Irani, lufta kibernetike, dibride dhe jokonvencionale

Dr. Dritan Demiraj ka shërbyer për 35 vite në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, më pas ka qënë edhe Ministër i Punëve të Brendshme.

Në vazhdim të debatit, analizës dhe diskutimit në lidhje me vendimin e qeverisë së Shqipërisë për largimin e menjëhershëm të diplomatëve iranianë nga vendi jonë, një masë e cila nuk është marrë nga asnjë vend tjetër deri tani, mendoj se ishte vendimi në kohën, vendin, forcën e duhur dhe e mbështes atë plotësisht.

Tashmë nuk janë të panjohura faktet e përfshirjes së ‘diplomatëve’ iranianë në operacione të fshehta, klandestine, rrëmbime, vrasje dhe deri tek sulmet terroriste kundër individëve, qytetarëve, institucioneve dhe ambasadave të huaja nëpër botë.

Por në këtë analizë do të përpiqem shkurtimisht të analizoj për interes të lexuesit shqiptar disa prej tyre.

Një nga objektivat kryesore të Iranit gjatë dekadës së fundit ka qënë rritja e influencës së tyre në Lindjen e Mesme duke përdorur të gjitha format e luftës. Deri në momentin sa ishte gjallë këtë mision e drejtonte në mënyrë të fshehtë gjeneral leitnant Kasem Sulejmani. Irani prej kohësh ka krijuar kapacitete të mëdha të luftës së parregullt, luftës hibride, luftës asimetrike, luftës me intensitet të ulët, luftës informative, luftës kibernetike, etj duke përdorur strategjinë e ‘mbrojtjes së përparuar’, e cila përfshin ndër të tjera mbështetjen e grupeve të armatosura, terroriste dhe milicive lokale në Rripin e Gazës, Liban, Siri, Irak dhe Jemen.

Vitet e fundit, Irani i ka rritur ndjeshëm edhe kapacitetet e luftës kibernetike. Sipas agjensive të inteligjencës: “Irani në ditët e sotme përdor teknika kibernetike shumë të sofistikuara për të ekzekutuar operacione inteligjence të sofistikuara. Ai ka planifikuar dhe në disa raste ka ekzekuar sulme kibernetike në shumë vende të botës kundër infrastrukturës kritike, bankave, sistemit financiar, institucioneve qeveritare, etj në vende si SHBA-të, Arabinë Saudite, Bahrein por edhe vendet anëtare të NATO-s përfshirë këtu edhe Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Kosovës, por në të njëjtën kohë që nga viti 2010 dhe në vazhdim ka qënë edhe vetë pre e sulmeve të fuqishme kibernetike nga kundërshtarët e tij më të fortë.

Grupet e hakerave të lidhur me Iranin në shumë raste kanë sulmuar institucione shtetërore si në rastin e vendit tonë kundër E-Albania dhe së fundi sipas qeverisë Shqiptare edhe kundër sistemit TIMS, por në disa vende të tjera kanë sulmuar banka, kazino, stacione të rëndësishme elektrike, hidrocentrale, institucione financiare si psh: Bankën e Amerikës, Bankën ‘Chase’, New York Stock Exchange, etj.

Grupet e hakerave që mbështeten nga qeveria e Iranit njihen si APT-33 ose Elfin. Këto grupe në shumë raste bashkëpunojnë me grupet e hakerave që përdoren nga shërbimet sekrete ushtarake ruse GRU, njësia e saj 74455 dhe shërbimin e huja të zbulimit rus SVR, njësitë e luftës kibernetike të Koresë së Veriut por jo vetëm, me qëllim ekzekutimin e sulmeve kundër objektivave të përbashkëta perëndimore veçanërisht atyre Amerikane.

Irani ka ekzekutuar sulme kibernetike të sofistikuara edhe kundër parlamenteve të ndryshme nëpër botë, agjensive qeveritare dhe kompanive të pasura shumë të fuqishme ku po përmend këtu kompaninë e fuqishme saudite ‘Aramco’, duke i shkaktuar humbje të mëdha financiare.

Një fushë tjetër në të cilën Irani ka qënë shumë agresiv, është edhe fushata e dizinformimit kundër platformave dixhitale amerikane në platformat si: Facebbok, YouTube dhe Twitter.

Lufta kibernetike e regjimit iranian drejtohet kryesisht nga komandanti i Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC) Gjeneral Major Hysen Salami, por ka njësi të luftës kibernetike edhe në Ministrinë e Inteligencës dhe të Sigurisë (MOIS) dhe tek forcat e tjera të sigurisë (NAJA). Personi më i lartë që është përgjegjës për luftën kibernetike tek IRGC-ja është Hamit Riza Lashgarian, një asistent profesor në Universitetin ‘Imam Hossein’ në Teheran. Hamiti është njëkohësisht edhe kreu i grupit të inteligjencës 13. Në ekipin e prof Lashgarian janë edhe vëllezërit Muhamed Hysein Shirinkar, Muhamed Bagher Shirinkar dhe dhëndri i tyre Seyyed Mehdi Hashemi Toghroljerdi.

Muhamed Bagher Shirinkari dhe dhëndri i tyre Seyyed Mehdi Hashemi Toghroljerdi janë sanksionuar nga SHBA-të në vitin 2021 me akuzën e përfshirjes së tyre përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ndërkohë Muhamed Bagher Shirinkar është sanksionuar nga SHBA-të në vitin 2019 me akuzë: “Mbështetjen e tij për njësinë kibernetike të Gardës Revolucionare Iraniane”. Qëndra e luftës kibernetike e Gardës Revolucionare njihet njëkohësisht si baza e luftës kibernetike ‘Ammar’. Organizata e luftës kibernetike ndodhet nën komandën e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare dhe përbëhet nga 15 anëtarë.

Organizata e luftës kibernetike ndodhet nën komandën e Organizatës së Inteligjencës të Gardës Revolucionare, e cila drejtohet nga Hossein Taebi dhe zëvendësi i tij është gjeneral brigade Hossein Nejat. Kjo qëndër përbëhet nga 15 anëtarë ku mund të përmendim:

Hojjat ol-Islam Alireza Panahian, drejtuesi i organizatave të mendimit universitar tek lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei.

Hojjat ol-Islam Mehdi Taebi, profesor universiteti.

Saeed Qasemi, drejtor i Institutit Kulturor në Misagh.

Hojjat ol-Islam Mohammad Mehdi Mangegari, drejtues i bordit të Institutit Kulturor të Martirëve.

Nader Talebzadeh, drejtues dhe prezantues i programit ‘Raz’.

Hassan Abbasi, kryetar i Doktrinës së Sigurisë Pa Kufij.

Mohammad Hossein Rostami, drejtor i bazës së luftës kibernetikë ‘Ammar’.

Personi kryesor që koordinon përpjekjet teknike, logjistike dhe që vepronte me urdhër të liderit suprem Khamenei ka qënë Ministri i Informacionit dhe i Teknologjisë së Komunikaconit Mohammad Javad Ali Jahromi.

Duhet theksuar se pas pushtimit Amerikan të Irakut në vitin 2003, Irani ka rritur ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake, nëpërmjet krijimit të “Boshtit të Rezistencës”, rritjes së arsenalit të raketave balistike, prodhimit të dronëve dhe strategjisë së luftës asimtrike detare të Gjirin e Hormuzit.

Kjo strategji u planifikua dhe zbatua me sukses nga komandanti i forcave speciale Quds gjeneral leitnant Kasem Sulejmani. Në drejtimin dhe mbështetjen e tij, forcat Quds rritën kapacitetet luftarake të Hezbollahut, Hamasit, Xhihadit Islamik Palestinez, Grupeve Paramilitare Shia (PMU) në Irak, duke dërguar disa mijëra raketa përfshirë këtu edhe raketa balistike, shumë dronë luftimi dhe dhjetra milionë dollarë.

Më pas, në momentin kur u rrezikua pushteti i Bashar al-Asadit në Siri, Irani filloi dërgimin e mijëra luftëtarëve të tij nga Garda Ravolucionare, Forcat Kuds, milicitë e Forcave të Mbrojtjes Popullore (NDF) Shia përfshirë këtu edhe luftëtarë të huaj Shia nga Afganistani dhe Pakistani. Mbështetja e Iranit për Sirinë i ka kushtuar qeverisë së tij më shumë se 50 bilionë dollarë dhe mijëra të vrarë.

Edhe në Irak, përfshirja e Iranit ishte vendimtare pasi qeveria e kryeministrit iraken Nuri al-Maliki rrezikohej të rrëzohej nga xhihadistët e ISIS-it. Mbështetja e Forcave Quds për Grupet e Armatosura të Milicive Shia, Peshmergave dhe ushtrisë së Irakut solli largimin e xhihadistëve fillimisht nga Mosuli dhe më pas edhe nga provincat e tjera të Irakut.

Irani është përfshirë shumë aktivisht edhe në mbështetje të rebelimit të Shiave të Jemenit ose siç njihen rebelëve Houthi, të cilët larguan nga vendi në vitin 2015 presidentin e vendit Abed Rabbo Mansour Hadi. Gjatë këtyre viteve, Irani ka mbështetur me raketa balistike, dronë të sofistikuar, mbështetje financiare dhe ekspertizë ushtarake drejtuesit e kryengritjes Houthi.

Pra falë suksesit të strategjisë ushtarake të gjeneral Kasem Sulejmanit dhe zëvendësit të tij Ismail Gani, numri i grupeve militante që veprojnë nën influencën e Iranit në ditët e sotme është më shumë se 200.000 militantë të stërvitur dhe të pajisur, ka rritur arsenalin e raketave balistike, dronëve të zbulimit dhe të sulmit, etj të cilët veprojnë në vende si Gaza, Libani, Siria, Iraku, Jemeni, etj. Për më tepër, Irani ka në dispozicion arsenalin më të madh dhe të sofistikuar të raketave balistike, dronëve të sulmit në rajon dhe kjo për ‘meritë’ të Rusisë, Kinës dhe Koresë së Veriut.

Irani ka të gjitha kapacitetet teknike dhe kibernetike, pasi prej vitesh ka investuar miliarda dollarë në fushën e të ashtuquajturës luftë të parregullt dhe kibernetike, ndërkohë që Shqipëria edhe pse ka filluar të kryejë reformat e duhura në adresë të përballjes me këto kërcënime, ka shumë rrugë të gjatë përpara. Pse e them këtë? Sepse imagjinoni kur sulmohen vende si SHBA-të, Gjermania, Franca, Hollanda, Britania e Madhe, Italia, etj të cilat kanë ekonomi, teknologji, ushtri, diplomaci dhe agjensi inteligjence shumë herë më të fuqishme se ne, kanë investuar shumë në këto fusha dhe përsëri kanë rënë pre e shumë sulmeve kibernetike dhe e vjedhjes së teknologjisë nga vende si Rusia dhe Kina.

Me qëllim realizimin e prioriteve kryesore, njeriu më me influencë në atë kohë ishte gjeneral leitnant Kasem Suleimani, i cili ishte njeriu më i afërt i Ajatollah Ali Kameneit njëkohësisht edhe komandanti i forcave Quds për 23 vite. Thënë kjo, forcat Kuds si komanda që vepron jashtë shtetit i IRGC-së prej vitesh ka marrë në mënyrë efektive kontrollin e politikës së jashtme të regjimit përmes ambasadave dhe personelit të tyre.

Ambasadat e Iranit në Irak, Siri, Liban, Afganistan, Jemen, Bahrein, Shqipëri, Bosnjë dhe Azerbaxhan kanë qënë të përbëra nga personel të forcave Kuds dhe IRGC-së. Në të njëjtën kohë, edhe personeli i ministrisë së jashtme iraniane vepron sipas porosive dhe këshillave të forcave Kuds. Përveç vendeve që përmenda më lart, IRGC-ja ka influencë të madhe edhe në vendet e mëposhtme si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti, Bahreini, Omani, Turqia, Rusia dhe Armenia. Në vende si Iraku, Siria dhe Afganistani, ambasadorët e Iranit kanë qënë drejtëpërsëdrejti anëtarë të lartë të forcave Quds dhe miq të ngushtë të Kasem Suleimanit.

Emërimi i ambasadorëve nga forcat Kuds në këto vende, është bërë me qëllim intensifikimin e axhendës për shtrirjen dhe zgjerimin e revolucionit Islamik, njëkohësisht dhe mbikqyrjen e operacionave klandestine duke shfrytëzuar mundësitë e dhëna nga imuniteti diplomatik i ambasadës dhe ambasadori. Që nga koha e pushtimit të Irakut në mars 2003, ambasadori i Iranit në Irak gjithmonë është zgjedhur nga radhët e komandantëve të vjetër të forcave Kuds.

Ambasadori i parë i pasluftës së Teheranit në Irak pas rrëzimit të regjimit të mëparshëm të Sadam Hyseinit, ka qënë gjeneral brigade Hassan Kazemi Qomi. Përpara marrjes së kësaj detyre, ai kishte qënë konsulli kryesor i Iranit në qytetin Herat të Afganistanit.

Në vitin 2011, gjeneral brigade Hassan Danaifar zëvendësoi gjeneral Qomin në këtë detyrë. Gjeneral Danaifari më parë kishte patur detyrën e zv/komandantit të marinës së IRGC-së dhe drejtonte komandën e IRGC-së në Khatam al-Anbia.

Në muajin janar 2017, gjeneral brigade Iraj Masjedi, drejtori i drejtorisë për Irakun në IRGC dhe këshilltar i vjetër i komandantit të forcave Kuds Kasem Suleimani, u emërua ambasador i Iranit në Irak.

Edhe në Siri, ambasadori Mohammad-Reza Ra’uf Ashtiani, mandati i të cilit përfundoi në muajin tetor 2016, ishte i lidhur ngushtë me IRGC-në. Edhe pas largimit të tij, disa komandantë të IRGC-së vazhduan të operojnë në Siri nën mbulesën e statusit të diplomatit.

Këtu mund të përmendim gjeneral brigade Fallahpouri, i cili ishte drejtori i inteligjencës dhe i rrjeteve sekrete të forcave Kuds në Siri dhe kishte status diplomati në ambasadën në Damask, i cili njëkohësisht kontrollonte të gjithë personelin e IRGC-së në Siri. Ndërkohë në këtë ambasadë është i atashuar edhe gjeneralbrigade Alinejad, i cili është atashe ushtarak i Republikës Islamike të Iranit në Siri.

Në muajin korrik të vitit 2018, diplomati i lartë iranian Assadollah Assadi në ambasadën iraniane në Austri, u arrestua në Gjermani me akuzën e planifikimit, drejtimit, mbështetjes financiare dhe logjistike për të ekzekutuar një sulm me bombë kundër takimit që do të organizonte opozita iraniane e Këshillit Kombëtar të Rezistencës (NCRI) në periferi të Parisit në Villepinte.

Në muajin mars të vitit 2018, agjenti iranian i MOIS-it i maskuar si diplomat i Teheranit në Tiranë Mostafa Roudaki, në atë kohë drejtues i stacionit të inteligjencës në ambasadën iraniane në Shqipëri së bashku me ambasadorin përgatitën një kaminë bombë (S-VBIED), e cila ishte planifikuar për përdorej kundër 2500 anëtarëve të MEK-ut në afërsi të Manzës. Ky veprim detyroi qeverinë Shqiptare që në datën 14 dhjetor 2018, të largonte ambasadorin iranian dhe agjentin e MOIS-it Roudaki nga vendi jonë me akuza për terrorizëm.

Në datën 30 tetor të vitit 2018, autoritetet e Danimarkës në bashkëpunim me shërbimet sekrete të Norvegjisë, arrestuan një agjent iraniano-norvegjez i cili po planifikonte vrasjen e një shtetasi nga Danimarka.

Në muajin qershor të vitit 2018, shërbimet e sigurisë së Hollandës larguan nga vendi dy diplomat iranianë për shkak të lidhjeve të tyre me terroristë. Arsyeja ishte vrasja e shtetasit Ahmad Mola Sissi, drejtues i lëvizjes ‘al-Ahvazieh’.

Në datën 16 janar të vitit 2018, me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm Federal të Gjermanisë, forcat speciale gjermane arrestuan 10 agjentë të forcave Quds në disa qytete të Gjermanisë, për shkak të planifikimit të sulmeve terroriste, etj.

Siç e shohim edhe nga këto pak raste të analizuara më lartë, përveç kontrollit të drejtpërdrejtë të ushtruar nga IRGC-ja dhe forcat Quds në shumë ambasada, në shumë prej këtyre misioneve diplomatike oficerët e forcave Kuds janë emëruar si atashe ushtarakë dhe punojnë vetëm për zbatimin e politikave të jashtme të regjimit nën mbulesën diplomatike. Forcat Kuds kanë gjithashtu një njësi aktive të inteligjencës, e cila funksionon paralelisht me ministrinë e inteligjencës së Iranit.

Në këtë linjë, forcat Kuds kanë rrjete të fuqishme inteligjence në të gjithë rajonin. Kjo tregon qartë fuqinë e forcave Kuds dhe IRGC-së në vendimmarrjen politike dhe përplasjen e tyre të vazhdueshme me politikat e Ministrisë së Jashtme të Iranit dhe ministrin e jashtëm Hossein Amir-Abdollahian ose ish ministrin Mohammad Javad Zarif.

Personalisht mendoj se ky vendim ishte vendim i duhur, por në gjykimin tim meqënëse kemi përsëritje të sulmeve kibernetike edhe gjatë ditëve të fundit kundër sistemit TIMS, kjo duhet të bëjë që qeveria jonë të merret më seriozisht me sigurinë kibernetike në vend dhe ky është rasti që Shqipëria së bashku me Republikën e Kosovës të bëjnë një investim të përbashkët në këtë fushë. Është fat i madh që kemi një aleancë të shkëlqyer me aleatin strategjik SHBA-të por jo vetëm, i cili mundëson asistencë, mbrojtje dhe monitorim në kohë rekord.

Shqipëria edhe pse realisht po investon në këtë fushë, duhet të bëjë shumë më tepër sesa propagandë, duke investuar fillimisht tek personeli dhe më pas tek teknologjia. Është bërë zakon që shumica e njerëzve më të aftë profesionalisht hiqen nga puna me akuza qesharake dhe të palogjikshme, duke i bërë dëm të madh buxhetit dhe njëkohësisht edhe sigurisë kombëtare. Qeveria shqiptare duhet të heqë dorë një herë e mirë nga emërimi në detyra të rëndësishme të militantëve partiakë.

Si përfundim, në lidhje me sigurinë kombëtare mendoj se ka një angazhim serioz të të gjitha agjensive të sigurisë në vendin tonë së bashku me agjensitë e zbatimit të ligjit, forcat e armatosura por jo vetëm, të cilat janë mobilizuar në maksimum për të zbatuar misionin e tyre kushtetues. Në rast përshkallëzimi të situatës, vendi jonë ka një bashkëpunim në kohë rekord me vendet e tjera perëndimore, të cilët në çdo moment mund të bëjnë të mundur marrjen e masave dhe përballjen me sukses me këto kërcënime.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com