83 vjet më parë, më 7 shkurt 1941, ndërroi jetë gjuhëtari, historiani dhe arsimtari i devotshëm, Mati Logoreci

Mati Logoreci lindi më 10 shkurt 1867 në Shkodër, qytetin me tradita dhe qendër tregtare të kohës. Mësimet e para i mori në vendlindje. Për katër vjet ndoqi Kolegjin Saverian të qytetit, duke nxënë kështu njohuri lidhur me ekonominë dhe tregtinë.

Në moshë fare të re punoi si shegert në shoqërinë tregtare të familjes Parruca, të emigruar asokohe në Itali. Pas kësaj detyre, u dërgua si llogaritar në Trieste, ku kreu njëkohësisht edhe studimet për pedagogji, një pasion i tij. Në atë përiudhë Logoreci u njoh me shkrimet e Jeronim de Radës, Dora d’Istrias, Zef Serembes e të tjerë. Rënia në kontakt me botimet e përkohshme të Sofjes, Bukureshtit dhe Stambollit, sidomos me ato të vëllezërve Frashëri, Pashko Vasës dhe Zef Jubanit, ishte një tjetër periudhë e rëndësishme për Logorecin.

Pas kthimit në atdhe në vitin 1889, shfaqi entuziazëm në zhvillimin e arsimit. Logoreci ndërmori nismën për hapjen e shkollës së parë shqipe në Kosovë. Kjo ndodhi në Prizren, ku me përkushtimin e mësuesit shembullor, ai edukoi brezat e rinj. Ky kontribut u shtri edhe gjetkë në veri.

Në nëntor 1907 nisi botimin në Trieste të gazetës “Dashamiri”, bazuar në alfabetin e njohur asokohe si “Agimi”. Gazeta nuk pati jetëgjatësi.

Në vitin 1908, Logoreci së bashku me Ndre Mjedën mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Agimi”. Po atë vit, së bashku me Lazër Mjedën, të vëllanë e poetit Ndre Mjeda, organizoi një shkollë nate shqipe në Shkodër. Në vitin 1911, ai botoi një tekst shkollor për historinë e lashtë me titull “Ndolliina historijet t’motshme”, i cili përmblidhte historinë e lashtë të Ilirisë, Maqedonisë dhe Epirit si dhe përfshinte një vështrim mbi Egjiptin dhe Greqinë e lashtë.

Më vonë, pas shpalljes së pavarësisë, shërbeu si mësues në Tiranë, ndërsa në vitin 1916 u emërua si funksionar për arsimin në Shkodër, kohë që përkon edhe me anëtarësimin e tij tek “Komisia Letrare Shqype”.

Statura e Logorecit u rrit shpejt dhe ai u lidh me studiues të shquar të gjuhës e të historisë sonë në trevat shqiptare e jashtë tyre, duke këmbyer mendime e materiale për probleme të gjuhës shqipe. Përveç miqësisë me Mjedën, ai kishte lidhje edhe me prof. dr. Aleksandër Xhuvanin, Norbert Joklin, Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin, Gjergj Fishtën, etj.

Më 1920 përfaqësoi Shkodrën në Kongresin e Lushnjës. Nga viti 1922 deri në vitin 1923 shërbeu si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe iu kushtua arsimit derisa doli në pension në vitin 1930. Në vitet 20, ai botoi edhe tekste të tjera shkollore, mes të cilave “Historija e përgjithshëme”, Shkodër 1924, ku spikat një prirje e lehtë letrare e gjuhësore. Logoreci është shquar si purist i gjuhës së dialektit të Shqipërisë së Veriut.

Por edhe në pesion, ai nuk ndali së menduari për të mirën e përgjithshme të shqiptarëve. Mati Logoreci iu kthye botimit të një gazete të re, “Drita”, numri i parë i së cilës doli më 28 nëntor 1936, në 24 vjetorin e pavarësisë, dhe zgjati deri në vitin 1939. “Drita” ishte gazeta më e madhe shqiptare në vitet para Luftës së Dytë Botërore me një tirazh prej 4 mijë kopjesh. Mati Logoreci ishte tepër i lidhur me gazetën. Ai i redaktoi vetë nëntëdhjetë e tre numrat e parë deri më 23 mars 1937.

Mati Logoreci vdiq në Tiranë më 7 shkurt 1941. Atij iu dha titulli “Mësues i Popullit” me rastin e 100-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe. Në nderim të figurës së tij, rrugë dhe shkolla mbajnë emrin e tij. Ato janë:

Rruga “Mati Logoreci” – Tiranë

Shkolla “Mati Logoreci” – Shkodër

Shkolla “Mati Logoreci” – Prizren

—Administratori

Marrë nga “Mid’hat Abdyl Frashëri”

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com