gjorg Golemit. Novela pati sukses dhe u prit mjaft mirë nga lexuesit. Ajo u konsiderua nga kritika e kohës si një nga “krijimet më të bukura… (që) edhe tani lexohet me endje…” (D. Shapllo: “Në botën krijuese të një tregimtari të shquar”, “Nderim Dh. S. Shuteriqit”, Tiranë 2004, faqe 96).

Shkrimtari Sterjo Spasse, në romanin e tij epope “Pishtarët” (1975), një nga personazhet e shumtë të romanit të tij ishte Halit Bërzeshta (Bej Babai), i cili, shkruan autori, meditonte i ulur mbi minderin e shtëpisë së tij, për legjendën e Gjorg Golemit dhe heroizmin e grave sopotare.

Në vitin 1967, poeti i mirënjohur elbasanas Musa Vyshka, botoi një vjershë të titulluar “Gjorg Golemi”. Vjersha u botua në një antologji letrare, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Gj. K. Skënderbeut, me titull: “Antalogji për Skënderbeun” (1967), në të cilën ishte përfshirë krijimtaria më e mirë letrare e autorëve shqiptarë në vite.

Në vitin 1968 shkrimtari Kolë Jakova shkroi libretin “I fundmi i Golemëve”, me motive të novelës së Dh. Shuteriqit “Ditët e sprepsme të Gj. Golemit”. Kompozitori Nikolla Zoraqi i vuri muzikën libretit të Jakovës, e cila u shkruar me rastin 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Për fat të keq opera nuk u vendos kurrë në skenë, për shkak të mentaliteteve të kohës, të pretendimit absurd, pasi personazhi kryesor i veprës ishte një prift (!).

Në novelën e shkrimtarit Ismail Kadare, “Prilli i thyer” (1978), personazhi kryesor e ka emrin Gjorg. Mendoj se emri Gjorg, i romanit të Kadaresë, është huazuar nga emri i personazhit kryesor të poemës së mirënjohur, Kanga e Gjorg Golemit. Gjuhësisht, forma e emrit Gjorg-Gjorgu, është varianti i emrit biblik Gjergj. Variantet: Gjorg, Gjorga, Gjorgu, qarkullojnë në trevat ku ruhen këngët dhe legjendat për Gjorg Golemin, si në Elbasan, Librazhd, Gramsh dhe Pogradec. Ende dhe sot e ndeshim në disa toponime, si: Mali i Gjorg Golemit (Polis-Librazhd), një përrua në Myzeqenë e Vogël (Elbasan), quhet Gjorgë, kurse nnë fshatin Gurakuq (Çermenikë-Librazhd) një fis mban si mbiemër (llagap) emrin Gjorga etj.

Figurën e Princit të Sopotit pati përfshirë në veprën e tij dhe poeti Koçi Petriti. Petriti ka qenë mësues në trevat e Librazhdit prej shumë vitesh (22 vjet), e cila i kishte dhënë mundësinë që ai të ishte në kontakt me krijimtarinë folklorike librazhdase kushtuar Gj. Golemit. I mbështetur te këto legjenda ai shkroi baladën “Golomarja” (1974). Disa vite më vonë ai e ripunoi baladën dhe i shtoi vjershës vargje të tjera, duke e transformuar në një poemë. Në vitin 1978, në kuadër të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, poema e K. Petritit “Golomarja” mori Çmimin e Parë Kombëtar.

Mbështetur në subjektin e këngës së Gjorg Golemit, shkrimtari Dilaver Baxhaku shkroi një dramën me titull: “Histori me rrënjët në legjendë – Historia e kalasë së Sopotit dhe e Gjergj Golemit”. Në vitin 1982 radiodramatizimi u regjistruar në Radio-Tirana nga një grup aktorësh të Teatrit Popullor të Tiranës dhe është transmetuar e ritransmetua disa herë në Radio-Tirana, gjatë emisionit: “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” (Fondi i fonotekës së Radio-Tiranës, Nr. i regjistrimit 559).

Shkrimtari i mirënjohur për fëmijë Odhise K. Grillo, shkroi një librër poetik me ilustrime, të titulluar : “Shpata e Gjorg Golemit” (2001). Subjektin e librit autori e mori nga legjenda dhe nga kënga e Gjorg Golemit, duke e përshtatur për fëmijë. Libri është ilustruar nga piktori Lulzim Mema.

Krijimi më i fundit letrar, që ka si personazh kryesor një personazh me emrin Arianit Komneni, është romani “Të jetosh në ishull” (2008), i autorit Ben Blushi. Personazhi i Blushit ka jetuar në shek. XVII dhe është stërnip i nipit të Gjergj Aranit Komnenit, princit të famshëm shqiptar të shek. XV, emrin e të cilit e ka trashëguar ai dhe djali i tij, Gjergji. Në hyrje të romanit, Arianit Komneni i rrëfen Ali Tepelenës, një tjetër personazhi historik, rrënjët e fisit të tij të Komnenëve dhe historinë e bëmat e stërgjyshit të tij të madh.

2. Kënga e Gjorg Golemit dhe figura e Gjergj Ananitit në artet figurative.

Figurës së Gjergj Aranitit i janë kushtuar mjaft vepra në artet figurative, si në pikturë, skulpturë, grafikë, qeramikë etj.

Me rastin e 500 vjetorit të vdekjes se Gj. K. Skënderbeut piktori Guri Madhi realizoi një kompozim në pikturë të titulluar “Sopotaret”. Tabloja evidenton heroizmin dhe vetëmohimin e grave sopotare, të cilat rrëmbyen armët në mbrojtje të Gjorg Golemit dhe të kështjellës së Sopotit. Piktura është mjaft e realizuar artistikisht dhe konsiderohet si një nga veprat më të bukura të piktorit Guri Madhi. Piktori Pandi Mele ka realizuar një portret në grafikë kushtuar figurës së Gjergj Aranitit. Portreti i Pandi Meles ilustron çdo shkrim kushtuar Gj. Aranitit. Gjithashtu, po në këtë kuadër, Piktori librazhdas Sami Roçi, i frymëzuar në këngën e legjendën e Gjorg Golemit, mbështetur dhe nga poema “Golomarja” e Koçi Petritit, në vitin 1978 realizoi një pikturë shumë të bukur kushtuar Marës së Golemëve.

Portreti i parë që njohim në skulpturë, kushtuar Gjergj Aranitit, është një vepër e Dhimitër Çanit, e realizuar në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Në vitin 1981 skulptori Agim Rada realizoi një portret kushtuar Gjergj Aranit. Portreti ndodhet në muzeun Gjergj Kastrioti-Skënderbeu të qytetit të Krujës. Portreti më i fundit në skulpturë, kushtuar figurës së Gjergj Aranitit, është realizuar në vitin 1983 nga klasiku i skulpturës shqiptare, Odhise Paskali. Portreti i Paskalit kohët e fundit (2005) është derdhur në bronz dhe është i vendosur në sheshin kryesor të qytetit të Librazhdit.

Piktori Sali Shijaku në vitin 1985 ka realizuar mbi një pjatë dekorative në qeramikë portretin e Gjorg Golemit, të cilin e pat titulluar: “Në Mal-Plak, mbi një breg, Gjorg Golemi thot’ jam Mbret!”. Titulli është marrë nga vargjet e këngës së Gjorg Golemit. Pjata dekorative ishte koleksion i një ekspozite me punime qeramike, që piktori Shijaku kishte hapur në vitin 1985 në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative të Tiranës.

Në vitin 2001 piktori Lulzim Mema ilustroi librin e sipërpërmendur “Shpata e Gjorg Golemit” të shkrimtarit Odhise Grillo. Piktori ka realizuar rreth 16 ilustrime me ngjyra (kompozime), duke përfshirë edhe dy kopertinat. Piktori, për t’i vendosur ngjarjet në kohë, në shek. e 15-të, ka përdorur mjete dhe elemente artistike shumë shprehëse, si veshjet, armët e luftëtarëve shqiptarë, kështjellën, peisazhin etj., të cilat nxisin dhe zhvillojnë fantazinë e fëmijëve. Ilustrimet janë mjaft të arrira nga ana artistike.

Kënga e Gjorg Golemit ka qenë dhe mbetet objekt edhe i krijimtarisë publiçistike. Në shtypin shqiptar janë shkruar me dhjetra artikuj, që i kushtohen ngjarjes së Sopotit dhe figurës së Gjorg Golemit.

Check Also

Mark Gjonaj Remarks at City Hall on Kosova’s 16th anniversary of indepedence

Good evening. Thank you to our hosts: Speaker Adrienne Adams, Councilmembers Holden,Carr, Borelli, Marmorato, Special …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com