111-VJETORI I PAVARËSISË, VATRA BASHKOI SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Sokol Paja

New York, 28 Nëntor 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA bashkoi patriotët shqiptarë nga të gjitha shtetet e Amerikës duke festuar me madhështi e hijeshi 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Në një ceremoni festive që bashkoi veprimtarë të çështjes kombëtare, mësues, vatranë, përfaqësues nga shoqat shqiptare në New York, luftëtarë të UÇK, diplomatë e aktivistë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, folësit falënderuan Vatrën për punën e shkëlqyer në dobi të komunitetit shqiptar dhe çështjes kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Festa e flamurit kombëtar është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit shqiptar. 28 Nëntori 1912 është dita e lirisë së përjetshme dhe e pavdekshme të popullit shqiptar dhe hedhja e themeleve të shtetit modern shqiptar. Flamuri është simboli më i çmuar i një populli e kombi. Flamuri kuqezi është krenaria jonë kombëtare, identiteti ynë, frymëzimi ynë. Në themel të pavarësisë është gjaku, mundi, djersa, sakrifica, lufta, përpjekja e patriotëve, heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve e çlirimtarëve shqiptarë që dhanë jetën për komb, për flamur, për atdhe.

Darka gala e Vatrës në Bronx filloi me këndimin e himneve kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u ekzekutuan mjeshtërisht nga tenori Julian Gjojdeshi. Në nderim të heronjve të kombit dhe vatranit Ukë Gjonbalaj u mbajt një minutë heshtje.

Dom Nikolin Përgjini bekoi darkën e flamurit ndërsa kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha shpalosi para të pranishmëve sukseset dhe arritjet e Vatrës në vitet e fundit duke rreshtuar vizat zyrtare, memorandumet institucionale, punët e jashtëzakonshme lobuese në Uashington në dobi të kombit e çështjes shqiptare. Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe deputeti Driton Selmanaj vlerësuan rëndësinë historike të Nëntorit si festë pavarësie, ditëlindjen e komandantit legjendar të UÇK Adem Jashari, daljen zyrtare publike të UÇK dhe punën e madhe të Vatrës në mërgatën e Amerikës.

Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z.Ervin Bushati dhe z.Ferit Hoxha në Kombet e Bashkuara uruan Festën e Pavarësisë, dhanë mesazhe bashkimi e bashkëpunimi në dobi të çështjes shqiptare në Amerikë ku Vatra ka pasur rol historik.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi z.Nikollë Camaj foli rreth rritjes dhe fuqizimit të peshës së shqiptarëve në Mal të Zi e kudo në viset shqiptare në Ballkan, ndërsa diplomati Fatmir Zajmi përshëndeti darkën e Vatrës në emër të Konsullatës së Kosovës në New York.

Veprimtari i komunitetit z.Mark Gjonaj tha i ekzaltuar se Vatra bashkon rreth vetes shqiptarët më të suksesshëm dhe festa e bashkimi i shqiptarëve për të gëzuar e festuar suksese të kombit tonë është diçka madhështore. Ambasadorja e Vatrës zonja Emina Çunmulaj emocionoi të gjithë të pranishmit me mesazhe atdhedashurie për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës autentike shqiptare.

Kryetari i komisionit organizativ të festës së Flamurit z.Ilir Cubi shprehu mirënjohje për pjesëmarrësit dhe renditi rëndësinë që ka Vatra për shqiptarët në Amerikë. Festa e Flamurit u mbyll me dekorimin nga Vatra të mësuesit të shquar nga Kosova z.Demë Malota për kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e mësimit shqip në Kosovë, zhdukjen e analfabetizmit, qëndresën ndaj okupatorit serb dhe kultivimin e vlerave më të larta edukative e atdhetare ndër breza. Nën tingujt e magjishëm të muzikës autentike shqiptare kënduar nga Greta Tafa, tenori Julian Gjojdeshi, Hermes dhe i madhi Bashkim Alibali, mbrëmja festive vazhdoi deri në orët e vona.

Në kalendarin historik të lavdisë së kombit tonë, Vatra ka meritë historike pasi e mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, i priu mbrojtjes së shtetit shqiptar, organizoi diplomacinë, pagoi ambasadorë dhe luftoi fort për të mbrojtur territoret e Shqipërisë nga copëtimi.

Vatra është nderi i kombit shqiptar. Vatra është historia, identiteti, krenaria dhe trashëgimia me e çmuar historike, shpirtërore dhe atdhetare e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Check Also

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e Pallatit Brancaccio në Romë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali festoi 16 vjetorin e Pavarësisë në sallonet e …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com