“Dielli” i “Vatrës”, drita e shqiptarëve të Amerikës

Eneida Jaçaj

Përpjekjet e veprimtarëve shqiptarë, mendjeve të ndritura të kombit, për liri e pavarësi, për mbrojtjen dhe bashkimin e trojeve etnike, ruajtjen e vlerave dhe traditave kulturore shekullore, si asetet më të çmuara që i japin frymë dhe formojnë që në gjenezë një popull, kishin nevojë për një zë të fuqishëm që të dëgjohej anë e kënd botës. Atdhetarët shqiptarë, të shpërndarë kudo, në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të idealizuar lëvizjen politiko-shoqërore, e cila në qendër të saj kishte luftën patriotike kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e trojeve etnike, zhvillimin ekonomik, edukativ dhe kulturor, e panë me shumë interes dhe u lindi si nevojë e brendshme, që përpjekjet e tyre të sinkronizoheshin me mjetin e fuqishëm të fjalës, e cila do të kishte peshë te personalitete të huaja, në kancelaritë diplomatike më të rëndësishme të botës. Është pikërisht Gazeta “Dielli”, organ me shumë peshë që vepron pranë Federatës Pan Shqiptare “Vatra”, që ka ndriçuar rrugën e veprimtarëve të shquar të kombit dhe i ka dhënë vlerë të ashtuquajturës Rilindja Kombëtare Shqiptare, e cila hapi një faqe të re historike, duke ndërgjegjësuar dhe shkundur nga gjumi apatik çdo shqiptar, që të përvishnin “mëngët” dhe të rrëmbenin mjetet kundër pushtuesve të huaj. Gazeta “Dielli” ka shkëlqyer gjatë gjithë veprimtarisë së saj në diasporë, me shkrime dhe publikime, ku në qendër të tyre kanë qenë dhe janë interesat për atdheun, duke u shndërruar në simbolin e dritës dhe shpresës.

Kjo është gazeta me shtrirjen më të madhe në kohë, është gazeta më e vjetër në të gjithë diasporën shqiptare në botë, e cila, sot e kësaj dite po jep një kontribut të vyer për promovimin e vlerave dhe traditave kulturore, ruajtjen e gjuhës shqipe, adresimin e problematikave politike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë dhe Kosovës, në instancat më të larta të shtetit më të plotfuqishëm në rruzullin tokësor, SHBA-së. Kjo gazetë është shndërruar në zërin e shpresës, dritës, begatisë për shqiptarët, brenda vendit dhe atyre në diasporë. “Dielli” është media më serioze dhe e besueshme e diasporës, e referuar prej institucioneve akademike, pasi vijon të trajtojë vetëm çështje kombëtare, për historinë, kulturën, albanologjinë, ndërsa sot për sot mbetet të jetë zëri më autoritar në Amerikë. Kjo gazetë është pasuria e komunitetit shqiptar në Amerikë, pasi në të shpaloset e gjithë kultura jonë si një ujëvarë, të cilën shqiptarët e trashëgojnë brez pas brezi, pa mohuar rrënjët, gjuhën shqipe, “mushkërinë” e kombit, që na nderon para popujve të tjerë me lashtësinë e saj ilire.

Gazeta “Dielli” u themelua më 1909 në Boston, nga dy figura të shquara, Faik Konica dhe Fan Noli, në periudhën më të errët të historisë së Shqipërisë, kur trojet shqiptare ishin uzurpuar nga pushtuesit osmanë dhe vendi kërcënohej gjithashtu nga fqinjët, Greqia dhe Serbia. Kryeredaktorët e “Diellit” ndër vite kanë dhënë një kontribut të qenësishëm, ku misioni i tyre ka qenë zhvillimi i Shqipërisë, mbrojtja e interesave kombëtare dhe bashkimi i trojeve shqiptare kundër zgjedhës së huaj. Ata janë: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kostandin Cekrezi, Bahri Omari, Andon Frashëri, Refat Gurrazezi, Qerim Panariti, Bilal Xhaferri, Peter Prifti, Aqile Tasi, Nelo Drizari, Athanas Gegaj, Xhevat Kallajxhi, Arshi Pipa, Dalip Greca dhe kryeredaktori aktual, Sokol Paja, i cili ka sjellë një frymë të re në konceptimin e gazetës si pasuri komunitare dhe kombëtare duke bërë ndryshime rrënjësore te “Dielli”.

“Dielli”, me publikimet e tij, ka dhënë një kontribut të çmuar për lëvizjen kombëtare për pavarësi, kur të gjithë atdhetarët shqiptarë u bashkuan, me në krye Ismail Qemalin, i cili shpalli aktin e pavarësisë, më 28 nëntor 1912. Ismail Qemali si “babai i kombit”, përdori të gjithë eksperiencën e tij si shtetar në administratën më të lartë në Perandorinë Osmane, duke drejtuar me mençuri shqiptarët në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të tyre. Gjithashtu, kjo gazetë dha një kontribut të rëndësishëm në ngritjen e çështjes shqiptare, veçanërisht në Konferencën e Paqes në Paris, 1919, duke sensibilizuar qarqet diplomatike perëndimore në lidhje me tratativat e fqinjëve për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Gazeta “Dielli” mbetet të jetë institucioni më i rëndësishëm i problemeve të ndryshme të komunitetit shqiptar, si dhe përçuese e denjë e vlerave dhe traditave te brezat e ardhshëm.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com