Flamur Gashi: Roli i Diasporës Shqiptare në SHBA për çështjen kombëtare!

Drejtor per Çeshtjet e Rajonit dhe Diasporen ne Bordin e Drejtoreve te Keshillit te Ambasadoreve Shqiptare

Në kapërcyell të shekullit të kaluar mërgata shqiptare ishte promotori i Lëvizjes Kombëtare, së pari i Rilindjes sonë Kombëtare, e pastaj edhe i Pavarësisë së Shqipërisë së sotme zyrtare.

Mërgata jonë e fillim shekulli të kaluar janë në themelet e zhvillimeve kulturore dhe politike të kombit tonë, atëherë kur fatet e tij ishin në zgrip të ekzistencës.

Nga takimi me Mërgatën shqiptare të Rumanisë dhe me ndihmën financiare të tyre, Ismail Qemaili shkoi në Vlorë dhe ngriti flamurin e Skënderbeut si dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Po aty u shkrua edhe “Himni i Flamurit” nga Asdreni.

Mërgata shqiptare është në themelet e çdo vlere të lartë kombëtare që kemi sot, si në gjuhë, kulturë, arte, politikë dhe shtet-formim.

Pa rolin e Mërgatës shqiptare në botë, e kryesisht të mërgatës shqiptare në SHBA, sot fatet e kombit tonë do të ishin krejt ndryshe.

Qe nga themelimi i Organizatës Pan-Shqiptare “VATRA” dhe gazetës “DIELLI” (e cila dje kishte 114 vjetorin e themelimit), e deri në ditët e sotme të gazeta “ILLYRIA”, radiot dhe televizionet, si dhe mediat e tjera, shoqatat e organizatat shqiptare, klubet sportive dhe shkollat për mësimin e gjuhës shqipe, mërgata jonë në SHBA qëndron në ballë të lëvizjeve kombëtare.

Mërgata jonë botoi librat, gazetat dhe revistat e para në gjuhën shqipe, shkroi librat e parë për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeu, solli bandën e parë muzikore nga Amerika dhe krijoi grupin patriotik e kulturor “Lira” në Korçë, krijuan fondin e parë për shtetin e pavarur shqiptar, por ata erdhën dhe kapën armët në dorë për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Shqiptarët e Amerikës, në këtë vend të madh të lirisë dhe demokracisë, që nga shqiptari i parë i cili u vendos zyrtarisht në Shtete e Bashkuar të Amerikës në vitin 1889, Kolë (Nikola) Kristofori nga fshati Katund i Korçës, jo vetëm që u zhvilluan materialisht dhe ekonomikisht, por ata u bënë qytetar të denjë amerikan me kontribute të veçanta në të gjitha fushat e jetës. Ata morën pjesë edhe me armë në dorë në forcat ushtarake amerikane që nga Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Lufta në Vietnam, Irak, Afganistan dhe Siri, shumë prej tyre duke dhënë edhe jetën.

Shqiptarët e Amerikës u bënë emra të shkuar në gazetari, art, kulturë, mjekësi, avokati, shkencë e sporte, kohëve të fundit po angazhohen çdo ditë e më shumë edhe në institucione dhe politiken amerikane si, nobelisti Ferid Murati, Sejfi Protopapa, Nexhmije Zajmi, Skender Xhilaga, Sami Repishti, Nikolla Cako, Bardhyl Tirana, Isuf Luzaj, Qemal Butka, Nexhat Peshkëpie, Arshi Pipa, Van Kristo, Villiam Gregori, Vëllezërit Belushi, Sten Dragoti, Pjeter Malota, Nikolla Pano, Peter Prifti, Bill Kovaç, Rose Dosti, Eliza Dushku, Emine Cunmulaj, Toni Dovolani, dr. Rifat Latifaj, Dr.Sylejman Çelaj, vëllezërit Ylli e Ylber Bajraktari, i mirënjohuri Fadil Berisha dhe shumë të tjerë.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                              

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë strehë për patriotët shqiptarë të cilët përndiqeshin nga sistemi diktatorial komunist në Shqipëri dhe ai pushtues komunist në ish-Jugosllavi. Në SHBA gjetën strehë dhe zhvilluan veprimtarinë e tyre patriotike që nga Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Xhafer Deva, Ago Agaj, Luan Gashi, Rexhep Mitrovica, Vëllezërit Mulosmanaj, dr.Fuad Myftia, Xhemal Laçi, Jonuz Ndreu, Rasim Sina, Hysen Tërpreza, Ismet Berisha dhe shumë e shumë patriotë dhe veprimtarë të tjerë…

Në SHBA gjithashtu u vendosën shumë pjesëtarë të familjeve të njohura dhe të dëshmuara patriotike që ishin në kundërshti me sistemet komuniste në Shqipëri dhe në trojet e tyre nën pushtimin ish-Jugosllav, si familjet: Ndreu, Balaj, Mirakaj, Kupi, Gjonmarkaj, Dine, Kaloshi, Perolli, Mulosmanaj, Biberaj, Zherka, Bajraktari, Berisha dhe familje të tjera patriotike të dëshmuara…

Shqiptarët e Amerikës punuan natë e ditë për rrëzimin e sistemit diktatorial dhe demokratizimin e Shqipërisë, por edhe për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre amtare në Maqedoninë e Veriut, Medvegjë, Bujanovc, Preshevë e Mal të Zi, por edhe për të drejtën e kthimit të pronave të shqiptarëve dhe shtetësinë e tyre në Çamëri.

Një kontribut të veçantë në mbajtjen gjallë të frymës kombëtare dhe të mos asimilimit në kombe të tjera për shkak të fesë të njëjtë me to, në SHBA gjatë gjithë historisë sonë dhanë edhe komunitetet fetare që u organizuan nga mërgata jonë, si:

Komuniteti Orthodoks Shqiptar me prijësit fetar që nga, At Fan Noli, At Vani Çani, At Stefan Lasko e deri të vëllezërit At Nikon dhe At Artur Liolini.

Komuniteti Katolik Shqiptar me prijës fetar që nga Imzot Zef Oroshi, Imzot Rrok Mirdita,Dom Pengë Ndrevashaj, Dom Anton Kçira e deri të prijësit e sotëm të Kishës Katolike Shqiptare kudo në Amerikë si, Dom Pjetër Popaj e të tjerë.

Komuniteti Mysliman Shqiptar, që nga Salih efendi Myftiu, Rexhep Kumbarçe, Imam Isa Hoxha, Imam Vehbi Ismaili, e deri në ditët e sotme të Imam Tahir Kukaj dhe shumë drejtues të tjerë fetar kudo në SHBA.

Komuniteti Bektashi Shqiptar, me prijës fetar të shquar si, Baba Rexhepi, Baba Arshiu e deri në ditët e sotme të Baba Eliton Pashaj.

Të gjitha komunitetet fetare shqiptare në SHBA kishin në krye të tyre burra të zgjuar, besimtarë të denjë por edhe patriotë të vërtetë.

Një rol të veçantë në lidhjen shpirtërore dhe politike të shqiptarëve në gadishullin Ilirik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka luajtur ra dio“Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe, që nga themelimin e deri me sot.

Radio “Zëri i Amerikës” për shqiptarët kudo që jetojnë në trojet e veta etnike, ishte zëri i shpresës dhe i lirisë, zëri i së vërtetës. Nuk mund të mos i përmendim disa nga emrat e shquar të gazetarisë të “Zërit të Amerikës” që u bën pjesë e çdo familje shqiptare patriotike, që nga Nexhmije Zajmi, Elez Biberaj, Frank Shkreli, Shaqir Salihu, Isabela Çoçoli, Laura Kondo, dr.Faton Gashi, Idriz Lamaj,

Ilir Ikonomi, Vehbi Bajrami e deri në ditët e sotme të Arben Xhixho, Mirela Milori, Klejda Kostreci dhe shumë të tjerë.

Një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe po luajnë në prezantimin e realitetit që po ndodh në trojet tona gazetarët Beqir Sina, Halil Mulaj, Dalip Greca, Muhamet Mjeku, Sylejman Gashi, Hys Shkreli, Ruben Avxhiu, Rafael Floqi, Sokol Paja dhe të tjerë gazetarë të shumtë shqiptar në mediat në gjuhën shqipe dhe atë angleze, në dhjetëra gazeta online, portale, radio dhe televizione në gjuhën shqipe në të gjithë SHBA-në.

Roli i Mërgatës Shqiptare në SHBA, në 100 vjet të Marrëdhënieve diplomatike në mes të Shqipërisë dhe SHBA, por edhe në 15 vite të Pavarësisë së Kosovës, ka shumë emra të përveçëm të cilët me lidhjet e tyre personale krijuan miqësi të mëdha jo vetëm për vete por për të mirën e kombit tonë në përgjithësi.

Është rasti të përmendim disa nga emrat e përveçëm me kontribute të mëdha në ketë drejtim, si: Fan Noli, Faik Konica, Antonio Athanasi e deri në ditët e sotme si, Xhim Xhema, Harry Bajraktari, Elez Biberaj, Ekrem Bardha, arbëreshi Jozef Dioguardi, vëllezërit Osmani, vëllezërit Bytyqi, Rexhë Xhakli, Bruno Selimaj, Rrustem Geci, vëllezërit Gojçaj, Turhan Rusi me te bijtë (Sal, Ilirian, Benjamin), Ricard Lukaj, Bruno Ceka, Din Derti, Dino Hasanaj, Ramadan Gashi, Martin Shkreli, Ramiz Tafilaj, Skënder Perolli, Albert e Lui Fundo, Nazar Mehmeti, Ilir Zherka, Avni Mustafaj, Mark Gjonaj, Elmi Berisha, dhe shumë e shumë personalitete të cilët nuk po i përmendim të gjithë me emër, jo për shkak të rëndësisë së tyre, por për shkak të listës së gjatë të këtyre emrave dhe të kohës së shkurtër në dispozicion. Të gjithë ata kanë dhënë shumë për demokratizimin e Shqipërisë, pavarësinë e Kosovës, të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre etnike, si dhe lidhjet me kombin dhe shtetin amerikane.

Një rol të veçantë dhe të jashtëzakonshëm gjatë më shumë se një shekulli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka luajtur Organizata Pan-Shqiptare “Vatra” dhe veteranët pa përjashtim, që nga themelimi i saj nga Fan Noli e Faik Konica me shokë, kryetari i përjetshëm i nderit Antonio Athanas, e kryetarët e “Vatrës” në vazhdimësi deri të Agim Karagjozi, dr. Gjon Buçaj e kryetari i saj aktual Elmi Brerisha.

Për rolin e “Vatrës”, të gazetave “Dielli” e “Illyria”, si dhe të Lobit Shqiptaro-Amerikan, Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, si dhe dhjetëra organizatave, shoqatave dhe mediave të tjera duhet të mbahet një simpozium i veçantë shkencor që të mund të shterohet pjesërisht kontributi i tyre në SHBA, për çështjen kombëtare shqiptare.

Pa kontributin e emrave dhe organizatave të sipërpërmendura, si dhe qindra e mijëra shqiptarëve të tjerë të Amerikës, emrin shqiptar, Shqipëri dhe Kosovë, asnjëherë nuk do ta mësonin dhe nuk do të ishin kaq të informuar dhe të interesuar dhe dashamirës për fatet e kombit tonë, që nga Presidenti Wilson, senatoret dhe kongresment si, Bob Dole, Alfons D’Amato, Benjamin Gilman, Cak Shumer, Ted Kenedy, Eliot Engel e Tom Lantos, të dy Presidentet Bush, Presidentet Klinton e Baiden, sekretaret e shtetit Ollbrajt e Klinton, Gjenerali Klark, Ambasadoret Wolker e Wisner, e deri ne ditët e sotme të kongresmeni Torres. Si dhe shumë e shumë personalitete të tjera të rëndësishme të Kongresit, Senatit, Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit, Pentagonit, dhe në të gjitha nivelet e tjera të politikë bërjes, të sistemit të sigurisë dhe vendimmarrjes në SHBA.

Rezolutat e shumta në Kongres dhe Senat, qëndrimet e Departamentit të Shtetit, qëndrimet dhe veprimet e Ambasadorëve, Kongresmeneve, Senatoreve, Sekretareve të Shtetit e deri të Presidenteve të SHBA. Vizitat e Kongresmenëve dhe Senatorëve në Kosovë të udhëhequr nga miku i madh i kombit tonë Robert Dole, vizita e Sekretarit të Shtetit Xheims Bejker, e deri të vizita e Presidentit Xhorxh W. Bush në Tirane, që solli lajmin e madh se më në fund është koha që, Kosova të jetë shtet i pavarur (enough is enough), në themel e kanë kontributin e madh të shqiptarëve të Amerikës e në ballë të kësaj pune çdoherë ishte patrioti i madh dhe i dëshmuar nga Tupalla e Medvegjës, z. Xhim Xhema.

Dëshmia më e freskët dhe kuptimplote e kontributit të mërgatës shqiptare të Amerikës për çështjen kombëtare është pjesëmarrja në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftërat e fundit që ndodhën në trojet tona. Shqiptarët e Amerikës jo vetëm që kontribuuan materialisht dhe financiarisht, por ata ishin pjesëmarrës aktiv në luftën e UÇK-së me Batalioni “Atlantiku”, ku dhanë edhe dëshmorë si vëllezërit Ylli, Mehmet dhe Agron Bytyqi.

Siç nuk imagjinohej dot fati i kombit tonë në kapërcyell të shekullit të kaluar, atij XX-të, as sot nuk konceptohet e sotmja dhe e ardhmja jonë pa kontributin e mërgatës sonë kombëtare.

Pa rolin parësor dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk do të kishim Shqipëri të pavarur, demokratizim të Shqipërisë në vitet ’90-të as anëtarësim në NATO, nuk do të kishim as çlirim dhe pavarësi të Kosovës dhe njohjen e saj nga shumica e shteteve të botës demokratike. Për të gjitha këto si djepër lidhjet e thella dhe miqësore me popullin dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thellësisht mirënjohës duhet ti jemi mërgatës sonë.

Presidenti historik i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova thoshte: ”Shtëpia nuk mbahet pa miq…”.

Shqiptarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më së miri e kanë dëshmuar dhe vërtetuar më vepra ketë gjë.

Check Also

Marko Kepi nis fushatën për Senatin e Nju Jorkut Mbështetur nga Përfaqësuesit Republikanë në Bruklin

Rafaela Prifti Marko Kepi shpalli publikisht kandidaturën e tij si republikan për Senatin e shtetit …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com