BURIMET DOKUMENTARE NGA HAUS UND HOF STAATSARCHIV WIEN PËRIMZOT NIKOLLË KAÇORRIN SI ARKITEKT DHE KONTRIBUES I THEMELIMIT TË SHTETIT BASHKËKOHOR SHQIPTAR MË 1912

Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies

Budapest/

Perandoria Austro-Hungareze ka ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimet politike që ndodhnin në Ballkan në përgjithësi dhe në veçanti në Shqipëri. Diplomacia austro-hungareze ishte shumë aktive në fusha të ndryshme, posaqërisht nga koha e Rilindjes Kombëtare,[1] duke vazhduar me ritëm të shtuar në vitet e shpalles së Pavarsisë, por edhe më vonë në vitet në vijim. Duke ndjekur nga afër përmes përfaqësuesve të saj diplomatik e ushtarak, zhvillimet në trevat shqiptare që ende ishin në pushtim osman, përmes raporteve, telegrameve dhe dokumentacionit tjetër zyrtar, ne sot mund të analizojmë shumë aspekte nga këndvështrime të ndryshme si të mbështetjes politike, ekonomike, ushtarake, kulturore, arsimore, sociale etj.

Në këtë kuadër, kësaj radhe botjmë “vetëm” shtatë dokumente që kanë të bëjnë ngushtë me veprimtarinë e nënkrytarit të Qeverisë së Vlorës, atdhetarit dhe klerikut të ndritur imzot Nikollë Kaçorri, i cili edhe përkundër presionit që shkonte deri në kërcënim, nuk hoqi dorë asnjëher nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare për Pavarsi dhe për krijimin e shtetit shqiptar. Jo rrallë herë gjuha dhe veprimet diplomatike marrin ngjyrime tjera, të cilat duhen shikuar nga koha kur kanë ndodhur, e asnjë mënyrë nga pozitat e sotme.

Dokumentet që po analizojmë janë me mjaft interes për një peridhuë kohore prej disa muajsh, por kohë e mjaftueshme, për të krijuar një përshtypje dhe ide të qartë për zhvillimet dinamike dhe pozicionet në të cilat ndodheshin atdhetarët shqiptar gjatë kësaj periudhe plot trazira, sfida dhe të papritura.

Në dokumentin e parë që botojmë këtu, me mjaftë interes është qëndrimi i kryeipeshkvit të Durrësit imzot Primo Biankit si ndaj Austro-Hungarisë, poashtu edhe ndaj Selisë së Shejtë. Rëndësi të veçantë ka ky dokument për propozimin e bërë nga kryeipeshkvi për emrimin e ndihmësit tij, si dhe mendimi shumë i lartë që ka ai, për dom Nikollë Kaçorrin. Është mjaft domethënës fakti, kur kryeipeshkëv imzot Bianki shpreh rezervat e tij për imzot Doçin dhe klerin shkkodran, të cilët, sipas tij, mund të “bëjnë intriga” kundër dom Nikollë Kaçorrit. Për fat të keq, nuk kemi të sqaruar arsyen e një rezerve të tillë. Nëse shikojmë dokumentacionin tjetër, atëher ky rast nuk është i vetmuar.

Dokumenti i dytë është një telegram i nënkonsullit austro-hungarez Rudnay, dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë për veprimet e dom Nikollë Kaçorrit, të cilat kanë të bëjnë me ndihmën e ofruar prej tij, për drejtuesin e kryengritjes së malësorëve Pal Vataj nga Biza. Përmes këtij dokumenti mund të ndjekim kujdesin dhe interesin që tregon për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon Austro-Hungaria. Inforamcionet e hollësishme të shënuara në dokument na mundësojnë të kemi një pasqyrim shumë të saktë për dinamikën e zhvillimit të situatës politike dhe qëndrimet e klerikëve shqiptarë, veçanërisht të dom Nikollë Kaçorrit. Është shumë interesant presioni që i bën dom Nikollë Kaçorrit, nënkonsulli Rudnay për veprimet e tija, i cili në fund detyrohet të pranoj ndihmën e ofruar për Pal Vatajn. Nënkonsulli njofton për këto veprime ministin, ambasadorin e Austro-Hungarisë në Stamboll dhe konsullatën e tyre në Korfuz.

Dokumenti i tretë që botojmë është një relacion zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme Austro-Hungareze me udhëzime shumë të qarta për nënkonsullin Rudnay dhe ambasadorin, Markezin Pallavicini, për qëndrimet që duhet mbajtur ndaj klerit katolik dhe rreth zhvillimeve politike në Shqipëri. Qëndrimet shtetërore janë të qarta, të prera dhe shumë domethënse. Vihet në pah se kjo Ministri në mënyrë të vazhdueshme ka kundrështuar dhe më tutje do kundërshtoj dyshimet e qeverisë Otomane për qëndrimet e Klerit katolik në Shqipëri, duke u arsytuar me qëndrimet korrekte të pjesës dërmuese të klerikt katolik. Por, nuk mungojnë as tonet e ashpra dhe rekomandimet e prera, të cilat shkojnë deri në masën e kërcënimit për dom Nikollë Kaçorrin, të cilit i kërkohet që të heq dorë nga veprimtaria patriotike sepse në të kundërt do njofotjnë edhe Selinë e Shejtë, përkatësisht udhëheqësit e tij, në Propanda Fide, në Vatikan.

Dokumeni i katër edhepse i shkurtër, nënkosulli Rudnay, e njofton Konsullin e Përgjithshëm për qëndrimet dhe veprimet e tija ndaj dom Nikollë Kaçorrit, si dhe për mos-mundësinë e shkuarjes për vizitë te kryeipeshkvi imzot Primo Bianki në Delbinisht për shkak të situatës dhe rrethanava jo të favorshme politike. Mjaft i ashpër është qëndrimi për dom Nikollë Kaçorrin, ku e informon eprorin e tij, se nga dom Kaçorri ka kërkuar që të heq dorë nga vepimet e dyshmita politke! Është shumë i rëndësishëm informacioni se nënkonsulli ka fituar besimin e kelrit katolik, që len të nënkuptohet se ata nuk i mbështesin qëndrimet dhe veprimet e dom Nikollë Kaçorrit.

Dokumeni i pestë është raport shumë rezervat nga nënkonsulli Rudnay dërguar për ministrin e Punëve të Jashtme, Kontin Leopold Graf Berchtold, rreth qëndrimev të delgatëve shqiptarë të mbledhur në Durrës, për Kongresin për shpalljen e Pavarësisë si dhe ndihma e raportuesit, nënkonsullit Rudnay, që i ofron imzot Nikollë Kaçorrit për përpilimin e kërkesës për Madhërinë e Tij, si  dhe përshtatja në formë të rregullt e kërkesave të delegatëve, por duke hequr disa kërkesa “tepër të guximshme” të delegatëve shqiptarë. Nënkonsulli Rudnay shkruan se: “në rast se autonomia nën sundimin e Turqisë nuk ka për të qenë më e mundur, u kërkua “Pavarësia dhe Neutraliteti”. Delegatët në Durrës ishin mbledhur nën kujdesin e Imzot Nikollë Kaçorrit dhe Murat bej Toptanit.

Dokumeni i gjashtë është telegram i shifruar i konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, dërguar për ministrin e Punëve të Jashtme, Kontin Leopold Graf Berchtold, me informacionin për zgjedhjen e Ismail Qemalit për kryetar të Qeverisë së Përkohëshme si dhe për informacion për pushtimin e Durrësit nga ushtria serbe dhe të dhëna për mardhënjet shqiptaro-serbe, si dhe veprimet diplomatike të Ismail Qemalit me këtë rast.

Dokumeni i shtatë është Raport i konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, dërguar për ministrin e Punëve të Jashtme, Kontit Leopold Graf Berchtold, me informacionin për përbërjen e Qeverisë së Përkohëshme Shqiptare në Vlorë, emrat e funksionarëve si dhe funksionet e të dhjetë pjetarëve të Qeverisë së Përokohëshme.

Në vijim sjellin dokumentet e përkthyera nga gjermanishtja në gjuhën shqipe.

Dok. 1.

Durrës, 04 prill 1912.[2]

Raport sekret i të dërguarit Perandorak dhe Mbretëror në Durrës, Löwenthal, për Ministrin e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë në Vjenë, Kontin Leopold Graf Berchtold, rreth propozimit të kryeipeshkvit të Durrësit, imzot Primo Biankut, për emërimin e dom Nikollë Kaçorrit si: coadjutor cum jure successionis, në këtë kryipeshkvi dhe insistimin e tij për mbështetje tek Selia e Shejtë, nga ana e Perandorisë Austro-Hungareze, përmes princit Schönburg.

Telegram numër 13

Shumë urgjet /Skeret!

Shkëlqesisë së Tij:

Ministrit të Jashtëm perandork dhe mbretëror, Kontit Bertchold,[3]

Vjenë.

Imzot Bianki[4] që pas disa ditësh do të shkoj në rezidencën e tij verore, më bëri një vizitë lamtumirëse dhe më këtë rast më parashtoi lutjen si vijon:

Ai e ndien vetën të plakur dhe të lodhur për të administruar kryeipeshkvinë që e drejton. Për shkak të sëmundjes që kaloi këtë dimër, ai është mjaft i dobësuar dhe pohon se nuk është në gjendje që të drejtoj e administroi me shumë sukses e energji, shërbimet që kërkohen prej tij, duke shtuar edhe vështirësitë e shumta dhe udhëtimet e mundishme si dhe kushtet shumë të këqija që janë në kryeipeshkvinë e tij.

Prandaj ai[5]i është drejtuar me një kërkesë Selisë Shejtë që ti caktoj një coadjutor cum jure successionis[6]. Sipas pohimeve të tij, ai për këtë post kishte menduar protonoterin apostolik dhe njëherësh famullitarin e tij, për qytetin e Durrësit, dom Nikollë Kaçorrin, për të cilin mendom se është zgjedhja më e pëlqyeshme dhe më e drejtë edhe për ne.[7]

Imzot kryeipeshkvi pasi më njoftoi më këtë kërkesë të drejtur për Selinë e Shejtë, më është lutur që nga ana e jonë t’i rekomandojmë Selisë Shejtë, përmes princit Schönburg,[8] që për këtë post të zgjidhet dom Kaçorri, ose për këtë të merrej parsysh edhe mendimi i imzot Biankit. Nëse një gjë e tillë do kërkojhej nga ai, atëher ai do të popozonte vetë dom Kaçorrin, dhe lutet që propzimi i tij të mbështetet nga ana jonë.

Imzot Bianki me këtë rast shprehu një shqetësim, sepse dyshon se kryeipeshkvia e Shkodrës dhe sidomos kleri i kryeipeshkvisë së Shkodrës, posaqërisht imzot Doçi, do bëjnë intriga kundër peronalitetit të dom Kaçorrit.

Unë jam i bindur se personaliteti i klerikut të propozuar, nga ana e imzot kryeipeshkvit, është shumë mirë i njohur për shkëlqesinë Tuaj. Unë me këtë rast po kufizohem të vë në dukje, e të shënoj, mendimet dhe veprimtarinë e dom Kaçorrit, që kam mundur të siguroj gjatë qëndrimit tim të shkurtër këtu. Këto qëndrime pajtohen plotësisht me qëllimet tona dhe me ineresat e Monarkisë.

Prandaj, marr guximin që të rekomandoj dhe mbështesë edhe nga ana ime, kërkesën e imzot kryeipeshkvit për popozimin e bërë nga ana e tij, duke i bërë një mbështetje energjike kandidaturës së dom Kaçorrit.

Një kopje për Romën, numër 61 / Sekret

I dërguari Perandorak dhe Mbretëror

Löwenthal.[9]

Dok. 2.

Durrës, 10 maj 1912.[10]

Telegram i nënkonsullit Rudnay dërguar në Minisrtrinë e Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë për veprimet e dom Nikollë Kaçorrit, të cilat kanë të bëjnë me ndihmën e ofruar prej tij, për drejtuesin e kryengritjes së malësorëve, Pal Vataj nga Biza.

Telegram nr. 33

Shumë i nderuar Kont.[11]

Me ndihmën e famullitarit të këtushëm, dom Nikollë Kaçorri, me datë 04 të këtij muaji[12] shkoi për në Korfuz, me vaporin e Lloyd-it, malësori Pal Vataj, katolik shkodran, një nip i Átit françeskan të Bizës, Rrok Vataj.

I përmenduri, gjatë kryengritjës së vitit të kaluar, ishte njëri nga udhëheqësit e malësorëve. Flitet se tani para disa kohësh, ai, ka vra në fshatin e tij,[13] pesë ushtarë[14] për t’u marrë armët. Sipas informacioneve që kam siguruar unë, i përmeduri, ka shpresë se do furnizohet me armë nga konsullata italiane ose nga Ismail Qemal beu, të cilin e ka takuar vitin e kaluar personalisht. Siq jam njoftuar unë, sapo ka mbërritur në Korfuz, Pal Vataj, ka zhveshur veshejn e tij kombëtare dhe ka veshur kostumin e rrobave europiane.

Dom Nikollë Kaçorri, rezervorhej të më tregonte për këtë rast, si për identitetin e personit në fjalë ashtu edhe për qëllimet e tija. Pas insisitimit tim, ai pranoj se informacioni që kisha unë, ishte i saktë, dhe shtoi se Vataj, planifikon që të kthehet prap në Shqipëri përmes Serbisë ose Bosnjes.

Dom Nikollës unë i vura në dukje rreziqet dhe problemet që mund të shkaktonte për te dhe për ne, ndihma e dhënë prej tij, për personin në fjalë.

Një kopje të këtij relacioni po ja transmetoj Konsullatës Perandorake dhe Mbretërore në Korfuz në numrin 183 / Rezervat.

Në mënyrë identike u njoftua Stambolli[15] në numrin 29 dhe Shkodra në numrin 28.

Shkëlqesi, pranoni, konsideratën dhe respektin tonë më të thellë.

Rudnay.[16]

Dok. 3.

Vjenë, 20 maj 1912.[17]

Relacion zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme Austro-Hungareze me udhëzime shumë të qarta për nënkonsullin Rudnay dhe ambasador Markezin Pallavicini për qëndrimet që duhet mbajtur ndaj klerit katolik dhe rreth zhvillimeve politike në Shqipëri.

Raport numër 2093-2094:

I. Zotit von Rudnay,[18] Durrës

II. Markezit Pallavicini,[19] Stamboll

Në lidhje me realcionin e datës 10 të këtij muaji,[20] numër 33, ju lutem që në takimin e afërt me Imzot Biankin, zotëria Juaj, të drejtoni bisedën, duke i vënë atij në vëmendje rreziqet dhe pasojat që sjell qëndrimi i dom Kaçorrit, me rastin e ndihmës për kalim fshehurazi të malësorit Pal Vataj për në Korfuz.

Ne kemi provuar në çdo kohë, që të kundërshtonin pranë Portës së Lartë, dyshimet e qeverisë otomane që shfaqeshin herë pas here kundër qëndrimit të klerit katolik, duke bërë rekomandimet e rastit. Këto kundërshtime tona, do të bëhen edhe në të ardhmen, duke u mbështetur në qëndrimin korrekt të shumicës dërmuese të klerit.

Por, është për të ardhur keq, që pikërisht dom Kaçorri, e ka komprementuar në një farë mënyre të papëlqyeshme pozitën e tij dhe të klerit me një çështje mjaft delikate, dhe po merret tani prap me veprime të dyshimta.

Në emër të kësaj Ministrie, zotëria Juaj, duhet ti luteni imzot kryeipeshkvit, për t’a paralajmëruar dom Kaçorrin, që të mos i përsëritë herë tjetër këto veprime. Nëse qëndrimi i tij politik, do të sillte për pasoj ndonjë proçedim gjyqësor ndaj tij, atëher ne me keqëardhjen më të madhe do të ishim të detyruar të heqim dorë nga çfardo ndërhyrje në favor të personit në fjalë dhe se çështjen do ta paraqesim për dijeni Propagandes Fide.

Me rastine bisedimit tuaj me imzot Biankin, zotoria Juaj, të keni mirësinë t’i vini në dukje edhe rastin e përmendur në relacionin Tuaj numër 28, të datës 27 të muaj të kaluar,[21] që ka të bëj me  festën e organizuar aty me rastin e hypjes në fron të Madhërisë së Tij, Sulltanit. Dom Kaçorri nuk ka bërë ndriqimin e shtëpisë së famullisë katolike me këtë rast.

Në lidhje me relacionet e konsullatës Perandorake dhe Mbretërore të Durrësit,[22] të dërguara për Shkelqësinë Tuaj, me numër 25 e 30, në datat 27 të muajit të kaluar[23] e 10 të muajit në vijim[24], bashkangjitur këtu, ju dërgojmë për njoftim kofidencial kopjen e një udhëzimi të drejtuar nënkonsullit Rudnay, i cili ndjek veprimet e dyshimta të dom Kaçorrit.

Dok. 4.

Durrës, 31 maj 1912[25]

Në këtë dokument të shkurtër, nënkosulli Rudnay, e njofton Konsullin e Përgjithshëm për qëndrimet dhe veprimet e tija ndaj dom Nikollë Kaçorrit, si dhe për mosmundësinë e shkuarjes për vizitë te kryeipeshkvi imzot Primo Bianki në Delbinisht, për shkak të situatës dhe rrethanava jo të favorshme politike.

Shumë i nderuari zoti Konsull i Përgjithshëm.

Urdhërin e ngarkaur me shkresën e lartëcekur numër 2093, të datë 20 të këtij muaji,[26] unë, nuk kam mundur që ta vë në zbatim, sepse pengesë janë rrethanat e tanishme politike këtu. Nuk e konsideroj të këshillueshme një udhëtim për në Delbinisht për momentin.

Por, unë nuk kam lënë pas dore, as më parë e as tani, që në mënyrë shumë energjike të urdhëroja dom Kaçorrin, që të hiqte dorë nga aktivitetet e tija politike të dyshimta, dhe për sa mund të jap një gjykim unë, personi në fjalë është i ekzaltuar, dhe tani është më i qetë se sa ishte më parë.

Shpresoj që më në fund ia kam arritur qëllimit që të fitoja qëndrimin e Klerit për këtë rast të veçantë. Deri me sot, këtu, nuk kemi pasur asnjë lëvizje kryengritëse në territorin e Kryeipeshkvisë, pëveç asaj të “Besës” së Kthellës, e cila është një çerdhe myslimanësh. Shpresoj që brenda mundësive të mia, do të siguroj qetësinë në këtë zonë.

Zoti Visner, është duke u kthyer. Që nga e enjta është nisur prej Korfuzit, i cili do të udhëtoj përmes Durrësit për në Vjenë. Me të mbërritur vaporri këtu, unë do e takoj atë dhe do drekoj së bashku me të.

Duke ju lutur me përulje të pranoni përshëndetjet e mia

Rudnay.

Dok. 5.

Durrës, 13 nëntor 1912[27]

Raport shumë rezervat nga nënkonsulli Rudnay dërguar për ministrin e Punëve të Jashtme, Kontin Leopold Graf Berchtold, rreth qëndrimev të delgatëve shqiptarë të mbledhur në Durrës, për Kongresin për shpalljen e Pavarësisë si dhe ndihma e raportuesit, nënkonsullit Rudnay, që i ofron imzot Nikollë Kaçorrit për përpilimin e kërkesës për Madhërinë e Tij, si  dhe përshtatja në formë të rregullt e kërkesave të delegatëve, por duke hequr disa kërkesa “tepër të guximshme” të delegatëve shqiptarë. Nënkonsulli Rudnay shkruan se: “në rast se autonomia nën sundimin e Turqisë nuk ka për të qenë më e mundur, u kërkua “Pavarësia dhe Neutraliteti”. Delegatët në Durrës ishin mbledhur nën kujdesin e Imzot Nikollë Kaçorrit dhe Murat bej Toptanit.

Shumë rezervat.[28]

Shkëlqesisë së Tij, KontitLeopold Graf Berchtold.

Telegram, nr. 74.

Shumë i nderuari Kont!

Duke ju referuar telegrameve të dërguara me devotshmëri nga ana jonë, me datë 13 të këtij muaji, nën numrin 96 dhe 98, këtu ngjitur kam nderin të parashtroj lutjen e delegatëve të Shqipërisë, që gjenden në Durrës, e cila i drejtohet Madhërisë së Tij.

Telegrafisht unë mora lejen t’i raportoja Shkëlqesisë Suaj motivet që më kanë bërë për të shkruar këtë dokumet.

Kur pashë se qëndrimi i popullsisë fanatike, e cila mbajtjen e një Kongresi e sheh si një rrezikim për sovranitetin e kalifit, bën të pamundur realizimin e kësaj Asambleje, sepse kërkon madje nga Mytesarifi edhe dëbimin e delegatëve të huaj dhe pasi edhe ortodoksët mbajtën në këtë drejtim një qëndrim refuzues (sepse ata kërkojnë një pushtim të huaj për të mos u qeverisur prej shumicës muslimane) – të shihet telegrami i këtushëm nr. 95, data 12 e këtij muaji, unë vendosa që të shfrytëzoja disponimin e favorshëm të delegatëve për ne.

Me rastin e një bisede të lirë që unë pata me famullitarin e Durrësit dom Nikollë Kaçorrin dhe pastaj edhe me Murad bej Toptanin, mu dha rasti të përmendja se Monarkija tregon një interesim të madh për Shqipërinë, dhe se ajo nuk mendon për një pushtim të saj dhe se dëshiron që në këtë kohë të vështirë t’u vjen në ndihmë shqiptarëve, por në këtë drejtim do të ishte e nevojshme që të bëhet diçka pozitive. Pastaj unë në bisedim e sipër i diskutova kalimthi çështjet që do të duhej t’i përmbante një lutje. Një ditë më vonë unë mora prej Imzot Kaçorrit në një formë kofidenciale konceptin e një lutje drejtuar Madhërisë së Tij prej së cilës, simbas këshilles sime, u eliminuan disa kërkesa tepër të guximëshme.

Murad bej Toptani, të cilit unë i kisha borxh një vizitë, më tregoi më vonë kofidencialisht se delegatët, duke vërejtur se mbajtja e Kongresit po vihej në rrezik, kishin marrë vendim për të vepruar urgjentisht dhe se dëshërionin që t’i parashtronin një lutje Madhërisë së Tij Apostolike.[29]

Kur mora dokumentin e bashkëngjitur, unë konstatova me kënaqësi, se ai ishte brenda linjës që caktova unë dhe dom Nikollë Kaçorri, duke marrë në konsideratë qëndrimet e ndryshme të delegatëve.

Kështu, në rast se autonomia nën sundimin e Turqisë nuk ka për të qenë më e mundur, u kërkua “Pavarësia dhe Neutraliteti”. Ky modus i fundit ishte i nevojshëm që të përdorej për barazimin e qëndrimeve, se përndryshe nuk do të arrihej një marrëveshje.

Unë i kam kushtuar një rëndësi të veçantë stilit, i cili, me sa të jetë e mundur, të lejojë një interpretim sa më të gjerë, dhe unë u përpoqa të zgjedh një formë, e cila përjashton  ipso facto përfshirjen e shteteve të tjera të mëdha, po pa marrë as ne angazhime.

Me rastin e dorëzimit të kësaj lutje unë kam dhënë sigurimet se nuk do ta përdor atë për të ndikuar në Kongresin eventual dhe se nuk marr përsipër asnjë lloj detyrimi. Gjithashtu edhe dorëzuesit mu lutën që, përsa kohë nuk do të mbahet Kongresi dhe për sa kohë nuk ekziston sundimi turk në Shqipri, për arsye të vetëkuptueshme, çështja duhet të trajtohet tepër kofidencialisht.

Prej delegatëve të pranishëm, që për nënshkrimin e tyre kanë vënë emrat e qyteteve të përfqësuar prej tyre, vetëm Mit’hat bej Frashëri nuk e ka vënë nënshkrimin pa motivacion, kurse të gjithë veprimtarinë dhe motivimin e tij e ka miratuar.

Më në fund, dëshiroj t’i njoftoj përvujtësisht Shkëlqesisë Suaj, se konstatova se bejlerët llogarisin marrjen parasysh të lutjes, qoftë edhe në një formë të përgjithëshme.

Një fjalë e mirë e dërguar atyre nga Madhëria e Tij, që mund t’u përcillej me anën time, mund të ndikonte në mënyrë të favorshme në punimet e Kongresit eventual.

Edhe një herë marr lejen të njoftoj shumë përvujtësisht se unë vendimin për këtë hap e mora për rastin, që, edhe në qoftë se do dështonte mbledhja e Kongresit, ne do të posedonim një dokument prej parisë shqiptare, i cili pa na ngarkuar ne, me deytrime, mund të përdorej për situata të veçanta.

Pranoni, Shkëlqesi, shprehjen e respektit tim më të thellë.

Nënkonsulli Rudnay

Dok. 6.

Vlorë, 28 nëntor 1912[30]

Telegram i shifruar i konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, dërguar për ministrin e Punëve të Jashtme, KontinLeopold Graf Berchtold, me informacionin për zgjedhjen e Ismail Qemalit për kryetar të Qeverisë së Përkohëshme si dhe për informacion për pushtimin e Durrësit nga ushtria serbe dhe të dhëna për mardhënjet shqiptaro-serbe, si dhe veprimet diplomatike të Ismail Qemalit me këtë rast.

Shkëlqesisë së Tij, Kontin Leopold Graf Berchtold.

Telegram, nr. 37.

Shumë i nderuari Kont!

Kuvendi Kombëtar Shqiptar zgjodhi sot Ismail Qemal beun si kryetar  dhe imzot Nikollë Kaçorrin si nënkryetar të Qeverisë së Përkohëshme. Anëtarët e tjerë do të emrohen nesër prej Ismail Qemal beut.

Ismail Qemal beu sapo më njoftoi mua dhe kolegun tim italian sot se Durrësi u pushtua nga ushtria serbe. Po ashtu, Elbasani u urdhërua telegrafisht nga Ohri për t’u dorëzuar pa rezistencë. Ai paska njoftuar komandantin serb në Ohër, se prej ditës së sotme, Shqipëria është e Pavarur dhe dëshiron të jetojnë në paqe me fqinjët e saj. Kundër veprimeve të mëtutjeshme serbe do të bëhet një protestë, në rast nevoje.

Për sa i takon Durrëst, Ismail Qemail beu, i lutet Shkëlqesisë Suaj, për të informuar për mënyrën e marrjes së tij, veprimet eventuale të konsullatave perandorake e mbretërore si dhe mbi mundësinë për të pasur lidhje telegrafike me Durrësin, të cilës ai i kushton shumë rëndësi.

Dok. 7.

Vlorë, 05 dhejtor 1912[31]

Raport i konsullit austro-hungarez në Vlorë, Lejhanec, dërguar për ministrin e Punëve të Jashtme, KontitLeopold Graf Berchtold, me informacionin për përbërjen e Qeverisë së Përkohëshme Shqiptare në Vlorë, emrat e funksionarëve si dhe funksionet e të dhjetë pjetarëve të Qeverisë së Përokohëshme.

Shkëlqesisë së Tij, Kontin Leopold Graf Berchtold.

Telegram, nr. 871.

Shumë i nderuari Kont!

Sot[32] u formua Kabineti Qeveritar si vijon:

Ismail Qemal beu, Kryetar dhe ministër i Jashtëm; imzot Nikollë Kaçorri, nënkryetar dhe ministër Paportofol; Mehmet pashë Kalkandeleni[33], ministër i Luftës; Myfid bej Libohova, ministër i Brendshëm; Abdi bej Toptani, ministër i Finacave; Mit’hat bej Frashëri, ministër i Punëve Publike; Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit; Petro Poga, ministër i Drejtësisë; Lef Nosi, ministëri i Postë-Telegramës; Pandeli Cale, ministër i Bujqësisë, i Industrisë dhe Tregtisë.

Prej anëtarëve pesë janë myslimanë, tre ortodoksë dhe dy katolikë.

Zenel bej Peja[34] u caktua si President i Pleqësisë.[35] Isa Boletini dhe Riza bej Gjakova, si komandantë ushtarakë.

Deri me sot, Pleqësia[36] ka 18 anëtarë të zgjedhur.

Nga një kopje për Konstantinopojën dhe Janinën.

Lejhanec.

(Fragment nga vëllimi që po përgadititet për botim me dokumente arkivore ausotro-hungareze, për Imzot Nikollë Kaçorrin, të nxjerrura nga: Haus und hof Staatsarchiv, Wien )

IMZOT NIKOLLË KAÇORRI – JETA DHE VEPRA

Studimi i historisë bashkëkohore,[37] veçanërisht i periudhës që i takon edhe imzot Nikollë Kaçorri kërkon shumë kujdes, paanshmëri e profesionalizëm të lartë, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ballafaqim të shpeshtë të burimeve të reja me “tabutë e krijuara për shumë vite” nga emra të njohur të historisë së popullit shqiptar me idetë tanimë të vjetëruara dhe të tejkaluara të qasjes së metodologjisë së vjetër shkencore të personaliteteve dhe ngjarjeve të veçanta.

Botimi i dokumenteve ashtu siç u shkruan në kohën e krijimit të tyre, pa ndërhyrje, duke ruajtur aq sa është e mundur origjinalitetin dhe saktësinë ortografike, toponominë dhe mikrotoponominë vendore, emrat e fisveve dhe perosnaliteve që vinë nga fiset ose krahinat e caktuara, të shikuara sipas binomit të paralelizmit qëndror: “Fe e Atdhe” pa një dallim ose favorizim thelbësor religjioz apo patriotik,[38] bëjnë që të realizohet besnikërisht qëllimi dashamirës për ta paraqitur këtë binom që shquhet sidomos te shqiptarët. Laiciteti[39] i të riut Nikollë, ndërthuret me mjeshtëri pa u vënë re me petkun e priftit dom Nikollë, duke mos përjashtuar atë më kryesoren dashurinë për atdheun, vendlindjen, popullin dhe në asnjë situatë, besimtarët.

Shtjellimi i shtresëzuar i një rrëfimi shkencor sipas modaliteteve bashkëkohore,[40] kritike të botimeve të specializuara, studiuesin, historianin e lexuesin i bën që me padurim të lexojnë faqe pas faqe një jetë të panjohur, por shumë të bujshme që nga fëmijëria e varfër, gjë pothuajse e zakonshme për pjesën dërrmuese të shqiptarëve, pastaj shkollimin, studimet e më vonë jetën meshtarake që nga shugurimi dhe përkushtimi për jetën fetare[41] (ku kthimi i tij në atdhe e vendlindje “festohet sikur të ishte një dasmë”), ngritjen dhe bllokimin në hierarkinë kishtare dhe pastaj ballafaqimin me patriotin dhe nacionalistin e përkushtuar për atdhe deri në vdekje.

Studimet burimologjike arkivore për figura të shquara kombëtare dhe fetare të mbështetura në kërkime të thelluara profesionale, hulumtime arkivore dhe shfrytëzim të një literature të bollshme të fushave të ndryshme, e plotësuar edhe me burime dytësore si memoaret apo rrëfime-intervista të personave të gjallë, kur shkruhen nga penda të mençura dhe profesionale, domosdoshmërisht përbëjnë një ngjarje kryesore dhe janë literaturë e pashmangshme për rishikimin dhe rishkrimin e historisë sonë kombëtare, veçanërisht të periudhës së Pavarësis së Shtetit Shqiptar.[42]

Qëmtimi me kujdes, ballafaqimi kritik me burime relevante,[43] vlerësimi racional dhe paraqitja logjike me një gjuhë të rrjedhshme e të pastër, pasiqë është punuar, konsultuar e analizuar me profesionalizëm e me burimet origjinale, mundësojnë studime, analiza dhe nxjerrje përfundimesh nga këndvështrime të ndryshme për personalitetet që fimorësn gurëthemelin e shtetit shqiptar, e njëri nga ata ishte imzot Nikollë Kaçorri, që me veprimet e tij të menqura dhe largëpamëse, prej burrështetasit,[44] zë vend në lterin e nderuar të themeleve të shtetit bashkëkohor shqiptar.

Nikollë Kaçorri u lind në fshatin Krejë, një krahinë e vogël e Lurës, por e nderuar dhe e vlerësuar për peronalitetet që i dha në historinë e Shqipërisë. Ky vend i bukur, i vendosur në mes të Dibrës, Mirditës dhe Matit, që nuk i përkiste asnjërës prej këtyre trevave dhe, duke qenë pak nga këto të trija, krijoi individualitetin e vet të spikatur. Gjergj Fishta, pasi e vizitoi, pati thënë: “Kush nuk njeh Lurën nuk njeh Shqipërinë”[45].

Babai i Nikollë Kaçorrit, Vokrri ishte djali i Kolë Kaçorrit. Vokrri, ndonëse katolik i devotshëm, ishte martuar me Hane Vladin, një vajzë myslimane nga Lura, e shtëpisë së  njohur së Vladëve, edhe ata të përzier në fe, që ishin shumë të lidhur me nipat e tyre katolikë, pa asnjë lloj paragjykimi (…), ndërsa edhe xhaxhai i Nikollës ishte mysliman.[46] Vokrri dhe Hane Vladi patën dy djem, të cilët u rritën si katolikë të devotshëm, të cilët quheshin: Ndrecë e Nikollë.

Për datën e lindjes së Nikollë Kaçorrit ka mendime të ndryshme. Sipas njërit prej biografëve të tij, Sali Ajazit “dokumenti i pagëzimit që kërkohej për të vazhduar studimet në Romë i ishte lëshuar në vitin 1882, në atë vit kur ka filluar studimet dhe, nisur nga data e këtij dokumenti, si dhe nga fakti se ka shkuar për studime në Romë në moshën 17 vjeçare, del se viti i lindjes së tij është 1865”.

Në fëmijërinë e Nikollë Kaçorrit nuk kishte shumë shkolla në gjuhën shqipe në Lurë. Ndërkohë, në treva të tjera fqinje, Dibër e Mat kishte ndonjë të rrallë, ku mësimet të shumtën merreshin në gjuhën turke. Nikolla i ri bëri mësimet në Kryeipeshkvinë e Durrësit[47] ku ekzistonte një kolegj i vogël, me qendër në Delbnishtit në Kurbin,[48] ku, kishin djekur mësimet shumë të rinjë që më vonë u bënë atdhetarë, fetarë /priftërinj/ dhe figura të nderuara të Shqipërisë.[49] Në Delbnisht Nikolla qëndroi për një kohë të shkurtër, duke vazhduar mësimet që i kishte nisur në Lurë, për t’u përgatitur për në Seminarin Papnor të Shkodrës. Studimet në Seminar bëheshin në gjuhët shqipe dhe italiane. Studimi zgjaste rreth shtatë vjet në gjimnaz dhe katër vjetë të tjera ishin për të studiuar teologji. Pasi mbaroi me sukses të lartë studimet në Shkodër, Nikolla u zgjodh për të studiuar në Kolegjin Urmanian të Propaganda Fide-s në Romë.

Në Kolegjin Urbanian të Romës, Nikolla studioi 6 vjet, nga të cilat, katër vjet për gramatikë dhe dy vjet për retorikë. Pas studimeve në në Romë, ai vazhdon edhe dy vjetë të tjera studimi në Universitetin “Zeking” në Zyrih në Zvicrër. Këtu Nikolla studioi teologji, filozofi dhe shkenca politike dhe u diplomua në vitin 1938.[50]

Më 1908, Nikollë Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Elbasanit. Në nëntor të vitit 1912, si delegat i Durrësit, mori pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe ishte firmëtar i dokumentit të pavarësisë. U zgjodh nënkryetar i qeverisë shqiptare. Pas rënies së Qeverisë së përkoshme, Imzot Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, në Vjenë. Atje qëndroi derisa vdiq, më 29 maj 1917. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917, në Zentralfriedhof, Austri në “Central Cementery” në grupin 84, rreshtin 32, numër 19. Certifikata e vdekjes e Imzhot Nikollë Kaçorit ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar, AQSH. F. 65, V. 1917, D. 144. F. 1.[51] Sot eshtrat e Imzot Nikollë Kaçorrit prehen në Shqipëri, në Kishën e Shën Luçisë, në Durrës.[52]

Me origjinë nga një krahinë e varfër,[53] me specifika shumë interesante,[54] me një besë e burrëri të panjollosur, me një zgjuarsi natyrore, imzot Kaçorri edhe kur ishte zëvëndës-kryeministër[55] (në fakt, në shumë raste e për shumë kohë ushtroi detyrën e kryeministrit kur Ismail Qemali[56] mungonte, kur ndodhej jasht shtetit)[57] por edhe më vonë, në përballjen me Esat Pashën, ai tregoi zgjuarsi, mençuri e pjekuri duke marrë vendime të drejta të cilat edhe sot e kësaj dite janë të padiskutueshme.[58]

I formuar në rrethet intelektuale arsimore të kohës,[59] me një shkathtësi të veçantë të përdorimit të gjuhëve të huaja që njihte, prifti i ri as edhe një herë nuk i shkëputi lidhjet dhe interesimin për atdheun që ndodhej nën një shtypje të rëndë, nga një pushtues mizor, në momente shumë të rëndësishme të kthesave të mëdha historike, të mbijetesës dhe të shtetëformimit modern.[60]

Nuk ishte fare e lehtë të veprohej në kushtet e survejimit, ndjekjes e burgosjes,[61] të torturave mizore dhe sfidave nga më të pabesueshmet, megjithatë, burrëria dhe shpirti liridashësh ngadhnjyen mbi të keqen, duke e bërë tani priftin e pjekur dhe të nderuar në popull e në bajraqe, të respektuar në kuvende e takime, dëshmitar dhe pjesëmarrës direkt, të njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kohës moderne, shpalljes së pavarësisë së shtetit modern shqiptar.[62]

Nuk është rasti i parë që një klerik intelektual shqiptar i formuar dhe i brumosur me dije nëpër qendrat universitare të Europës, të vërë në veprim binomin “Fe e Atdhe”.[63] Por, rasti i imzot Nikollë Kaçorrit është shumë intersant dhe me specifika tepër të veçanta.[64]

Njëri nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe trevës nga është origjina e imzot Nikollë Kaçorrit, të cilit duhet kushtuar një vëmdje e posaqme, është edhe fenomeni i “laramanizmit ose kriptokatoliçizmit.”[65] Për shkak të rëndësisë që ka ky fenomen, por edhe për vetë ndërlidhshmërisë funksionale me ngritjen hierakike kishtare të imzot Nikollë Kaçorrit mendojmë se atij i duhet kushtuar një vëmendje e posaçme. “Lura sot paraqet një rast unikal në Europë. Ajo është e përzier në fe, jo thjeshtë si krahinë me fshatrat e saj, por edhe brenda të njëjtës strehë familjare. Nuk ka shtëpi që të mos jetë lidhur në trungun e vet me familje të fesë tjetër. Kështu, për të krishterët, apo myslimanët personat e fesë tjetër janë vëllai, nipi, kushëriri, miku dhe, duke qenë të tillë, ata janë pjesë e pandarë e tyre ku, përballë lidhjes së fortë të gjakut, ndryshimet në besim kalojnë në rend të dytë.“[66]

Në literaturën historike, fenomeni i “Laramanizmit te shqiptarët” është trajtuar më se një herë,[67] por pa u thelluar në specifikat, kushtet, arsyet dhe rrethanat që ndikuan në përhapjen dhe shtrirjen e këtij fenomeni te shqiptarët[68] në përgjithësi dhe në rastin konkret në Lurë, në veçanti. Është trajtuar në mënyrë sipërfaqësore nga autorë që janë vetë me origjinë “laramane ose kriptokatolike” të cilët nuk kanë mundur t’i mënjanojnë paragjykimet,[69] kështuqë punimet e tyre nuk e kanë trajtuar thellësisht dhe gjithanshmërisht këtë problematikë mjaft të ndjeshme[70] për shoqërinë tonë.

Dom Nikollë Kaçorri nuk arriti të emrohej ipeshkëv apo kryeipeshkëv. Deri me sot, jnaë përmendur  në mënyrë hipotetike arsye të ndryshme, por e vërteta është krejt tjetër. Nuk qëndron pohime se dom Nikolla nuk arriti të ngrihej në pozita të larta kishtare për shka të “aktiviteti patriotik ose angazhimet politike”. Një pohim i tillë nuk është i qendrueshëm, për faktin se Selia e Shenjtë,[71] kishte në dorë një argument tjetër tepër të rëndësishëm, e që deri me sot nuk është shkelur apo anashkaluar. Ky argument është: imzot Nikollë Kaçorri ishte “Laraman ose kriptokatolik” dhe kishte edhe në familjen e ngushtë e të gjerë myslimanë!

Sipas të Drejtës Kanonike, si ipeshkv apo në një funksion tjetër më të lartë kishtar cilidoqoftë ai, nuk mund të emërohet në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, një përson që ka origjinë ose të kaluar të tillë.[72] E Drejta Kanonike është shumë e rreptë dhe një gjë të tillë e sanksionon në mënyrën më rigoroze të mundshme.

E vetmja mundësi për emërimin e tij si ipeshkv mund të ishte, rasti kur imzot Nikollë Kaçorri, ipeshkvi ose kryeipeshkvi që e kishin propozuar atë, i janë drejtuar “Penitencierisë së Shenjtë – Sacra Penitentieria[73] dhe nëse ky dikaster si njëri ndër më të rëndësishmit dhe me kompentenca direkte për çështje kërkonte Papës leje të veçantë, në rastin tonë, që imzot Nikollë Kaçorri të mund të emërohej me gjithë këtë ‘njollë’ në biografinë e tij apo të familjes së tij. Me një bulë të veçantë, Papa jepte miratimin e tij për të proceduar me emërimin, dhe për këtë njoftohej edhe Kolegji i Kardinalëve.

Ne nuk kemi informacione nëse imzot Kaçorri apo ipeshkv P. Bianki i janë drejtuar “Penitencierisë së Shenjtë” për një gjë të tillë, sepse dokumentet që ruhen në arkivin e “Penitencierisë së Shenjtë” në kushte tepër të rrepta sigurie[74] dhe pas shumë garancish përkatëse,[75] nuk janë të hapura për studies e në asnjë mënyrë edhe për publikun e gjërë. (Për informacion mund të themi se njëra nga studiueset e rralla në botë që ka pasur fatin të bëjë kërkime shkencore në këtë fond, në Arkivin Sekret të Vatikanit, /Archivio Segreto Vaticano sot Archivio Apostolico Vaticano/ është shqiptarja, Prof. Dr. Etleva Lala).

Pra dëshirojmë të ripërsërisim se shkak për mosemërimin e imzot Kaçorrit si ipeshkv në Shkup, Shkodër apo Durrës[76] është origjina e tij prej “laramani ose kriptokatoliku” dhe asgjë tjetër personale, politike apo fetare,  etj.

Të gjithë ne ia kemi borxh një perosnaliteti dhe figure të tillë poliedrike, e atdhetare, që ta vëmë atë në vendin e tij, aty ku i takon, në lterin e lirisë, si njëri prej themeluesve të shtetit bashkëkohor shqiptar.[77]

(Fragment nga monografia që po përgaditet për botim  për Imzot Nikollë Kaçorrin)


[1] Ferid Duka, Dritan Egro, Sokol Gjermëni [Ed.], Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912). Vëll. II (prill-maj). Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë. Botimet Albanologjike.Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë -Tiranë, 2012, vëll. II., f. 8.

[2] Haus und Hof Staatsarchiv, Wien, Politisches Archiv, Albanien – Ministria e Punëve të Jashtme (HHStA.Albanien, V /22/553 dhe F. Duka, Shqipëria në dokumentet…, vëll. II., nr. 13, f. 57-58.

[3]Leopold Anton Johann Sigismund Josef Korsinus Ferdinand Graf Berchtold, [shkurt: Leopold Berchtold]ka lindur në Vjenë më 18 prill 1863 dhe ka vdekur në Peresznye, qarku Sopron, në Hungari, më 21 nëntor 1942. Ishte ministër i punëve të jashtme të Austro-Hungarisë nga 17 shkurti 1912 deri më 13 qershor 1915.

[4]Imzot Primo Bianki (Prend Bardhok-Kameri), ka lindur në Delbinisht të Kurbinit, më 16 maj te vitit 1852. Mësimet e para i mori në shkollën e Delbinishtit në kujdesin e kryeipeshkvit të Durrësit, Raffaele D`Ambrozio. Më 7 gusht 1864 dërgohet në Kolegjin Papnor në Shkodër. Pas përfundimit të studimeve në Shkodër, për katër vjetë studion në Romë. Shugurohet meshtar me 19 shtator të vitit 1874. Më 20 gusht të vitit 1879 pagëzohet si ipeshkv nga kryeipeshkvi i Durrësit Paskuale Guerrini. Me17 korrik 1893 u zgjodh Kryeipeshkv i Durrësit, duke zëvendësuar në këtë detyrë Imzot Rafaele d’Ambrosion. Vdes më 18 gusht të vitit 1927.

[5] Imzot Bianki (m.a.)

[6] Një: ndihmës me të drejtë të trashëgimisë së pozitës.

[7] Për: Austro-Hungarinë.

[8]Johannes Maria Aloys Otto Heinrich Alexander Prinz von Schönburg-Hartenstein. Ambasador i Austro-Hungarisë pranë Selisë së Shejtë në Vatikan, 1911-1918. Ka lindur më 12 shtator të vitit 1864 në Kalanë Enzesfeld dhe ka vdekur në Vjenë më 30 mars të vitit 1937.

[9]Dr. Heinrich Ritter Löwenthal von Linau, ka lindur në Vjenë, më 31 gusht 1870 dhe ka vdekur në Kraków të Polonisë, më 14 gusht të vitti 1915. Shih edhe: F. Duka, Shqipëria në dokumentet…, vëll. II., f. 57-8, nr. 13.

[10] HHStA.Albanien, XV /22/1524; F. Duka, Shqipëria në dokumentet…, vëll. II., nr. 146, f. 210-211.

[11] Informacioni i dërgohet: Leopold Anton Johann Sigismund Josef Korsinus Ferdinand Graf Berchtold, Ministër i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë.

[12] Është fjala për datën 04 maj 1912. [m.a.]

[13] Është fjala për fshatin Bizë. [m.a.]

[14] Ushtarë turq (m.a.).

[15] Është fjala për ambasadorin e Austro-Hungarisë në Stamboll: Johann Markgraf von Pallavicini.

[16]LajosRudnay (ose: Aladár Székely), ka lindur në Budapest më 05 mars të vitit 1870 dhe ka vdekur po në Budapest më 27 shtator të vitit 1940.

[17] HHStA.Albanien, XIX /22/1936; F. Duka, Shqipëria në dokumentet…, vëll. II., nr. 212, f. 287-288.

[18]LajosRudnay (ose: Aladár Székely).

[19]Johann Markgraf von Pallavicini. Ambasador i  Austro-Hungarisë në Stamboll në vitet 1906-1918. Ka lindur në Padovë (Itali) më 18 mars 1848 dhe ka vdekur në Pusztaradány (Hungari) më 04 maj 1941.

[20] Është fjala për telegramin e datës 10 maj 1912, dërguar nga nënkonsulli LajosRudnay. Shih më lartë dok. 2. [m.a.].

[21] Është fjala për telegramin e nënkonsullit Lajos Rudnay, dërguar në Vjenë më 27 prill 1912, ku bëhet fjalë për hipjen në fron të Sulltan Mehmet Reshadit V. [m.a].

[22] Relacioni nr. 2093 e 2094 është dërguar për zotin von Rudnay në Durrës dhe për markezin Pallavicini në Stamboll nga Ministria e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë.

[23] Është fjala për telegramin e datën 27 prill 1912, të nënkonsullit Lajos Rudnay.

[24] Është fjala për telegramin e datës 10 maj 1912, dërguar nga nënkonsulli LajosRudnay. Shih më lartë dok. 2. [m.a.].

[25] HHStA.Albanien, XV /22/1556; F. Duka, Shqipëria në dokumentet…, vëll. II., nr. 276, f. 358.

[26] Është fjala për relacionin e dërguar nga: Ministrinë e Punëve të Jashtme e Austro-Hungarisë, më 20 maj 192, për LajosRudnay në Durrësdhe MarkezinPallavicini në Stamboll. Shih më lart, nr. 3.

[27] HHStA. Albanien, XV /22/1153; Marenglen Verli & Ledia Dushku, [Ed.]. Shqipëria në dokumentet Austro – Hungareze (1912). Vëll. VI (nëntor – dhjetor).  Përgatitja dhe redaktimi: Marenglen Verli & Ledia Dushku. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë. Botimet Albanologjike.Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë-Tiranë, 2012, vëll. VI, nr. 106, f. 173-175.

[28] Shumë sekret.

[29] Ësht fjala për papën e Selisë së Shejtë. Në këtë kohë,në Selinë e Shenjtë në Vatikan, pontifikonte Papa Piu i X, që kishte filluar pontifikatin më 04 gusht 1903. Ky kishte qenë papë deri më 20 gusht 1914, kur kishte vdekur.

[30] HHStA. Albanien, XV /22/1153; L. Dushku, Shqipëria në dokumentet Austro – Hungareze…, vëll. VI, nr. 325, f. 373-374.

[31] HHStA. Albanien, XV /22/1153; L. Dushku, Shqipëria në dokumentet Austro – Hungareze…, vëll. VI, nr. 392, f. 427-428.

[32] Është fakt njohur tashmë se Qeveria e Përkohëshme Shqiptare në Vlorë është formuar me datën 04 dhjetor 1912, e jo me datën 05 dhjetor siq shhkruan konsulli austro-hungarez. Si duket deri te lajthitja e datës ka ardhur për shkakun se raporti është përgatitur me datën 04 dhejtor dhe është dërguar me 05 dhjetor!

[33] Mehmet pashë Derralla (Tetova).

[34] Në origjinal: Ipeku.

[35] Edhe këtu është gabim në informacion i konsullit austro-hungarez, ngase kryetari i Pleqësisë (Senatit) është zgjedhur Vehbi Agolli /Dibra/ që ishte myfti i Dibrës.

[36]Senati.

[37] Dominique Kirchner Reill, Nationalists Who Feared the Nation. Adriatic Multi-Nationalism in Habsburg Dalmatia, Trieste, and Venice. Stanford, California: Stanford University Press, 2012, f. 116-118.

[38] Ludwig Thallóczy, Beiträge zur Siedlungsgeschichte der Balkanhalbinse. /Die Urgeschichte des Illyrertums au dem Gebiete Bosniens. Në: Illyrisch-Albanische Forschungen. München und Leipzig: Verlag von Duncker et Humblot, 1916, vëll. I, f. 40-47. (Ne kemi shfrytëzuar edhe: Vëzhgime Iliro-Shqiptare. Përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja. Shkodër: Camaj-Pipa, 2004).

[39]Pëllumb Xhufi, Ndikime italiane në Rilindjen Kombëtare Shqiptare. /Italian influences in the Albanian National Movement/. Në: Studime Historike. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë. Tiranë: Instituti i Historisë, 2014, viti LXVII (L), nr. 1-2, f. 19-40, këtu: f. 30.

[40] Christine Maria Grafinger, Die Ausleihe Vatikanischer Handschriften und Druckwerke 18. Jahrhundert. [Studi e Testi, vëll. 407. Biblioteca Apostolica Vatikana]. Teil. II. Cità di Vaticano: Archivio Segreto Vaticano, 2002, vëll. 407, f. 311-356.

[41] Pjetër Logoreci, Dom Nikollë Kaçorri. Letrat e panjohura në arkivin e Vjenës. Rilindasi. Suplement javor drejtuar nga Admirina Peçi. /Shqiptarja.com/. Tiranë: Shqiptarja.com, 12 qershor 2012, f. 20-21.

[42] Musa Ahmeti, Në nderim të njërit prej themeluesve të shtetit bashkëkohor shqiptar – Imzot Nikollë Kaçorrit. Në: Imzot Nikollë Kaçorri. Burrështetas shqiptar në altarin e atdheut. Tiranë: Emal, 2012, f. 5

[43] Alfredo Laudiero, Oltre il nazionalismo. Le nuove storiografie dell’est. Napoli: L’Ancora del Mediterraneo, 2004, f. 20-24.

[44] Angjelin Shtjefni, Nikollë Loka, Imzot Nikollë Kaçorri. Burrështetas shqiptar në altarin e atdheut. Tiranë: Emal, 2012.

[45] Xheladin Tollja, Lura:trashëgimi historike dhe etnokulturore, Tiranë: ASD Studio, 2006, f.3; A. Shtjefni, Imzot Nikollë Kaçorri…, f. 8.

[46] A. Shtjefni, Imzot Nikollë Kaçorri…, f. 23.

[47] Ledia Dushku, Nga të mandatuar në kohë lufte, në të zgjedhur në periudhë paqeje: një qasje krahasuese e tipareve të përfaqësimit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës dhe parlamentin e vitit 1921. Në: Studime Historike. Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike. Instituti i Hisotrisë, 2021, viti LXXV (LVIII), nr. 1-2, f. 69-89, këtu: f. 73.

[48]Fulvio Cordignano S. I., L’Albania a traverso l’opera e gli scritti di um grande Missionario italiano il P. Domenico Pasi S. I. ( 1847- 1914). Volume III. Da Alessio a Oroshi, per le amarissime prove di Durazzo, con la potenza purificatrice della persecuzione – rivolto uno sguardo verso l’Oriente – a la gloria della fine. Roma – Istituto per l’Europa Orientale, 1934, vëll. III, f. 409-4141.

[49]Gjon Lleshi, Selia Arqipeshkvnore e Durrësit & Kisha e Shën Teodoritnë Delbnisht Kurbin /La Sede Arcivescovile di Durrazzo & Chiesa di San Teodoroa Delbnisht, Kurbin Në: Miqësia. Revistë kulturore periodike eShoqatës Kombëtare të Miqësisë & Bashkëpunimit Shqipëri – Itali. Kurbin: Organ i Shoqatёs Kombёtare tё Miqёsisё dhe Bashkёpunimit Shqipёri –Itali, 2011, dhejtor, viti III, nr. 3,  f. 17-19.

[50]Kastriot Dervishi, Unë zëvendësi i Ismail Qemalit, gazeta “Sot”, nr.11, 18 janar 2003, f. 13. 

[51] Nuridin Ahmeti. Kontributi i klerikëve në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë:  Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2013, vëll. 43, f. 185-196, këtu: f. 191, ref. 21.

[52] Dom Nik Ukgjini, Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës, Kaçorri, rivarroset në Kishën e Shën Luçisë në Drrës. Shqip. Tiranë, 09 shkurt 2011.

[53]Bernardin Palaj, Tradita e krishterë te iliro-shqiptarët. Fisi i Shalës-Dukagjinit. Në: Mitologji doke dhe zakone shqiptare. (Zgjodhi, shtjelloi dhe përgaditi për shtyp Anton Nikë Berisha). Prishtinë, Shpresa, 2000, f. 87-150.

[54]Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria osmane te Shqipëria evropiane. Prishtinë: Faik Konica, 2010, f. 296.

[55] Fehari Ramadani, Shqipëria në politikën e Austro-Hungarisë në fillim të shek. XX. /Albania in the policy of the Austro-Hungary in the beginning of the 20th century/. Në: Studime Historike. Qendra e Studimeve Albanologjike. Instituti i Historisë. Tiranë: Instituti i Historisë, 2008, viti LXII (XLV), nr. 3-4, f. 39-64, këtu: f. 63.

[56] Xheladin Shala, Shpallja e Pavarësisë më 1912 dhe përgjysmimi i Shqipërisë. /Declaration of Independence in 1912 and Dimidation of Albania/. Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2007, vëll. 37, f. 161-180, këtu: f. 170.

[57] Ramë Buja, Kosova në krizën jugosllave. Prishtinë: AAB Riinvest, 2011, f. 97-98.

[58] Krisztián Csaplár-Degovics, Der erste Balkankrieg und die Albaner. Beitrag zur Geschichte der Unabhängigkeitsproklamation Albaniens (28. November 1912). /The First Balkan War and the Albanians. Contribution to History of the Declaration of Independence in Albania (28. November 1912)/. Në: Südost-Forschungen. Internationale Zeitschrift für Geschichte, Kultur und Landeskunde Südosteuropas. München: Institut für Ost- und Südosteuropaforschung Veröff entlicht durch Verlag de Gruyter Oldenbourg, 2015, vëll. 73, f. 168-201, këtu: f. 191 e 193.

[59] Ilirjana Kaceli ‐ Demirlika, Kongresi i Elbasanit dhe shkolla Normale në arsimin shqiptar. Në: Në: Gjurmime Albanologjike – Seria e shkencave historike. Prishtinë:  Instituti Albanologjik i Prishtinës, 2020, vëll. 50, f. 129-143, këtu: f. 134.

[60]Tomë Mrijaj, Imzot Nikollë Kaçorri-një ndër baballarët e kombit shqiptar. Në: Dielli Demokristian. Buletin Informativ. Vjenë: Organ i aktivistëve dhe intelektualëve shqiptarë demokristianë në Vjenë, qershor 2017, nr. 29, f. 25-26.

[61] Anisa Papleka, Domenikanët në Shqipëri. Përhapës të dijes dhe kulturës kombëtare dhe përendimore. /Hisotri & fe/. Shqip. /E përditshme e pavarur/. Tiranë. 31 mars 2007, viti II, nr. 85 (377), f. 26-27.

[62] Douglas Saltmarshe, Identity in a Post-Communist Balkan State. An Albanian village study. Aldershot, Burlington USA, Singapore, Sydney: Ashgate, 2001, f. 35, 148.

[63] Zekeria Cana, Populli shqiptar në kapërcyell të shekullit XX. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1990, f. 94-95.

[64] N. Ahmeti. Kontributi i klerikëve në shpalljen…, vëll. 43, f. 185-196, këtu: f. 193.

[65] N. Ahmeti. Kontributi i klerikëve në shpalljen…, vëll. 43, f. 185-196, këtu: f. 191, ref. 21.

[66] A. Shtjefni, Imzot Nikollë Kaçorri…, f. 24.

[67] Shan Zefi, Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve (XV-XX). Arsyet e islamizimit dhe qëndrimi i Kishës ndaj kësaj dukurie. Prizren: Drita, 2000, f. 1-188; Nicola Jorga, Geschichte des Osmanischen Reisches/Geschichte der Europäischen Staaten/. Gotha: Friderich Andreas Perthes Aktengesellschaft, 1908, vëll. I, f. 279-296.

[68] Lorenzo Tacchella, Il Cattolicesimo in Albania nei secoli XVII e XVIII. /Dalle Visite ad Limina Apostolorum e dai Processi Concistoriali/. Verona: Biblioteca Capitolare di Verona, 1984, f. 38.

[69] Roberto Moroco dela Roca, Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944. (Përktheu nga origjinali italisht: Luan Omari). Tiranë: Shtëpia botuese “Elena Gjika”, 1993, f. 19-24.

[70] Odette Marquet, Pjetër Bogdani. Letra dhe dokumente nga Arkivi i Kongregatës “de Propaganda Fide” si dhe nga Arkivat Sekrete të Vatikanit./Mendimi Shqiptar/. Shkodër: Shtëpia botuese “At Gjergj Fishta,” 1997, f. 29-34.

[71] Alexander Koller, Kurie und Politik. Stand und Perspektiven der Nunziaturberichsforschung. Tübingen: Max Niemeyer Verlag Tübingen, 1998, f. 1-15.

[72] Etleva Lala, The Papal Curia and Albania in the Later Middle Ages. Në The Long Arm of Papal Authority. Ed. GerhardJaritz, Torstein Jorgensen, Kirsi Salonen. Medium Aevum Quotidianum.Sonderband XIV – CEU Medievalia 8. Bergen, Budapest, Krems: CEU Press, 2004, ff. 89-101.

[73] Philippe Levillian (Ed.), Dizionario storico del Papato. /Cmitato  scientific: Philippe Boutry, Oliver Guyotjeannin, Philipe Kevillain, François-Çarles Uginet, Jean-Louis Voisin/. Milano: Bompiani, 1994, vëll. II, I-Z, f. 1128.

[74] Etleva Lala, The Survival of the Catholic Church in Albania during the Period of Direct Contact with the with the Ottomans (1458-1484). Në …Et usque ad ultimum terrae-The Apostolic Penitentiary in Local Contexts.Edituar nga Gerhard Jaritz, Torstein Jørgensen, Kirsi Salonen. SeriaCEUMedievalia. Budapest, Hungari: Central European University, Department of Medieval Studies, Central European University Press, dhe Hungarian Academy, Rome, 2007, f. 115-122.

[75] Matteo Sanfilippo, Alexander Koller, Giovanni Pizzarusso, Gli archivi della Santa Sede e il mondo asburgico nella prima età moderna. Viterbo: Sette Città, 2004, f. 257-258.

[76] Lorenzo Tacchella, Le Antiche sedi episcopali Latine, Greche e Bulgare dell’Albania etnica e della Macedonia. Milano: Biblioteca  dell’ Accademia Olubrense, 1990, f. 114.

[77] Liman Varoshi, Ballkanet mes tri perandorive. Nga kriza e Lindjes deri në kohët e reja. (Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit. Fakulteti i Shkencave Humane, Departamenti i Historisë dhe Gjeografisë). Tiranë: Naimi, 2010, f. 155-156.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com