Hulumtime mbi krijmtarinë e Fan S. Nolit

Sevdai Kastrati

Fan S. Noli është një nga shkrimtarët e rrallë në historinë letërsisë shqipe që vjershat i shkruan thjesht për dëshirën e tij e jo për t’i botuar ato. Kështu për shembull: Vjershën “Kënga e Qirenarit” e shkroi në Vjenë më 1926 dhe e botoi për herë të parë pas 19 vjetësh, kurse në “Album” (1948) me titull të ndryshuar “Kirenari”.

Vjershën e njohur “Krishti me kamçikun” e shkroi po ashtu gjatë qëndrimit në Vjenë më 1927 dhe e botoi për herë të parë pas 18 vjetësh.

Vjershën “Plak, topall dhe ashik” (kurse në dorëshkrim autograf me titull “Dale, moj…”) Noli e shkroi në Vjenë me 6 tetor 1927 dhe e botoi për herë të parë pas 18 vjetësh

Vjershën “Kanga e Dervish Begut” Noli e shkroi në dialektin gegë më 1914 dhe e botoi për herë të parë pas 47 vjetësh, tekstin e së cilës në dorëshkrimin autograf e gjeti të ruajtur tek miku i tij i vjetër Milto Sotir Gurra (1884-1972).

Vjershën antologjike “Rent, or Marathonomak” për herë të parë e boton më 1930 me dhjetë strofa gjashtëvargëshe; herën e dytë e boton më 1946 me njëmbëdhjetë strofa gjashtëvargëshe, kurse herën e tretë më 1948. Në botimin e dytë janë shtuar këto vargje:

Gryka si gjyryk të çfryn

Prej Vullkani flag’ e tym

Seç vëngon e seç gulçon,

Zëmra brinjët t’i çkallmon

Me tokmak,

Mbahu, or Marathonomak!

Vargu i parë te strofa e tretë në botimin e parë:

Ke ca plagë, po s’e the

kurse në botimin e dytë dhe të tretë është:

Ke një plagë, po s’e the

vargu i parë i strofës së katërt në botimin e dytë:

T’ u-tha goja po s’të pihet

kurse në botimin e parë dhe të tretë:

T’ u-tha gryka po s’të pihet

në strofën e pestë, vargu i katërt në botimin e parë:

Rrëzë lisit flladët kroj

në botimin e dytë dhe të tretë del:

Hij’ e lisit edhe kroj.

Vjershën e tij të njohur “Krishti me kamçikun” Fan Noli e shkroi gjatë qëndrimit në Vjenë më 1927 dhe e botoi për herë të parë në gazetën “Dielli” më 26 dhjetor 1945 me pseudonimin tashmë të njohur Robo Rogozhina.

Vjersha “Krishti me kamçikun” njohu dy botime dhe kemi një dorëshkrim autograf. Në të dy variantet e botuara numri i vargjeve dhe i strofave është i njëjtë. Vargu i dytë i strofës së katërt te botimi i parë del:

Kish arrirë në kulm e u-bë kryetar

kurse tek “Albumi” është strofa e tretë: Na u-ngrit gjer në kulm, dhe u-bë kryetar

Në vargun e katërt të strofës së pestë në botimin e parë del:

Dhe nga korbat q’ e hanin atdhen’ e shpëtoj

në variantin e dorëshkrimit autograf është:

Dhe nga krimbat që hanin atdhen’ e shpëtoj

kurse tek “Albumi” që është varianti përfundimtar del:

Dhe nga larot gjakpirës atdhen’ e shpëtoj

Në vargun e katërt të strofës së gjashtë në botimin e parë:

Dhe me shkelmë dhe grusht na çliro, na shpëto

kurse në variantin e fundit del:

Dhe me forc’ e pahir na çliro, na shpëto.

Foljet lëngonin, kujtonin në strofën e katërt të botimit të parë janë në kohën e pakryer të mënyrës dëftore, kurse tek “Albumi” që është strofa e tretë dalin në kohën e tashme të mënyrës dëftore lëngojnë, kujtojnë.

Përpos ndryshimeve në vargje nga dy botimet, kemi edhe renditjen e strofave ndryshe: strofa e tretë e botimit të parë tek “Albumi” del si strofa e katërt; strofa 7 bëhet 8; strofa 8 bëhet 9 dhe strofa 9 bëhet 7.

Siç mund të shihet, vjersha “Krishti me kamçikun” përpos ndryshime në vargje, renditjen e strofave ndryshe kemi mjaft korigjime fjalësh: vrushkull te vargu i tretë i strofës së pestë është zëvendësuar me fjalën fshikull; këllëç te vargu i tretë i strofës së gjashtë është zëvendësuar me fjalën shpatë etj.

Ndërsa në vargun e katërt të strofës së nëntë (strofa e 7 tek “Albumi”) bëhet zëvendësimi i një

fjale tjetër me përmbajtje të ngjashme: s’lirohet për s’çlirohet.

Vjershën “Plak, topall dhe ashik” njohu dy botime dhe kemi një dorëshkrim autograf. Vjersha u botua për herë të parë në gazetën “Dielli” më 10 tetor 1945 me pseudonimin Robo Rogozhina, kurse botimi i dytë te “Albumi” (1948) është botuar me pseudonimin Bajram Domodova (1880-1930). Vargu i dytë i strofës së parë:

Mos më shkaj ashtu si ngjalë

në botimin e dytë del:

Se më rrjedhin djersët valë

Kështu, për shembull, vargu i dytë i strofës së parafundit në dorëshkrimin autograf figuron:

Vajzë tjatër më tregova

ndërsa në variantet e botuara:

Pas një tjatre më lëshove.

I frymëzuar nga psalmi 137, një nga vajtimet më të dhembshme të syrgjynit, Noli e shkroi vjershën “Anës lumenjve të Babillonës” në Hamburg, jo rastësisht mban datën 28 nëntor 1928, pra me rastin e gjashtëmbëdhjetë vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe e botoi për herë të parë në gazetën “Dielli” të datës 1 gusht 1945 me pseudonimin Robo Rogozhina.

Vjersha “Anës lumenjve të Babillonës” njohu dy botime, dhe kemi një dorëshkrim autograf që është më i hershëm se botimi i parë. Në “Albumin” e botuar më 1948 vjersha del me titull të

shkurtuar “Anës lumenjve” dhe se është shkruar në maj të 1930-ës në Hamburg.

Në të dy botimet vjersha ka 59 vargje dhe është në tetërrokësh. Në botimin e parë vjersha “Anës lumenjve të Babillonës” ka dy strofa katërvargëshe, një trembëdhjetëvargëshe, një gjashtëmbëdhjetëvargëshe dhe një njëzet e dyvargëshe; kurse në botimin e dytë vjersha ka tetë strofa: tri katërvargëshe, tri tetëvargëshe, një me nëntë dhe një me katërmbëdhjetëvargëshe.

Të dy variantet e botura nuk përmbajnë ndryshime të rëndësishme në krahasim me variantin në dorëshkrim. Kështu, për shembull:

Vargu i 15-të në botimin e parë:

Seç’ e shtrythnë fajdexhinjtë

kurse te “Albumi” që është varianti përfundimtar del si vargu 16, ndërsa vargu i 16 në botimin e parë:

Seç’ e shtrythnë fajdexhinjtë

bëhet te “Albumi” i 15.

Vargu 22 në botimin e parë del:

Çarmatosur e plagosur

kurse te “Albumi” del:

Sakatosur, çarmatosur

Vargu 31 në botimin e parë është:

Përpëlisur e zalisur

kurse te “Albumi” që është varianti përfundimtar lidhëza “e” te vargjet 2, 11, 22, 31 zëvendësohet me lidhëzën “dhe”, kurse te vargu 36 lidhëza “dhe” zëvendësohet me lidhëzën “se”:

Përpëlitur dhe zalisur

Ashtu siç kishte ndërrim vendesh në vargjet 15-16 kemi edhe ndërrim vendesh në vargjet 41-42. Në botimin e parë figuron:

Fryhet Vjosa, derdhet Buna,

Dridhet Beu dhe zengjini,

Skuqet Semani dhe Drini,

kurse te “Albumi” del:

Fryhet Vjosa, derdhet Buna,

Skuqet Semani dhe Drini,

Dridhet Beu dhe zengjini.

Vargu 57, pra në vargun e parafundit kemi zëvendësim fjalësh: Ligjëronj për brohorit.

Deri më sot është thënë që vargu 47: Që nga Shkodra gjer në Vlorë! në dorëshkrimin autograf është: Që nga Moska gjer në Vlorë! Një supozim i tillë nuk e di ku e ka mbështetjen, qoftë në variantin e botuar më 1 gusht 1945, qoftë në variantin përfundimtar te “Albumi” më 1948 dhe qoftë në dorëshkrimin që ruhet në AQSH (F. 14, D. 35) nuk ndodhet. Të habit fakti që Sabri Hamiti e interpreton këtë varg, por ai as një herë nuk mori mundimin që ta shqyrtojë citimin që ka shfrytëzuar dhe gabimisht e përhap edhe në një libër shkollor.

Po kështu deri më sot është thënë se vjersha “Hymni i flamurit” në variantin e parë kishte tri strofa, kurse në variantin përfundimtar del me gjashtë strofa. Në të vërtetë vjersha është botuar për herë të parë në gazetën “Liria Kombëtare” më 28 nëntor 1926 dhe ka vetëm një ndryshim në vargun e parë të strofës së katërt: Me Gjerq Skënder’ u-lavdërove, kurse te “Albumi” del: Me Skënderben’ u-lavdërove. Ky është një shembull se si marrin të dhënat nga fjalët e të tjerëve,

pa i parë shkrimet origjinale.

Poemën “Sulltani dhe kabineti” ai e botoi në dy variante, po ashtu ruhet në dorëshkrimin autograf. Varianti i parë u botua për herë të parë në gazetën “Dielli” më 15 shkurt 1961 me 38 strofa katërvargëshe, kurse variantin e dytë e boton si zakonisht tek “Dielli” më 5 korrik 1961 me 48 strofa katërvargëshe, duke e mistifikuar me shënimin “E përktheu nga Persishtja Namik Namazi më 17 të Jenarit, 1961, dhe e plotësoj sipas një dorëshkrimi që u-zbulua në bibliotekën e Gollomboçit”.

Vjersha “Jetimi” të Pol Verlenit (Paul Verlaine 1844-1896) Noli e shqipëroi nga frëngjishtja me pseudonimin Bajram Domosdova dhe u botua për herë të parë në gazetën “Dielli” të datës 15 maj 1946. Vargu i katërt i strofës së parë në botimin e parë figuron:

S’ ma varrnë, se s’ isha qesqin

kurse te “Albumi”:

S’ma varrnë, s’ më gjetnë qesqin

Po ashtu te vargu i katërt i strofës së dytë kemi ndryshim fjalësh:

S’ më deshnë dhe mbeta beqar

në varianitin e botuar te “Albumi” del:

S’ më deshnë, më lanë beqar.

Në strofën e fundit në vargun e parë “lindur” është zëvendësuar me “ardhur”.

Fan S. Noli për të kënaqur dëshirën e zonjës Myrvet Sula-Yero përktheu vjershën “If” të Rudyard Kiplingut nga anglishtja me titull “Në Munç” dhe e botoi në gazetën “Dielli” më 1 nëntor 1961 me pseudonimin tashmë të njohur Namik Namazi. Ai e shqipëron për së dyti vjershën “If” do me thënë pesëmbëdhjetë ditë nga botimi i variantit të parë. Vjersha “If” me titullin “Sikur” botohet në gazetën “Dielli” më 3 janar 1962. Në fund është vënë pseudonimi i tij i fundit Gur’ i Shkabës dhe data 16 nëntor 1961 kur është shqipëruar vjersha. (Shih: Një shqipërim i panjohur i Fan S. Nolit, “Zëri i Çamërisë”, nr. 5, 2015).

Ashtu siç kemi dy variante të poemës “Korbi” të Poesë, dy variante të rubairave të Khajamit, po ashtu kemi edhe dy variante të kryeveprës së tij në prozë “Historia e Skënderbeut”. Në botimin e parë me titull “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit) – Mbretit të Shqipërisë” u botua në Boston më 1921, kurse botimi i dytë me titull “Historia e Skënderbeut – Kryezotit të Arbërisë (1405-1468)” u botua me përmirësime të dukshme në krahasim me botimin e parë, po ashtu n ë Boston më 1950. Në të vërtetë Noli filloi ta botojë “Historia e Skënderbeut – Kryezotit të Arbërisë (1405-1468)” në vazhdime në gazetën “Dielli” nga 10 gushti 1949 deri në 5 korrik 1950.

Fan S. Noli është një nga shkrimtarët e rrallë në historinë e letërsisë shqipe që i ripërpunon vazhdimisht poezitë e tij për t’i bërë krijime sa më të arrira poetike. E, në këtë rreth shkrimtarësh bëjnë pjesë Jeronim De Rada, Zef Skiroi dhe Lasgush Poradeci. Jeronim De Rada Këngët e Millosas do ta shkruajë në gjashtë variante dhe do të botohen vetëm tri (1836, 1847 dhe 1873); Këngët e Sarafina Thopias do të botohen tri herë (1839, 1843, 1897-98) saqë në botimin e fundit me titull të ndryshuar Une specchio di umano transito [Një pasqyrë e jetës njerzore]; Skanderbeku i pa-fan do të botohet dy herë (1872-1884, 1885-1886) saqë në botimin e dytë me titull të ndryshuar La caduta della Reggia d’Albania [Rënia e mbretërisë së Shqipërisë] dhe kishte ndërmend ta ripunonte edhe një herë. Zef Skiroi poemën Milo e Haidhi do ta shkruajnë në katër variante dhe do të botohen vetëm tri (1890, 1900, 1907); poema Te dheu i huaj në botimin e parë (1900) kishte 1328 vargje, kurse në botimin e dytë postume (1940) kishte 6260 vargje. Lasgush Poradeci vjershat Kënga e bilbilit, Poradeci, Vdekja e Nositit, Syt’ e varfëruar, Marshi i dashurisë, Valmi i dashurisë, Durimi etj. janë të shkruar në dy, tre dhe katër variante.

Karakteristikat me të cilat përkon De Rada me Nolin janë zgjidhja dhe shkurtimet e titujve, ndryshimet, plotësimet e veprave te tyre. Kështu, fjala vjen, në poemat Këngët e Milosas, Këngët e Sarafina Thopias De Rada, përmend rangun e lartë shoqërore që ka Millosau si bir i sundimtarit të Shkodrës dhe Sarafina Topia si princeshë e Zadrinës, ashtu sikurse edhe Noli në Historinë e Skënderbeut përmend pozitën e lartë shoqërore që ka Skënderbeu si mbret i Shqipërisë, e në botim të dytë si kryezot i Arbërisë. Ashtu sikurse De Rada në botimin e parë të Këngëve të Milosas me titullin e plotë në italishte Poesie Albanesi del Secolo XV. Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari në botim të dytë del me titull të shkurtuar Canti di Milosao, figlio del Despota di Scutari edhe Noli në botimin e dytë do t’i shkurtojë titujt e vjershave: Anës së lumenjve të Babilonisë për Anës së lumenjve; Sofokliu dhe Ferid Asllani për Sofokliu. Poemën Këngët e Sarafina Thopias De Rada në botimin e tretë do t’i ndryshojë titullin Një pasqyrë e jetës njerzore, ashtu sikurse edhe Noli vjershën në dorëshkrim Dale moj… do ta botojë pas 18 vjetësh me titullin Plak, topall dhe ashik. Është thënë për De Radën se ndryshimet i bënte edhe në shtypshkronjë, ashtu mund të thuhet se Noli vjershën Saga e Sermajesë, kinse e përkthyer nga persishtja prej Namik Namazit dhe e shkruar më 11 shkurt 1963 në Ispakhan, do ta ndryshojë në shtypshkronjë.

Siç është thënë për Zef Skiroin se variantin e katërt të poemës Milo e Haidhe e ndryshon, e plotëson në faqet e një kopje të librit të botimit të tretë, ashtu sikurse edhe Noli që do t’i bëjë korigjime, përmirësime të dukshme në faqet e një kopje të librit Historisë së Skënderbeut (1921) dhe do ta botojë më 1950.

Në qoftë se me De Radën shëmbëllen në zgjedhjen, shkurtimin dhe ndryshimin e titujve, me Zef Skiroin në ndryshimet, plotësimet në kopjen e librit, ndërsa me Lasgushin përkon me shtimin dhe heqjen e strofave. Në vjershën Lamtumirë në variantin e fundit Lasgush Poradeci i shton një strofë të katërt, derisa në variantet e mëparshme kishte tri strofa, ashtu sikurse edhe Noli vjershën antologjike “Rent, or Marathonomak” në botimin e dytë i shton strofën e njëmbëdhjetë. Vjershën Durimi në variantin e tretë i heq një strofë, ashtu sikurse edhe Noli vjershës Sofokliu në variantin e dytë i heq një strofë.

Në fund, Fan S. Noli gati të gjitha vjershat e tij, nuk i ka lënë pa i ndryshuar e i ripunuar edhe pas 21 vjetësh nga botimi i parë. Kështu, për shembull, thuhet se poema Prelud të William Wordsworth-it kishte tri versione (1799, 1805, 1850) dhe versioni përfundimtar u botua tre muaj pas vdekjes së autorit; poeti gjerman Heinriche Heine vjershën Lorelaj (1824) i është kthyer dhe e ka ripunuar më tepër se pesëdhjetë herë; shkrimtari francez Gustave Flaubert për 7 vjet ka shkruar romanin Edukimi sentimental (1869) e ripunon pas 24 vjetësh; shkrimtari zvicerian Gottfried Keller romanin e tij Henri i gjelbër (1855) e rishkruan gjërsisht pas 25 vjetësh; shkrimtari i madh rus Tolstoi për 6 vjet ka shkruar 6 variante të veprës së tij Ringjallja dhe shkrimtari italian Alessandro Manzoni, i cili romanin e tij Të fejuarit (1827) e ripunon plotësisht më 1842.

Foto: wikipedia.org

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com