Ismail Bej Vlora: Prijësi i idealistëve

Çelo Hoxha

Gjatë udhëtimit të tij për në Vlorë, Ismail Bej Vlorës i ra në dorë telegrami i komandantit të përgjithshëm së ushtrisë në Janinë, i cili kërkonte që Ismail Beu, së bashku me shokët e tij, të shtiheshin në dorë, të gjallë apo të vdekur. Duke e marrë seriozisht rrezikun dhe nga dëshira për ta shpëtuar, Azis Pashë Vrioni e këshilloi Ismail Beun, përmes korrierit, që të strehohej në konsullatën e austriake. Ismail Beu u mendua dhe dha këtë përgjigje: “Në qoftë se unë kthehem prej këndej e hyjë në konsullatë ose iki e shpëtoj vehten t’ime, ideja ime për shpëtimin e Atdheut fluturon e ikën me mua.”

Ai nuk e mori parasysh fatin e Ismail Beut. Tashmë ai nuk ekzistonte më. Ismail Beu ishte Shqipëria.

Ismail Bej Vlora lindi në janar 1844, në Vlorë, në një nga familjet fisnike shqiptare më të vjetra, e cila, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Mes Vlorajve dhe Ali Pashë Tepelenës pati një rivalitet të madh. Gjyshi i tij, Ismail Bej Vlora, u vra pabesisht në Janinë, së bashku me 500 ushtarë. Reshid Pasha e ftoi në Janinë me pretekstin se e kishin emëruar guvernator të përgjithshëm të provincës.

Hakën e Ismail Bej Vlorës, të vjetrit, e mori vite më vonë Zenel Gjoleka, një nga udhëheqësit e kryengritjeve kundët tanzimatit. Gjoleka vrau kryemjeshtrin e Ceremonive të Reshid Pashës, kur ai tregoi me mburrje se kishte prerë kokën e Ismail Beut.

Babai tij, Mahmud Bej Bej Vlora, dhe tre xhaxhallarët e tij të mitur u mbyllën në kalanë e Beratit. Sipas Ismail Beut, në këtë periudhë qeverisja e Beratit iu dha familjes Vrioni, “vetëm e vetëm për të asgjësuar influencën e familjes sonë”.

Pas shtypjes së kryengritjes së Tanziamtit, Mahmud Beu dhe vëllai tij, Selim Pasha, u arrestuan dhe u shpunë në Manastir. Dy vëllezërit e tjerë të tyre u arrestuan kur ushtria turke, e ardhur me anije me avull, mori kontrollin e Vlorës. Kështu nisi mërgimi i parë i Ismail Bej Vlorës, i cili, së bashku me nënën, gjyshen, vëllanë dhe motrën, ende fëmijë si dhe ai, u larguan nga Vlora. “Pas 15 ditësh qëndrimi në Manastir, dhe pasi lamë aty një pjesë të shoqëruesve e të plaçkave që na ishin bërë barrë, u larguam nga ky qytet dhe i lamë lamtumirën Shqipërisë,” shkruan Ismail Beu në kujtimet e tij.

Fëmijët nuk i dinin, sigurisht, arsyet e udhëtimit. Ishin shumë të vegjël të kuptonin “përse na qëllonte gjithmonë të dëboheshim nga vendi e shtëpia jonë.”

Në Selanik gjetën përzemërsinë e konsullit francez, mik i Mahmud Beut, nderimet e pakursyera të të cilët ngjallën kureshtje te popullsia turke e qytetit, të cilët nuk e kuptonin dot se si ishte e mundur që një familje të ishte myslimane dhe të mos fliste turqisht, ose si ishte e mundur që një familje myslimane të kishte lidhje aq të ngushta me konsullin e krishterë. Zoti Grasset u tregua vendimtar në ndihmë të familjes Vlora, e cila përbëhej veç nga fëmijë dhe e ëma e tyre në moshë të re, kur kreu i kabinetit të Guvernatorit të Përgjishëm të Selanikut deshi t’i nxirrte nga shtëpia dhe të futej vetë në të, dhe kur Hedie Hanëmi, e ëma e Ismail Beut, u sëmurë nga tifoja dhe u pandeh se kishte vdekur. Aty Ismail Beut i vdiq vëllai i tij të vogël, Sulejmanit dhe, më vonë, sa herë që ai shkonte në Selanik, nuk e linte pa e vizituar varrin e tij në xhaminë Ortaj.

Përfituan nga një amnisti dhe u kthyen në Vlorë.

Në Vlorë u kthyen në një shtëpi të shkatërruar, gjatë mungesës së tyre kishte jetuar në të qeveritari i qytetit, i cili kishte marrë vete çdo gjë të çmuar. Pritja e popullit ishte e përzemërt. Ata që dikur i kishin blerë në ankand mobiliet e shtëpisë së Vlorajve, tani i kthyen në formë dhurate.

Në Selanik Ismail Beu shkoi në shkollën fillore, në gjuhën turke. Pas kthimit në Vlorë, ai vazhdoi studimin e turqishtes dhe mori mësime në italisht nga një emigrant italian. Mësimet e tjera i mori në shqip nga prindërit, sidomos e ëma, e cila e kishte merak të madh që i biri të bëhej shqiptar i përkryer. Babai i tij, një poliglot me arsimim evropian, diçka e jo e zakonshme për shqiptarët atë kohë, kishte një merak tjetër: të ushqente te i biri zell dhe shije për kulturën evropiane. Sigurisht, edhe i ati e kujdesej që i biri të pajisej me shprehi të mira kombëtare, pikërisht për këtë arsye, gjatë një vizite në Janinë, ai e mori të birin me vete, ku e paraqiti te Guvernatori i Përgjithshëm, te zyrtarët e tjerë të lartë dhe konsujt. Në Janinë, më vonë, Ismail Beu hyri në gjimnazin Zosimea. Në maj 1860, në moshën 16 vjeçare, djaloshi me një të ardhme të shquar në shërbim të perandorisë u largua nga Janina për në Stamboll.

Ministri i Jashtëm i perandorisë, Fuad Pasha, i dha një punë në zyrën e përkthimeve të ministrisë së Jashtme. Aty vazhdoi studimet për drejtësi.

Më vonë Ismail Beut iu dha posti i atasheut në ambasadën e Parisit, por në prag të nisjes i vdiq e motra. Shkoi në Janinë dhe familja nuk e la të largohej.

Në Janinë filloi punë si ndihmës-drejtor për çështjet politike pranë Guvernatorit të Përgjithshëm, Aqif Pasha. E mbajti këtë detyrë deri në 1964. Aty u martua me një vejushë nga Konica, e cila vdiq në vitin e parë të martesës, pasi lindi një vajzë.

Pas detyrës në Janinë, Ismail Beu shkoi në Larisa (Greqi) ku mori postin e shefit të kabinetit të Guvernatorit të Përgjithshëm të Thesalisë, Ismail Rahmi Pasha, ungji i tij. Një vit më vonë, 1865, ai shkoi në Stamboll, i cili ishte goditur nga kolera, dhe filloi punë në zyrën e përkthimeve të Portës së Lartë. Në Stamboll shkoi dhe babai i tij, por qëndrimi i tij ishte pafat, ai vdiq aty në moshën 44 vjeçare. Një vit më pas, Ismail Beu u largua nga Stambolli me një detyrë të re në vilajetin e Danubit (Bullgaria e sotme), me propozim të Mid’hat Pashës, Guvernator i Përgjithshëm.

Në Rusçuk, qendra e vilajetit të Danubit, Ismail Beu u martua për herë të dytë, me vajzën e një fisniku grek nga Edreneja. Dashuria e tyre ishte një ngjarje nga ato që më vonë, me lindjen e kinemasë dhe televizorit, u kthyen në filma. Një temë që e magjeps spektatorin: një djalë mysliman bie në dashuri me një vajzë të krishterë; nëna e vajzës (në këtë rast njerka) e kundërshton martesën në mënyrë kategorike; djali bie në ujdi me vajzën që ta rrëmbejë, babai i vajzës bëhet palë me ta duke heshtur; ngjarja bëhet objekt diskutimi për qytetin, përfshi konsujt e huaj; konsulli belg merr pjesë si dëshmitar në ligjërimin e martesës; konsulli britanik e tejkalon vështirësinë të pranojë faktin që dashnori (Ismail Bej Vlora) hyri në shtëpinë e vajzës për ta rrëmbyerën të dashurën e tij, por në fund pajtohet me realitetin dhe i shtron dashnorit trim një drekë. Në fund drama ka fund të lumtur: dashnorët u plakën së bashku dhe rritën katër vajza dhe gjashtë djem.

Në 1870, Ismail Bej Vlora mori detyrën si guvernator i Danubit të Poshtëm dhe president i Komisionit Europian për Danubin.

Në 1973 Ismail Beu hoqi dorë nga angazhimet publike, duke u kthyer në jetën private. Që nga largimi prej Shqipërisë në moshë të mitur, jeta aktive që kishte bërë nuk i kishte lënë hapësirë të merrej me interesat vetjake. Kështu që ai refuzoi detyrën e guvernatorit të Nishit, detyrën e kryetarit të gjykatës së krimeve penale në Pera si dhe një detyrë në ambasadën e perandorisë në Uashington.

Së bashku me konsullin britanik në Varna, ai hapi një minierë linjiti në ishullin Imbros, kur, për më shumë se një vit kaloi pjesën më të madhe të kohës, duke këqyrur punimet. Jeta në ishull ishte një arratisje nga bota e zhurmshme e politikës: as telegrame, as gazeta, as korrierë, asnjë lloj komunikimi tjetër që mund t’i prishte paqen. Këngët e të rinjve grekë dhe vallet popullore ishin i vetmi argëtim në ishullin që qeverisej nga një shqiptar.

Në korrik 1875, Ismail Bej Vlora ndërmori një udhëtim për në Europë, stacionet më të rëndësishme të të cilit ishin: Vlorë-Romë-Milano-Paris-Londër e kthim. Në ai u takua me ministrin e Jashtëm, me qëllim të shpjegonte situatën në perandorinë osmane dhe të studionte organizimin financiar të qeverisjes lokale britanike. Në kthim ai ndenji në Paris duke vazhduar studimin mbi të njëjtën çështje. U kthye në Vlorë të merrej me shfrytëzimin e bitumit të Selenicës, për të cilën kishte fituar koncesionin.

Pas kërkesave të përsëritura të Mid’hat Pashës, mik i vjetër i tij, Ismail Beu u kthye në Stamboll, ku u emërua Sekretar i Përgjithshëm për çështje gjyqësore në ministrinë e Jashtme.

Mid’hat Pasha që e kishte ndihmuar Ismail Beun të ngjitej në karrierë, e tërhoqi zvarrë, dhe ishte e natyrshme, kur filloi rënia e tij e lirë nga pushteti. Me dëbimin e tij nga Stambolli dhe perandoria, Ismail beu u syrgjynos në Kytahja. Aty jetoi i ruajtur me xhandarë, në një shtëpi me qira, të cilën e paguante vetë. Faktin që një i burgosur paguante qira për burgun e tij, ai e konsideroi diçka të pazakontë dhe në Lindje.

Shtatë viteve në syrgjyn u erdhi fundi me një ftesë për të marrë detyrën e guvernatorit në Mardin, Mesopotami. Largimi nga Kytahja dhe kalimi në mes të shkretëtirës bashkë me familjen ishte një sipërmarrje më e rëndë e se syrgjyni. Ai e pranoi, në mungesë të një zgjidhjeje tjetër. Pas një vizite në kryeqytet, Ismail Beu e rregulloi të linte detyrën në Mardin dhe të merrte postin e guvernatorit të sanxhakut të Bolusë.

Në Bolu mbërriti në maj 1884. Dy ditë pas mbërritjes mori lajmin e vdekjes së Mid’hat Pashës. Ai humbi dëshirën për punë, iu zbehën shpresat për të ardhmen e Perandorisë, u zhyt në trishtimin më të thellë për javë të tëra, kumbi besimin te gjithçka – jeta, e ardhmja, njerëzit. Vdekja e mikut të tij dhe reformatorit të vërtetë të Perandorisë e tronditi nga themelet. Gjithë dëshpërimin e përmblodhi në një pyetje: “Kur një njeri kaq i shkëlqyer, me një jetë aq altruiste e pa interesa për vetveten, që kishte bërë aq shumë për njerëzit dhe vendin e tij, arrinte të pësonte një trajtim të tillë në duart e atyre, që ia kishin borxh nderimin dhe mirënjohjen e në fund arrinte të pësonte një fat të tillë tragjik – çfarë mund prisnin a të shpresonin vdekatarët e tjerë të kësaj toke?”

Në shenjë nderimi për punën e tij në mposhtjen e kusarisë në Bolu, Sulltani e nderoi me dekoratën e Mexhites. Kurse grada civile më të lartë, gradën Bala, e barabartë me atë të Vezirit, iu afrua si pjesë e joshjes që ai të pranonte, kohë më vonë, detyrën e guvernatorit të Galipolit.

Në 1890, Ismail beu iu kthye edhe një herë jetës private, duke u marrë me biznes. Peripecitë e jetës së tij vazhduan, intrigat e njerëzve të vegjël në pallat nuk kishin të sosur. E akuzuan kishte përfituar shuma financiare të konsiderueshme nga dy koncesione dhe më e keqja, ato para do të përdoreshin për përmbysjen e Sulltanit. Ky ishte një incident që Ismail Beu e mbylli personalisht me sovranin, të cilit i vendosi përpara kontratat.

Kundër dëshirës, ai shkoi guvernator në territorin e parë evropian të pushtuar prej osmanëve, i cili vazhdonte të ishte në shumicë i krishterë: Galipoli. Aty bëri dy gjëra: u preu rrugën shpërdorimeve përmes kanaleve ligjore dhe, duke kujtuar një kërkesë të Sulltanit për rosa të egra, në fshatin Kavak bleu një tufë rosash të egra të cilat ishin zbutur. Falënderimet nga Pallati nuk vonuan, së bashku me shpresën e Sulltanit që herë tjetër t’i siguronte sovranit lloje më të rralla rosash të egra.

Pas Galipolit shkoi guvernator në Bejrut, në kufi me Libanin, i cili qeverisej nga patrioti i tij shquar, Vaso Pasha. Në të njëjtin vit, 1892, Vaso Pasha u largua nga jeta, kurse Ismail beu nga Bejruti.

Pas kthimit në Stamboll, Sulltani i kërkoi Ismail Beut të përgatiste një raport për reformat e përgjithshme në Perandori dhe reformat që duheshin ndjekur. Ai raport, raporti për Egjiptin më vonë dhe shpjegimet analitike që ka bërë përgjatë rrëfimit të kujtimeve akoma më vonë, shfaqin përmasën reale të tij si politikan dhe shpjegojnë gjithashtu faktin pse ai ishte një figurë aq e respektuar dhe me lidhje aq të forta në Europë, të cilat i shfrytëzoi për realizmin e pavarësisë së Shqipërisë. Miku i tij, koloneli Gordon, i cili e kishte pikasur madhështinë e këtij njeriu kur ai ishte një zyrtar i nivelit të mesëm, duhet të ketë qenë gjeni i një natyre tjetër.

Në prill 1900 Ismail Bej Vlora u emërua guvernator i përgjithshëm në Tripoli, por nuk shkoi për t’iu shmangur ndonjë eliminimi të mundshëm. Ai kërkoi strehim politik në një anije britanike dhe në 1 maj, së bashku me tre nga djemtë e tij, u largua trojet e Perandorisë. Tetë vitet që pasuan jetoi në qytete të ndryshme të Europës, duke punuar tashmë për çështjen shqiptare. Në korrik 1908, pas fitores së revolucionit xhonturk, ai u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit në Parlamentin Osman. Në 1910 u zgjodh kryetar i Partisë Liberale.

Në shtator 1912, Ismail Beu shkoi dhe një herë të fundit në Stamboll, me shpresën se kryeqyteti i perandorisë do të tregohej më i arsyeshëm në trajtimin e çështjes shqiptare, por bisedimet me zyrtarët e lartë, pjesa më e madhe miq të tij, nuk dhanë rezultat. Ndërkohë shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike. Veziri i madh, Qamil Pasha i ofroi postin e ministrit të Jashtëm, por ai zgjodhi t’i hipte trenit dhe 25 tetor 1912 u nis për në Bukuresh. Njërin prej djemve, Qazim Beun, e mori vete, kurse Et’hem Beun e nisi në Vlorë për të koordinuar veprimet e babait të Pavarësisë me Komisionin përgatitor për shpalljen e saj.

Dy javë veprimtari diplomatike e politike mes Bukureshtit dhe Vjenës, në takime me personalitet të larta të fuqive të mëdha, çuan në telegramin e 9 nëntorit 1912, drejtuar parisë së Vlorës: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipëniës âsht sigurue.”

Ai nuk mbërriti me vaporin më të parë, por me vaporin që i vunë në dispozicion mbretëria Austro-Hungareze.

Në 21 nëntor, themeluesi i ardhshëm i shtetit shqiptar zbriti në Durrës, i rrethuar nga kujdesi i vendasve. Për të qenë i mbrojtur, për sa kohë që do të qëndronte në Durrës, do të qëndronte në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit, kurse ushqimi i tij do të gatuhej në shtëpinë e Hamid Toptanit.

Udhëtimi për në Vlorë ishte i rrezikuar nga moti dhe ushtritë e huaja në tokën shqiptare. Komanda osmane e Janinës kishte lëshuar një urdhër që Ismail Bej Vlora, me gjithë shokë, të kapej gjallë a vdekur. Për të shmangur rrezikun, dashamirësit e këshilluan Ismail Beun të kërkonte strehim në konsullatën austriake, por ai nuk pranoi, i vetëdijshëm që fati i tij ishte njësuar me atë të Shqipërisë. Tërheqja e tij nga misioni do të thoshte që Shqipëria të zhdukej ende pa u krijuar.

Vazhdoi rrugën, mbërriti në Vlorë, ngriti flamurin, dhe misioni i tij mori fund: u realizua. Ai bëri gjënë më të vështirë, bëri realitet konceptin e shtetit shqiptar, kurse për të ndërtuar shtetin, brezat e shqiptarëve kishin gjithë kohën e perëndisë përpara. Ismail Bej Vlora ishte shumë qartë, 14 muaj më vonë, kur u largua nga Shqipëria për të mos u kthyer më i gjallë: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ja lë trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një Atdhe amanet. Lamtumirë!”

Foto: wikipedia.org

Shenja/ 2012

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com