Bankat e para në Shqipëri: bankat osmane, austro-hungareze dhe italiane

Prof. as. dr. Hasan Bello

Për shumë shtete duke nisur që nga shekulli i XIX-të një nga institucionet më të rëndësishme në aspektin financiar ishte sistemi bankar. Por kur i ka fillimet ky sistem në territoret shqiptare?

Në kuptimin bashkohorë të fjalës ai fillon relativisht vonë.

Pas Luftës së Krimesë (1853-1856) në Perandorinë Osmane lindi nevoja për krijimin e një banke. Një hap i tillë u imponua edhe nga presioni i shteteve auropiane me qëllim për të garantuar shlyrjen e borxheve që i kishin dhënë shtetit osman.

Kështu, më 4 shkurt 1863 u krijua Banka Otomane nën kontrollin e grupeve financiare dhe kapitalit anglo-francez. Këto shtete ishin edhe kreditorët kryesorë të perandorisë.

Për nevojat e administratës Banka Otomane hapi degët e saj në vilajete të ndryshme. Nga hulumtimet e bëra deri tani na rezulton se degë të kësaj banke kanë funksionuar edhe në disa qytete shqiptare, si: në Manastir (1903-1914), Shkup (1903-1914), Janinë (1910-1921) dhe Shkodër (1911-1914). Banka Otomane ishte bankë emisioni dhe kreditimi. Prandaj edhe në Shqipërinë e atyre viteve, ashtu si kudo në shtetin osman, qarkullonin lira prej ari, mexhidije dhe groshare prej argjendi, nikeli etj.

Më 15 gusht 1888 u krijua Banka Agrare Otomane e cila kishte si qëllimi kreditimin e fshatarëve dhe pronarëve që zotëronin sipërfaqe të punueshme. Ajo synonte që t`i jepte një impuls të ri zhvillimi bujqësisë. Kapitali i kësaj banke, përveç 10 milion lirave turke të akorduara nga shteti osman, formohej dhe nga 1% që vilej nga të ardhurat vjetore të fshatarësisë. Kjo bankë kishte filiale edhe në disa qytete (kaza) të Shqipërisë, si: në Elbasan, Tiranë, Shkodër, Kavajë, Berat, Korçë etj.

Në vitin 1907 në Shkodër u çel një filial i Banco Tozzi e C, me qendër në Venedik. Por deri tani nuk kemi të dhëna që konfirmojnë aktivitin intensiv të këtij filiali. Në këtë periudhë përpjekjet e kapitalit italian hasën në pengesën e autoriteteve osmane dhe në rivalitetin e politikës austro-hungareze, e cila e shihte me xhelozi depërtimin e tij në territorin shqiptar.

Më 4 tetor 1913, Ismail Qemali, i cili kishte filluar përpjekjet për krijimin e një banke shqiptare, i gjendur nën presionin italo-austro-hungarez nënshkroi një marrëveshje me përfaqësuesit e bankës austriake Wiener Bank Verein, me qendër në Vjenë dhe përfaqësuesin e bankës italiane Banca Commerciale Italiana, me qendër në Milano. Këto dy banka të huaja ishin përfaqësuese të grupeve financiare në shtetet e tyre dhe kishin si qëllim kontrollin ekonomik të shtetit të sapo krijuar shqiptar.

Për shkak të fillimit të LPB, projekti i krijimit të Bankës Shqiptare me kapital austro-italian nuk u realizua. Emblematike mbetet deklarata ironike që I.Qemali i bëri ministrit të Jashtëm italian, kur ky i fundit i bënte presion për hapjen e kësaj banke: “ne lindorët kemi parë një burrë të martuar me dy gra, por nuk kemi parë një grua të martuar me dy burra”. Kjo tregon se I.Qemali ishte i vetëdijshëm se pas kapitalit italo-austro-hungarez të kësaj banke, fshiheshin synimet e këtyre shteteve për të ushtruar ndikimin e tyre.

Në vitet 1917-1918, kur Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u pushtua nga Austro-Hungaria, në Shkodër funksionuan disa filale të bankave austriake, si: Wiener Bank Verein, Pester Bank dhe Ungarische Bank, të cilat, si qëllim kryesor kishin grumbullimin e arit nga popullsia shqiptare kundrejt banknotave (korona), që pas lufte nuk patën asnjë vlerë.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com