Ismail Qemali, ai që me rilindës të tjerë shpalli që “… Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”

“Zotit të Madh,… të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i Lirë. Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë”, janë fjalët e atit legjendar të kombit tonë, Ismail Qemali. Ky është psalmi i një zëri të lartësuar në qëllimin e hyjshëm të betimit në flamur dhe ideal.

Plaku i urtë i Vlorës, mendja e ndritur e shqiptarisë, zemra e gatuar me idelin e lartë kombëtar, shpirti i dritur në aktin historik të lindjes së Shqipërisë, Ismail Qemali, kryerendi në aradhën e gjatë të atyre patriotëve, të cilët me mish e me gjak, me vullnet e besim, me ngulm e vendosmëri e bënë realitet ëndrrën e mëvetësisë së Shqipërisë. Ismail Qemali cilësohet si babai i kombit, duke qenë se ka kryer aktin më historik në të gjithë historinë e shtetit shqiptar. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur duke i kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim.

Më 16 tetor të 1846, në Kaninë të Vlorës, në një familje bejlerësh fisnikë, lind Ismail Qemali. Ai arsimohet në Janinë, në gjimnazin “Zosimea” vatër edukimi kulturor për shumë figura të Rilindjes Kombëtare. Pastaj, i ri në moshë, Ismail Qemali shkon në Stambull me synimin për t’u bërë nëpunës qeveritar; fillon të punojë si përkthyes diplomatik a në Ministrinë e Jashtme. Dhe këtu nis karriera e tij; pas disa vitesh, ai emërohet zëvendësministër i jashtëm i Perandorisë Osmane. Në vitin 1877, kur mentori i tij, kryeministri reformator Mitat Pasha shkarkohet nga posti, Ismail Qemali jep dorëheqjen. Ai internohet në Anadoll. Më vonë Sulltani  kujtohet për ‘të, e thërret dhe e cakton guvernator të Bejrutit. Ismail bej Qemali shërbeu si guvernator e vali edhe në shumë rajone të tjera të perandorisë, si dhe në Ballkan. Ismail Qemali i përkiste krahut liberal të politikës osmane, ai vazhdimisht bënte thirrje për ide të reja e reforma, nëse perandoria dëshironte të mbijetonte.

Megjithatë, idetë e tij për reforma në gjirin e perandorisë, shiheshin me sy të keq dhe në maj 1900, Ismail Qemali hypën në jahtin e ambasadorit britanik në Stambull dhe kërkon strehim politik. Ai ikën nga Turqia dhe për 8 vjet jeton në mërgim, duke u përpjekur nga jashtë për një perandori kushtetuese, dhe përparimin e çështjes kombëtare shqiptare në kuadër të perandorisë.

Pas Revolucionit Xhonturk të vitit 1908, Ismail Qemali zgjidhet përfaqësues i sanxhakut të Beratit në parlamentin osman Në vitin 1909, ai bëhet kryetar parlamenti, por pas pak ditësh detyrohet të largohet nga Stambolli përgjithmonë. Pas kësaj, karriera e tij politike përqendrohet vetëm në çështjen atdhetare shqiptare: ai dallohet si frymëzues i kryengritjeve anti-osmane dhe organizues i kryengritjes së përgjithshme shqiptare të vitit 1912. Më 28 Nëntor të po atij viti, Ismail Qemali mbledh kuvendin në Vlorë; shpall Shqipërinë e Pavarur; ngre zyrtarish flamurin e kuq të Skënderbeut me shqiponjën e zezë dy-krenare; dhe emërohet presidenti i parë i shtetit të parë shqiptar, kryeministër dhe ministër i Jashtëm, duke shkurajuar – me aq fuqi sa shteti i ri kishte –  trupat e vendeve fqinje të cilat synonin të merrnin pjesë territoresh të banuar nga shqiptarët. Në janar 1914, Ismail Qemali jep dorëheqjen a rrëzohet dhe shkon në mërgim në Paris. Kryetari i parë i shtetit shqiptar vdes papritur në Itali në vitin 1919. Dhe këtu këputen edhe “Kujtimet..” e tij të cilat mbyllen me largimin e princ Vidit nga Shqipëria në shtator 1914.

Telegrafisht për “Babain E Kombit”

  • Ismail Qemali lindi më 16 tetor 1846 në Kaninë të Vlorës dhe vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxha të Italisë. Vetëm pas vitit 1990 është mësuar nga historiani turk me orgjinë shqiptare, Nexhip Alpan, që ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me atë të Enver Hoxhës. Por ajo është mbajtur e fshehtë, duke mos u shkruar në asnjë libër historie. Në tekstet e historisë së Shqipërisë dhe tekstet mësimore datëlindja është shkruar më 24 janar 1844. Në fakt ajo është më 16 tetor 1844.
  • Ismail Qemali, në fakt quhej Ismail bej Vlora. Emri i tij u ndryshua gjatë kohës së regjimit komunist mbi botëkuptime komuniste ndaj titullit “Bej”, por asnjëherë asnjë historian dhe personalitet nuk e ka shpjeguar këtë ndryshim.
  • Ismail Qemali njihej dhe si një poliglot, një armë që atij i shërbente në të gjithë aktivitetin e tij politik për çështjen shqiptare. Ai njihte shkëlqyer gjuhën shqipe, osmanishten, turqishten e re, greqishten e vjetër, latinishten, italishten dhe frëngjishten. Ismail Qemali gjatë gjithë jetës së vet jetoi në këto shtete: Shqipëri, Greqi, Turqi, Itali, Bullgari, Siri dhe për pak kohë në Francë, Angli, Zvicër dhe Gjermani.
  • . Ismail Qemali është kryeministri dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar. Ai qëndroi në krye të qeverisë nga data 28 Nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914 për 12 muaj e 56 ditë. Flamuri i kuq me shqiponjën dykrensh, që Ismail Qemali ngriti në Vlorë duke e shpallur botërisht Shqipërin e lirë dhe të pavarur, është një flamur që deri më sot na vjen në tre variante. I pari, se këtë e qëndisi një Marigo, një nuse e shtëpisë ku fjeti Ismaili natën e fundit, atë që e solli Spiridon Ilo nga SHBA varianti i tretë i Eqrem bej Vlorës, sipas të cilit ia dha ai flamurin që ia kishte falur Aleadro Kasstriota burri i një princeshe që pretendonte se ishte pasardhëse e Skënderbeut.
  •  Ismail Qemali ra në sy në vitin 1871, pikërisht në zemër të Turqisë osmane, se paraqiti tre kërkesa të njëpasnjëshme për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe pse punonte si pjesë e administratës osmane, mori pjesë në një mbledhje të rilindësve shqiptarë në Stamboll për të krijuar alfabetin shqip.  Në vitin 1865 Ismail Qemali nisi të punonte për pavarësinë e Shqipërisë, duke krijuar për këtë çështje një klub në kryeqendrën e perandorisë, Stamboll, bashkë me Konstandin Kristoforidhin. Shërbimi i sigurisë së administratës turke zbuloi se gjatë kohës që Ismail Qemali punonte për Turqinë, kishte hartuar një dokument për projektin e një Shqipërie të pavarur. Ky ishte edhe një nga shkaqet më të mëdha të përndjekjes që u ndërmor ndaj atij.
  •  Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Peruxha të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka në fakt një variant eksplicit të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime. Dyshimi më i madh mendohet të jetë se ai është helmuar në ushqim nga qarqe greke dhe italiane antishqiptare, që e shikonin Ismail Qemalin si një personalitet me influencë të madhe për çështjen shqiptare. Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932. Varrimi i dytë është bërë me urdhër posaçërisht të mbretit Ahmet Zogu, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë. Zogu dhe partia e asaj kohe i kanë bërë nderimet më të mëdha trupit të Ismail Qemalit, duke ia vendosur eshtrat në varrin që është edhe sot në Vlorë. Ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të Ismail Qemalit është cilësuar si një nga ceremonitë më të mëdha që ka organizuar Ahmet Zogu gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në pushtet. Ai i ka bërë nderimet më të mëdha atij që u quajt babai i kombit.

Ismail Qemali ishte dhe mbeti një figurë qendrore e përkatësisë sonë identitare. Me të u lind e drejta jonë për komb, u valëvit flamuri i Skënderbeut për të dëshmuar se ne i përkasim dhe meritojmë të jemi dhe të lartësohemi në radhën e gjithë kombeve të tjera.

Përgatiti: Albert Vataj

Check Also

2 MARS 1444/ Atëmotin e besëlidhjes së kryezotëve të Arbrit, fjala e Skënderbeut në Kuvendin e Lezhës, sipas Marin Barletit

SOT 580 VITE NGA BESËLIDHJA E LEZHËS Nga Albert Vataj Asokohen kur u beslidhën dalzotët, …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com