At Artur Liolini përcillet me nderim dhe dhimbje nga shqiptarët e Amerikës

Rafaela Prifti

Përcjellja me nderime e At Artur Liolinit sot nga Kisha Ortodokse Shqiptare e Shën Gjergjit në Boston iu kushtua “shërbestarit të Zotit dhe të komunitetit’ që mbeti i tillë deri në fund të jetës së tij. At Arturi “ e mishëronte fjalën e Perëndisë në jetën e përditshme shërbestare” sic tha Peshkopi Nikodhim në meshën e liturgjisë mbajtur për të.

Figurë e njohur dhe e respektuar e Kishës Ortodokse dhe komunitetit shqiptaro-amerikane, At Artur (Liolin) mbante titullin e Kancelarit të Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë nga viti 1975, vetëm pesë vjet pasi ishte dorëzuar prift. Në 2020 atij ju dha tituli Emeritus nga Kryepeshkopata Shqiptare për nderim të 50 viteve përkushtimi ndaj kishës. Gjatë viteve të shërbimit, At Arturi u kujdes per gjallërimin shpirtëror dhe veprimtaritë e komunitetit shqiptar. I apasionuar pas studimeve teologjike, ai respektohej për erudicionin dhe shpirtin e tij humanist.

Prindërit e tij kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Boboshtica e Korçës dhe familja Liolin jetonte në Nju Jork në fillimet e shekullit 20. I ati ishte mik i afërt me Fan Nolin, krijuesit të Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqiperisë, Fan Noli, dhe fëmijët adhurues të tij.

Anëtarëve të familjes Liolin, të bashkëshortes Margarita, vajzave, djalit, vëllait Jimmy, ju shprehën ngushëllime anëtarë të komunitetit, shumë përfaqësues të shoqatave, aktivistë e besimtarë. Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra u vendos një kurorë me lule pranë trupit të At Liolinit në Kishën e Shën Gjergjit me anë të delegacionit të përbërë nga kryetari Elmi Berisha, Kryetari i Nderit Agim Rexhaj, Arkëtari Besim Malota, Shefi i Kabinetit Dr. Pashko Camaj, Editorja e Anglishtes Rafaela Prifti dhe Petrit Alibeaj nga Bostoni. Në fjalën e tij kryetari Elmi Berisha shprehu keqardhjen e vatranëve për ndarjen nga jeta të At Arturit si një “humbje shumë e thellë për të gjithë ne sepse mbi supet e tij ai ka mbajtur një trashëgimi, një kulturë, një ndjenjë shpirtërore dhe njerëzore që është përcjellë nga vetë Fan Noli.”

Pas përfundimit të liturgjisë, procesioni i makinave shkoi për në varrezat Forest Hills. Mbi trupin e tij u thanë lutjet e Peshkopit Nikodhim. Pjesëmarrësit u ftuan ta nderojnë duke e përcjellë me një lule mbi arkivol nën tinguj muzike të përzgjedhura nga vetë At Liolini. Ai pushon pak hapa më tej vendpushimit të fundit të Fan Nolit.

Check Also

Marko Kepi nis fushatën për Senatin e Nju Jorkut Mbështetur nga Përfaqësuesit Republikanë në Bruklin

Rafaela Prifti Marko Kepi shpalli publikisht kandidaturën e tij si republikan për Senatin e shtetit …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com