Deputeti Tomor Alizoti vizitoi Vatrën

Ylli Dosku

New York, 6 Shkurt 2024 – Deputeti i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësues i Partisë Demokratike të Shqipërisë z.Tomor Alizoti vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj, anëtari i kryesisë së Vatrës z.Bashkim Musabelliu, anëtarët e Këshillit të Vatrës z.Asllan Bushati, Ndrek Tonaj e Ylli Dosku si dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.Anton Raja. Veterani i Vatrës prej 3 dekadash z.Asllan Bushati e njohu nga afër në detaje historike z.Alizoti me historinë e Vatrës dhe kontributin e jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare. Gjatë bisedës vëllazërore u shkëmbyen mendime mbi situatën politike në Shqipëri dhe situatën në mërgatën shqiptare të Amerikës.

Dr.Pashko Camaj gjatë bisedës kërkoi që opozita në Shqipëri duhet të bashkohet e të japë shpresë e zgjidhje për Shqipërinë e shqiptarët sepse Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë, serioze dhe dinjitoze. “Kërkojmë bashkimin e bashkëpunimin tuaj për të drejtuar Shqipërinë nesër” këmbënguli Dr.Camaj. Nga ana e tij z.Alizoti shprehu kënaqësi e falenderim për vizitën në Vatër dhe foli për vizitën në Washington, situatën politike në Shqipëri dhe imtësisht situatën e opozitës në raport me qeverinë. Z.Alizoti deklaroi shkurtimisht: “Vatra ka qenë një mbështetëse e të djathtës historikisht. Berisha keq apo mire është themeluesi i pluralizmit në Shqipëri. Është e pa imagjinueshme që hetues të diktaturës të

gjykojnë liderin e opozitës. Nuk ka shembull në botë si kjo që po ndodh në Shqipëri. Nuk mundet që 7 deputetë njihen nga Rama dhe jo 50 deputetë të opozitës” tha ndër të tjera z.Alizoti. Vizitën në Washington e quan sukses në takimet me shumë kongresmene republikanë dhe kongresmenë demokratë që sipas Alizotit shprehnin habi me zhvillimet në Shqipëri. Z.Bashkim Musabelliu, e falenderoi për vizitën në Vatër, duke e uruar për një bashkim sa më të shpejtë të opozitës. Takimi ishte shumë miqësor dhe me shumë shkëmbime mendimesh dhe idesh për të ardhmen e Shqipërisë dhe potencialin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com