Joseph Cowen: deputeti që përkrahu çështjen shqiptare në parlamentin anglez

Prof.As.Dr. Hasan Bello

Rrethanat e vështira që u krijuan pas Kongresit të Berlinit dhe Shën Stefanit (1878) ku një pjesë e trojeve shqiptare u jepeshin shteteve ballkanike, i shtyu shqiptarët drejt një qëndrese të armatosur, e cila gjeti shprehje me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Përpjekjet e kësaj organizate, veç ngadalësimit të këtij gjymtimi, sollën si rezultat edhe faktorizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Fuqitë e Mëdha kur e panë se shqiptarët nuk do t`i lëshonin Hotin dhe Grudën pa luftë, vendosën që t`a detyronin Perandorinë Osmane që në vend të tyre t`i jepte Malit të Zi Ulqinin. Për zbatimin e këtij vendimi, shtetet evropiane, e kërcënuan qeverinë osmane duke dërguar një flotë ushtarake në bregdetin e Izmirit dhe në Ulqin.

Një veprim i tillë ngjalli debate në parlamentin anglez. Deputeti Joseph Cowen, mbajti një fjalim të zjarrtë duke iu drejtuar kryeministrit Gladston me fjalët: “Besoj se qëllimi i avulloreve luftarake që do të mblidhen në Raguzë është që t`i trembin turqit. Po sikur turqit të mos tremben? Ç`do të ndodhë atëherë? Forca detare e Anglisë, e Anglisë së lirë dhe konstitucionale, a do të përdori forcën për të djegur e shkatërruar kasollet e peshkatarëve dhe barinjve shqiptarë të Ulqinit?Për këtë qëllim të ligë do të përdoret fuqia e Britanisë?

Për interes të kujt do të bëhet kjo padrejtësi? Për interes të armiqve të Shqipërisë? Këta armiq janë të rrethuar prej një populli që është trim sa ata, dhe historia e të cilit humbet në mjegullën e kohës. Ky popull është populli shqiptar. Dhe shqiptarët janë populli më i vjetër i orientit. Ishin atje më parë se grekërit e vjetër.

Shqiptarët kanë legjenda dhe karakteristika të veçanta të tyre. Kanë disa cilësi që ndryshojnë nga ato të armiqve të tyre, por janë po aq trima sa ata. Plani i Fuqive është që të marrin një copë të Shqipërisë dhe t`ia japin armikut të saj, pa i pyetur shqiptarët dhe pa u kërkuar leje”.

Në këtë pikë, fjalën deputetit Cowen ia ndërpret një koleg, duke thënë se: “Shqiptarët nuk janë një komb”.

“Nuk janë një komb,–ia pret deputeti Cowen-, thotë zotëria e tij. Atë fjalë tha dhe princ Bismarku në Berlin. Princ Bismarku tha se nuk ka dëgjuar të kish një kombësi shqiptare. Po princ Bismarku nuk kish dëgjuar as për kombësin e Hollandës a të Danimarkës.

Një tjetër princ, po aq i fuqishëm atëherë, sa është Bismarku sot, pretendoi në Kongresin e Vjenës se nuk njihte kombësi italiane. Sipas mendjes së atij diplomati, Italia nuk ishte veçse një «shprehje gjeografike» dhe megjithë këtë, ne sot e dimë të gjithë se Italia është një komb i madh dhe i bashkuar. Ajo që u vërtetua për popullin e një ane të Adriatikut, pak më tepër se 50 vjet, mund të vërtetohet në një mënyrë të ndryshme dhe për anën tjetër, po për aq kohë”.

Nga fjalimi i deputetit anglez Joseph Cowen i mbajtur në vitin 1880 nuk kaloi as edhe një shekull dhe Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Cowen u tregua largpamës, objektiv dhe i drejtë.

Atëherë kur personalitetet më të mëdha të kohës vinin në dyshim ekzistencën e kombit tonë, ai thoshte se unë i njoh shqiptarët. Shqipëria po rilind.

Check Also

Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhënjimtar, poeti i këngës kryengritëse

Nga Albert Vataj Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com