“Gjergj Kastrioti”, trashëgimi kulturore identitare shqiptare në Michigan

Sokol Paja

Grupi artistik “Gjergj Kastrioti” në Michigan përbën një krenari dhe arritje komunitare shqiptare në Detroit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përpjekje për të ruajtur kulturën dhe trashëgiminë identitare shqiptare në mërgatën e Amerikës. Nën drejtimin e koreografes Joli Agolli Paparisto, talenti dhe puna e fëmijëve të “Gjergj Kastrioti” jo vetëm që ka krijuar një traditë të shkëlqyer artistike por përbën një identitet e krenari të veçantë për komunitetin dhe kombin tonë. Koreografja Joli Agolli Paparisto shprehet për gazetën “Dielli” të Vatrës se “Grupi artistik “Gjergj Kastrioti” është themeluar në vitin 2006 në Kishën e Shën Palit nga motra Lilianë Marku dhe rapsodi Fran Gjoka.

Që nga ajo kohë ka pasur një rritje fantastike të grupit. Aktivitetet ku ne kemi marrë pjesë dhe performanca e grupit vit pas viti ka qenë e jashtëzakonshme. Ky grup artistik ka qenë frymëzim për shumë të rinj shqiptarë që kanë ëndrra artistike. Grupi artistik “Gjergj Kastrioti” i shërbyer komunitetit në çdo event, ka luajtur një rol të pakrahasueshëm në ruajtjen e kulturës së pasur e identitetit kombëtar shqiptar në Michigan. Talenti i këtyre fëmijëve të mrekullueshëm, puna në vazhdimësi, ndjekja e ëndrrave të tyre artistike ka bërë jehonë dhe jashtë Amerikës.

Pjesëmarrja për herë të tretë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, pjesëmarrja në turne e spektakle jashtë Amerikës, vlerësimet me çmime për stil dhe krijimtari, na kanë bërë krenarë si shqiptarë mbi të gjitha” shprehet për “Diellin” koreografja Paparisto. Më tej ajo shton: “Për çdo sukses jemi gëzuar se është vlerësuar puna artistike e artistëve të rinj, këmbëngulja, përkushtimi, investimi i prindërve dhe ëndrrat që ata kanë për të ardhmen.

Është mahnitëse të shikosh sesi fëmijët shqiptarë të lindur jashtë Shqipërisë e duan Shqipërinë njësoj si të ishin lindur e rritur aty. Përcjellja e atdhedashurisë te brezat ka qenë një punë fenomenale që grupi artistik “Gjergj Kastrioti” e ka bërë ndër vite” shpjegon për “Diellin” koreografja Joli Agolli Paparisto. Veprimtaria artistike e grupit Gjergj Kastrioti i bën një shërbim të shkëlqyer kulturës dhe identitetit tonë kombëtar shqiptar.

Ky grup me të rinj e të reja që kërcejnë shqip, vallëzojnë shqip e përformojnë magjitë e artit shqiptar janë pa dyshim një krenari e pastër identitare kombëtare shqiptare. Ky grup artistik shënon një sakrificë, një kënaqësi shpirtërore, një përpjekje të vazhdueshme dhe krenare për ruajtjen e identitetit kulturor kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës. “Kultura është shpirti i një kombi” përfundoi fjalën e saj për “Diellin” drejtuesja e grupit artistik “Gjergj Kastrioti”, koreografja Joli Agolli Paparisto.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com