Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dhe fushata për shpëtimin e Shqipërisë

Dr. Paulin Marku

Federata Pan-shqiptare e Amerikës “Vatra” u themelua në vitin 1912 falë bashkëpunimit të disa intelektualëve shqiptarë për bashkimin e disa shoqërive shqiptare nën ombrellën e një Federate Pan-Shqiptare të Amerikës. Që nga themelimi i saj, e në vazhdim zgjeroi veprimtarinë atdhetare në mbështetje të çështjes kombëtare shqiptare. Federata “Vatra” ishte e interesuar dhe i ndoqi me interes të madh Konferencën e Londrës dhe të Parisit si dhe nuk rreshti për të dhënë kontributin e saj dhe për të ndriçuar shqiptarët dhe të huajt që të përkrahej kauza shqiptare. Në konferencën e Londrës (1913) dërgoi në Evropë përfaqësues të vetin që të merrte kontakte me diplomate, politikan dhe me shtypin e kohës. Situata politike në Shqipëri ndiqej vazhdimisht me interes nga vatranët dhe me përpjekje të vazhdueshme për të bashkëpunuar për atdheun.

Nisma e vitit 1917 për mbledhjen e fondeve në mërgatën e Amerikës ishte një gur themeli në vendosmëri të plotë të harmonizimit të veprimtarive patriotike. Kol Tromara ishte kryetar i Vatrës. Ai i drejtohen të gjitha shoqërive shqiptare në Amerikë një thirrje për të kontribuar në fondin për shpëtimin e Shqipërisë. Letra mban datën 21 maj 1917, Boston “Letër qarkore për të gjithë Degët e Federatës dhe për të gjithë shoqëritë shqiptare fshatare, fetare e patriotike”, nga ku i drejtohej shqiptareve dhe informonte se vendimi i komisionit u mbyll me sukses dhe u arrit në përfundim që e diela, më 3 qershor 1917, të emërohet Dita e Shpëtimit të Shqipërisë dhe ftonte të gjithë shqiptaret të ndihmojnë me krejt forcën e tyre që të mblidhen një shumë prej 40.000 dollarësh, që do të përdoren për shpëtimin e atdheut. Dokumenti i kryetarit Kol Tromara shpjegonte mënyrën si do të administrohen të hollat e mbledhura nga iniciativa e Vatres. Ai pohonte se në kuvend do të diskutohen të gjitha çështjet që janë të lidhura me gjendjen në atdhe dhe mënyra si do të investohen të hollat e mbledhura. Qëllimi kryesorë ishte “për të mbrojtur të drejtat tona, për të fituar një Shqipëri të lirë dhe të madhe, për të organizuar atdhenë tonë pas çlirimin”.

Mbledhja e 20 maj 1917 u hap pas dreke dhe u lexuan raportet e mbërritura në adresë të Vatrës. E para që u lexua para të pranishmëve ishte raporti i Mehmet Bej Konicës. Pastaj vijoi leximi i letrës së dr. Mihal Turtulli dhe dhurata e tij monetare, si nisje e një arke për të përmbajtur një komitet sipas propozimit të delegatëve.

Komisioni mirëpriti raportet e dërguara dhe shprehu falënderim për dhuratën monetare. U hapen bisedimet për detyrën që kanë shqiptarët e Amerikës përpara atdheut në një kohë mjaft kritike që gjendej Shqipëria.

Vendimi i mbledhjes ishte sa më poshtë vijon, Botuar në Kalendarin e Vatrës të motit 1918, Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës “Dielli”, 1918, f. 62.

Të caktohet e diela, 3 qershor, si dita e shpëtimit të Shqipërisë, për të mbledhur shumën prej 40.000 dollarësh të këshilluar prej dr. Mihal Turtullit.

Të ftohen të gjitha Degët e Federatës me anëtarët e tyre, të gjitha shoqëritë shqiptare të veçanta, të gjitha shoqëritë fetare kombëtare dhe gjithë shqiptarët, të organizojnë mbledhje këtë ditë dhe të japin ndihmë e tyre sa më të madhe për shpëtimin e atdheut.

Të ftohen të gjitha gazetat dhe rivistat shqipe të bashkëpunojnë për të mbaruar këtë vepër e cila do t’i nderojnë në syt’ e botës dhe në syt e Shqipërisë atdhetarët e Amerikës dhe do t’u japë një vend në historinë e Përlindjes kombëtare.

T’u lutemi atdhetarëve tanë të ndihmojnë me 10$ e sipër, në duam që të mblidhet shuma e këshilluar prej dr. Turtullit, dhe të bëhet një punë me të vërtetë serioze me rëndësi.

Pikat kryesore të programit me të cilin do të organizohet dhe do të veprojnë Komiteti i Shpëtimit të Shqipërisë janë këto:

Hëpërhë, delegati ynë Mehmed Bej Konica, me bashkëpunim e dr. Turtullit, të marrin masa për të organizuar këtë komitet në bashkëpunim me shqiptarët e Amerikës.

Si shokë të delegatit tonë, të propozohen për votim në kuvend disa atdhetarë të provuar dhe të zotë.

Puna e komitetit do të jetë të sigurojnë një Shqipëri me kufirit e saj etnografikë në Konferencën e Paqes dhe, pas paqes, të organizojnë një parti kombëtare për të mbrojtur atdhenë nga antikombëtarët dhe reaksionarët e brendshëm.

Hollësitë e organizimit si dhe pjesëtarët e komitetit të shtrohen dhe të vendosen në kuvendin e afërm.

U vendos që këto rezoluta t’i telegrafohen delegatit tonë me anën e z. Aubrey Herbert.

U lutemi të gjithë atdhetarëve të vënë tërë forcën e tyre që të dalim faqebardhë.

Kryetari, Kol Tromara Kontrollorët: Emin Bilibashi,

Sekretari, Loni Kristo Xhevat Haxhi, Aqif Përmeti, Fan S. Noli

Një artikull i Bahri Omarit shkruan për ditën e 3 qershorit 1917 e cila hyri në historinë si dita e shpëtimit të Shqipërisë, shkruante më 23 maj 1917 sa më poshtë: “Shqiptarët e Amerikës janë shpresat e Shqipërisë e cila, në lëngim dhe me vuajtje, pret një ndihmë, një ilaç të fortë nga djemtë e saj që të fitojnë shëndetin e duhur. S’ka njeri të ketë guximin t’ua mohojnë theroritë shqiptarëve të Amerikës. Po koha është e kritikueshme dhe, përveç ndihmave që kemi bërë, është nevoja për një ndihmë si ajo që na propozojnë të mëdhenjtë tanë dhe na e parashtron Komisioni i “Vatrës”. Ndihma që do të bëjmë këtë radhë është e lidhur drejt për drejt me shpëtimin e Shqipërisë dhe prandaj komisioni vendosi t’a quajnë të dielën 3 qershor që u caktua për këtë qëllim “Dita e shpëtimit të Shqipërisë”.

Nuk do të ketë shqiptar, besojmë, që të mos ketë rrotulluar në përfytyruar e tij ëndrra të bukura të ëmbla atdhesore, se si të ishte i pasur dhe t’i jepte më të shumën e pasurisë së tij për shpëtimin dhe lulëzimin e Shqipërisë.

Çdo atdhetar e ka përfytyruar doemos ëndrrën e tij, të cilën ndofta e quante të parealizuar nga pikëpamja personale. Po nga pikëpamja shoqërore nuk është kurrë një gjë e parealizuar; një tok që nuk mund t’a bëjnë një dorë, e mbarojnë me njëherë duar të shumta. Detyra dhe nderi që na ka varur më qafë Shqipëria neve të Amerikës, është se përbëjmë një shumicë të madhe, ku mund t’a përballim çdo therori.

Shqiptarë!

Ne duam në këto çaste kritike të lozim rolin e madh historik që kemi për barë, le t’a bëjmë, si e bënë patriotët francezë, duke zbrazur qeset tona për hir të atdheut; le të japim edhe neve si kundër dhanë francezët unazat dhe sahatet e vyera.

Neve as na prish as na ndreq, ose një javë ose dy, qoftë edhe një muaj rogë; po Shqipëria me të përmbledhurit e atyre ndihmave nga çdo atdhetar, do të shohë një fitim të madh, do t’i bëjnë ballë çdo rreziku. Nga financa varet çdo gjë.

Të përpiqemi me gjithë fuqi të mbledhim fishekë për t’u bërë ballë armiqve të kombit si të jashtmëve ashtu edhe të brendshmëve.

Të japim shqiptarë! Të japim që të marrim Shqipërinë!(Kalendari i Vatrës i motit 1918. E botoi Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi i Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës “Dielli”, 1918, f.65-66.) Bahri Omari.

Fushata e mbledhjes së fondeve ishte për lobimin e mbrojtjes së kauzës shqiptare. Por sipas materialeve të kohës rezulton se thirrje e kuvendit të 3 qershorit 1917 ishte deleguar në të gjithë Amerikën kudo kishte komunitet shqiptar. Kuvendi i Federatës “Vatra” e shpallte këtë thirrje të gjithë Degëve, kolonive, shoqërive kombëtare, fetare dhe fshatare dhe gjithë shqiptarëve. Citoj dokumentin e botuar nga “Vatra” në gazetën “Dielli”, 1918 ““Shqipëria është rrethuar prej armiqsh që duan t’a copëtojnë. Shpëtimin e saj e pret vetëm nga bijtë’ e saj fisnikë të Amerikës. Asnjë i huaj s’mund të na i japë lirinë dhe independencën, të cilat duhet t’i fitojmë me duart tonë, me djersën tonë, me gjakun tonë dhe me delegatët tanë të zgjedhur lirisht me zërin e popullit. Ndihi pra të gjithë me sa mundni e me sa nuk mundni.

Mos dëgjoni fjalët e gabuara të njërit a të tjetrit, po dëgjoni zërin e delegatëve tuaj të besuar që dërguat në Kuvendin e Federatës suaj të madhe.

I pamë punët e delegatit tonë Mehmed Bej Konica; i gjetëm të mira me një zë dhe prapë me një zë vendosmë t’i japim dy shokë të tjerë, dr. Turtulli dhe Nikoll Kasneci. Jemi të bindur që këta delegatë do të bëjnë detyrën e tyre po t’u japim armë të mira edhe sa t’u duhen.

Ndihmoni pra pa kursyer që të shpëtojmë Shqipërinë nga mjerimet dhe t’a trashëgojmë për veten tonë dhe për bijtë tanë, dhen’ e lavdëruar të Skënderbeut. Jepni qesen dhe shpirtin për Shqipërinë’ e lirë dhe të madhe, o burrani!

Chairman-i, Hasan Bitincka.

Sekretari, Ndreko Stavro

Komisioni: Kol Tromara, Loni Kristo, Fan S. Noli, Xhevat Harxhi, Aqif Përmeti, Emin Bilibashi.

Delegatët: Bahri Omari, Kostaq Leçishti, Mina Grameno, Spiro K. Lubonja, Josif Pani, Iljas J. Përmeti, Stire Luka, Shefki Aliko, Mustafa S. Leshnja, D. J. Tushemishti, Foto Dukati, Koto Trebicka, Vangjel Spiro, Qani Bilishti, Sadik Duro, Misto Papa, Vangjel Miller, Duro Tabaku, Niço V. Grabocka, Marko Adams, Veli Hashorva, Matto Tasi, George Luarasi, Anglelo Sotir, Kol Rodhe, Stadhi Suli, Hajrulla Starja, Maliq Picari, Lambi Kreshpani, Andrea Kristo, Shefqet Frashëri, S. Blushi, Kostë Çekrezi, Adem Vishovica, Faik Babani.” (Kalendari i Vatrës i motit 1918. E botoi Federata Pan-Shqiptare “Vatra” e Amerikës. E editoi i Për. At Fan S. Noli, Boston, Mas: Shtypur në shtypshkronjën e gazetës “Dielli”, 1918, f.68.)

Shqiptarët e diasporës iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Vatres për të mbledhur të holla për Çështjen Kombëtare Shqiptare. Ata shfaqeshin të interesuar për të dhënë kontributin e tyre financiar. Sipas gazetës “Dielli” çdo atdhetarë që dëshironte të ndihmonte duhet që kuota e pjesëmarrjes të fillonte me 10 $ e sipër, në mënyrë që të realizohet me sukses qëllimi i tyre.

Në letrën e dr. Turtullit, botuar në gazetën “Dielli”, maj 1917, shkrimi i tij hapej me titullin “Çlirimi dhe e ardhmja e Shqipërisë varet nga shqiptarët e Amerikës”. Shkrimi i tij ishte mjaft frymëzues dhe flet me konsideratë të madhe për shqiptaret e Amerikës, citoj: Perëndia na zgjodhi ne, shqiptarët e Amerikës, si shpëtimtarë të Shqipërisë. Shqipëria e pret shpëtimin dhe sigurimin e saj nga ne”. Ai shtonte se duhet të dërgohen delegatë në Evrope për të mbrojtur të drejtat kombëtare. Delegatët duhet të merrnin pjese në konferencën e Paqes dhe të kërkonin një Shqipëri të lire me kufijtë e saj etnografikë. Por, për të nisur këtë proces kërkohej para, ku sipas dr. Turtullit duhej 40.000 dhe ai do të e ishte një nder ta që do të jepte edhe ndihma monetare për këtë nismë.

Kur komisioni i “Vatres” lexoi letrën e dr. Turtullit dhe mori ndihmën financiare dërduar nga ai, të gjithë u mallëngjye dhe iu përgjigjën një zëri: “Në qoftë se Shqipëria na kërkon 40.000 dollarë për shpëtimin e saj, do të përpiqemi t’i mbledhim këto pará dhe do të nisim pa humbur kohë që sot! Kështu e do nderi dhe detyra e shqiptarëve të Amerikës”. Mbahu nëno mos ki frikë

Se ke djemtë n’Amerikë!

“Në qoftë se fati i saj varet nga ne, Shqipëria do të çlirohet e do të trashëgohet”. (Shkrimi i referohet gazetës “Dielli” 1918, f.63-65)

Ne relacionin e Komandës së ushtrisë italiane, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Romë, 12 gusht 1917, Ushtria M. Italiane – Komanda e Lartë – Shërbimet e informacionit – Seksioni “R” Nr. 7392/S i prot. Tepër rezervat përshkruhet aktiviteti i shqiptareve të Amerikës. Në vijim të materialit informonte se shqipët e Amerikës për qëllime të çështjes kombëtare duan të dërgojnë një delegat në Konferencën e Paqes dhe kanë mbledhur një shumë prej 40.000 dollarësh vullnetarisht. (Ministero degli Affari Esteri, Archivio degli affari politici, Serie ordinaroi e di gabinetto (1915-1918), Albania Pacco 1, në dokumentet “Vatra dhe shqiptarët në Amerikë”, Dokumente historike I, 1912-1944, Beqir Meta, Hasan Bello, Prishtinë 2022.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com