Federata Panshqiptare Vatra – Një busullë orientuese në gjithë turbullirat e kohëve

Federata Panshqiptare VATRA në Nju Jork u bë të enjten epiqendra e “JAVËS KULTURORE SHQIPTARE NË SHBA”, e cila mblodhi rreth vetes një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh që kishin ardhur për të ndjekur nga afër promovimin e tri veprave të botuara nga ITSHKSH: “Shkupi, vetë historia e Kosovës” – S. Asani, M. Prishtina, A. Ramaj; “Bisedime mbi -Historin bujqësore të Shqipnis-“ Eqrem bej Vlora; “Propozime për drejtshkrimin” I-II.

Për të shprehur mirënjohjen e sinqertë ndaj drejtuesve të VATRËS, dhe sidomos ndaj kryetarit të saj z. Elmi Berisha, për organizimin e këtij aktiviteti mbresëlënës, nuk mjaftonin vetëm fjalët, andaj në mënyrë simbolike deshëm të përkujtojmë vatranët se librat ishin ato që zgjuan shqiptarët nga letargjia shumëshekullore, duke i dhuruar tri veprat e sipërpërmendura z. Berisha, si shenjë e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj kauzave sublime që i kemi trashëgim nga rilindësit tanë.

Komuniteti shqiptaro-amerikan ishte me fat që pati një busullë orientuese në gjithë turbullirat e kohëve. Ishte Federata Panshqiptare Vatra, organizimi më jetëgjatë i shqiptarëve në të dyja anët e Atlantikut, e themeluar në vitin 1912, e cila në të kaluarën pati si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si dhe lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës. Por edhe aktualisht Federata Panshqiptare Vatra nuk është zhveshur nga petku i misionit të shenjtë, sepse ajo vazhdon të prodhojë unitet brendakombëtar dhe interaksion komunkimi e bashkëpunimi me institucionet amerikane dhe përfaqësuesit e ndryshëlm të jetës civile në SHBA.

Jam i lumtur që bashkë me kolegët e mi nga ITSHKSH u bëmë dëshmitarë të një entusiazmi të pashoq që u krijua në mbrëmjen e së enjtes në Nju Jork, ku nuk mungoi interesimi i bashkatdhetarëve tanë për punën tonë hulumtuese-shkencore dhe për vizionin tonë mbi të ardhmen e botës shqiptare. Ky interesim burimin e kishte tek vetdija e formuar e mërgatës sonë për rolin që kishte dhe që ka aktualisht në nxitjen e proceseve ndërgjegjësuese të botës shqiptare, kudo ku ndodhet ajo, pikërisht ashtu siç vepruan një shekull më parë viganët e mendimit dhe veprimit shqiptar Fan Noli, Faik Konica, që njëherësh ishin edhe themeluesit e parë të Federatës Panshqiptare – Vatra.

Mesazhi më kuptimplotë që doli nga ky takim në Federatën Panshqiptare – Vatra ishte ideja se civilizimet kanë gjithmonë nevojë për transformime të brendshme, kurse e përbashkëta e këtyre transformimeve është absorbimi i vlerave pozitive univerzale dhe shpërndarja e përvojave më të mira në tejkalimin e keqkuptimeve e mosmarrëveshjeve të natyrave të ndryshme.

Faleminderit vatranë që na bëni krenar me të qenit shembull i atdhedashurisë edhe atëherë kur atdheu nga hallet e shumta ju harron t’iu shpreh mirënjohje institucionale për kontributet tuaja kolosale! 

Nju Jork, 22 shtator 2022

Prof.dr. Skender ASANI – drejtor i ITSHKSH në Shkup

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com