Sokol Paja
“Darkat” e mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajnë një kontribut të jashtëzakonshëm në bashkimin e shqiptarëve si komunitet, në ruajtjen e traditave të veçanta e kulturës së pasur kombëtare të të gjitha zonave e krahinave shqiptare.
“Darka e Dukagjinit” është ndër organizimet më serioze dhe dinjitoze të mërgatës në New York. Me një histori 4 vjeçare, drejtuar nga vatrani Kujtim Funiqi dhe shumë dukagjinas të tjerë, ky organizim kulturor po krijon një traditë të lakmueshme.
“Darka e Dukagjinit” është kthyer në një eveniment kulturor, komunitar e patriotik që promovon e përçon e traditën shqiptare, historinë autentike, muzikën folklorike, etnografinë e pasur kulturore shekullore kombëtare shqiptare.
Ngjarje të tilla komunitare janë kthyer në festivale të magjishme dhe përformanca të mahnitshme me art, muzikë, kulturë, traditë, folklor e kulinari të veçantë tradicionale shqiptare. Këto mbrëmje patriotike kultivojnë muzikën tradicionale, aspekte identitare të trevës së Dukagjinit, promovojnë talente të reja të muzikës folklorike e valles shqipe, markës së biznesit shqiptar në Amerikë e mbi të gjitha bashkojnë shqiptarët nga të gjitha trojet kombëtare. Një hijeshi e trashëgimi e pastër shqiptare që vazhdon në shekuj e nuk shuhet kurrë.