Faik Konica, shqiptari i ditur, reagues kurajoz dhe polemisti i ashpër

Faik Konica ishte një nga personalitetet më unike të historisë së mendimit shqiptar. Universi i tij i papërmasshëm i dijes dhe reagimit, shënuan në kujtesën e kohës kreshtën më të lartë të zotërimit të mendjes së dritur dhe shpirti të trazuar. Bota përcillte te Konica një shqiptar i përmasave të pakonkurrueshme e shumëdimensional.

Ai, i madhi Faik Konica, ai, pendëmprehti e gjuhëhidhuri, i shumëdituri e i shumëakuzuari, atdhetari i madh dhe fshikulli më i pamëshirshëm ndaj vulgut dhe trandjeve. Ai që guxoi si pakkush të thoshte disa të vërteta që shndrisin edhe sot në vetëdijen e çdo mendjeje të kthjellët dhe vullnese për të pranuar dhe kuptuar pa qenë i magjepsur nga pathosi dhe folklorizmat nacionaliste. Ai që edhe pse në shumë raste e tejkaloi sensin e masës dhe bëri jo pak armiq që e luftuan dhe i’u hakërryen, mbeti i pashembullt në llojin e tij, në të drejtën për të mendur dhe kumtuar mendjehapur. Ai që ndërtoi një figurë emblematike të shqiptarit në botë dhe e përfaqësoi atë me vetveten e tij dinjitoze. Ishte ai që i dha një dimesnion perëndimor botkuptimit të këtij nacionaliteti duke shembur kështu mure të larta anatemimi që një hordhi dashakëqinjsh kishin ngritur për këtë rracë vitale, për këto njerëz trima dhe finsikë.

U keqkuptua në shumicën e herëve. Fjala e tij gjeti më shumë zëra për ta mbytur se sa veshë për ta dëgjuar dhe kureshti për ta nxënë. Kishte vendosur të ishte një fenomen, të kishte të drejtë edhe kur shumëkush ishte i pakënaqur me të dhe më çfarë ai kishte thënë dhe shkruar. Por ajo që mund të thuhet sot, është ajo që lejon secilin ndër ne të ketë një bindje vetiake për Faik Konicën. Gjithqysh analiza e tij për shqiptarët është nga më të arrirat. Në fondament qëndron përkufizimi, i cili ka vërenjtur shumë fytyra, ka hidhëruar shumë gjuhë, ka kthyer shumë koka mënjanë, por ai mbetet: “Nëse ka kush që do t’i bëjë keq Shqipërisë, janë vetë shqiptarët”, kësisoj është shprehur ai në një nga rravgimet e tij cinike.

Do të mbahet mend si një nga shërbestarët më të veçantë të çështjes kombëtare shqiptare. Kujtojmë këtu rolin që ai luajti në një moment kapërcyelli historim për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Na bëri me flamurë dhe idealet e larta të legjendarit Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu. Përmes “Albania” na dhe një zë të fuqishëm për kushtrimin shqiptarë në botë. Faktorizoi çështjen kombëtare përmes zërit dhe vullnetit të shqiptarëve të Amërikës nëpërmjet “Vatrës” dhe driti me “Dielli”-n në rolin e tij kombëtar.

“Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar më qartë në këtë dhe. Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë. Kam lënë menjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pa jetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri” ishin këto fjalët e fundit që tha, ishte ky amaneti që la i madhi Faik Konica në çastet agonike.

U lind me 15 mars i vitit 1875. Më 15 dhjetor të vitit 1942 ndali zemra e “njeriut me kulturë të lartë” siç mëton për të Fan Noli, “enciklopedia shëtitëse”, siç preferoi ta cilësonte erodicionin e tij Apolineri. Faik Konica ishte ndër personalitete shqiptare kontributi dijetues i të cilit kaploi më të epërmet maja.

Konica ishte një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare, por edhe i mendimit dhe vizionit politik. Prozator dhe poet i kalibrit ndërkombëtar, publicist dhe estetit i një shprehjeje të thellë dhe të rafinuar krijuese, kritik letrar dhe përkthyes rreptësisht korrekt dhe i pamëshirshëm. Ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar, duke vendosur kështu një standard. Njeri me dituri të madhe si një fenomen, me dhunti artistike plot sqimë dhe thellësi, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe dhe gardian i saj.

Kurajoja qytetare dhe vendosmëria për t’i qëndruar konseguent mendimeve dhe pikpamjeve të tija, bënë shumë artmiqë, por arriti të vendoste një standard të mëndimit kritik, të qëndrimit të vetvetijshëm dhe fshikullit si vullnesë ndëshkimi. Në atë kohë kur Konica vdiq, Shqipëria ishte përfshirë nga lufta, dhe trupi i pajetë i tij u varros në Boston, përkohësisht. Me këtë rast, Fan Noli mbajti një elegji për mikun e tij dhe premtoi përmbushjen e amanetit. Gjithsesi, sistemi komunist që u vendos në Shqipëri pas luftës ndaloi jo vetëm emrin dhe veprat e Konicës, por edhe kthimin e eshtrave në tokën që e lindi dhe për të cilën bëri kaq shumë. “Noli dhe “Lamja i vogël” (Selfulla Maleshova) nuk mund të bënin gjë. Eshtrat e Konices u kthyen në atdhe vetëm pas 53 vjetësh, më 1995, me rastin e 120 vjetorit të lindjes.

Në historinë e shqiptarëve, në shpirtin e madh të përjetësisë, Faik Konica ai do të vijojë të jetë ende shndritës. Drita e tij shpërthyese e mendimit dhe dijes ishte, është dhe do të mbetet një shkreptimë në yjësinë e vetëdijes sonë kombëtare.

Albert Vataj

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com