Hebre Josef Kantoz meriton të nderohet

(Luftëtari hebre që mori pjesë në Luftën e Vlorës 1920)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Komuniteti hebre në Vlorë dhe rinia e Jozefit

Në Shqipëri, në çerekshekullin e parë të shek. XIX, pas luftërave të vazhdueshme të përndjekjes dhe të shfarrosjes nga spanjollët, u vendos një komunitet i vogël hebre, ku pjesa më e madhe e tyre u vendos në qytetin e Vlorës. Në këtë komunitet bënte pjesë dhe familja Kantozi, e cila ishte një familje e pasur tregtare. Populli vlonjat i mirëpriti dhe ju krijoi kushte për jetesë, duke punuar dhe jetuar bashkë me ta. Hebrenjtë Musho dhe Masalto jetonin në lagjen e vjetër të Vlorës “Vrenez”. Këtyre më 17 gusht 1890 ju lindi një djalë që e quajtën Jozef, në kujtim të të parëve të tyre që kishin luftuar dhe qëndruar në jetë në kohëra dhe vende të ndryshme.

Në rini Jozefi siç kanë treguar Abdurahman Çiraku ishte një djalë i gjatë, i pashëm, elegant dhe mbante mustaqe, që ishte në modë. Flokët i kishte gjithmonë të gjata dhe të krehura e të lyer me brilant. Ishte kjo një dukuri e kohës, por dhe tregonte vinte nga një familje e pasur hebre. Josefi i donte dhe i vlerësonte vlonjatët duke i quajtur shokët vëllezër. Josefi ndoqi shkollë në qytetin e lindjes në Vlorë dhe për rezultate shumë të mira në mësime, ndoqi në Itali studimet e larta dhe u diplomua ekonomist. Në Brindiz të Italisë Jozefi kalonte shpesh pushimet. Mënyra e sjelljes, prezenca në paraqitje, kultura e lartë që demostronte në ambjentet e pushimit, kishte bërë që ai të thirrej “Konte d’Albania”.

Ne shqiptarët do luftojmë me Italinë e madhe

Ishte viti 1919 kur Jozefi gjendej me pushime në Itali. Në një nga ditët pushimeve në Brindiz, Josefi u gjend në një restorant. Aty ishin disa të rinj, simpatizantë të fashizmit. Jozefi kur i pa dhe buzëqeshi me ironi. Njeri prej fashistëve para syve të Josefit, nxori një kartëmonedhë një liretashe italiane dhe e dogji para syve të tij, të shoqëruar me fjalët se “kështu do ta djegim ne italianët Shqipërinë tënde të vogël”. Ndërsa Josefi i qetë, nxorri një kartëmonedhë njëmijë liretashe italiane, i vuri zjarrin dhe ju drejtua fashistit duke ngritur zërin se “kështu do ta djegim ne shqiptarët Italinë tënde të madhe”. Me këtë veprim e arrestuan Jozefin dhe e burgosën. Familja pagoi për ta liruar nga burgu në Itali. Josefi e donte Shqipërinë dhe Vlorën. Këtë e tregoi në çdo angazhimin e tij në lëvizjet e kohës, por dhe me ndihmën konkrete që ju jepte lëvizjeve në qytetin e Vlorës. Nga i dhjetorit 1919, Josef Kantoz u gjend në krah të qytetarëve vlonjatë Jani Minga e Toli Arapi. Ai mori pjesë në mbledhjen e organizur në shtëpinë e Osmën Haxhiut, ku u zgjodh komiteti për drejtimin e luftës kundër pushtuesit italian.

Jozefi luftëtar në Luftën e Vlorës

Jozefi ka mbetur në historinë, mëndjen dhe shpirtin e vlonjatëve në vitin 1920, kur shqiptarët rrëmbyen armët, luftuan dhe hodhën në det pushtuesit italianë dhe rishpallën Pavarësinë e Shqipërisë të humbur nga Lufta e Parë Botërore. Në vitin 1920 shkëlqeu patriotizmi i hebre Josef Kantoz. Ai ishte pjesë e përgatitjes së luftëtarëve vlonjatë për luftën e madhe. Hebrenjët e Vlorës ndihmuan patriotët luftëtarë vlonjatë me ndihma materiale dhe investuan për këtë luftë. Josef Kantoz ju bashkua luftës me pushkë në dorë. Në këtë luftë atë e shpinte dashuria për Vlorën dhe Shqipërinë, ideali i përbashkët me udhëheqësit e luftës Osmën Haxhiun e Ahmet Lepenicën. Këtë ai e tregoi kur luftoi me pushkë në dorë në krah të vëllezërve të tij vlonjatë në Qafën e Koçiut. Për pjesëmarrje në luftë ka dhe disa foto të kohës Josef Kantoz është në to. Në një foto ku janë tetë anëtarë të shtabit drejtues të luftës gjendet së bashku me Ali Beqir Velça, Azis Çami, Myqerem Hamzaraj, Osman Haxhiu, Qazim Koculi, Ahmet Lepenica dhe Avdurraman Çiraku dhe hebre Josef Kantoz. Ndërsa në një foto tjetër ka dalë me miq të vjetër të tij Koçi Selfo dhe Avdurrahman Çiraku.

Prof. Bardhosh Gaçe, në librin Osman Haxhiu shkruan se “në datë 26 gusht 1920, disa përfaqësues të qytetit, midis tyre edhe Shtjefën Gjeçovi, u mblodhën në oborrin e kishës ortodokse në qytet dhe hartuan programin e festimeve. Komisioni përbëhej nga Kryekatundari Ali Asllani dhe anëtarët: Sadik Sorra, Prof. Jani Minga, Dom Mark Vasa, Musa Jonuzi, Pandeli Strati, Dhamo Bezhani, Tasko Kafija, Eshref Danua, Kristo Karbunara, Jozef Kantoz, Qamil Qemal beu dhe Thimi Opingari”, të marrë nga gazeta “Mbrojtja Kombëtare”, datë 14 tetor 1920.

Ndërsa në dokumentat zyrtare përmendet se në vitin 1920 Mateo Matathia, ka luftuar për çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Në atë luftë si dhe në evenimentet e mëvonshme, përkrah Mateo Matathisë kanë qenë edhe Nesim Levi e Jozef Kantoz.

Përsëri në lëvizjet përparimtare të kohës

Pas Luftës së Vlorës, Josef Kantoz nuk u nda nga drejtuesit e saj, por punoi dhe drejtoi në vendosjen e rendit dhe të qetësisë në qytetin e Vlorës. Për disa muaj kur drejtonte vendin qeveria e Fan Nolit ai ka bërë detyrën e shefit të policië në Vlorë. Përsëri në vitet e mbretërisë ai nuk u pajtua me sistemin dhe përkrahu gjithmonë lëvizjet përparimtare. Veprimtaria e tij vlerësohej nga rrethet përparimtare dhe patriotike të Vlorës. Josef Kantoz vazhdoi punën duke u marë me tregti. Në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, jeta e komunitetit hebre, si dhe e gjithë popullit shqiptar u vështirësua shumë. Në këtë kohë Ministria e Brendshme u kërkon prefeturave të vendit listat emërore me hebre që gjendeshin në Shqipëri. Prefektura e Vlorës i përgjigjet ministrisë me dy lista njera me hebre me shtetësi shqiptare dhe tjetra me emrat e hebrenj që ishin me shtetësi të huaj. Ndërsa Josef Kantoz gjendej në listën e parë, me shtetësi shqiptare, në numër rendor 47, i lindur më 17.8.1890 në Vlorë dhe me profesin tregtar. Në këtë shpjegohet se hebre me nr. 47, ishte shpërngulur në qytetin e Fierit. Këto ishin lëvizje të natyrshme për të mbrojtur nga pushtuesi fashist. Jozef Kantoz nuk pati trashgimtar. Vajza Rashel rreth moshës 18 vjeçare, në vitin 1938, u sëmur rëndë nga veshkat dhe ndërroi jetë.

Gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Josef Kantoz, ashtu si në Luftën e Vlorës dhe më pas, e ndihmoi lëvizjen me mjete materiale. Me çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashist, kontributi atdhetar i hebre Jozef Kantoz, u harrua, pasi kishte ndryshuar vendbanim, por dhe u mohua, pasuria e tij u shpronësua dhe ai mbeti i vetëm dhe i braktisur. Vitet e fundit të jetës, pas vdekjes së të shoqes Mazal, u detyrua të mbyllej në azilin e pleqëve në Fier dhe ndërron jetë në vitin 1960.

Harresa dhe lëvizja për nderim

Patrioti dhe luftëtari i Luftës heroike të Vlorës të vitit 1920, i harruar dhe i braktisur nga shteti si shumica e udhëheqësve të asaj lufte, u mbyll në azilin e pleqëve në Fier deri në ditët e fundit të jetës së tij rreth vitit 1960. Luftëtari dhe patrioti hebre Josef Kantoz sot gjendet i harruar. Figura e tij në vite nuk është vlerësuar. Shokët e tij luftëtarë kishin vite që ishin larguar nga jeta, por edhe pjesëtarët e familjes së tij, pas vitit 1990 u larguan nga Vlora dhe morën riatdhesim në Izrael. Në Shqipëri lanë gjithçka të vlefshme, lanë punën dhe mundin e tyre, lanë emër të mirë…

Edhe në 100 vjetorin e Luftës së Vlorës emri i tij u përmend nga studiuesi Enver Memishaj në gazetën “Telegraf”, por pas festimeve. Edhe në këtë festë për të nuk pati ndonjë vlerësim dhe nderim për kontributin e dhënë në këtë luftë. Mbesa e tij, Rashel Solomon, poeteshë izraelito-shqiptare, ka shkruar në gazetën “Nacional” në vitin 2023, si dhe i ka kushtuar një poezi të titulluar “Babë e bijë”. Nderim tjetër ky luftëtar nuk ka, emri i tij nuk gjendet as në listën e luftëtarëve të qytetit të Vlorës. Rashel Solomon sqaron se ajo u largua nga Vlora me fëmijët e saj nga fundi i vitit 1991. Në Izrael ku jeton, babai i saj i ka folur me respekt dhe krenari për Josef Kanto, hebre që ja kushtoi jetën Shqipërisë. Ndoshta ka ardhur koha që nga pushteti lokal, por edhe institucionet shtetërore ta vlerësojnë dhe nderojnë veprën e tij patriotike me ndonjë mirënjohje dhe dekoratë.

Në mbyllje këtë shkrim homazh për këtë luftëtar të harruar po e mbyll me citimin e këtyre strofave të poezizë “Babë e bijë”: Eh trim Josef, për Vlorën gjithçka trete/ Në Itali, frikën e trembe për vdekje/ Me shokët hartove planet e lirisë/ Që Shqipëria të mos mbesë pikë e hidhur, e historisë… Eh Ti Josef, një djalë i rrallë/ Shokët ecin përpara ty, seç të lanë pas/ 100 vjetë vrapuan me lule e flamurë/ Ty të harruan si fushë e djerrë, pa grurë… Në historinë e Vlorës, të radhitesh me shokët/ Ti hebre-vlonjatë, flamurin dy shqiponjë/ lart lart përherë ta valvitesh… Mendoj, Vlora mëmë një muze të të fal, në emrin tënd të bukur, “Josef Kantoz”.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com