“Dielli” me shqiptarët në Australi, grupi folklorik “Nanë Tereza”, trashëgimi kulturore shqiptare në Adelaide të Australisë

HISTORIKU I KRIJIMIT TË GRUPIT FOLKLORIK “NANË TEREZA”
Krijimi i grupit Folklorik “Nanë Tereza” ka rigjallëruar jetën kulturore e artistike të shqiptarëve në Adelaide, Australi. Ky krup artistiko-kulturor ka ardhur pas krijimit të shoqatës patriotike “Nanë Tereza” në vitin 2015. Ideja për themelimit e grupit artistik ka lindur kur ne si komunitet bëheshim bashkë për të festuar festat kombëtare shqiptare dhe të gjithë vumë re se fëmijët nuk po merrnin pjesë me gëzim të plotë në festat tona e organizimet tona. Duhej gjetur diçka tërheqëse për fëmijët. Atëherë na lindi ideja që të bëjmë diçka për këta fëmijë si mundësi e mësimit të historisë sonë kombëtare, identitetit kulturor, gjuhës shqipe dhe të forcimit të një lidhje të fortë të gjeneratës së re të lindur në Australi më atdheun tonë. Investimi te dijet e fëmijëve dhe brumosja e fëmijëve më ndjenja patriotike janë një investim i madh jo vetëm për dashurinë e fëmijëve për atdheun e të parëve, por mbi të gjitha krijon një lidhje të shëndoshë, të fortë dhe të pa shkëputshme edhe për gjeneratat që vijnë pas nesh.

Flora Pecaj dhe Rafaela Mhillaj mësuese të këngëve e valle shqiptare në Adelaide të Australisë, rrëfejnë ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Adelaide të Australisë, nëpërmjet mësimit të këngëve e valleve shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësueset Flora Pecaj dhe Rafaela Mhillaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
Flora Pecaj dhe Rafaela Mhillaj mësuese të këngëve e valle shqiptare në Adelaide të Australisë, rrëfejnë ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Adelaide të Australisë, nëpërmjet mësimit të këngëve e valleve shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësueset Flora Pecaj dhe Rafaela Mhillaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

NË HAPAT E PARA…

Hapat e para të krijimit të grupit tonë artistik i kujtojmë më shumë respekt dhe nostalgji. Sakrificë, pasion dhe punë e madhe. Te mesha shqip që ishte një herë në muaj ne si mësuese i propuzuam Këshillit të Shoqatës “Nanë Tereza” idenë tonë për të marrë fëmijët për të kërcyer vallet shqiptare tradicionale dhe shoqata na mbështeti menjëherë. Falë këtij bashkëpunimi, kemi arritur sukses dhe traditë të shkëlqyer artistiko-patriotike. Pas krijimit të grupit filluam nga puna çdo të shtunë takimet ku edhe fëmijët e pranuan me shumë gëzim e interes të madh këtë iniciativë kulturore-patriotike-komunitare. Puna serioze dhe me përkushtim na është shpërblyer prej nxënësve që kanë arritur të krijojnë një atmosferë patriotike mbresëlënëse. Vallet e para të përgatitura prej grupi tonë artistik u prezantuan në festën e Shejterimit të Nënë Terezës ku fëmijët ishin shumë të gëzuar e të lumtur për atë çfarë prezantuan. Njerëzit na pritën jashtëzakonsht shumë mirë dhe kjo na motivoi edhe më shumë. Në këtë festë në përgatitëm recitime të thënieve të Nanës Terezë në gjuhën shqipe nga fëmijët. Grupi artistik folklorik në çdo kohë paraqet historinë, muzikologjinë e traditën tonë kombëtare. Këto i gërshetojmë të gjitha bashkë në krijimin e një atmosfere të zjarrtë patriotike.

ËNDËRROJMË TË SHKOJMË NË FESTIVALIN KOMBËTAR TË GJIROKASTRËS

Grupi Folklorik “Nanë Tereza” me rritjen e tij, me zgjerimin e tij, me krijimin e një profili të lartë profesional, synojmë që të përfaqësojmë shqiptarët e Australisë në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës. E kemi si ëndërr. Shpresojmë një ditë që ta realizojmë. Kam besim se puna me këto fëmijë, dëshira e pasioni i tyre, shpirti i tyre shqiptar do ta mbajnë gjallë shqiptarinë në Australi dhe mbi të gjitha do ta lidhë mërgatën tonë me shtetin tonë amë. Grupi ynë folklorik “Nanë Tereza” gëzon respekt edhe te popujt e tjerë në Adelaide. Përveç organizimeve tona fantastike për festën tonë kombëtare të flamurit e pavarësisë, grupi i valleve tona “Nanë Tereza” ka marrë pjesë në disa festa të ndryshme të komunitetit italian që jeton në Adelaide ku shfaqëm vlerat tona artistike kombëtare shqiptare përpara tyre, si dhe në festën e emigrantëve të cilën e Organizon Katedralja e Adelaides. Gjithashtu grupi ynë ka udhëtuar edhe në Melburne ku kemi bërë paraqitje dinjitoze përapar publikut australian e jo vetëm. Po ashtu kemi udhëtuar edhe në Camberra në festën e Ambasadave ku morëm duartrokitje e brohoritje të pafundme për përformancë të shkëlqyer artistike. Synimi i ynë është që në çdo festë të Flamurit kombëtar dhe në çdo përvjetor të Shenjtërimit të Nanë Terezës të bëjmë nga një valle të re të ndryshme nga ato të mëparshmet. Ne rritemi çdo ditë.

BASHKËPUNIMI ME KOMUNITETIN SHQIPTAR

Bashkëpunimi me komunitetin shqiptar është i kënaqshëm. Në çdo festim që bëjnë jemi të ftuar ku fëmijët marrin vlersimet maksimale për paraqitjet e tyre e për pasionin e tyre. Vlen të theksohet se ka ardhur gjithnjë e në rritje interesi e përbashkët. Edhe prindërit janë shumë të interesuar për fëmijët e tyre, pa dallim besimi e krahine i mbështesin dhe i inkurajojnë në programet kulturore artistike të grupit. Mbështetja e prindërve na ka lehtësuar shumë punë, fëmijët çdo herë e më shumë arrijnë nivele të shkëlqyera të përformancës dhe kjo për ne si mësuese na jep gëzim të madh e na shton dëshirën për të ecur përpara me këta fëmijë të mrekullueshëm. Kryesia e Shoqatës Katolike Shqiptare si dhe Kryesia e Komunitetit Shqiptar disa herë kanë dhënë dhurata simbolike në mbështetje të grupit. Ne u jemi mirënjohëse dhe falenderuese për çdo përkujdesje.

BASHKËPUNIMI ME INSTITUCIONET SHTETËRORE AUSTRALIANE

Duke qenë grup artistik i ri, në momentin që po shkruajmë nuk kemi marrëdhënie zyrtare shtetërore apo aktmarrëveshje me institucione zyrtare. Këto do i shohim në vazhdim për ta institucionalizuar dhe rritur grupin dhe veprimtarinë tonë artisike e kulturore edhe në rang zyrtar. Marrëdhënien institucionale e mbulon Këshilli i Shoqatës i cili është ngarkuar me atë pjesë. Zyrtarë të ndryshëm australian sidomos ata vendorë e shohin me respekt dhe vlerësim punën tonë. Në festat tona janë ftuar gjithmonë dhe kanë marrë pjesë Guvernatori i South Australia, deputetë dhe ministra të ndryshëm australianë.

KUSH JANË MËSUESET FLORA PECAJ DHE RAFAELA MHILLAJ?

Flora dhe Rafaela janë dy patriote të thjeshta shqiptare të rritura me kulturë dhe traditë shqiptare. Ato punojnë me një pasion të spikatur me fëmijët shqiptarë. Të angazhuara dhe të përkushtuara në punën e tyre më fëmijët, i kanë dhënë një energji e frymë të bukur patriotike mjedisit shqiptar në Adelaide. Profesioniste dhe patriote, Flora dhe Rafaela janë frymëzim për komunitetin shqiptar, të devotshme dhe të thjeshta, puna e tyre patriotike spikat në mërgatën shqiptare të Australisë. Të lindura pej familjeve të thjeshta shqiptare që në fëmijërinë e tyre mungonin shum gjëra por kurrë ajo kryesorja dëshira për të jetuar ëndrrat e pasionet dhe për ti gëzuar ato. Disa nga këto dëshira ishte përçimi te brezat i dijeve e vlerave kombëtare. Vallet shqiptare, muzika shqip e kultura kombëtare ka qenë pasioni i tyre i madh. Dëshira për të kërcyer vallet e bukura shqiptare ju mbeti në zemër dhe në mendje edhe në rrugëtimin që jeta ju dhuroi. Puna e Florës dhe Rafaelës gëzon e bën të lumtur shumë fëmijë shqiptarë në Adelaide. Kënga shqipe, vallja shqipe, muzika shqip është një ushqim i pastër shpirtëror për fëmijët shqiptarë. Puna e këtyre dy patrioteve, është nektar shqiptarie. Në punën e përditshme si dy bija dhe nëna shqiptare mundohen ti trashëgojnë fëmijëve vlerat më të larta të historisë, traditës e kulturës shqiptare. Dashuria për atdheun dhe trashëgimia te brezat e rinj është motivi që i frymëzon ato çdo ditë në punën patriotike e kulturore në Adelaide të Australisë.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com