CILËS NGJARJE I KUSHTOHET “KËNGA E GJORG GOLEMIT”?

– A e përkujton “Kënga e Gjorg Golemit” ngjarjen historike të rënies së Sfetigradit? –

Shkruar nga AVNI ALCANI

Hyrje

Çdo ngjarje e madhe historike, duke filluar nga lufta legjendare të Trojës, e cila u përjetësia në këngët e “Iliadës” së Homerit, kanë pasur jehonën e tyre ndër vite. Edhe ngarjet e ndodhura rreth vitit 1467 në trevat ku sundonte princi Gjergj Araniti, si rënia e kështjellës së tij në Sopot nga osmanët, u përjetësuan në disa legjenda dhe në një këngë epike (“Epika Historike”, Tiranë 1983, f. 151-159).

Në vitin 1938 z. Shahin Zharri, nxënës i shkollës Normale të Elbasanit, kishte mbledhur dhe botuar këngën historike: “Kanga e Gjorq Golemit, Princi i Sopotit”, me 60 vargje (Sh. Zharri: Revista “Shkolla Komtare”, Nr. 16-17, 1938, f. 22). Qysh pas botimit të saj, rreth 85 vite më parë, kënga ka marrë një famë të jashtëzakonshme. Ajo është bërë shumë e njohur, si në rrethet akademike, por dhe në aditoret e shkollave të mesme dhe të larta. Kënga e Gj. Golemit dhe figura e Gjergj Aranitit kanë qenë objekt studimi nga autorë të ndryshëm, si dhe burim frymëzimi për krijimin e disa veprave letrare dhe artstike (A. Alcani: “Sh. Zharri dhe kënga e Gj. Golemit”. Çështje të folklorit shqiptar, 2010, f. 236-240). Ngjarja e këngës së Gjorg Golemit, thonë studiuesit, është e mbështetur mbi një legjendë. “Kjo këngë, që rron edhe sot e kësaj dite në Bërzeshtë, Sopot e Polis, shkruan Q. Haxhihasani, është trajtuar sipas një legjende shumë të përhapur në këto vise” (Q. Haxhihasani: Hyrje. Këngë popullore historike, Tiranë 1956, f. 10). Kurse prof. Dhimitër Shuteriqi, shkruan: “Me sa duket kënga është krijuar në mesin e shek. XIX e këtej dhe është krijuar në bazë të legjendës së vjetër” (Dh. Shuteriqi: “Kënga e Gjorg Golemit midis legjendës dhe historisë”, “Gazeta shqiptare”, 10 qershor 2007).

Kënga e Gjorg Golemit është futur në tekstin e “Historisë së popullit shqiptar” (2002), duke i kushtuar asaj disa rrjeshta, gjë që dëshmon për rëndësinë e saj historike, e cila ka shërbyer si dokument për të pasqyruar një ngjarje të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, atë të qëndresës kundërosmane gjatë shek. të 15-të.

Por, nga ana tjetër, duhet të themi se këngës së Gjorg Golemit i është bërë një inrerpretim i gabuar në libër, pasi ajo trajtohet sikur ngjarja historike, toponimastika, antroponimia që pasqyrohet në këtë këngë dhe legjendat për Gjorg Golemin (Gjergj Aranitin) lidhen me luftën e Sopotnicës (Sfetigradit) të vitit 1448. Aty shkruhet: “Lufta për mbrojtjen e Sopotnicës la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen historike të shqiptarëve që banonin në zotërimet e Arianitëve. Toponimia dhe antroponimia e këngës “Gjorgj Golemi” (Gjergj Arianiti) dhe e tregimeve popullore për këtë personazh të lavdishëm të shek. XV dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës” (“Historia e Popullit Shqiptar”, Tiranë 2002, f. 412).

Në vijim do të shohim me detaje në se janë elementët e këngës së Gjorg Golemit, si toponimia, antroponimia dhe tregimet popullore, për të nxjerrë përfundimin se a e përkujton vërtetë kënga e Gj. Golemin ngjarjen historike të vitit 1448, luftën për mbrojtjen e kështjellës së Sopotnicës (Sfetigradit)?

2. Ngjarja sipas tekstit të historisë dhe sipas këngës së Gjorg Golemit

Në tekstin e librit “Historia e Popullit Shqiptar-1” (Tiranë 2002) shkruhet se në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduara nga sulltan Murati II, i përqendruan forcat e tyre për ripushtimin e kështjellës së Sopotnicës (Stefigradit), e cila ishte pikë e shumë e rëndësishme strategjike, si për ushtrinë Osmane ashtu dhe për ushtrinë e Skënderbeut. Sopotnica, e njohur në historiografinë shqiptare me emrin “Sfetigrad”, në fund të shek. të 14-të u pushtua nga Osmanët, por, pas kthimit të Skënderbeut në Arbëri, ajo u ripushtua nga Moisi Golemi (Araniti), i cili komandonte ushtrinë e këtij të fundit (M. Barleti. “Histria e Skënderbeut”, Tiranë 1983, f. 103-104). Sulltan Murati II u kërkoi mbrojtësve dorëzimin e kështjellës, por garnizoni i drejtuar nga Pjetër Perlati, e hodhi poshtë kërkesën e tij dhe e mbrojti kështjellën me heroizëm, duke i thyer disa herë sulmet e trupave osmane (Historia e popullit shqiptar, f. 411). Detyrën luftarake të mbrojtësve të kështjellës, shkruhet në libër, e lehtësoi shumë ushtria shqiptare, e cila ishte nën komandën e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit, që vepronte në rrethinat e saj, duke organizuar sulme të befasishme e të vazhdueshme kundër rrethuesve të kështjellës. Luftëtarët shqiptarë depërtuan në kampin e ushtrisë osmane, duke i shkaktuar asaj humbje të ndjeshme (Po aty). Por osmanët arritën ta zbulojnë kanalin e furnizimit me ujë të pijshëm të kështjellës dhe e shkatërruan atë. Ajo e përkeqësoi gjendjen e të rrethuarve dhe etja i detyroi mbrojtësit e kështjellës të hynin në bisedime me sulltanin dhe të pranonin ofertën e tij për t’u larguar me gjithë armët, por me kusht që të dorëzonin kështjellën. Dhe kështu ndodhi. Në gusht të vitit 1448, pas gati tre muaj rrethimi, Sopotnica kaloi në duart e osmanëve. Rënia e saj në duart e armiqve ishte një humbje e madhe për Skënderbeun, pasi i hapi rrugën ushtrisë osmane për pushtimin e mëtejshëm të trojeve arbërore, si dhe dobësonte sistemin e fortifikimeve mbrojtëse të viseve të lira.

T’i kthehemi ngjarjes që pasqyrohet në këngën e Sopotit (Gjorg Golemit), e cila është ndërtuar sipas rrëfimeve të Marës, bijës së Gjorgut.

Ngjarja shkurtimisht është kjo: Në viset e Sopotit sundonte Gjorg Golemi (Në mal Plak, më nji brek/ Gjorq Golemi thotë jam mbret…), i cili kishte 20 vjet që luftonte kundër turqve. Sulltani i kërkoi një regati me emrin “Kostivaras”, që të shkonte në Sopot, të flinte një natë atje dhe t’i sillte informacione për Sopotin, Gjorgun dhe ushtrinë e tij. Kostivarasi e informoi sulltanin: “Unë fjeta dhjetë vjet/ Po Gjorq Golemi trim me fletë/ N’Galigat shkon dy net/ N’Galigat për Shën-Mëri/ Do të shkojë me gjithë ushtri”. Para nisjes së Gjorgut, e bija, Mara, i lutet të mos shkonte në Galigat, pasi kishte parë një ëndërr sikur Sopoti ishte djegur (Pash nji andërr këtë natë/ Sopoti na mori flakë…). Gjorgu nuk ndalet, por niset me gjithë ushtrinë e tij për në Galigat. Pas ikjes së tij Sopotin e sulmoi ushtria turke. Mara shikon e tmerruar numrin e madh të ushtrisë osmane: “Shtiva sytë në Shkall-Kurorë/ Po vjen turku si floqe bore”. Njëri nga trimat e Gjorgut, Mark Milloshi, lufton me heroizëm kundër turqve (Mark Milloshi n’liqe/ Luen shpatën porsi dre/ Luen shpatën si dragoi/ Edhe turqit i coptoi…). Një tjetër luftëtëtar, me emrin Bos, i hap portat e kështjellës ushtrisë turke. Mara e mallkon: “Ti o Bos, o kambë hollë/ Lëshove turkun në Shkall-Kurorë/ Farë e bimë ty mos të mbetë/ Shove Sopotin përjetë!” Në mbrojtje të Sopotit ngrihen gratë sopotare, të cilave Mara u bën thirrje: “Sopotare, moj të ngrata/ Rrokni thiuka, rrokni shpata./ A do ikim të shpëtojmë?/ A po rrimë të lëftojmë? Na do rrimë e të lëftojmë/ Gjorq Golemin s’e turpërojmë…” Kënga mbyllet me mallkimin e Marës: “O Pasha, kordhëgjatë/ S’lëfton burri me gratë/ O Pasha qënke pa shpirt/ S’lëfton burri me fëmit!”

3. “Antroponimet në këngën e Gjorg Golemit”

Në këngën e Gj. Golemit ndeshim gjithsej 12 emra njerëzish (antroponime), të cilët i kemi grupuar në: 1. emra individësh, si: Gjorg Golemi, Sulltani, Kostivarasi (banor i Gostivarit). Maria (e bija e Gj. Golemit), Gjel Çeliku (djali i Gj. Golemit), Mark Milloshi (luftëtar), Bosi (luftëtar) dhe Pashai (sulltani i Turqisë); 2. emra grupe personazhesh: Asqeri (ushtria turke) dhe Sopotaret (gratë lutëtare të Sopotit); dhe 3. emra shenjtorësh: Shën Mëria (shenjti) dhe Zoti Krisht (shenjti).

Një pjesë e personazheve të këngës janë figura të njohura historike, si 1. Gjorg Golemi (Gjergj Araniti), 2. sulltani (Mehmeti II), 3. Maria, 4. Gjel Çeliku (Kostandin Araniti) dhe 5. Bosi, ndërsa emrat e tjerë, si 6. Mark Milloshi dhe 7. Kostivarasi mendojmë se janë personazhe të krijuara nga legjenda.

1. “Gjorg Golemi”. Sipas studiuesve, kënga i kushtohej figurës historike të shekullit të 15-të, princit shqiptar Gjergj Aranit Komneni (Dh. Shuteriqi: Këngë popullore mbi Skënderbeun, Literatura Jonë, nr. 3, 1949; Q. Haxhihasani: Këngë popullore historike, 1956, f. 81). Ka dhe studiues, si Agron Xhagolli, i cili është shprehur mosbesues ndaj kësaj figure: “Gjorg Golemi, shkruan ai, është një figurë e paqartë historikisht” (A. Xhagolli: Kënga historike dhe legjenda për Gjorq Golemin, Çermenika-1, 2004, f. 84). Ku ndodheshin pronat apo zotërimet e Gjergj Aranitit? Po t’i referohemi librit “Historia e Skënderbeut” (botim i vitit 1983) e Marin Barletit, i cili shkruan se zotërimet e Gjergj Araniti ndodheshin: “…pranë lumit Shkumbin, ku ishte zot princi Arianit Komneni, i vjehrri i Skënderbeut… pranë popullsive që quhen jatë, brateskozanë, kërrabas, buzersekë dhe sopotanë…” (faqe 645). Kurse Gjon Muzaka, një nga njohësit më të mirë të familjeve aristokrate shqiptare të shek. të 15-të, shkruan: “Zot Aranit Komneni, ishte Zot i Çermenikës (Cermenica) dhe i Mokrës (Mochino) dhe i Shpatit (Spatenia) deri në lumin Devoll, që e ndan vendin e tij me tonin dhe e ka kufi” (Gj. Muzaka: “Memorie”, 1996, f.19). Të dy autorët kanë qenë bashkëkohës dhe njohës të Gj. Aranitit. Ata nuk e kanë përmendur kurrë Gj. Aranitin si zot të kështjellës së Sopotnicës dhe rrethinave të saj.

2. “Sulltani”. Studiuesit mendojnë se bëhet fjalë për Sulltan Mehmetin e Dytë, i cili, në vitet 1466-67, bashkë me ushtrinë e tij bëri masakra të mëdha dhe shkatërroi të gjitha viset e aranitëve në luginën e Shkumbinit (Dh. Shuteriqi: “Aranitët-Zotërimet”, Rev. St. Historike-1, 1967, f. 67).

3. “Mara apo Maria”. Prof. Dhimitëe Shuteriqi, në një artikull të shkruar prej tij, merr në analizë disa nga emrat e këngës së Gj. Golemit, duke i përarfruar ata me figurat historike të kohës (shek. 15). “Tjetër pikë krahasimi midis legjendës dhe historisë, shkruan ai, është emri i gruas së Gjergj Aranitit. Gruaja e parë e Gjergj Aranitit quhej Maria. Ajo ishte nga dera e Muzakajve të Myzeqesë… Legjenda i ngatërron, nënën-Marë me bijën-Marë”. (Dh. Shuteriqi: “Kënga e Gjorg Golemit midis legjendës dhe historisë”, “Gazeta shqiptare”, 10 qershor 2007).

4. “Gjel Çeliku”. “Takim tjetër i historisë me legjendën, shkruan Shuteriqi, është përmendja e një djali të Aranitit, të cilin legjenda e quan Gjel Çeliku. I ati, këtë Gjel Çeliku, e dërgoi në Itali “foshnjë të ri” (“Gazeta shqiptare”, 10 qershor 2007). Shuteriqi mendon se bëhet fjalë për Kostandin Aranitin, djalin e Gjergjit nga martesa e tij e dytë me Despinën, i cili kishte vajtur në itali në moshën 12 vjeç. “Historikisht kjo është e vërtetë”, shkruan ai, duke iu referuar historianit gjerman F. Babinger (F. Babinger: “Fundi i arianitëve”, Tiranë 2004, f. 24).

5. “Bos/i”. Emri Bos përmendet në disa dokumente të kohës. Një Ilia Bosi ishte paraqitur në vitin 1467 pranë Senatit të Venedikut, i cili, në emër të princeshës së tij, Despina Araniti, u kishte kërkuar venedikasve ndihmë për të luftuar osmanët. Ata kishin mbi 12 mijë luftëtarë të armatosur që ishin të gatshëm të luftonin për vendin e tyre (Dh. S. Shuteriqi: Dy dokumente të kohës së Skënderbeut, Gazeta “Drita”, datë 24 janar 1966). Në regjistrin Osman të vitit 1467 gjejmë disa banorë me mbiemrin “Bosi”, si Gjon Bosi nga fshati Babjani (f. 135), Nikolla Bosi në Mirakë (f. 136), Gavril Bosi në Prapungjin (f. 144) etj. (Defteri i Hollësishëm për zonat e Dibrës i vitit 1467, Tiranë 2019). Mbiemrat Bosi dhe Boçi ekzistojnë ende edhe sot në disa fshatra të Çermenikës dhe të luginës së Shkumbinit.

4. Toponimet në këngën e Gjorg Golemit

Në këngën e Gjorg Golemit ndeshen dhe emra (toponimet) gjeografikë. Ato janë 7 (shtatë) gjithsej, si: 1. Sopoti, 2. Mal-Plaku, 3. Galigati, 4. Shën-Mëria (kisha), 5. Shkallë-Kurorë, 6. Italia dhe 7. Vneshtë (Bërzeshtë).

1. “Sopoti”. Emri “sopotanë”, siç e pamë më sipër, ishte përmendur nga Barletit në librin “Historia e Skënderbeut” (faqe 645) për banorë të Sopotit. Sopotin e ka përmendur dhe një tjetër autor i rëndësishëm, si Naim Frashëri, i cili, në librin e tij “Histori e Skënderbeut”, shkruan kështu për Sopotin: “…Trimërinë e ati Zoti/ me të madhe oshëtimë/ e rrëfen dhe sot Sopoti,/ që nxjerr zë e vetëtimë…” (N. Frashëri: “Histori e Skënderbeut”, Tiranë 1967, f. 113).

2. “Mal-Plak”. Emrin Mali-Plak e ka përmendur Naim Frashëri në poemën e mirënjohur “Bagëti e Bujqësi”, në vargjet: “Dhe ti Mali Plak që ke parë/ luftra të shumta që kanë ngjarë …” (N. Frashëri: Bagëti e Bujqësi, Vepra të zgjedhura, Tiranë 1980, f. 76). “Ky mal, shkruan Dhimitër Shuteriqi, është pikërisht Mali-Plak mbi Sopotin e Bërzeshtën në Librazhd, për të cilin, kënga popullore “Kanga e Gjorq Golemit, Princit të Sopotit”, thotë: “Në Mal-Plak e mbi Sopot/ Gjorq Golemi kryezot!”. A nuk ishte Sopoti, sipas legjendës dhe historisë, kryeqendra e anëve të Librazhdit të sotëm, që ra i fundit në duart e osmanëve? Sipas historisë kjo ngjau pikërisht në vitin 1467. Një mot më parë (1466) turqit kishin bërë gjëmën në krahinat tona, porse nuk kishin arritur t’i thyenin plotësisht ato anë”. (Botuar në “Gazeta Shqiptare”, datë 10 qershor 2007).

3. “Galigat”. Shahin Zharri shkruan në shënimet në fund të këngës së botuar prej tij; “Galigati nji katund në Shpat” (Rev. “Shkolla Komtare”, Nr. 16-17, 1938, f. 22). Galigati sot ndodhet në rrethin e Gramshit, shumë pranë Sopotit. Sipas këngës dhe legjendave Gjorg Golemi shkoi për të festuar me ushtrinë e tij në kishën e Shën-Mërisë, duke e lënë Sopotin në duart e ushtrisë turke, që e pushtoi Sopotin me anë të tradhtisë.

4. “Shën-Mëri”. Është emri i kishës së Galigatit, ku shkoi Gjorgu me ushtrinë.

5. “Shkallë -Kurorë”. Ai është emri i një vendi, i cili ndodhet në malin e Sopotit. Ende dhe sot ai vend njihet me këtë emër.

6. “Itali”. Italia përmendet në këngë si vëndi ku Gjorgu kishte çuar djalin “foshnjë të ri”.

7. “Vneshtë”. Sipas Sh. Zharrit Vneshtë është emri i vjetër i fshatit të tij: Vneshtë-Bërzeshtë (A. Alcani: “Sh. Zharri”. Monografi, 2006, f. 5).

Pra, shihet fare qartë se e gjithë toponimia dhe antroponimia e këngës së “Gjorgj Golemit” (Gjergj Arianiti) flet për vende që dikur kanë qenë nën zotërimin e princit Gjargj Araniti dhe sot ndodhen trojet e Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit.

5. Legjendat që i kushtohen figurës së Gjorg Golemit dhe ngjarjeve të pasqyruara në këngën e Gj. Golemit

Figura e Gjorg Golemit, dmth, e Gjergj Aranitit, ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e popullsisë ku shtrihej shteti i tij i Aranitisë. Edhe sot, pas 600 vitesh, në fshatrat Qukës, Bërzeshtë, Polis etj. (që i përkasin rrethit të Librazhdit), Shpatit në Elbasan, Mokrës në Pogradec, Vërçës (Gramsh) etj., këndohen këngët dhe rrëfehen legjendat që i kushtohen bëmave të Zotit të tyre (Gjorg Golemit), Gjithashtu ka një numër të madh toponimesh që lidhen me Gjergj Aranitin dhe bashkëkohësit e tij.

Në librin “Epika Historike” (1983), botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH (Instituti i Kulturës Popullore), janë botuar disa nga legjendat që i kushtohen figurës së Gjorg Golemit, si dhe ngjarjeve të pasqyruara në këngën e Gj. Golemit. Në libër ndodhet një kapitull i veçantë, me titull: “Kujtime dhe gojëdhëna për Gjergj Golemin” (f. 155-159). Që në hyrje të tij shkruhet: “Kujtime dhe gojëdhëna që ruhen nga tradita popullore për Sopotin dhe Gjergj Golemin në fshatrat e rrethit të Librazhdit dhe të Elbasanit” (f. 155). Kemi përzgjedhur (me disa shkurtime) legjendat që i kushtohen figurës së Gjorg Golemit dhe Sopotit të Librazhdit, si:

1. “…Gjork Golemi ditën e Shëmrisë shkon n’Galigat e s’le shumë njerëz në pajtaht; ato ditve mun merret. Ky sulltani ruan ditn e shëmrisë e i futet Sopotit. E shoqj-e krajlit kur pa se hypi forca, rrmeu djalin dhe shkoi për Galigat. Rrugës i plasi djali prej shpejtsisë e ai ven u quajt te Qaf’e Markut’ ma tutje plasi edhe kali e atij i thonë Qaf’e kalit; te brijti ajo shoqj’e krajlit “u muar Sopoti” plasi dhe vetë e ai ven quhet sot Çuk’e Zarës” (f. 155).

2. “Gjork Golemi e ka pas pajtahtin n’Sopot mas t’ngjumes. Ate e pishi Turqia. Lufta u ba n’Qafëfurkë. Pasha i Turkies pat ba jemin: “Pa e çu gjhakun mje mshalë t’kalit, s’do ta la pushkën”. Polis – Librazhd 1954

3. “… Fanja kanë qanë vreshtat e Sopotit. Në fushë të Domosdovës Sopoti mbante derrat. Në Karkavec, në Rrashtan edhe në Përrenjas kishte arat. Sopotaret vinjin prej Sopoti me fmitë në krah, punonjin gjith ditën dhe shkonjin në mramt në Sopot. Ishin njaq të mdheja sa ja vinte nana cicën në sup të krahit e ngojë të fmisë tuj shku rrugës. I qante fmiri, i fuste cicën në gojë edhe ikte. (f. 156).

4. “Sopoti ka qanë dukë; ka qnë Gjorq Golemi krajl aty; ka qanë qytet Sopoti atëherë… Gjorq Golemi qe për pashkë në kishët t’Galigatit…”

5. “Vilani ka qenë katuni math… N’Grykë t’ Tarushit, ke Guri i Qorrit ka qenë kisha e madhe… Gjysmën e Polisit e ka pas Turqija, gjysma mahesh me Sopot… Eprami u thye veni dhe u prish ene Sopoti”. Polis-Librazhd, 1954 (f. 157).

6. Kur u mur Sopoti, vajtën e i thanë krajlit t’Sopotit qi “na e murën venin”. Krajli po piqte peshq me ‘i tavë dhe i thotë: “Sopoti merret kur të njallen kto peshq prej tavës. Kur peshqit hovën na tava! Ah, tha, na e paskan marrë vërtetë Sopotin”. Shushicë-Elbasan, 1954.

7. “Ni prej Polisit, qi kishte qanë me Gjork Golemin, e murën turqit e e çuan nga Turqia, Kur e pyetjin nji herë në vit (se e kishin mbyllur n’burg) “si e ke hallin”, ai u thonte: Pa pirë ujë në Sheremet,/ pa pi ujë në Gurrëshpatë,/ pa vanë sahatin n’vith të gjatë/ mua shpitrti mos më daltë! Ai s’e hiqte shpresën qi t’kthehej prap në Polis, dhe kujtonte kto vene me shejë t’katunit” (f. 158).

10, “Galigati sot asht nji katund i rrethit të Gramshit. Ktu ka qenë kisha e Shëmrisë, ku meshonte për shëmri Gjork Golemi me njerëzit e tij. Vendi i kishës sot asht mbushë me pyll. Në kët vënd ka shkuar deri vonë populli i Shpatit ditën e Shëmrisë për të ndezur qiri etj. Galigati asht 7 a 8 orë lark Sopotit”. Gjinar-Elbasan, 1954 (f. 159).

6. A e përkujton “Kënga e Gjorg Golemit” ngjarjen historike të rënies së Sfetigradit?

Së pari, nëse do ta pranonim se kënga i kushtohet rënies së Sopotnicës (Sfetigradit), atëhere do të pranonim se ajo është e mbështetur mbi një ngjarje historike, kurse ngjarja e këngës së Gjorg Golemit, siç e pamë, ishte e mbështetur mbi një legjendë. Së dyti, a janë elementët e këngës së Gjorg Golemit, si toponimia, antroponimia dhe tregimet popullore, që e përkujtojnë luftën e Sopotnicës? Përkundrazi. Mendojmë jo, pasi të gjitha elementet që u përmendën, si personazhet e këngës, emrat e vendeve që përshkruhen në këngë, legjendat dhe tregimet popullore për Gjorg Golemin, siç e pamë, ndodhen në Sopotin e Librazhdit, në kryeqendrën e dikurshme të Gjergj Aranitit, i cili gjeografisht ndodhet disa qindra kilometra larg Sfetigradit të sotëm.

Nuk i dimë arsyet e vërteta dhe qëllimin që kanë pasur autori (apo autorët), kur patën shkruar në libër se toponimia dhe antroponimia e këngës Gjorgj Golemit dhe tregimet popullore për Gjergj Aranitin dëshmojnë se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton luftën e Sopotnicës, kur, siç e pamë, si toponimet dhe antroponimet e përmendura në këngën e Gj. Golemit, si dhe tregimet popullore (legjendat) për Gjorg Golemin, nuk kanë asnjë lidhje me Sopotnicën, e cila ndodhet në viset e sotme të Maqedonisë së Veriut.

Jemi në dijeni se në Akademin e Shkencave të RSH është ngritur një grupi ri pune, për të rishkruar tekstin e ri të “Historisë së Popullit Shqiptar”. Shpresojmë shumë grupi i punës do të korigjohjë pasazhin e mësipërm të teksit të vjetër të “Historisë së Popullit Shqiptar”, Vol. 1, që e përmend këngën e Gjorg Golemit sikur përkujton rënien e Sfetigradit, kur e vërteta është ndryshe, që “Kanga e Gjorq Golemit” përkujton ngjarjen historike të rënies së Sopotit të Librazhdit.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com