8 dhjetor 1990/ Si u motivua Lëvizja për Demokraci dhe kronologjia e ditës që hyri në histori

Nga Leonard Veizi

Muri sovjetik i Berlinit kishte rënë në Gjermani dhe Bukureshti ishte përfshirë prej kohësh nga revolucioni i përgjakshëm antikomunist, por në Shqipëri ende nuk ishte ndjerë si duhet fryma e ndryshimeve radikale që kishte përfshirë Evropën Lindore të KNER-it, ku dikur futeshin vendet e “Kampit Socialist”. Shqipëria ishte fort e izoluar për të kuptuar në kohë reale se çfarë po ndodhte ne pjesën tjetër të botës, e për më tepër në Evropën Lindore ku regjimet komuniste të instaluara më së shumti pas Luftës së Dytë Botërore po shpërbëheshin në mënyrë të përshpejtuar e të pakthyeshme. Sllogani “Lindja është e kuqe” kishte pushuar së funksionuari, të paktën në Evropë, e për më tepër, në Azi po ndërmerreshin reforma të përshpejtuara.

Gjithçka po lëvizte zhurmshëm, por timpanet e alarmit ende nuk kishin mbërritur në veshin e izoluar të shqiptarëve. Ndërsa, ata të cilët e kuptuan se gjithçka dogmatike kishte marrë fund, ishin dhe të parë që iniciuan lëvizjet për demokraci. E megjithëse me vonesë në ngritjen e revoltës qytetare, sërish shqiptarët ishin në kohën e duhur për t’ju bashkangjitur vagonit të fundit të trenit që kishte marrë superxhiron për nga kahu i kundër, andej nga jeta nuk kishte mungesa, dhunë e privime të pakuptimta…

…Studentët e shpërthyen zemërimin e mbledhur prej kohësh. Ata e gjetën pretekstin për t’u ngritur në një revoltë të zhurmshme. Ca kushte ekonomike më të mira në ambientet rinore të Qytetit Studenti, ku socializmi përgatiste kuadrot e rinj për “frontin e madh të punës”. Nuk u desh më shumë se një natë e tillë që gjysma e Tiranës të mbushte sheshet e qendrës studentore në një manifestim solidarizues mbushur me parulla e kundërparulla “reaksionare”. Kordoni i policisë blu pa grada dhe për më tepër e ushtarëve të veshur me uniforma jeshile e mburoja plastike, nuk mund ti bënin më ballë uraganit të saponisur. Qëndresa për ta mbajtur Shqipërinë, “as me Lindjen dhe as me Perëndimi” kishte marrë fund. Në vend të saj një tjetër do të ishte dhe parulla bazë e lajtmotivi kryesor i Lëvizjes studentore: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”

Nisja

Por gjithçka kishte nisur që më parë. Viti 1990 nuk ishte aq i qetë për nomenklaturën e lartë komuniste. Në fillim të vitit pati raste të protestës politike në Shkodër dhe më pas në Kavajë. Gjatë atij viti Tirana zyrtare u vizitua nga kreut i OKB-së, Peres De Kuelar. Ndërkohë që plenumet e Byrosë Politike ishin të detyruara të bënin dhe disa lëshime. Ndaj me këtë rast u rikthyen dhe institucionet fetare që kishin të bënin me lirinë e besimit. Por veprimtaria anti-parti do të kulmonte me hyrjen masive të shqiptarëve në ambasadat e huaja, dhe largimin e tyre për në Perëndim, gjatë muajin korrik ‘90.

Të gjitha këto së bashku ishin pjesë e një klime ndryshimi. Sepse dhe kriza ekonomike ishte e thellë. Ndërkohë zhvillime pati në gjithë rajonin. Në shtator ‘90 pati një takim i Ramis Alisë me intelektualët ku u rrahën mendimet rreth demokracisë e pluripartitizmit. Por një ngjarje tjetër tronditëse për rregjimin ishte deklarata politike e shkrimtarit Ismail Kadare, i cili më 25 tetor 1990 pasi njoftoi nga Parisi arratisjen e tij në Francë, kërkoi vendosjen e demokracise në Shqipëri, duke shprehur zhgënjimin për ndryshimet e ngadalshme. Në këtë mënyrë dhjetori 1990 nuk ishte vetëm kalendarikisht viti i fundit i vitit, por ishte përmbledhje e gjithçkaje që ndodhi në atë periudhë kohore.

Studentët

Dhe kështu 30 vite më parë, pikërisht në Qytetin “Studenti”, të rinjtë e Universitetit të Tiranës ngritën krye kundra regjimit, për herë të parë në historinë 46-vjeçare të komunizmit shqiptar. Në ambientet universitare kishte rritje të dukshme të pakënaqësisë dhe ndjenjës së protestës. Nuk kishte më frikë për kritika ndaj regjimit dhe eksponentëve të tij kryesor. Pakkush besonte ende në aftësinë e regjimit për ndryshim dhe se nënshtrimi letargjik i shoqërisë shihej çdo ditë e më i papranueshme.

Shpresa se ndryshimi i shpejtë, do vinte nga pjesa e elitës zyrtare të regjimit, ishte në kufijtë minimalë për të mos thënë e pabesueshme. Protesta nisi dukshëm në ditët e para të dhjetorit, fillimisht me thirrje politike dhe revoltat e ballkoneve dhe më pas, në mbrëmjen e 8 dhjetorit me thirrje dhe nismë konkrete për protestë të organizuar. Protesta e datës 8 vijoi disa orë, deri në mesnatë, dhe ishte një luftë e ashpër nervash dhe force midis studentëve dhe forcave më të zgjedhura policore dhe politike të regjimit. Ministra dhe zyrtarë, rektorë dhe sekretarë partie morën rrugën për në Qytetin Studenti bashkë me specialët e policisë për të bindur të rinjtë të tërhiqeshin.

Pasi dështuan, atë natë të 8 dhjetorit dhe të nesërmen e 9 dhjetorit në mesditë ata bënë atë që dinin më mirë të bënin prej 46 vitesh, përdorën dhunën, kërcënimin dhe shantazhin. Studentët reaguan ashtu siç nuk ishte reaguar asnjëherë më parë, jo fshehje dhe frikë, por përballje me regjimin, rrëzimin e frikës dhe vendosmërinë për të ecur përpara në projektin e tyre.

Kërkesat

Revolta startoi si kryqëzim i mungesave të pafund të kushteve të jetesës. U desh një ikje dritash që fishkëllimat dhe thirrjet për protestë të nisnin. Në 8 dhjetor studentët u bënë të “pabindur” në kërkesat e tyre. Fillimisht nisi me kërkesa ekonomike. Edhe lëvizjet më të mëdha politike kanë pasur alibi ekonomike apo sociale. E njëjta situatë u përsërit edhe në Shqipërinë e vitit 1990. Gjithsesi, dokumenti i vetëm zyrtar është peticioni i studentëve dhe ai qartësisht përmban kërkesën për pluralizëm politik, për reforma të thellë politike dhe ekonomike, për krijimin e partisë së re konkurrues me PPSH dhe për publikimin e dokumenteve ndërkombëtarë që përbëjnë “abc” e standardeve demokratike. Ky dokument nuk lë dilemë se protesta ishte dhe mbeti politike nga dita e parë në të fundit. Edhe në takimin me udhëheqësin komunist Ramiz Alia, askush nuk u mor me tema ekonomike e sociale, e gjithë biseda është politike dhe nuk mund të ishte ndryshe.

Lideri

Çdo lëvizje, protestë a revolucion ka liderët e saj. Edhe lëvizja studentore e vitit 1990 nuk mund të ishte pa kokë edhe pse fillimi i saj dukej disi kaotik. Azem Hajdari pati një rolin kyç në lëvizjen studentore të vitit 1990. Në ato ditë të tensionuara e plot emocioni ai doli në krye të turmës, duke marrë në këtë mënyrë rolin e një i liderit absolut.

Askush se vuri në dyshim rolin e tij përgjatë atyre ditëve që rridhnin shpejt e gjithë tension. Atij s’ia dha kush atë rol e fitoj prej guximit, moshës, energjive, fjalimeve të zjarrta, besimit që ngjallnin fjalët e tij.

Revolta e studentëve të dhjetorit nuk ishte asgjë me shumë se shkëndija që shërbeu për të ndezur atë zjarr të madh të ndryshimit për të cilin një popull i tërë ishte jo vetëm gati por edhe tejet i dëshiruar. Si në ç’do revolucion, është rinia ajo që hedh hapin e parë duke marre mbi vete kostot dhe rreziqet e frontit.

Lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri e nisur më 8 dhjetor 1990, vazhdoi disa ditë me radhë, derisa kjo lëvizje solli edhe shpalljen e pluralizmit politik në Shqipëri.

Ditari i 8 Dhjetorit ’90

Ora 10:00.

Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Një studente iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha: “unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…”

Ora 20:30.

Kabina elektrike në Qytetin “Studenti” merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parrullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri/ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje, ja liri”! Pastaj u hodhën parrullat: “Poshtë komunizmi” dhe “Komunistët në litar”.

Ora 21:00

Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u mbledhur të gjithë. Brenda 10-15 minutave u mblodhën rreth 200-300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17, u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në Sheshin që sot quhet “Demokracia”.

Ora 21:00

Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë, dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri, si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e “Elbasanit”, me synimin për takim me R.Alinë ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”.

Ora 22.00

Në hyrje të lagjes, afër çerdhes, policia kishte vënë postbllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte.

Ora 24.00

Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com