Federata “Vatra” dhe gazeta “Dielli”, nderim e mirënjohje veprës së Dr. Elez Biberaj

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA” dhe gazeta “Dielli” shprehin mirënjohjen më të thellë dhe vlerësimet më të larta për ikonën e gazetarisë shqiptar-amerikane Dr.Elez Biberaj me rastin e daljes në pension.

Federata “VATRA” dhe gazeta “Dielli” e kujtojnë me shumë respekt bashkëpunim e shkëlqyer në dekada me Dr.Biberajn në aktivitete shkencore, kulturore, komunitare e atdhetare dhe i shprehin falenderim të përzëmërt se “Zëri i Amerikës” ka qenë një derë e hapur për “Vatrën” e “Diellin” në çdo kohë.

Gjate karrierës së tij të gjatë dhe të sukseshme me 43 vite veprimtari, z.Biberaj i dha jehonë çështjes kombëtare në ndërgjegjësimin ndërkombëtar dhe njohu Shtetet e Bashkuara e opinion publik mbi gjëndjen, vuajtjen e persekutimin e popullit shqiptar, klerit dhe elitës intelektuale shqiptare në regjimin diktatorial.

Dr.Biberaj me kontributin e tij mediatik, atdhetar e patriotik la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të shtetit e kombit shqiptar dhe mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Profili i lartë i Dr. Biberajt si një intelektual i shquar ndërkombëtarisht, si gazetar e drejtues profesionist, si studiues e hulumtues në shkencat politike e media, për më shumë se katër dekada karrierë, lartësoi kauzat shqiptare anembanë botës. 

“Zëri i Amerikës” ka qenë zëri i lirisë, i demokracisë, i shpresës, i dritës, i së mirës, i frymëzimit, i së ardhmes për shqiptarët që vinte në trojet shqiptare të robëruara prej komunistëve, nëpërmjet zërit e penës së Dr. Elez Biberajt.

Integriteti i lartë, profesionalizmi i spikatur, ndershmëria dhe pasioni e bënë Dr. Biberajn frymëzim, model dhe orientim për çdo gazetar shqiptar.

Veprimtaria e Dr. Biberaj për ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, demokratizimin e institucioneve e shoqërisë shqiptare, pavarësinë e Kosovës, lartësimin e kombit tonë e lidhjen organike të mërgatës shqiptare me shoqërinë dhe institucionet amerikane, janë një shërbim i madh që i ka bërë kombit shqiptar.

Z.Biberaj është kontributor i artë në panteonin e burrave të mëdhenj të kombit tonë.

I dashur dhe fort i çmuar Dr.Elez Biberaj

Mirënjohje të thellë për çdo gjë që i ke dhënë komunitetit shqiptar, komunitetit mediatik, miqve e secilit profesionist që ka pas fatin të punojë ngushtë me ty.

Ka qenë privilegj i veçantë miqësia e bashkëpunimi i frytshëm.

Kombi dhe të gjithë ne do të jemi përherë mirënjohës.

Zoti të dhashtë shëndet të fortë, jetë të gjatë e lumturi familjare.

Me mirënjohje të thellë

Kryetari i “Vatrës”

Elmi Berisha

Editori i “Diellit”

Sokol Paja

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com