“Fol shqip”, hapet shkollë e re shqipe në Queens, New York

Sokol Paja

Nxënësit shqiptarë në mërgatën e Amerikës do të kenë një mundësi të shkëlqyer për të mësuar gjuhën amtare shqipe, kulturën dhe trashëgiminë historike identitare kombëtare shqiptare. “Fol Shqip” është shkolla shqipe më e re e hapur në Queens, New York. Krahas shkollave të tjera shqipe në Amerikë, “Fol Shqip” përbën kurorëzimin me sukses të një përpjekjeje patriotike të aktivistëve të shoqatës “Besi” e miqve të tyre duke bërë të mundur që nëpërmjet kësaj shkolle të ruhet gjuha shqipe, historia dhe identiteti kombëtar i shqiptarëve të Amerikës. Mirsad Hasani, kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës “Besi” si themeluese e shkollës shqipe, në një prononcim për gazetën “Dielli” dhënë Editorit Sokol Paja shprehet me emocion rreth ditës së parë të hapjes së shkollës shqipe “Fol Shqip”: “Pjesëmarrës në hapje ishin përveç prindërve me fëmijët e tyre e pjestarët e tjerë të komunitetit besnjan që jetojnë në New York dhe shqiptarë nga të gjitha viset dhe trojet etnike. Ishte edhe i nderuari Imam në xhaminë Shqiptaro-Amerikane në Glendale, Queens, z.Edin Gjoni.

Fjalimi me mesazh për hapjen e shkollës shqipe, nga imam Edin Gjoni ishte shumë emocional dhe mbështetës fuqiplotë që nuk përshkruhet. Hapja e një shkolle është edhe festë e trashëgimisë sonë shqiptare dhe hapje e një udhëtimi drejt ndriçimit dhe edukimit kulturor kombëtar shqiptar. Ishte një gëzim i madh, si nga këshilli i përgjithshëm apo komiteti i Shoqatës, por edhe nga prindërit dhe mbështetësit e aktiviteteve të shoqates “Besi”. Për prindërit që vijnë nga zonat shqiptare në Mal të Zi, ishte një dritë ndriçimi, që atyre u ishte e ndaluar dikur nga pushteti Jugosllav, mësimi dhe leximi i gjuhës se tyre të bukur shqipe. Hapja e shkollës shqipe është një ditë e veçantë e mbajtjes gjallë të gjuhës sonë të bukur shqipe dhe vazhdimësinë e saj si trashëgimi historike” u shpreh z.Hasani.

Në lidhje me organizimin e mësimit shqip në shkollën shqipe “Fol Shqip” kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës “Besi” z.Hasani sqaron se: “Si fillim hapi i parë është ai i mësimit të gjuhës tek shumica e fëmijëve dhe përforcimi i gjuhës tek fëmijët të tjerë. Pastaj do vazhdojmë me lëndë të tjera mësimore. Ditët e mësimit shqip për momentin janë veç të ditëve të diela, mësuesit janë profesionistë të lartë dhe si tekste mësimorë do të punojmë me librat mësimorë nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë. Gjithashtu në këtë shkollë do të kemi edhe klasat e vallëzimit me instruktor profesional” sqaron z.Hasani. Historiku i shoqatës “Besi” që themeloi shkollën shqipe “Fol Shqip” është shumë i rëndësishëm për veprimtarinë shkollore dhe komunitare si në New York e deri në Mal të Zi.

Projektet e Shoqatës “Besi” nuk janë veç për komunitetin shqiptar në New York por edhe për vendlindje. Rreth historisë së krijimit dhe aktiviteteve të shoqatës, z.Hasani sqaron se: “Historiku se si është krijuar kjo shoqatë rrjedh nga nevoja e mbijetesës si shqiptarë të komunitetit tonë në Mal të Zi. “Besa” është një vend i vogël në skajin e kufirit të etnosit shqiptar në komunën e Tivarit, Mali i Zi. Ka një histori shumë të lashtë ku posaçërisht me fshatrat e tjera të Muriqit kanë bërë një rezistencë luftarake të pashoqe kundër Malit të Zi në vitet 1800 dhe më vonë. Nevoja për një udhëheqje të vazhdueshme të kësaj “rezistence” të mbijetesës shqiptare, na mungonte edhe këtu në diasporën e Amerikës. Me idenë dhe iniciativën e disa prej patriotëve të “Besës” si besnjanë, krijuam idenë dhe formimin e organizimit të shoqatës, u krijua “kushtetuta” e shoqatës ku edhe u prezantua tek komuniteti ynë besnjan me 18 Shkurt të vitit 2023. U mbështet nga shumica dërrmuese e komunitetit. Brenda një viti arritëm të hapim edhe shkollën në gjuhën shqipe me emrin “Fol Shqip” dhe klasat e vallëzimit për fëmijët tanë. Më tej, do vazhdojmë me maksimum me ndihmën e Zotit dhe mbështetësve dhe punën tonë të palodhur, që të mbajmë se gjalli jo veç emrin tonë shqiptar por edhe traditat dhe gjuhën shqipe e identitetin kulturor shqiptar” shprehet për gazetën “Dielli” z.Mirsad Hasani. Ai ka lindur më 1975 në Besë, komunën e Tivarit, Mali i Zi. Rrugëtimin e jetës së tij ai e kujton kështu: “Në vitin 1992 nga lufta në Jugosllavi u largova me prindërit, vëllain dhe motrën për në mërgim.

Gjatë rezistencës për pavarësinë e Kosovës, mora pjesë në shumicën e demostratave që organizoheshin nga diaspora shqiptare këtu në New York ku vetëorganizoheshim ne disa miq nga “Besi” dhe krejt Muriqi bashkë me disa shokë kosovarë dhe u bashkangjiteshim demostratave për çlirimin e Kosovës nga okupimi Serb. Gjithashtu kam dhënë kontribut me të gjitha mundësitë e mia aq sa kam mundur për UÇK-në gjatë luftës në Kosovë. Tani me Shoqatën “Besi”, do të vazhdoj për mbështetjen e mbijetesës si komb shqiptar që të vazhdojë të valëvitet me krenari flamuri ynë kombëtar shqiptar në Amerikë. Mbarë kryesia e komiteti i Shoqatës “Besi” meriton nderim dhe respekt të thellë sepse pa ndihmen dhe përkrahjen e tyre nuk do arrihej kjo ditë e madhe për diasporën tonë” përfundon prononcimin e tij për gazetën “Dielli” z.Mirsad Hasani, Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës “Besi”.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com