Familja Dërralla dhe ministri i parë i shtetit shqiptar

Prof. Asc. Dr. Gëzim MUSTAFAJ

Ngjarjet e mëdha historike si Traktati i Shën Stefanit të 3 Marsit 1878 ( Marrëveshja midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane), Lidhja e Prizrenit e 10 qershorit 1878 si dhe Kongresi i Berlinit më 13 qershor 1878 kishin përfshirë edhe një familje me tradita si ajo Dërralla nga fshati Gradec i Gostivarit. Emrin e kesaj familjeje e kish bërë të njohur, Kurt Dërralla, traditë të cilën e ngriti më lart, Hasan Dërralla,

Hasan Dërralla, në krye të një ushtrie nga viset e Tetovës, i rrethuar nga bashkatdhetarë të tij, shumë prej të cilëve gradecarë, mori pjesë aktive në mbrojtjen e krahinave shqiptare të Plavës e Gucisë, të cilat Kongresi i Berlinit ja aneksonte Malit të Zi. Trimërive të Hasan Dërrallës i ka kënduar edhe poeti Gjergje Fishta në këngën e 9 të Lahutës së Malësisë.

Në këtë rrugë trimërie dhe atdhedashurie ecën edhe i biri i Hasanit, Mehmet Pashë Dërralla. Ai lindi më 1843 në Gradec të Gostivarit. Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup. Pas shkollimit në vendlindje, ai ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Pas diplomimit do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadoll dhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekur shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi.

Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin atë që në moshën 35-vjeçare të merrte titullin “Pasha”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. I graduar kështu me gradën më të lartë të kohës do të niste nga detyrat e reja që do t’i besonte komanda e lartë, fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halepo të Sirisë për t’u transferuar më tej në Selanik, i cili në atë periudhë përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan. Prej Selanikut Mehmet Pashë Dërralla, do të merrte emërimin në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij, në Shkup për të vijuar më vonë në funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë edhe Tetova, Gjakova dhe Luma. Pikërisht me këtë detyrë gjeneral Dëralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i Ushtrisë Osmane.

Kryengritësit shqiptarë, tashmë tronditën tërë mjedisin ballkanik, në të cilin faktori shqiptar filloi të bëhej dominant. Në fokusin e lëvizjes së tyre u vendos në këtë periudhë shpërfillja e hegjemonizmit të shteteve fqinje siç ishte, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, të cilat prej kohësh investonin për strategjinë e tyre që kishte të bënte me mohimin e ekzistencën e kombit shqiptar, në mënyrë që të zgjeronin territoret e tyre.

Në zanafillën e shtetit të ri shqiptar, me Kuvendin e mbledhur në Vlorë e në të cilin morën pjesë përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali, ishte Mehmet Pashë Dërralla, i propozuar në këtë post të lartë nga Isa Boletini. Në shumë dokumente arkivore të kohës, Dërralla quhej dhe Kalkanderi, emër i Tetovës ku ai kishte lindur. Gjenerali i ri, Mehmet Dërralla, në kulmin e karrierës së tij, hoqi uniformën osmane të pashait, për të mos e veshur më kurrë gjatë gjithë jetës së tij, sepse ishte vënë në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ai u emërua këshilltar i njërit prej udhëheqësve popullorë të Lidhjes Shqipatre të Prizrenit, Sulejman Vokshit. Mehmet Derralla së bashku me babanë e tij ishin në vijën e parë të frontit të luftës për liri. Babë e bir treguan gatishmëri të lartë për të sakrifikuar gjithçka për idealet kombëtare shqiptare.

Lidhja e Prizrenit u shtyp, por Mehmet Dërralla nuk hoqi dorë nga idealet e tij. U aktivizua përsëri në Lidhjen e Pejës, nën drejtimin e Haxhi Zekës. Atë e internuan në Bagdad për t’i prerë çdo mundësi kontakti me Shqipërinë.

Kryengritja xhon-turke e vitit 1908, që u pasua nga një amnisti e përgjithshme, i dha mundësi Mehmet Pashës të rikthehej në funksione të larta në ushtrinë osmane. Në Stamboll mendonin se ai do ta mirëpriste rehabilitimin dhe riveshjen e uniformës së gjeneralit osman. Pasi ai kishte dështuar dy herë,(Lidhjen e Prizrenit dhe Lidhjen e Pejës), tani ishte rasti që ai të mendonte, më në fund, edhe për veten e familjen e tij, për të ardhmen e tij dhe për një jetë të qetë e të lumtur. Mirëpo për çudinë e shumë turqve dhe të pak shqiptarëve që nuk e njihnin sa e si duhet, Mehmet Dërralla refuzoi duke dhënë përgjigjen e tij; -“U jam mirënjohës për bamirësinë, por tani i takoj tjetërkujt”.

Ai refuzoi, sepse fatet e Shqipërisë i qenë njësuar në vetëdije me fatet e tij. U kthye në Atdhe me po atë vendosmëri të viteve të stuhishme të dy lidhjeve historike shqiptare që mbetën vetëm si gurë kilometrikë udhërrëfyes drejt pavarësisë. E presin triumfalisht në vendlindje pas një mungese të gjatë gati dhjetëvjeçare. Ai ishte bërë i njohur edhe në qarqet më të larta të Europës. Emri i tij qe cituar edhe nga ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, konti Bertoldt, për të cilin; “Mehmet Pashë Dërralla qe një burrë me kulturë të gjerë dhe ndjenja të pastra kombëtare”.

Në vitet 1908-1912 shtëpia e Derallave, në Tetovë do të kthehej në një çerdhe shqiptarizmi. Mehmet Pasha dhe i biri Halimi ishin kurdoherë në krye të lëvizjeve të mëdha atdhetare, duke dhënë ndihmesë jo vetëm me trimërinë dhe guximin, por edhe me pasurinë e tyre. Të dy së bashku do të prisnin e do të përcillnin në shtëpinë e madhe në Tetovë, trimat patriotë e atdhetarë si Sali Gjukën, Bedri Pejanin, Bajram Currin, Isa Boletinin, Mit’hat Frashërin, Hamdi Ohrin, Hoxhë Vokën e dhjetra atdhetarë të tjerë nga krejt viset etnike shqiptare. Ata do të merrnin pjesë në Kuvendin e Junikut e në fillim të viteve 1912, do të komandonin çetën e parë të luftëtarëve tetovarë, e cila mori armët për t’u bërë ballë sulmeve turke dhe atyre serbo-bullgare. Mehmet Dërralla ishte një nga organizatorët më në zë të kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912. Lufta Ballkanike e monarkive të gadishullit kundër Perandorisë Osmane kishte objektiv kryesor pushtimin e trojeve shqiptare. Mali i Zi, Serbia, Bullgaria dhe Greqia ishin të interesuara të mohonin ekzistencën e kombit shqiptar, për të realizuar aneksimin e trojeve shqiptare. Në këto ditë të vështira për jete a vdekjeje për shqiptarët, Mehmet Dërralla përkrah atdhetarëve të shquar, ishte ndërmjet radhëve të para që u ngritën në këmbë për mbrojtjen e tokave shqiptare dhe çlirimin e vendit nga robëria 500-vjeçare osmane. Gjenerali Mehmet Dërralla, në luftimet e ashpra me serbët, arriti t’i mbajë trupat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi. Një bllokim i tillë krijoi terrenin e domosdoshëm, siguroi kushtet historike për ngjarjen e madhe të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912.

Me Shpalljen e Pavarësisë dhe formimin e qeverisë së parë të Shqipërisë së pavarur, kryeministri Ismail Qemali , mbështetur në meritat, kapacitetet profesionale dhe atdhedashurinë e zjarrtë të Mehmet Pashë Dërallës i ofroi postin e ministrit të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. U formua Ministria e parë e Mbrojtjes që quhej Ministria e Luftës. Ministri i parë i luftës ishte Mehmet Pashë Dërralla. Kjo Ministri kishte një efektiv që përbëhej nga disa oficerë shqiptarë të ish ushtrisë turke, nënoficerë dhe popull të armatosur. Si detyrë kryesore këto forca kishin të organizonin mbrojtjen e qytetit të Vlorës ku ndodhej qeveria e sapo formuar dhe ta mbronte atë nga çdo lloj rreziku. Mehmet Pashë Dërralla, u emërua Ministër i parë i Luftës, në bazë të mbledhjes së pestë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, sipas votave të fituara. Nga verifikimi i bërë në seancën e pestë, e cila filloi më 3 dhjetor dhe zgjati deri më 4 dhjetor, kur u bë votimi për ministra, nga 63 delegatë të pranishëm ishin 57, vend i tretë i takoi gjeneralit Dërralla me 42 vota, pas Luigj Gurakuqit e Mufid Beut.

Foto: wikipedia.org

New York Nëntor 2023

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com