Edhe Ramiz Alia paska pasë dashtë me e botue Fishten…

Frano Kulli

Në përvjetorin e 83-të të vdekjes së Fishtës.

të vërtetë unë nuk e kisha pasë ditë, ase, ndoshta e kisha harruar se edhe Ramiz Alia paska pasë porositë me e botue veprën e Fishtës. Kjo paska pasë ndodhë në vitin e largët ’91, kur udhëheqësi qe konvertuar nga besimi fundamentalist komunist, i pari i sekretarëve të Partisë, në President i Republikës demokratike. Na e kujtoi “Zëri i Popullit” në numrin e 25 tetorit 1990. Kronika e kohës : … veprimtari e organizuar me vargjet e poetit Gjergj Fishta nga shoqëria që mban emrin e tij në Shkodër, në bashkëpunim me aktorët e teatrit “Migjeni. “Mes të ftuarve të tjerë dashamirës të poetit, antarë të shoqatës së shkrimtarëve e intelektualëve, në këtë veprimtari erdhi edhe Presidenti i Republikës Ramiz Alia. Dhe ai erdhi thjesht për të nderuar kujtimin e poetit e vendlindjen e tij, ku siç tha shoku Ramiz, mësova me zjarr vargjet e poetit dhe ndërsa aktorët recitonin, më kujtoheshin të gjitha, sepse Fishta ka fuqinë dhe fisnikërinë edhe pas pesë dekadash të rizgjohet i fuqishëm në mendjet e njerëzve”…. E kronika vijon:

-Fishta e meritonte këtë veprimtari të bukur, tha shoku Ramiz.-Ai ishte një arstist i madh. Idetë e tij janë me vlera të mëdha politike e atdhetare. Ato i shërbyen atëherë, por edhe sot më shumë i shërbejnë kombit.(!) Më pas, studiuesi (i ndjerë) Ferdinand Leka i drejtohet Presidentit: “Vepra e Fishtës duhet botuar e plotë, pastaj njerëzit t’i shohin vetë vlerat e saj”. Porse shoku Ramiz e “tejkalon” studiuesin e dashuruar gjithë jetën me Fishtën e i mëkuar që në fëmijërinë e vet me veprën e tij.

-Fishta duhet botuar i gjithi, e tërë vepra e tij madhore – thotë vetë ai – Është gabuar që nuk është botuar deri tani…

Këtu kronika mbyllet…Për të mos u hapur më. I pari dhe i fundit president që ka sugjeruar botimin e veprës së Fishtës paska qenë presidenti komunist. Bash ai, i cili, bashkë me pararendësin e tij e kishin rroposë shtatë pash nën dhé Fishtën dhe veprën e tij, për të mos u kujtuar e përmendur kurrë.

Asnji president shqiptar më pas, nuk e ka zënë në gojë veprën e Fishtës. 21 vjet më vonë, me 2002-shin, njëri prej tyre, Zoti Alfred Moisiu i ka dekretuar titullin “Nderi i kombit” Fishtës…(62 vjet më vonë, mbasi ai e kishte mbyll me nder si akush tjetër jetën e këtushme në dobi të kombit të vet). Asnjë ministër kulture i 33 vjetëve të pas rregjimit nuk e ka përmendur botimin e veprës së Fishtës e jo më të hartojë ndonjë projekt. Asnjë ministër arsimi i 33 vjetëve nuk ka hartuar, madje as përmendë ndonjë projekt që vepra e Fishtës të mësohej në shkollat e Shqipërisë. Gjithfarë autorësh e librash letrare kanë hyrë në listat e pasurimit të bibliotekave të shkollave të Shqipërisë në 33 vjet, porse Fishta jo.(Përveç disa kolanave të veprës së plotë që ka tërhequr Drejtoria Rajonale Arsimore e Lezhës, sivjet. Nderim e rrespekt !). Gjithçka më mbas është sipërmarrje pasioni e dashamirësve të Fishtës së madh, pa asnjë përkrahje nga shteti

* * *

…Sipërmarrja e parë dhe më serioze , zyrtare për botimin e veprës së plotë letrare të Fishtës u ndërmor, siç dihet, nga Instituti i Studimeve shqiptare, kryetar i të cilit qe Ernest Koliqi. Nisma pati zënë fill pak ditë para datës 10 tetor 1942, datë, të cilën mban në krye letra që nga ky Institut i drejtohet provinçialit të Françeskanëve, në Shkoder, At Anton Harapi. Letra fillon me :”I dashuni shok – dhe vijon – Sikurse kemi nda në mbledhjen e pergjithëshme mbajtun me 21 shtatuer k.v [të këtij viti], në të cilën more pjesë edhe Ti, do të ja nisim veprimit për botim të “Opera Omnia [vepra e plotë]” të të ndjerit At Gjergj Fishta, shok i jueji rregulltarie dhe Antar i Institutit tonë.”

Në korespondencën e mëpasme priten e përcillen propozimet, e përballen idetë rreth botimit. At Antoni, në emër të “grupit që do të kurojë botimin”, i gjegjë: të botohen të gjitha veprat e auktorit, tue perfshi edhe artikujt e letrat e botueme.

Më pas theksohet rendi kronologjik, veprat të dallohen mbas gjinish: satirika, epika, lirika, dramatika, proza. Proza të rregullohet simbas planit që ka lanë vetë auktori: I-Sociologji, II-Polemikë, III-Ligjirata, IV-Miscellanea [të përzjera]. Në mbarim do të shtohet epistolari…

Foto:

Letër e Institutit të Studimeve (firmosur nga drejtori Ernest Koliqi) dërguar Atë Anton Harapit, Provinciali i Françeskanëve të Shqipërisë për botimin e “Opera omnia”.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com