100 VJETORI I LINDJES SË DR. AGIM LEKA

Pertefe Leka

Dr.Leka jetoi 94 vjet, një jetë aktive në shërbim të mjekësisë humane i pandarë nga problemet kombëtare me një publicistikë të pasur. Një jetë e gjatë me shumë veprime të dobishme ndaj kam përmbledhur shumë shkurt disa momente në fushën e gjerë të aktiviteteve të Dr. Lekës sepse është shembull guximi , studimi,me veprime të mirëmenduara në situata të vështira, që vlejnë për të rinjtë shqiptarë që të forcojnë lidhjet me tokën e të parëve. Agim Leka i formuar që në familje si nacionalist anoi nga Apostolli i Shqiptarizmit Mit’hat Frashëri . Pushtimi fashist e gjeti në Liceun e Korçës në radhët e demonstruesve me Prof .Abaz Ermenji në krye. Në moshën 18 vjeçare Agim Leka Borshi bashkoi qëndrimin patriotik anti -fashist me klerin katolik, liceistët, profesorët e Shkodrës kundër Priftit Italian Cordignano që shkroi me urrejtje kundër shqiptarëve. Leka përktheu në italisht broshurën e Dom Nikollë Mazrrekut “Skandali Kordinjano dhe Mbrojta e Kombit Shqiptar “1942. Qellimi ishte për t’ia thënë italianëve të vërtetën në gjuhën e tyre. Qëndrimi i palëkundur i Lekës me intelektualët e Shkodrës u bë temë studimi nga antropologu Donato Martucci në shkrimin “La purezza della razza e lo scandalo Cordignano “ku i shënon edhe moshën të riut (Nella traduzione Italiana ,curate dall’allora diciottenne Agim Leka ).

Me 1943 i Riu Leka, ishte në radhet e luftëtarëve nën drejtimin e komandantit A.Ermenji në Skrapar,ku takoi udhëheqësin e misionit anglez, kolonel McLean. Pati fatin të merrte pjesë në Konferencën e Mukjes, ku nën diktatin e Jugosllavëve, komunistët e prishën marrëveshjen e nënshkruar sepse i njihej e drejta e vetëvendosjes Kosovës dhe trevave të tjera etnike. Pas kësaj përsëri nuk u ndal, por me një grup të rinjsh nacionalistë Nentor 1943 realizuan një takim me heroin e 7 Prillit Abaz Kupi , ku Leka mbajti një fjalë të zjarrtë për çështjen e bashkimit ……( pas 33 viteve , Dr. Leka si mjek i qëndroi pranë Heroit Kupi me përkujdesjen shëndetësore. deri në momentet e fundit 9 Janar 1976 kur ndërroi jetë ). Me 1944 u largua për studime në Austri.Diploma që mori në Salzburg i dha mundësi që të regjistrohet në Universitetin “La Sapienza “ të Romës ku mori specializimin Mjek Kirurg. Në ShBA (1953-58 )mori specializimin në Universitetin e New York – ut dhe të Pensilvanisë për sëmundjet e brendshme dhe kardiologji. Ushtroi detyrën e Pedagogut në Universitetin e Lousville, më vonë u emërua Asistent- Profesor.

Më 1960 hapi zyrën mjekësore në Baldwin Long Island, ku banonte dhe maratona e sherbimeve vjen në ngritje …..Qershor 1994 krijoi “Qendren Mjekësore Shqiptare “ në Bronx ku mori një çmim të veçantë nga Kongresmeni Eliot Engel, i cili e lexoi edhe në Kongresin Amerikan me 26 Maj 1994. Kështu vazhdoi pa e ndaluar aktivitetin mjekësor deri në moshën 83-vjeçare. Me 19 Mars 2011 Shoqata Mjekësore Shqiptaro – Amerikane e vlerësoi: 50 vjet në shërbim të shendetit të qytetarëve . Çmimin ia dorëzoi Nobelisti Dr.Ferd Murat. Dr .Leka gjatë gjithë kohës nuk e ndali aktivitetin edhe në fusha tjera. Me një përpjekje intensive protestoi në redaksine e Enciklopedisë Britanike për gabimin e shkruar për origjinën serbe të Skenderbeut. Për këte pati korrespondencë me F.S.Noli për të siguruar dokumentet përkatëse, veprim që zgjati edhe pas vdekjes Nolit 1961-67, deri sa u rishkrua origjina shqiptare e Skenderbeut në atë Enciklopedi. Po këte vit ,Dr.Leka me Zonjën Elizabeth, profesoreshë e gjuhëve të huaja hapen shkollën Shqipe në Wodhaven Jamica NY, ku u bashkuan edhe Profesorët Sami e Diana Repishti e të tjerë. I ndjeshëm ndaj ngjarjeve të Kosovës me 1969 shkruan në “NewYorkTimes “ – artikullin “Shqiptarët e Jugosllavisë” i nxitur nga vrasja e një të Riu në demostratë me 28 Nëntor, ku theksonte se Qeveria Jugosllave duhet të mësojë nga kërkesat paqësore për drejtësi …..Po këte ndjesi kishte edhe për fqinjin e jugut, ku denonconte politikën e Greqisë për copëtimin e Shqipërisë jugut dhe gjenocidin në Çamëri dhe në Shqipërinë e Jugut ku e kishte pësuar vetë familja Leka në djegien e fshatit Borsh, shkruar në “The New York Times” 1971. Dr. Leka në një letër drejtuar desidentit Milovan Djilas ngriti zërin për lirimin e qëndrestarit hero Adem Demaçit…Replikat me N.Gage për Shqipërinë e jugut (1983) i cili i kërkonte faktorit nderkombëtar ta trajtonte Shqipërinë e jugut si Kosovën , Dr.Leka ia hodhi poshtë me fakte pretendimet e Gage …….Pas viteve 1990 kur u hapen dyert e komunikimit me Shqipërinë inicioi lidhjen ndërmjet Universitetit të Oklahomës dhe Universitetit të Tiranës, i pari në historinë e dy kombeve. Me 1992 së bashku me bashkëshortët Joan Fultz & Uilliam Kontos e të tjerë krijuan Fondacionin Edukativ Shqiptaro- Amerikan Harry Fultz në Tiranë. Me 1993 vizitoi Shqipërinë me pikësynimin të takonte me personalitete të mjekësisë , me Presidentin ,Ministrin e Shendetësisë, Dekanin dhe Profesorë të fakultetit të mjekësisë me të cilët pati rastin të bisedonte për të bashkëpunuar . Si Shqiptar kërkoi nga autoritetet vendore që Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare të drejtohet nga klerikë titullarë shqiptarë, siç ishte Noli dhe pasardhësit e tij. Dr. Leka erdhi familjarisht në Tiranë i ra qark Shqipërisë, të shuante mallin e 50 viteve në mërgim, i ndarë nga Familja dhe Atdheu, për të cilët nuk u kursye asnjëherë. U largua duke përmbushur çdo detyrë që e kishte menduar ta kryente, la Urtësinë për ta kujtuar. Shkrimi i mëposhtëm është shkruar nga Dr.Leka ku janë ngjarje interesante nga jeta e tij.

Check Also

INAUGUROHET BAZA E NATO-S NË KUÇOVË, MESAZHI I PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Të nderuar ushtarakë të lartë të NATO-s, Të dashur ushtarë dhe efektivë të FA, Rijetësimi …

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com