“Dëgjoni zërat tanë!”, edicioni i Krishtlindjes – Festojmë së bashku Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024!

Luljeta Xhediku

New York

kuadrin e festave të fundvitit, nën kujdesin e Kryetarit të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc.z. Imer Lacaj,kryesia organizoi edicionin e 3-të të ciklit “Dëgjoni zërat tanë!” me temë “Festojmë së bashku Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024! Të rinjtë dhe fëmijët e grupit “Bashkëbisedojmë bukur në gjuhën shqipe”, program i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festuan magjishëm festat aq të dashura të shqiptarëve dhe jo vetëm, Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Atmosfera tepër e ngrohtë, plot drita e ngjyra festive, muzika e Krishtlindjes në sfond në ambientet e bibliotekës në “Cadman Plaza” të jepnin një ndjesi aq të bukur edhe çlodhëse sa harroje gjithë lodhjen e këtij viti që po lëmë pas. Të mbushur me urime, shpresë e gëzim për pritjen e një viti të ri fëmijë, të rinj, prindër, anëtarë e miq të shoqatës bisedonin hareshëm e gëzueshëm me njëri-tjetrin. Aktiviteti i përgatitur nën kujdesin e veçantë të dy drejtueseve të programit dhe anëtare të shoqatës, Adelina Lacaj dhe Gela Bulku ishte i ndarë në dy sesione. Sesioni i parë nisi me të gjithë fëmijët e të rinjtë, që u ulën duke pikturuar një shtëpizë të vogël në kohë feste, në dëborë me dy bredha përreth, nën drejtimin e mësueses së talentuar të pikturës, znj. Melita Cakani. Ishte vërtet kënaqësi teksa i shihje të gjithë të përqendruar e zhytur në botën e artit.

Sesioni i dytë ishte i larmishëm dhe i ndërthurur me këngë, slideshows, kartolina urimi, balet edhe këngë. Programin e prezantoi nxënësi Kelvin Rustani. Nxënës të grupit “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe”, program i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. përshëndetën kryetarin e kësaj shoqate edhe kryesinë për mundësinë që i jep brezit të ri për të ruajtur kulturën e vendit amë, si edhe për mësimin e gjuhës së bukur shqipe. Ata ftuan kryetarin e shoqatës z. Imer Lacaj për të mbajtur fjalën përshëndetëse. Z. Imer Lacaj, pasi përshëndeti të pranishmit ju uroi të gjithëve: “Gëzuar Vitin e Ri 2024 dhe qoftë një vit i mbarë për ju dhe familjet tuaja”, ai gjithashtu falënderoi përzemërsisht profesoreshën e pikturës znj. Melita Cekani për pjesëmarrjen në këtë edicion. Më pas filloi prezantimi i parë nga nxënësja Altea Bala, e cila shfaqi një kolazh me foto festive ndër vite. Prezantimi i dytë ishte nga nxënësja Erla Lamçe. Erla kishte përgatitur disa kartolina urimi për familjarët e saj, mësuesit edhe një kartolinë për të gjithë shqiptarët. Më prekëse ishte kartolina e saj për nënën e gjyshin që jetojnë në Shqipëri. Një pjesë e luajtur nga Enzo Rustani dhe Jori Lamçe, e cila përcillte mesazhin e shenjtë të lindjes së Krishtit, i cili është edhe drita e botës dhe shpëtimtari që erdhi në tokë për të shpëtuar të gjithë ata që besojnë në emrin e tij, mori duartrokitje të ngrohta. Ata kënduan edhe këngën “Njëherë në një stallë”, të cilën e shoqëroi në kitarë znj. Gela Bulku. Kelvin Rustani paraqiti projektin e tij ku fliste ndër të tjera pse në Shqipëri quhet bredhi i Vitit të Ri, kjo pasi në Shqipëri ishte e ndaluar të festoje Krishtlindjen në kohën e regjimit komunist. Jori Lamçe këndoi këngën “Dua më shumë Shqipërinë”.

Enzo Rustani shfaqi në ekranin e madh një kolazh fotografish nga një dramë, të cilën e vuri në skenë për Krishtlindje në një nga kishat e Nju Jorkut dhe nga një projekt, të cilin e realizoi në shkollën ku mëson. Një balet nga NutCracker u interpretua nga balerina e talentuar, Anja Kojku. Jessica Ndregjoni dhe Sara Ndregjoni prezantuan projektin e tyre, i cili gjithashtu fliste për traditën e festave dhe vendet magjike që duhet të vizitojmë në Manhattan gjatë këtyre festave. Për ta mbyllur, të gjithë fëmijët, shoqëruar në kitarë nga nxënësi Eneo Rustani kënduan këngën “Ja na erdhi Viti i Ri”. Ndërsa këtij programi të ngjeshur festiv, i cili zgjati rreth katër orë i erdhi fundi, stafi i grupit “Bashkëbisedojmë në gjuhën e bukur shqipe”, program i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. uron të gjithë shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë shqiptarët në Shqipëri e kudo që ndodhen: Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2024! Sa më shumë paqe, dashuri e mirëkuptim midis shqiptarëve kudo që janë! Gëzuar!

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com